Edison Ceraj

Në pamje të parë, kjo thënie, ose më saktë kjo urtësi e trashëguar, pasi e gjejmë edhe në disa tradita më të hershme se ajo greke, shpërfaq para nesh një të vërtetë të lidhur drejtpërdrejt me jetën tonë. Në fakt, çdo gjë është në lëvizje, pra në rrjedhje, kështu edhe vetë jeta, gjë kjo e vërtetuar edhe nga fizika bashkëkohore.
Pra, jeta është një lumë, i cili nuk ndalet asnjëherë; mirëpo, natyrshëm lind pyetja: cili është burimi i këtij lumi dhe destinacioni tij? Pikërisht këtu qëndron e gjithë çështja, madje nuk e teprojmë nëse themi se e gjithë filozofia këtu përqendrohet, pasi çdo temë a subjekt tjetër ka lidhje të drejtpërdrejt me këtë pyetje.
Hajdegeri na flet dhe gjithashtu na mëson për Qenien e qenies; për marrëdhien ndërmjet dhe për pozitat respektive, por çështja është se sa është i qartë dhe i kthjellët, jo në kutpimin social të fjalës se sa në kuptimin ontologjik, i cili na përfshin të gjithëve, meqë sipas tij jemi qenie të Qenies. Gjuha në këtë rast na jep njëfarë ndihme, e cila më pas lidhet ngusht me kuptimin e “fshehur”, i cili mund të na implikojë ose jo, por e gjithë kjo varet nga përqendrimi dhe përgjegjësia jonë në marrëdhie me këtë tematikë kaq të pashmangshme, sa do që mund të na mpijë harresa.
Ndoshta ne jemi vetëm udhëtarë, të cilët, me sa duket nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se të gjejmë ca të dhëna a ca shenja të cilat na tregojnë se për ku jemi nisur, pra se për ku shkojmë dhe po aq ku përkasim. Me fort të ngjarë jeta e secilit prej nesh e provon mjaft dukshmë dhe prekshëm madje këtë realitet. Por problemi është se nëse nuk dimë nga vimë, nuk dimë as ku shkojmë, nëse ndalemi kalimthi te ligji i shkakut dhe i pasojës.
Përvoja na mëson se çdo gjë e nisur a e bërë ka një destinacion të caktur, pra e thënë ndryshe një qëllim. A mund të na shërbejë kjo përvojë për t’iu afruar kuptimit të lumit? Mendoj se një lidhje duhet të ketë, meqë çdo gjë në këtë univers është kaq organike dhe kaq e gërshetuar, të paktën deri para Rilindjes. Pra, fizikja me metafizken medoemos që duhet të kenë një lidhje. Por, nga ana tjetër burimet tona të njohjes (epistemologjia) me sa duket përcaktojnë çdo gjë, pasi ne mund të flasim vetëm për fizken, atë që arrijnë shqisat tona, pra forcat tona epistemike, por si i bëhet për metafiziken, atë që nuk e arrijnë dot këto forca!
Duke iu rikthyer edhe një herë Hajdegerit, mund të provojmë të themi se Qenia e qenies duhet të jetë burimi i çdo gjëje dhe i çdo njohjeje/urtie e cila hedh dritë mbi çdo fenomen. Në këtë mënyrë, besoj se mund t’i afrohemi thelbit, i cili për shumë arsye qëndron i mbuluar nga përvoja njerëzore, pra nga përpjekjet e njerëzve ndër shekuj, të cilët e kanë veshur me njëmijë e një kuptime duke shtuar kësisoj shtresat të cilat sot e kësaj dite përbëjnë një problem më vete.
Në fakt, këtu përballemi me një paradoks, pasi logjikisht duhet të ndodhte e kundërta, pra qartësimi çështjes, por ja që gjërat nuk janë vetëm logjike!
Pra ajo që rrjedh është jeta jonë dhe jo e vërteta mbi jetën, meqë kjo e vërtetë nuk është produkt i njeriut, ajo ekziston pavarësisht nga ne. Kështu që lumi nuk varet nga fakti se sa e kuptojmë, se sa nga fakti sa ne e pranojmë, pavarësisht shtresave të përvojës njerëzore që e kanë mbuluar.
E gjitha është se ne duhet të përballemi vazhdimisht me këtë realitet, ashtu siç bën dhe Don Kishoti, i cili është i bindur në qëllimin e tij, por rrethanat nuk e lejuan ta jetësonte. Pikërisht këto shtresa të përvojës njerëzore gjakoi të sfidonte “kalorësi i fytyrës së vrerosur”. Në këto rrethana jetojmë dhe ne, dhe nëse nuk ia dalim të çlirohemi prej tyre (çdo gjë tjetër është anësore) do kemi të njëjtin fat si Don Kishoti, sikurse thotë dhe Tomas Man: “Liria nuk është asgjë: i gjithë problemi është çlirimi”.

_______
*Herakliti

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *