Historia që nuk mund të rishkruhet






E. Mertiri

Rishkrimi i historisë është bërë tashmë një temë që ka tërhequr një vëmendje të madhe në opinonin publik në Shqipëri. Kjo temë ka ngjallur shumë interes tek intelektualët shqiptarë, duke përfshirë një problematikë të gjerë e cila shtrihet në sferat më të ndjeshme të debatit publik. Ajo është e tillë pasi ka të bëjë me identitetet që fabrikohen prej grupeve të ndryshme sociale që gjallërojnë sot jetën kulturore, intelektuale dhe politike në Shqipëri. Një mori intelektualësh, thuajse nga të gjitha fushat e mendimit, kanë dhënë gjykime e opinione, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi, lidhur me një proces të tillë, madje media të ndryshme vizive nuk kanë ngurruar ti bëjnë vend edhe gjykimit popullor me anë të intervistave në rrugë, aq sa shpesh të krijohet përshtypja se ky debat po kthehet në një çështje elektorale, ku populli bëhet sovran i shkencës, duke vendosur verdiktin e tij mbi tezat që shtron mendimi historik. Prononcimet për këtë debat kanë shkuar deri aty sa, për të janë shprehur edhe krerë të lartë të shtetit, duke nisur që nga Kryeministri dhe Presidenti i Republikës e me rradhë. Natyrisht, një mjedis i tillë duket i papërshtatshëm për të prodhuar vlera shkencore e intelektuale, pasi kemi të bëjmë me një dukuri negative ku kultura politizohet në funksion të interesave të ndryshme të grupeve shoqërore e politike. Megjithatë, ky është një debat të cilit nuk mund ti iket, për sa kohë që zhvillimet shoqërore, kërkojnë që intelekti t’u përgjigjet me ide, mendësi dhe horizonte të reja. Kjo është një sfidë që mendimi i vërtetë intelektual, duhet ta përballojë megjithë pengesat që i dalin përpara. Megjithë ndotjen ideo-kulturore të mjedisit shoqëror shqiptar, ky debat mbetet i pashmangshëm, për sa kohë që realitetet e reja shoqërore kërkojnë doemos zgjidhje, duke të detyruar të përballesh me to. Përndryshe, e vërteta nuk do të gjejë vend në shoqërinë shqiptare dhe kushdo që do të dëshirojë të rrojë me të, do të duhet të bëhet i huaj në këtë vend.

Nevoja për të zëvendësuar dijen

Në njëfarë mënyre, e gjithë kjo zallamahi kulturore që gjallëron në Shqipëri është e kuptueshme. Bunkerizimi ideologjik i trashëguar prej së kaluarës është vështirë të shembet, për më tepër kur mungon vullneti dhe dijet e duhura për ta realizuar këtë. Rrjedhimisht, rishkrimi i historisë mbetet një proces i cili do të duhet të ecë paralelisht me çmontimin ideologjik të së shkuarës. Nuk mund të ketë rishkrim të historisë, pa u çveshur nga bota ideore prej së cilës rrjedh mendimin historik aktual. Pikërisht kjo shpjegon edhe arsyet se përse debate të tilla janë kaq të nxehta, kaq të ndjeshme dhe kaq të vështira për të vendosur gjuhën e duhur të komunikimit midis ideve që ndeshen. Kjo shpjegon edhe se përse historia shqiptare e ka të pamundur të rishkruhet në qetësi, në ftohtësinë dhe kthjelltësinë e natyrshme të punës akademike, në pavarësi nga zhurmat e politikës së ditës.
Duke dalë nga një sistem diktatorial, i cili veç të tjerash, ishte edhe një sistem i imponuar dijeje, shoqëria shqiptare vjen sot në një stad ku dijet e vjetra të trashëguara nuk funksionojnë më, ndaj dhe duhen ndërruar medoemos. Sidomos përsa u përket dijeve që lidhen me kulturën dhe shoqërinë, ka nevojë për një transformim rrënjësor. Është e natyrshme që nevoja për kësi transformimesh, të prodhojë realitete të tilla intelektuale të kaotizuara, duke bërë që zhvillimi i mendimit të hasë në gjithfarësoj pengesash nga më të ndryshmet. Duke qenë në një tranzicion të gjatë kulturor, shoqëror, politik etj., shoqëria shqiptare, veç të tjerash, nuk ka ditur të ndërtojë ende një hierarki vlerash drejt të cilave të orientohet për të konsoliduar strukturat e saj. Pikërisht kjo bën që edhe debate të tilla të karakterizohen nga masiviteti i pjesëmarrjes dhe jo nga selektiviteti i autoriteteve që ofrojnë tezat e tyre. Normalisht, realiteti kulturor në Shqipëri, duke mospasur ende një strukturë vlerore të standardizuar, nuk i ka krijuar ende autoritetet e veta, ndaj dhe nuk di ku të trokasë për të zgjidhur dilemat që u sjell procesi i kalimit nga një mënyrë e strukturimit shoqëror (karakteristike për regjimin diktatorial të kaluar) në një tjetër.
Por ajo që është e rëndësishme në këtë mes, është se kjo nevojë për ristrukturimin e dijeve sa vjen e rritet, në përpjestim të drejtë me nivelin në të cilin shoqëria ndryshon, në përpjestim të drejtë me nivelin e ndryshimit të mënyrave të organizimit të jetës, modeleve të strukturimit si dhe të raporteve shoqërore dhe kulturore. Në këto kushte, është normale që edhe mendimi historik të shkojë gjithnjë e më shumë drejt ristrukturimit të tij, për sa kohë që ndryshime të tilla shoqërore sjellin domosdoshmërisht, ndryshime të perceptimit shoqëror dhe intelektual, duke sjellë rrjedhimisht edhe këndvështrime të reja mbi të kaluarën e shoqërisë. Nga ana tjetër, nevoja për tu distancuar nga e shkuara e afërt diktatoriale, jo vetëm nga e shkuara si realitet historik shoqëror, por edhe nga e shkuara si sistem dijeje, përbën hapin e parë të domosdoshëm, nëse vërtetë do të duhet të krijohet një rrjedhë e natyrshme drejt zhvillimeve që kërkohen.
Përveç kësaj, historia mbetet sot një fushë e rëndësishme beteje për një një mori grupesh të ndryshme sociale, të shumuara së tepërmi në moçalin kulturor tranzitor postkomunist të shoqërisë shqiptare. Në një mjedis ku diversiteti i grupeve sociale rritet në përpjestim të drejtë me antagonizmin ndërmjet tyre, historia mbetet një armë që gjithkush synon ta përdorë për të triumfuar ndaj kundërshtarit. Rrjedhimisht historia bëhet jo rrallëherë subjekt përplasjesh të ashpra, duke u kthyer, nga një fushë e përfitimit intelektual, e cila na fal bujarisht përvojën e brezave paraardhës, në një terren të minuar, ku brezat e sotëm i ngrenë leqe intelektit, për ta përdorur në funksion të utopive, egocentrizmave apo interesave të vogla klanore e individuale. E gjithë kjo bën që historia shqiptare të bëhet shpesh burim keqkuptimesh apo përplasjesh të shumta, duke i ndihmuar një klime konfliktualiteti ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore dhe tezave përkatëse. Historia kthehet kështu në një lloj pushteti të cilin e ushtron ai që fiton autoritetin për ta treguar. Lufta për autoritetin e rrëfimit në të tilla raste përbën ekzaktësisht, luftë për pushtet.
Në këtë kuptim rishkrimi i historisë mbetet një angazhim i domosdoshëm për të bërë të mundur daljen nga boshllëku kulturor që karakterizon sot shoqërinë shqiptare. Për këtë, ajo duhet të shkëputet përfundimisht nga mendësitë e vjetra, të cilat e mbajnë mendimin të ndrydhur në pengjet e së shkuarës. Ndarja nga e kaluara ideologjike, nevoja për të ndërruar sistemin e dijeve, mbetet një sfidë e një rëndësie madhore për mendimin intelektual në Shqipëri, një sfidë po kaq e rëndësishme sa edhe ajo e rrëzimit të sistemit politik të 1990-n. Nuk mund të themi se e kemi rrëzuar diktaturën, për sa kohë nuk kemi rrëzuar sistemin e dijeve që e ndërtuan dhe mbajtën atë në ekzistencë. Nuk mund të themi se jetojmë në një botë, tashmë të lirë, kur vazhdojmë të mendojmë si në diktaturë, kur në themel të botkuptimeve tona vegjeton e njëjta mendësi, të njëjtat struktura të të menduarit. Ndryshimet shoqërore janë ngushtësisht të lidhura me mënyrën e të menduarit dhe me sistemin e dijeve.

Pengesat doktrinare

Nga sa shohim në debatin publik në Shqipëri, ky proces ka filluar, por ai në të shumtën e rasteve pengohet me forcë dhe në mjaft raste të tjera orientohet keq. Konkretisht, lidhur me temën që po zhvillojmë ndonëse nevoja për rishkrimin e historisë ka fituar tashmë konsensusin e pjesës më të madhe të aktorëve në debatin e sotëm publik, historia shqiptare ka mbetur po ajo, e kyçur në të njëjtat skema dhe pikëpamje, të kristalizuara përgjatë 50 vjetëve sundimi të hermetizmit doktrinar komunist. Ndonëse libra historie shkruhen çdo ditë, shumica dërrmuese e tyre nuk sjell ndonjë këndvështrim të ri, i cili të jetë produkt i një metodologjie shkencore të re, të ndryshme nga ajo që kemi trashëguar nga institucionet e vjetra të kontrollit dhe burgosjes së dijes.
Janë një sërë faktorësh që ndikojnë në frenimin e zhvillimit të reflektimit historik në Shqipëri, gjë që ka bërë që ashtu siç ndodh rëndom, edhe rishkrimi i historisë të shërbejë më tepër për ushqim të përditshëm mediatik pa dhënë asnjë efekt konkret. Faktorë të tillë mund ti ndajmë në dy kategori: në faktorë pengues që vijnë për shkak të mungesës së vullnetit politik, si dhe të tillë që vijnë për shkak të indoktrinimit intelektual të trashëguar nga e kaluara.
Përtej mungesës së vullnetit, ekzistojnë një sërë faktorësh me natyrë doktrinore të cilët frenojnë procesin e ridimensionimit të vlerave të shoqërisë shqiptare e për rrjedhojë, edhe procesin e rishkrimit të historinë. Arsye të tilla kanë të bëjnë me formimin ideologjik të pjesës më të madhe të klasës sunduese intelektuale, me mentalitetin e saj, si edhe me vullnetin e saj për t’u hapur ndaj prurjeve të reja të mendimit.
Konkretisht, elitat kulturore në Shqipëri janë po ato që dikur kanë fabrikuar dhe vënë në zbatim themelet shoqërore të regjimit. Por, ato nuk janë vetëm arkitektë të botës ideore të imponuar prej këtij regjimi. Ato janë po aq edhe produkt i këtij mjedisi doktrinar të ndërtuar nga vetë ata, i cili vazhdon edhe sot ti mbajë të mbërthyer pas strukturave logjike të vjetra. Studiuesit e psikologjisë sociale, mund ta shpjegojnë një dukuri të tillë me absorbimin që organizmi mendor i bën ideve të huaja, duke i njëtrajtësuar ato me veten për ti harmonizuar me tërësinë ekzistuese të ideve. Në këtë mënyrë, kur njeriu ndeshet përballë një bombardimi të fuqishëm propagandistik, ideologjik si ai i ushtruar gjatë diktaturës komuniste, i cili veç të tjerash, as nuk lejonte ekzistencën e asnjë alternative konkuruese, ai e ka të pamundur të ruajë pavarësinë e mendimit brenda vetvetes. Për pasojë mjedisi i ndotur ideologjikisht, arrin të deformojë organizmin ideor të njeriut, duke e bërë atë ti përgjigjet me përpikmëri formateve kushtëzuese të ideologjisë sunduese. Kjo bën që elitat e sotme në Shqipëri ta kenë shumë të vështirë çvishen nga indoktrinimi me të cilin janë familjarizuar për vite me rradhë. Për këtë arsye, ato vazhdojnë të shfaqin të njëjtat skema logjike të trashëguara nga e kaluara, të cilat pengojnë adaptimin me zhvillimet intelektuale të shoqërive moderne. Hapësira e tyre konceptuale është e dominuar nga struktura logjike që janë të mbyllura ndaj çdo ndërhyrjeje në skeletin e tyre dhe që sado të vishen me pikëpamje të reja të importuara nga bota moderne, në thelb ato funksionojnë në të njëjtën mënyrë, gjë që i bën të prodhojnë rrjedhimisht edhe të njëjtat realitete.
Kjo dukuri është mjaft e përhapur dhe ajo karakterizon në masë ligjërimin social, kulturor e politik në Shqipëri. Por ato shfaqen më dukshëm sa herë që debati publik prek tema të tilla të rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë, në të cilat testohet edhe emancipimi i klasës intelektuale të kësaj shoqërie.
Botimi i fundit i monografisë së Skënderbeut, i autorit Oliver Schmitt, rivuri në pah, pikërisht nivelin e emancipimit të elitave shqiptare, si dhe nivelin e reflektimit prej tyre të indoktrinimit të trashëguar nga një e kaluar e barsur jo pak me ndrydhje të tilla doktrinore. Ashtu si edhe në tema të tjera të ndjeshme që lidhen me kulturën, e që kanë shkaktuar jo pak polemikë në opinionin publik, edhe ky debat u zhvillua me të njëjtin nivel, të njëjtën mendësi, agresivitet, mungesë objektiviteti etj. Ai përcolli të njëjtën kulturë përjashtimi dhe mospranimi të tjetrit, e cila prodhoi si gjithmonë të njëjtin zhargon akuzash, denoncimesh, fyerjesh, të cilat synojnë të asgjësojnë bartësin e çdo ideje të re që nuk i nënshtrohet verdiktit të ideologjisë sunduese. Dhe si për të mos mjaftuar kjo, një mori instrumentesh, si dhe një armatë njerëzish, si gjithmonë në të tilla raste, vihen menjëherë në lëvizje për të imponuar heshtje, duke u rrekur të “dezinfektojnë” opinionin publik me fletërrufetë përkatëse ndaj çdo “shfaqjeje të huaj” të evidentuar. Në këtë mënyrë vigjilenca kolektive aktivizohet menjëherë për të zbuluar dhe goditur grupin armiqësor të radhës, duke asgjësuar çdo embrion të mendimit të lirë të pagjymtuar nga morsat ideologjike të klasës intelektuale ekzistuese. Ajo shfrytëzon maxhorancën e saj për të prodhuar të gjithë zhurmën e nevojshme për të mbytur zërat e kundërshtarëve. Ky lloj autoritarizmi, nuk interesohet për zhvillimin e shoqërisë në vetevete, por si e si të vendosë dhe të ruajë diktatin e vet kulturor dhe ideologjik. Në këtë kuptim, debati kthehet në një demonstrim force duke degjeneruar në slogane që vetëm pompojnë ekzaltime turmash, të cilat mitingashët e kulturës së politizuar shqiptare, i shfrytëzojnë për të ruajtur elektoratin e tyre në fushën e mendimit.
Ashtu si gjithmonë në debate të tilla, nënvetëdija pushtetruajtëse e inteligjencës shqiptare e ndan hapësirën e polemikës në dy kampe: në atë armik dhe qendrestar. Kushdo që mbron vlerat e rendit ekzistues nga çdo alternativë e re bën pjesë tek qendrestarët, të cilën konsiderohen si mbrojtësit e vlerave të kombit nga çdo kërcënim i huaj, ndërsa kushdo që përpiqet të ofrojë ide të reja, të ndryshme nga ato që sundojnë sot opinionin publik, pavarësisht nëse këto ide vijnë si rezultat i teorive shkencore të mirënjohura, i përket armiqve të kombit, të cilët, me apo pa vetëdije, rrënojnë vlerat historike të tij, duke kërcënuar rrjedhimisht të ardhmen e tij.
Megjithatë, karakteristika më e qenësishme e debatit të fundit për Skënderbeun, ashtu si edhe në debate të mëparshme, ka qenë mungesa e vullnetit për të vërtetën, mungesa e vullnetit për të marrë në konsideratë çdo tezë të re, si dhe kujdesi për ti mbyllur rrugët tezave të tilla, për të penguar popullaritetin e tyre në opinionin publik. Shurdhëria që karakterizon në përgjithësi elitat ekzistuese në Shqipëri, bën që debate të tilla të shndërrohen në vitrina që vetëm ekspozojnë kokëfortësinë dhe hermetizmin intelektual, pa ofruar kurrfarë vlere në ndërtimin e një mjedisi të përshtatshëm për ta pjekur mendimin. Personazhet e përfshira në të kthehen kësisoj në gardianë të dijes, duke dërguar në dhomën e izolimit gjithçka që tejkalon kornizat ekzistuese. Për këtë dëshmon në masë pjesa më e madhe e hapësirës së komunikimit publik, e cila paraqet pareshtur monologët shterpë që shenjojnë territorin mediatik të monopolizuar prej tyre.
Në këtë linjë, hapësira e komunikimit duket e sunudar prej reagimsh që synojnë të mbyllin përfundimisht çdo polemikë, me një të rënë të lapsit. Diskutimet të ngjajnë me seanca parlamentare, të cilat më tepër se argumente apo analiza, paraqesin qëndrime. Parë nga një qasje stilistike, gjuha e debatit i ngjan më tepër asaj që përdoret rëndomë nëpër deklarata për shtyp, sesa një gjuhe që rreket të shtjellojë ide. Kjo bën që politizimi të sundojë mendimin, duke penguar reflektimin mbi tematikën që shtohet.
Në këtë mënyrë, rishkrimi i historisë mbetet peng i mentalitetit të trashëguar si dhe i mungesës së vullnetit për të ndryshuar. E gjithë kjo e bën të qartë arsyen përse shoqëria shqiptare është aktualisht e paaftë për të vënë në rrugë të drejtë një proces të tillë. Kjo shpjegon edhe arsyet se përse ajo nuk gjen dot asnjë mjet për t’iu përgjigjur problemeve të reja që ka sjellë moderniteti. Ajo vuan ende nën gërmadhat e botkuptimeve të vjetra, pa qenë e aftë për ti zëvendësuar ato.

Izolimi prej dijes

Nga e gjithë kjo, mund të themi pa e tepruar aspak se vizioni shoqëror i pjesës më të madhe të kësaj elite përbën një asfiksi ideo-kulturore. Edhe sikur të ekzistojë dëshira e mirë, historia nuk mund të rishkruhet nga të njëjtët njerëz që e keqshkruan atë përgjatë 50 viteve të diktaturës e në vazhdim, si dhe mbi të njëjtat themele ideore e botëkuptimore, të cilat vazhdojnë të gjymtojnë mendimin shqiptar, për të mos e lënë atë të shkojë drejt rrugëve të reja që i dalin përpara. Në fakt, historia nuk mund të rishkruhet nga subjekte që janë në vetvete më tepër një produkt i asaj vetë. Historia nuk mund të rishkruhet pa ndryshuar më parë dijen, pa ndryshuar metodën e qasjes, pa ndryshuar perceptimin e subjekteve njohës mbi botën, shoqërinë, zhvillimin, të ardhmen. Nuk mund të rishkruash diçka pa e riparë atë, dhe nuk mund ta rishohësh ndryshe pa ndryshuar këndvështrimet me të cilat i qasesh, pa ndryshuar dijen që ke për të gjitha këto. Në të kundërt, do të rishkruash të njëjtën gjë.
Ky proces nuk vjen mund të vijë nga ndonjë angazhim politik apo administrativ. Ai vjen në momentin kur dijet e reja na bëjnë të kuptojmë problemet e rendit ekzistues. Pikërisht këtu qëndron problemi kryesor, i cili ka të bëjë me vullnetin e inteligjencës. Elitat sunduese të mendimit nuk kanë as vullnetin e as kthjelltësinë e duhur për t’u hapur ndaj dijeve të reja, ndaj prurjeve të reja të mendimit, për të ridimensionuar vizionin e tyre ndaj shoqërisë. Në thelb, kjo mungesë vullneti vjen për shkak të nevojës për të ruajtur pushtetin. Dija është pushtet dhe çdo dije e re përbën kërcënim për rendin ekzistues. Rrjedhimisht elitat shqiptare interesohen të ruajnë status quo-në, ose ndyshe, të ruajnë rendin që e sundojnë. Për këtë arsye, ato janë domosdoshmërisht kundër çdo dekonstruksioni dhe çmitizimi, pasi kështu ato mund të mbrojnë dijen e tyre, pushtetin e tyre kulturor. Ideologjitë janë konstruksione që shërbejnë për ta sunduar mendimin, ndërsa racionaliteti na shërben për tu çliruar prej tyre. Mitet, tabutë, janë mjete të rëndësishme për të kontrolluar racionalitetin dhe për ti mbajtur njerëzit të lidhur me rendin ekzistues. Ndaj dhe inteligjenca neokomuniste shqiptare shantazhon me forcë bulëzat e një lloj pavarësie intelektuale që tenton lindë aty-këtu. Në kundërshtim me rolin shoqëror që kanë elitat, ajo nuk sillet si një avangardë, por si një klikë kultuore. Përkundazi, ajo bën ç’mos të ekzekutojë çdo embrion avangarde, që synon të formohet në mënyrë të natyrshme, si pasojë e hapjes së mendimit tek intelektualë të ndyshëm. Racionaliteti dhe liria e të menduait përbën gjithmonë kërcënim për çdo rend, të cilit i ka kaluar koha dhe mbahet me paterica, qoftë ky rend politik, ideologjik apo kultuor.
Gjithsesi, duhet kuptuar që koha punon në dëm të atyre që synojnë ta pengojnë hapjen e mendimit drejt zhvillimeve të reja. Duhet thënë që ky është një proces i pakthyeshëm, pasi shtrirja që ka marrë sot komunikimi, në një botë të ngushtuar skajshmërisht, ku burimet e informacionit janë më pranë se kurrë, nuk mëshiron asnjë skenar që synon izolimin. Vetë hapja e herëpashershme e këtyre debateve, të cilat kanë nisur me zëra të mekur, të shtuara më pas gjatë rrugës, dëshmon se përfshirja e shoqërisë shqiptare në nivelet e reja të debatit mbi fenomenet e reja, me të cilat ndeshet sot bota moderne, është e pakthyeshme. Në këtë mënyrë, iniciativa për të fshehur apo shpërfillur dijen, për të penguar çdo mundësi depërtimi të saj, për të izoluar shoqërinë prej ideve që ridimensionojnë botëkuptimet tona, kthehet në një utopi, e cila është e destinuar të dështojë. Ajo vetëm mund ta vonojë këtë proces, duke vonuar rrjedhimisht zhvillimin e shoqërisë, por kurrsesi nuk mund ta ndalë. Prania e informacionit, si dhe ndyshimet sociale me të cilat shoqëria shqiptare po përballet pashmangshmërisht, do të sjellin patjetër hapjen e mendimit drejt dijeve që i përgjigjen kërkesave të kohës, të cilat në mos do të dimë t’i integrojmë tashmë në sistemin tonë të të menduarit, do të na përplasin në të ardhmen në tabelën e turpit të vetë historisë.

[Shkrimi eshte botuar me pare ne revisten “Nje”]

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *