Shqiperia si opsion






Ramadan Ramadani

Ky opsion përbëhet në atë që shqiptarët e Maqedonisë të jenë Shqipëri, shtjelluar në detaje të kenë një ambient për jetë dhe punë si shqiptarë që janë. Më duhet të pranojë se ky opsion mu kujtua nga se njëra nga “zgjidhjet” që u përmendën në pyetjen publike ishte edhe ajo se nëse do duhej të bëhej grevë urie, duke referuar në neverinë që ngjallë te shqiptarët çdo përkujtim për grevën e urisë të fundit të Edi Ramës

Pavarësisht se pyetja publike që bëri kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti për atë se ku do shkohej nëse do dilej prej qeverie mund lehtësisht të perceptohej si një atak i madh kundër misteriozitetit të liderit të partisë në pushtet, kjo pyetje është edhe një sfidim intelektual për gjithë ata që do mund të jepnin ndonjë opsion qoftë edhe kështu publikisht. Andaj i sfiduar nga kjo pyetje edhe unë do mundohem të paraqes një alternative, dhe realizimi i atij opsioni do gëzonte shumë shqiptarë, pra brenda dhe jashtë Maqedonisë. Ky opsion përbëhet në atë që shqiptarët e Maqedonisë të jenë Shqipëri, shtjelluar në detaje të kenë një ambient për jetë dhe punë si shqiptarë që janë. Më duhet të pranojë se ky opsion mu kujtua nga se njëra nga “zgjidhjet” që u përmendën në pyetjen publike ishte edhe ajo se nëse do duhej të bëhej grevë urie, duke referuar në neverinë që ngjallë te shqiptarët çdo përkujtim për grevën e urisë të fundit të Edi Ramës. Por, edhe përkujtimi për neveritje ishte përkujtim dhe neve na u kujtua Shqipëria. Dhe, jo kjo e tanishmja e grevës së Edi Ramës, drekës së Sali Berishës…, por një Shqipëri edhe për neve, e pse jo edhe me neve.
Ajo që propozoj unë është që të dilet dhe publikisht të premtohet se pas disa viteve do bëhet Shqipëri. Dhe aq. Pa kurrfarë shtjellimi. Besoni që ne do besojmë dhe të durueshëm siç jemi do presim atë ditë ose vit i cili do na caktohet si afat. Mundësisht para vitit 2014, pasi nuk duam të lodhemi duke hequr shëmtueshmërinë që na u është bërë qyteteve tona të bukura. Kjo është deviza politike kryesore e cila do duhej të i thuhej popullatës shqiptare tani dhe këtu. Dhe, të jetë parulla dhe shpjegimi bosht për çdo lëvizje politike. Ashtu për shembull në pyetjen se nëse ka ose jo divergjenca brenda partisë të shpjegohet se krejt ne punojmë për të njëjtën Shqipëri, por kemi mendime të ndryshme rreth disa afateve. Në pyetjen se pse na duhet integrimi në NATO dhe BE, të thuhet se kjo bëhet sebep asaj Shqipërie. Po ashtu edhe në pyetjen se çka do ndodhë nëse kjo puna e emrit zgjat dhe ky shtet mbetet ende pa emër dhe si i tillë nuk mund të integrohet në BE, të thuhet se ne do angazhohemi për një Shqipëri e cila do ketë marrëdhënie të mira me shtetet fqinje dhe para së gjithash me Bullgarinë. Dhe shumë e shumë shpjegime rrjedhëse për decentralizimin, trashëgiminë kulturore dhe për gjithë zhvillimet politike ditore. Në momente të caktuara kritike bile mund edhe të shpjegohet se kryeministri aktual duhet ndihmuar mu sebep asaj se më së shumti i kontribuon kësaj çështjeje dhe krejt ne do dimë se për çka bëhet fjalë. Dhe do mund edhe të durojmë edhe të shohim arsyeshmërinë e qëndrimit në qeveri, në Parlament, pritjen e dërgesave të nëntorit dhe gjithë veprimin institucional. Bile, për të ndihmuar kjo gjë në kthimin e misteriozitetit nuk është e thënë që të thuhet në mënyrë edhe aq eksplicite por mjafton të jepen isharete dhe të përdoren simbolika të cilat bollshëm i posedon gjuha jonë shqipe.
Në këtë vazhdë do mund të përdorej edhe mistifikuesi më i madh; faktori ndërkombëtar ku gjatë takimeve me ta do mund të folej për politikë rajonale me theks të veçantë në tërësinë e Kosovës, kurse në dalje të thuhej se kemi folur edhe për strategjinë afatgjate të veprimit tonë dhe gjëra si kjo.
Pra, nuk besoj se dikush do të kërkojë më shumë sqarime, pasi jemi të vetëdijshëm për efektin e kundërt që mund ta ketë te partneri i koalicionit. Ashtu, shkaku i këtij efekti askush nuk do u ngushtojë për detajet rreth realizimit të cakut që është vënduar. Dhe, askush, nuk do pyes më nëse do duhej të rihej në qeveri dhe bile as atë se çka duhet të bëhej deri në atë vit. Këtë pyetje mandej do mund ta bënin vetëm partitë opozitare shqiptare, por me vetë pyetjen do vërtetonin arsyeshmërinë dhe shëndoshmërinë e këtij opsioni. Me vet pyetjen do përgjigjeshin dhe me këtë do fitohej e drejta që të thirren edhe ata në bashkëveprim për këtë opsion.
Pra, Shqipëria është opsion dhe mbetet opsion sidomos për të ardhmen e paqartë ku futet ky vend me mbrojtje të emrit të cilin se kemi, identitetit të cilin se dimë dhe me shfaqjen e çdo ditë e më shumë, mosbesimit për Evropën. Evropa mund të jetë si të jetë por vardisja ndaj saj është e vetmja gjë që na mbante bashkë. Kur do bëhet ndryshe, pa euro-integrime, atëherë ne që kemi emër por nuk kemi shtet dhe ata që kanë shtet por nuk kanë emër nuk do kemi ku të shkojmë bashkë. Diçka mund të humbet por jo emri jonë, ne mbetemi shqiptarë. E nëse atëherë dikush pyet se nëse shkohet diku dhe ku, atëherë me gojë plot do mund të thuhej, nuk shkoj kund, vazhdoj të rri këtu në qytetin, vendin tim, i cili për shqiptarët është Shqipëri.

Comments

  • "ne që kemi emër por nuk kemi shtet dhe ata që kanë shtet por nuk kanë emër nuk do kemi ku të shkojmë bashkë. Diçka mund të humbet por jo emri jonë, ne mbetemi shqiptarë. E nëse atëherë dikush pyet se nëse shkohet diku dhe ku, atëherë me gojë plot do mund të thuhej, nuk shkoj kund, vazhdoj të rri këtu në qytetin, vendin tim, i cili për shqiptarët është Shqipëri." Brilante. I qarte dhe konciz, ky duhet te jete shkurtimisht artikulimi i pozicionit politik te shqiptareve ne te ashtuquajturen Maqedoni.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *