E pur si muove






Nga N.I.
Kripë e sheqer për hidhësinë e një debati “juridiko-fetar”.

…E pur si muove… Galileo Galilei: Romë viti 1633. Fjali e artë që ka mbetur në kujtesën e njerëzimit nga debati, marrëdhënia dhe kurorëzimi i një raporti të shfytyruar midis një realiteti kozmik që ekzistonte në fakt dhe një pseudorealiteti të përkohshëm, vendosur me dhunë institucionale për interesa meskine të monopolit të një pushteti absolut. Kjo psherëtimë sot e kësaj dite ka arritur të dalë me përunjësinë e forcën e arsyes mbi gjithë zhurmat e anatemat e ekzekutimet e deri triumfuese mbi fushatat spekulative e të përgjakshme ushtarake.
Për të shmangur çdo abuzim, dua që në fillim të heq një vijë të prerë e të fortë midis dogmës, besimit e besimtarëve të çdo besimi qofshin hebrenj, budiste, zarathusrianë, të krishterë apo edhe paganë, dhe gabimit apo manipulimit njerëzor të udhëheqësve shpirtërorë apo nga institucionet e tyre përfaqësues, që shpesh u duhej të prodhonin politikë meskine në vend të dashurisë së besimit të amshuar.
Për hir të së vërtetës shohim sot kohë pas kohe udhëheqës mendjehapur shpirtërorë të cdo besimi që përtërijnë etikisht vetveten e grigjat e pasuesve me mesazhe pendimi për paudhësitë e bëra historikisht e aktualisht nga përfaqësues të tyre të çdo niveli.
Në kuadër të këtij evokimi vihet re një mënyrë përsëritjeje, gjithnjë e më të shpeshtë dhe fatkeqe, të fjalës fundore “Turp”. Deri në nivelet më të larta të diskursit politik, intelektual e publicistik, me decibelë të posacëm të fjalës shqiptohet me gishttregues fjala “Turp”. Një fjalë ofrohet si gjykim fundor dhe shpesh i pashpresë e pamëshirë. Ka një nxitim fëminor për ta zënë rradhën në fillim si për të thënë që meqë e thashë i pari e kam unë monopolin e gjykimit. Më hershëm këto shfaqen në arketipin e procesioneve të gjuetisë së shtrigave apo inkuizicionin e ideve e shkencëtarëve që vinin në dyshim pushtete absolutë e të padeleguar të institucioneve të mesjetës apo periudha historike të errëta e të turbullta që ka përjetuar çdo besim e entitet besimtarësh, kur pushteti politik ka abuzuar me atë shpitëror apo anasjelltas. Më e afërt për ne shqiptarët është temperatura dhe nuanca e Komunizmit që mishërohej në atmosferën e retorikën e përfaqësuesve të emëruar të Pushtetit Ateist të Vijës së Masave, ku në mbledhjen e Frontit, Grave apo Rinisë gjykonin të destinuarit apo të paracaktuarit “armiq” apo ata “me shfaqje te huaja” apo “te deklasuarit = “të deklasifikuarit” njerëz, duke e njësuar dhimbsurinë e mëshirën me mëkatin më të madh.
Me keqardhje shihen ende këto shfaqje atavike në një lloj publicistike partizane që ka filluar t’i bëjë shërbimin më të keq fesë së krishterë, imazhit dhe institucioneve të saj në Shqipëri. Çfarëdo semantikë mund të turbullohet në metaforën e teksteve të të gjitha dogmave të besimit por, ajo që i bashkon qartë si thelbësore e vecanërisht madhështore është etika e kondesuar në formulën ..”Mos i bëj tjetrit atë që nuk do doje ta bënte tjetri ty”…
Gjeni më poshtë disa pasazhe të një stili ateist, përjashtues e të pamëshirshëm që përdor një personazh me mbiemër klerikal, një i vetëquajtur kalorës penëushtë i besimit të nderuar kristian. Besimi Kristian ashtu si gjithë besimet monoteiste, predikojnë e janë ngritur mbi sakrificën e vetëflijimit, dhurimin e dashurisë pa kushte, mëshirës për të dobëtit, përdëllimin e altruizmin. Në të kundërt këta shkronjës të turbulluar i mohojnë haptas, trimërisht këto vlera e për fat të keq, me një heshtje të padurueshme nga institucionet në emër e interes të së cilave ata pretendojnë se vringëllijnë.
Po merremi thjesht me anatominë e pjesshme të një shkrimi, që ka lidhje me këtë debat duke kërkuar ndjesë për përdorimin jo qëllimkeq si shembull të këtij e jo ndonjë tjetër rasti më të rëndë. Kjo pasi zanafilli apo personi shkaktar i këtij debati (z. K. Myftaraj) duket të jetë një rast i pashpresë vetmohimi etik e keqpërdorimi, me një integritet të mbetur në tentativë dhe i përfshirë në lutjet për mëshirë ndaj …”atyre që s’dinë ç’ka bajnë”…
Mjaftojnë disa citime të shpërndara, sa për të krijuar një portret, nga artikulli polemik në fjalë, drejtuar një refuzuesi të tezave të “ateizmit fetar” të atyre që kërkojnë zhdukjen e besimeve “rivale” në shoqëri.
…radikalist i njohur i grupeve islamike…Cilit grup i takon zotnia që akuzohet e ku janë faktet për këtë? Për shkak të respektit për gjuhën e bukur shqipe, mbiemri në trajtë të rregullt në shqip bën “islame” jo “islamike”.
Polemizuesi me mbiemër klerikal, sheh se në pelegrinazhin në Kishën e Shna’Nout marrin pjesë … 1.5 milion banorë të Shqipërisë e të shqiptarëve jashtë kufirit… Kjo më kujton argumentin butaforik e patetizmin shifror të mitingjeve politike. Lind natyrshëm pyetja: Cili është burimi i kësaj shifre, nga kush e si u mat numri, prejardhja e arsyet?… e pur si muove… Idhujtaritë, bestytnitë e pelegrinazhet e ndryshme të “religjionit popullor” që ndodhin me shumicë në vendin tone e kudo, nuk kanë një bazament të shëndoshë monoteist e një ritual të mirëpërcaktuar, ndaj shpesh përfundojnë në pikniqe të turbullt turistikë, vendtakime romantike të dyshimta apo konsume të tepruara gastronomike. Ato mund të shërbejnë për gjithçka, përveçse për të përcaktuar identitet të qartë fetar, si ai që kërkon të gjejë numëruesi tek “1.5 milionët” e tij.
.. arsimimi i tërë popullatës (dhe këtu paradoksalisht, ka merita dhe diktatura komuniste)… Ky mendoj se është një mjerimi i vërtetë i argumentit publicistik. Duket të jetë pikërisht arsimimi ateist e keqja bazë e lëngimit të zgjatur shpirtëror e moral të brezave të rinj në Shqipëri i cili duket se do të zgjasë edhe për shkak të disa pengjeve e komplekseve të inferioritetit politik e improvizimit dritëshkurtër në reformat arsimore e tekstet shkollore. Kjo spjegon lehtësinë e përfshirjes së këtyre brezave në trafikun e prostitucionit, alkoolizmit, drogës, skemave piramidale, lojrave të fatit e bixhozit, ndjekjen e horoskopëve, hajmalive, korrupsionit edhe në segmente që duhet të jenë rojtarë skrupulozë të vlerave etike e intelektuale.
… në mbrojtje të mikut tim K. Myftaraj…si mund të mbrohet me argumente inteligjentë një njeri që zihet sistematikisht me vehten, që sulmon dhe fyen të tjerët për shkaqe besimi apo bindjesh në këtë posturbanizëm e globalizëm që jetojmë përditë (ndryshethënë shekullin e XXI(?))
… tradhtarë të vendit biles dhe në Arabinë tënde z. Muja… me demek Kulak!!! Pas kësaj “Masa” do hidhej e do të thoshte –“Në turrën e druve Djallin!”, ose “Të dëbohet e të internohet qeni!”. Pastaj këto krijesat që jetojnë në “Arabinë e z. Muja” a i llogarit sipas kartës së OKB e gjithë Konventave Ndërkombëtare si qenie njerëzore ky shkronjës. A mund të dënohet një debat për idetë e besimin të jetë kaq provincial e pervers. Vetëm racizëm nuk mund të gjesh në Monoteizëm e kjo vjen më tepër erë tjetër se sa kalorësi kristiane.
…Duhet të kini më shumë respekt për fisin tuaj z. Muja, e jo ta lini në baltë të kaluarën e fisit, e për çfarë? Për disa të ardhura të dhëna kushedi se nga kush pikërisht për të bërë të kundërtën ndaj fisit tuaj, Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Turp, z. Muja… ja dhe Çasti Fundor, paragraf i rëndomtë dacibaosh. U mbars mali e polli një … m…i. Nga feja….tek tribuja. Ky mendoj mund të jetë një fund aspak i lakmueshëm i çdo argumenti të shëndoshë në shërbim të vlerave etike. Rendet fisnore e monarkike mu për shkak të vlerave të dyshimta janë distiluar, përmirësuar e reformuar në kohë. Për kë duhet thënë fjala “Turp”? Pas atyre që pretendohen pa nxjerrë arsye shihet se mes të tjerave edhe intrigimi e thurja e argumentit vetë është për të ardhur keq.
Argumenti se “…islamizmi ruajti identitetin shqiptar …?! është pjesë e një përbërësi që po e do pësojë tjetërsim. Identiteti vetë mendoj se ka dinamikën e tij e futet tek kategoritë historike ai nuk është i ngirë e i përhershëm. Kategori historike kanë qenë Perandoria Romake, Bizantine, Perse, Mongole, Otomane, Spanjolle, Britanike, etj, etj, të cilat pas konsumimit të tyre historik, tani nuk egzistojnë më si të tilla, por vijojnë të egzistojnë si fakte historike e si koncepte e ndoshta edhe si pellgje kulturorë, ekonomikë e gjuhësorë. Të qenit shqiptar nuk na bën as më të mirë e as më të këqinj. Ky është një caktim po ashtu hyjnor, jashtë e pa vullnetin tonë dhe prej këtej eja të ulemi për të gjetur arsye të shëndetshme identifikimi pa qenë nevoja të spekulojmë. Le t’u qasemi mençurisht disa sistemeve më modernë të vlerave, ku çështja e besimit është vetjake dhe mbrohet me ligj ushtrimi i saj. (Sa teveqelë na duken disa të huaj kur thonë “…ua nuk ka mundësi të jesh shqiptar!”…e pur si muove… ) Çdo mëtonjës për hapjen e Kutisë së Pandorës, mendoj se mbetet thjesht një Don Kishot që i mungon naiviteti e i kutërbon ligësia.
Le të shpresojmë që arsimimi i mirë i të gjithë shqiptarëve të japë frytet e duhura, le të shpresojmë që njerëzit e thjeshtë ta kuptojnë (siç po e kuptojnë) se besimi tek Zoti është e vetmja shpresë që jeta të na shkojë mbarë, le të shpresojmë që njerëzit të kuptojnë se është respekt dhe atribut ndaj të parëve tanë (rikonvertimi në të krishterë(?))(zëvendëso)BESIMI pa dhunë e pa detyrim, madje ai do të sjellë prosperitet, paqe dhe integrim, le të shpresojmë se radikalistët ashtu si dhe komunizmi nuk e ka jetën e gjatë. – Plotësisht dakort duke mos i arnuar argumentit pjesën në kllapa që zëvendëson bindjen e shpresës së parë të nënvizuar pa një kuptim integral.
Lavdi Zotit, paragrafi i fundit i këtij shkrimi është ngushëllues e shpresëdhënës ndonëse i shkruar pa asnjë ndryshim nga e njëjta dorë. Gjeni më poshtë:
Së fundmi, le të shpresojmë që njerëz të zgjuar, që nuk shiten, e që nuk gëlltisin “lugën e çorbës” për pak pushtet, para, e gra, të drejtojnë vendin tonë e të rikrijojnë binomin e prishur fe+atdhe, sepse identiteti i shqiptarëve nuk mbrohet duke bërë hipokritin, por duke mjekuar plagën, e kjo plagë mjekohet pa dhunë, por duke parë të vërtetën në sy dhe duke reflektuar. Europa e di kush jemi, por ne shqiptarët, për fat të keq, falë njerëzve si ju nuk e dimë akoma se kush jemi.- Plotesisht dakort…
Ndoshta veçoria e rrjedhshme dhe ekumenike (gjithëpërfshirëse) e epilogut na jep guxim të shpresojmë pasi vendndodhja si shterrim i argumentit, me apo pa dashje na respekton e na shërben të gjithëve.
E vërteta është aty jashtë – ose e pur si muove. Se sa e si janë shqiptarët e sotëm, dihet, po si do të jenë e çfarë do të jenë të nesërmit, këtë le tja lëmë Providencës. Kjo pasi kompleksiteti i procesit është i tillë sa që logjika e mangët e vullneti njerëzor jo vetëm që nuk mund ta riformatojë, por as ta paragjykojë, ndaj sërish është mirë të pëshpërisim…e pur si muove…
Më tej do doja të shtoja një rutinë të shëndetshme civile që duhet kryer rëndom. Me shpresë se Drejtësia jonë do të dalë një ditë nga bataku i vlerave të materializmit e ateizmit, denoncimi i këtyre qyqarëve me padi civile përmes sistemit të institucioneve demokratike ku kemi sistemuar vlerat tona sociale e të bashkëjetesës, mbetet i nevojshëm dhe i shëndetshëm. Çdo shoqëri që pranon t’i hapë rrugë budallait, së shpejti do shohë që i ka bërë varrin vetes dhe vlerave të saj. Padia civile ndaj të tillëve që dëmtojnë jo thjesht muslimanët shqiptarë, por palcën e qenies së bashkëjetesës (me çdo grup që i qaset një besimi i cili nuk cënon harmoninë) së shqiptarëve, duhet të dalë nga kuadri i thjeshtë i përfaqësuesve legalë apo vetanakë të grupit të kërcënuar. Ai duhet të përfshijë natyrshëm gjithë komunitetet e tjera fetare e përfaqësuesit e tyre më të lartë.
Krerët e Kishës Ortodokse Autoqefale, Kishës Katolike e gjithë entitetet e tjera fetare duhet të prononcohen nëse kjo nuk është (qoftë larg) një gurhedhje me dorëfshehje.
Jemi në të njëjtën barkë, barka është e vogël, ajo nuk na takon vetëm ne, padijes dhe egoizmit tonë por, edhe fëmijëve e brezave pasardhës që do na gjykojnë më ftohtë, e rruga është e gjatë e me telashe. Kjo heshtje nuk duhet të zgjasë më për hir të së mirës së përbashkët. Një proverb na këshillon se …”Krimet kryhen nga të ligjtë e ata fitojnë vetëm sepse njerëzit e mirë (të të gjitha besimeve) heshtin e nuk bëjnë atë që duhet ta bënin”…

16/06/2010 18:13:19

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *