Flotila në Kufirin e Qytetrimeve.






Besnik Sinani

Narrativa e Evropës – në botën e mitologjisë – fillon me rrëmbim. Evropa ishte vajza e Agenorit, mbretit të qytetit të Tires, në gjirin e Sidonit. Ajo u rrymbye një ditë nga Zeusi e pasi u mbart në brigjet e kontinentit që do merte emrin e saj, u përdhunua pre tij. Një tjetër variant, më pak erotik, i kësaj narrative, na tregon se tregtarët e Kretës, që më vonë do quheshin evropianë, rrëmbyen Evropën në një anije në formën e një bualli të bardhë e ja sollën për nuse këtë vajzë të Azisë mbretit të tyre Asteriusit. Ajo rrëmbehet prej ku është sot Libani dhe nëpërmjet rrëmbimit e përdhunimit apo shtratit martesor pjell gjenezën identitare që sot identifikojmë me emrin e saj.

Udhëtimi ku Azia u bë Evropë ndodh në të njëjtat ujra ku flotila ndërkombëtare po shkonte drejt Gazës për të sfiduar embargon izraelite. Duhet observuar fakti se një pjesë e medias ka ngulmuar ta reduktojë karvanin Euro-Aziatik, me shume fe e etni, me shumë gjuhë e kredo politike, në thjesht turke apo më tej në veglën e Islamit kundër Perëndimit; sulmi i komandove të një prej ushtrive më të fuqishme në botë ndaj aktivistëve që mbrojtën anijen e tyre në ujra ndërkombëtare me copa druri paraqitet si mbrojte e demokracisë kundra autoritarizmit të Lindjes; dhe sfida civile ndaj rrethimit mesjetar të Gazës paraqitet si akt terrorizmi. Flotila ndërkombëtare reduktohet në turke, Turqia në Lindje plus Islam, Izraeli në Perëndim (vë re pradoksin gjeografik!) dhe në castin që aksioni civil i flotilës montohet në territorin e Lindjes, Islamit, Terrorizmit, atëherë është e kollajtë të legjitimosh dhunën dhe vrasjen e nëntë civilëve, rrethimin e Gazës si kështjellat e mesjetës, dhe demonizimin e kujtdo që solidarizohet me kauzën e tyre.

Montimi i ngjarjes në tabllonë (apo karikaturën!) gjigande të përplasjes së qytetrimeve, montimi i motiveve, personazheve në Lindje, në Islam, projekton tek flotila rrezikun që na kanoset të tërëve se Lindja dhe Islami janë ky territor i huaj dhe i rrezikshëm, ekzotik dhe sufokues si xhungla në filmin Avatar. Banorët e saj janë të ndryshëm dhe me atashimin e tyre mistik ndaj pemës pengojnë progresin e atyre që në film kanë fytyrë si e jona e flasin si ne. Kësisoj, prej mëse 60 vjetësh palestinezët dëshmojnë rrënimin e shtëpive të tyre që qe i nevojshëm që në Lindjen e Mesme të ngrihej e vetmja demokraci me të mbijetuarit nga Holokausti.

Në Perëndim debati mbi cfarë ndodhi me flotilën, reperkursionet e kësaj ngjarjeje, domethëniet politike etj, kanë sjellë një mori zërash e mendimesh ku edhe në SHBA – ku gati-gati është tabu kritika ndaj Izraelit nga qarqet politike – është folur për dëmin strategjik që Izraeli po i kushton Amerikës, kohët e fundit e thënë kjo dhe nga figura kryesore e ushtrisë amerikane, gjeneral David Petreus. Në fakt, gazeta izraelite si Ha’aretz kanë qenë ku e ku më kritike ndaj qeverisë së tyre se shumë jashtë Izraelit, dhe qëndrimet e Turqisë, sidomos në lidhje me embargon, janë mbështetur ku më shumë e ku më pak nga shumë qeveri në Perëndim.

Është interesante të observosh se mes kësaj morie zërash e qëndrimesh, shtypi shqiptar ka zgjedhur në mënyrë të vecantë t’i sjell lexuesit zërat më agresiv të shtypit të djathtë në Perëndim, në mënyrë prominente, për shembull, artikuj nga gazeta të tilla si The Wall Street Journal. Komentarët e kësaj gazete kanë ngulur këmbë se Izraeli, fuqia e vetme nukleare në rajon, po vepronte si një demokraci në vetmbrojtje e rrezikuar nga një sulm i një organizate turke me lidhje me Al Kaedan, se këto ngjarje tregojnë largimin e Turqisë nga orientimi perendimor drejt atij Islamik, se ky orientim ka lidhje me ideologjinë islamiste të partisë në pushtet, e cila ndan të njëjtën ideologji me Hamasin. Të vrarët dhe fëmijtë e Gazës, qoftë dhe gjermanët e iralandezët apo hebrenjtë që gjendeshin në anije, janë inkonseguentë në këtë narrativë të përplasjes së qytetrimeve që nuk ka vend për kompleksitetin kokëfortë të realitetit tonë njerzor. Por pyetja që po sugjeroj këtu ka të bëjë me përzgjedhjen e medias shqiptare për të prezantuar në faqet e saj qëndrimet më të djathta, më agresive të shtypit perendimor, atij që ngul këmbë se këtu nuk kemi të bëjmë me tjetër gjë vecse me një pozicionim të Turqisë në kampin e armikut. Nëse spekullojmë – dhe jo komplet në ajër – mbi cfarë sygjeron përqafimi i diskursit të djathtë të perëndimit nga një pjesë e mirë e shtypit tonë si qëndrim mbi një ngjarje detajet e së cilës po debatohen thekshëm, atëherë kjo na tregon dicka mbi klimën tonë, më shumë se sa për cfarë ndodhi në ujrat ku legjenda na tregon se Azia u bë Evropë. Një lexues që komentonte në faqet online të një të përdithmeje kishte kapur thelbin e mesazhit të kësaj përzgjedhjeje mediatike: Midis Turqisë e Perëndimit ne jemi me Perëndimin.

Historiani dhe shkrimtari Perry Anderson ka vënë në dukje se shpesh janë ata popuj në Evropë që gjenden “në kufinjë” që kthehen në partizanët më të thekur të ndarjes Lindje/Perëndim, të Evropës, të ndarjes nga territoret e Rusisë apo Islamit. Interesante ishte, për shembull, reagimi kryesisht negativ ndaj shqiptarëve që ishin pjesë të flotilës në shumë forume elektronike shqiptare: C’donin ata aty? Nëse shumë vende të botës nxituan të shqetësohen apo më pas shtypi të intervistojnë bashkatdhetarët e tyre që morën pjesë në këtë ndërmarje, vihej re qartazi një farë revolte e lexuesit shqiptar nga pjesmarja e bashkombasve të tyre në flotilë. Po cdo të thotë të jesh me Perëndimin kundra Turqisë? Është përpjekje e panevojshme të vëmë në dukje këtu se ky qendrim është një kuptim shumë i reduktuar i kompleksitetit të botës tonë, se Perëndimi dhe Lindja kanë qëndrime shumë komplekse në lidhje me këtë ngjarje, se disa nga figurat më prominente në Perëndim, ashtu si Shtëpia e Bardhë, kanë vënë në dukje se embargoja nuk mund të jetë më e qëndrueshme dhe se në anën tjetër, Egjipti ka qenë partneri më i rëndësishëm i Izraelit në vendosjen e embargos. Turqia është një rast tejet kompleks ku qeveria aktuale ka ngulur këmbë në ngritjen e marëdhënieve të mira me armiq historikë si Armenia e Greqia, partia aktuale në pushtet ka qenë aktori më prominent në shtysën për antarsim në BE, ndërkohë që qartazi Turqia po kërkon të ketë një rol më aktiv në politikën ndërkombëtare. Përfytyrimi i ndarjes së botës në kampe monolite, ndërluftuese komplikohet edhe kur mendon se figura fetare më me influencë në Turqi, Fetullah Guleni, ka shprehur kriticizëm ndaj flotilës. Vizioni i vendeve dhe qytetrimeve si skuadra futbolli që diktojnë tifozllikun tonë është jo vetëm karikaturë e botës, por dhe reflektim i optikës tonë te rrudhur. Ethja prej tifozësh që kërkojnë të tregojnë se me cilën skuadër janë është në fakt indikues i frikës që na zë sytë ndaj plojës njerzore të Gazës.

Në këtë optikë është vështirë të shohësh qënie njerozore në Gaza me nevoja dhe apirata si tonat, ata përfytyrohen të ndryshëm si krijesat imagjinare të filmit Avatar; nuk mund të shohim një anije me aktivistë por shohim një akt terrorist; nuk mund të shohim as idealizmin e njerëzve prej kombësive të ndryshme, diversitetin e bindjeve fetare, politike, atë etnik, linguistik që përbënte flotilën, do shohim vetëm palë ndërluftuese, Lindje/Perëndim, dhe zgjedhjen tonë të determinuar. Gaza, Lindja, Turqia kthehen në territorin përtej, në territorin armik, një territor i shtrirë nga Stambolli në Kandahar ku ngjizen fanatizmi, mistika e ekzotizmi. Edward Said na ka vënë në dukje se karikatura të ngjashme kanë justifikuar dhe i kanë dhënë një llustër morale disa prej krimeve më të shëmtuara të njerzimit, hija e të cilave vazhdon të qëndrojë mbi botën tonë. Paralelisht, nëse pranojmë sugjerimin tim, se përzgjedhja dominante e shtypit shqiptar që të prezantojë në faqet e tij retorikën – jo të Perëndimit – por të qarqeve të djathta të tij, atëherë kjo është indikative e optikës me të cilën kuptojmë ngjarje për të cilat së paku formalisht as Izraeli nuk ka thënë fjalën e fundit – se përndryshe nuk kishte pse të ngrinte komision investigimi – atëherë duhet të marim në pyetje optikën tonë për botën që na ndalon të shohim njerzoren tek qënie me nevoja dhe aspirata jo fort ndryshe nga tonat, dhe tek ata aktivistë të të gjitha feve e kombësive që shprehën solidaritetin e tyre me popullin e rethuar të Gazës, atij rrypi toke jo shumë larg vendit nga ku thuhet se u rrëmbye vajza që pas rrëmbimit e subversionit seksual, i dha emër kontinentit tonë.

Comments

  • Pergezimet e mia, nje materjal vertet per t'u lavderuar. Kontributi juaj ne trajtimin e kesaj problematike eshte i denje per t'u perfshire nder artikujt prej me cilesoreve jo vetem te trajtimit te temave kaq delikate por edhe si shfaqe e rezonances se potencialit intelektual musliman. Besoj se here pas here me shkrimet tuaja (dhe te te tjereve) po delineoni kufinjte dhe standartet cilesore te tematikave te trajtuara prej muslimanve.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *