(Gazeta Illyria,E Premte, 25 Qeshor 2010)
Me datë 20 Qershor u mbajt në Qendrën Islame Shqiptaro – Amerikane në Garfield, New Jersey, takimi me temë “Edukimi si vlerë e gjithë bashkësisë: Të promovojmë modele suksesi.” Takimi ishte organizuar nga “Our Effort – Përpjekja Jonë,” një iniciativë e bashkësisë së kësaj xhamie që synon organizimin e eventeve që adresojnë debate dhe ceshtje që i interesojnë komunitetin shqiptar në Amerikë.

Imam Rifat Alili foli për shkollimin si ndërmarje shpirtërore. Në fjalën e tij ai vuri në dukje që jo vetëm në traditën islame por në të gjitha fetë hyjnore, dija është vlerësuar si mjet në zbulim të së vërtetës dhe se të tëra traditat e mëdha fetare kanë njohur dimensionin sublim të së vërtetës. Diplomat universitare, vuri në dukje ai, nuk duhen parë vetëm si arritje në karierën personale. Dija e përftuar duhet vënë në shërbim të komunitetit dhe shoqërisë në përgjithësi.

Dr. Mentor Cana foli për eksperiencën e tij në sistemin universitar amerikan. Ai vuri në dukje se arritjet dhe sukseset në shkollim apo në karierë janë rezultat i sakrificave që duhen ndërmarë. Ai vuri në dukje me shqetësim se shumë familje shqiptare shpesh nxisin fëmijët e tyre të punësohen sa më shpejt duke pritur kontributin financiar të fëmijve të tyre dhe nuk promovojnë sa duhet vlerën e edukimit.

Në fjalën e tij, Besnik Sinani vuri në dukje se arritjet në arsimimin e lartë të individëve të komunitetit nuk janë thjesht arritje individuale, pasi idetë, ekspertiza dhe krediti social që edukimi siguron kthehen në potencial për gjithë komunitetin. Për këtë arsye është e rëndësishme që komuniteti të promovojë tek gjenerata më e re aspirata të larta dhe pritshmëri të lartë. Ai propozoi se si pjesë e këtij promovimi komuniteti duhet të krijojë fonde për bursa për të mbështetur ambicjet e studimeve të anëtarëve të bashkësisë që tregojnë aftësitë, dedikimin dhe motivimin për të ndërmarë sfidat e studimit universitar.

Gjatë takimit u theksua se është e njohur në traditën islame ashtu si dhe në traditat e tjera fetare ndërtimi i vakëfeve që mbështesin institucionet e dijes dhe studentët. Universitetet më të vjetra në botë si ai i Ezherit në Kajro apo Kajrauan në Marok dhe të tjera që u themeluan në Evropë në modelin e tyre si ai i Sorbonës dhe Oxfordit janë ndërtuar si vakëfe apo endowments në mbështetje të edukimit, motivuar nga besimi se këto ndërmarje shihen si vepra të virtytshme në sytë e Zotit. Është e nevojshme që komuniteti të investojë në krijimin e fondeve për bursa jo vetëm duke besuar tek përfitimi social dhe praktik që kjo sjell në bashkësi, por dhe si një akt i virtytshëm fetar.

Studentë dhe prindër bënë pyetje mbi mënyrat më të mira për të zgjedhur programet dhe universitetet për studimet e tyre dhe në mënyrë të vecantë për opsionet që ofrohen në financimin e studimeve, vecanërisht në përpjekjet për të financuar programet e magjistraturës. Ata kërkuan, gjithashtu, mundësinë e krijimit të kontakteve në grupe më të vogla në takime në të ardhmen ku pyetje praktike per strategji aplikimi apo mënyrat e kërkimit për universitet e duhura dhe bursat mund të bëhen.

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *