MBI RIMENDIMIN E VLERAVE






Dr. Ismail BARDHI*

Nëse e shfuqizojmë një ajet (nga Kur’ani), ose nëse e lëmë të harrohet, (ne) japim më të dobishëm se ai, apo të ngjashëm me të. A nuk e di se Allahu është i plotfuqishëm?

“Për dallim nga fjala hyjnore, fjala njerëzore, sipas thelbit të saj, është jo e plotë. Asnjë fjalë njerëzore nuk mund ta shprehë plotësisht shpirtin tonë.” (H.G. Gadamer)

Shumë shpesh, në fjalorin tonë të përditshëm dëgjojmë fjalën se kohët kanë ndryshuar, nuk është më ajo kohë që ka qenë… Por, në ç’mënyrë duhet kuptuar ky problem? A është Fjala e Zotit e mjaftueshme për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve? Ç’po ndodh me vlerat? A janë ato të ndryshueshme apo të përhershme? A janë ndryshimet problem dhe në ç’mënyrë Fjala e Zotit u përgjigjet atyre?
Vështirësitë që na paraqiten sot si shoqëri, respektivisht si Ummet, na thërrasin që të mendojmë se në ç’mënyrë mund ta kuptojmë domethënien e vlerës në formën e saj të përhershme, që këshu ajo të marrë ngjyrën e natyrshme të saj. Njeriu nuk përjeton vetëm, siç thonë filozofët, “krizën e metafizikës”, por përjeton edhe krizën e vlerave dhe të së mirës. Vlerat themelore në bazën e tyre përjetojnë kolaps ose ndryshim.
Nëse feja si fenomen, respektivisht Shpallja ose Fjala e Zotit, mbyllet apo futet brenda historisë, atëherë ajo përjeton shkëputjen me qëllimin e saj natyror, faktikisht ajo nuk komunikon më me shpirtin njerëzor, nuk komunikon me gjuhën metafizike të saj, e, si rrjedhojë, jeta e njeriut ballafaqohet me vështirësi të mëdha. Shpalljet e mëparshme e kanë përjetuar këtë fat, ndaj nuk kanë kaluar dot mirë, dhe abrogimi ka qenë shpëtim për to. Prandaj, paraqitja e fundit e Shpalljes së Zotit, u bë në formë tjetër, me një natyrë tjetër, për arsye se Shpallja e fundit i tejkaloi kufijtë e shkronjës, ajo u bë Shpallje e përhershme, ripërtëritëse në vetvete, me dëshirën e Zotit. Për Shpalljen e fundit në Kur’an thuhet huden li’l-âlemin – “udhëzim për të gjitha botët”, e do të thosha, dhe shpjegim për të gjitha kohërat. Shpallja e fundit në mënyrë konstante i rivlerëson vlerat dhe i përkufizon ato në formën më të mirë.
Kur’ani është libër i cili, që në faqet e para ia kumton lexuesit kërkesën që të mos dyshohet në diskursin e tij dhe me këtë e paralajmëron qartësinë e vet përkitazi me përcjelljen e idesë të cilën ai vjen ta proklamojë. Kur’anin, në rend të parë, duhet parë si vepër e kontekstit. Ai është shpallur në traditë në formën dhe përmbajtjen, me të cilat ka vendosur raporte të ndërlikuara dinamike: me traditën në kuptimin më gjithëpërfshirës të kësaj fjale.
Shpallja në zbulimin e së vërtetës njeriut, e ka respektuar në tërësi rendin që sundon në botë. Ka mbajtur llogari të përpiktë për rrethanat dhe mundësitë e të kuptuarit të njeriut dhe nevojat e tij. Gjithmonë ka ardhur deri te përgjigjja për ato nevoja. Edhe pse si qëllim përfundimtar ka pasur ndryshimin e shoqërisë dhe krijimin e rrethanave të volitshme, megjithatë është dashur që t’u përshtatej deri-diku kushteve të dhëna. Është fakt që Fjala e Zotit është vendosur në kohë dhe hapësirë dhe se zbatohet dhe realizohet në histori. Është fakt, po ashtu, se e vërteta na tregohet dy llojesh: në llojin e botës dhe në llojin e logosit (fjalës). Padyshim, midis këtyre dy llojeve nuk mund të ketë kundërthënie dhe mospajtim, sepse që të dyja janë pasqyrim i Qenies Absolute, që na shfaqet në dy aspekte: në vepër (bota e dukshme) dhe fjalë (Kur’ani). Prandaj, midis njërit dhe tjetrit duhet të ketë harmoni të plotë. (H. Gjozo)

Njeriu i sotëm para fatit të vlerave

Njeriu në botë dhe bota për njeriun janë në një realitet të dhimbshëm të ekzistimit. Në ne dhe rreth nesh ekzistojnë dhe fshihen mundësi madhështore, të lartësuara por edhe të rrezikshme. Është fakt që aty ku nuk është njeriu gjërat nuk janë as të mira e as të këqija, as të bukura e as të shëmtuara, as të përkryera e as të papërkryera. Ato thjesht janë, dhe asgjë më tepër. Si qenie e arsyeshme, njeriu ka aftësi t’i zbulojë qëllimet në to, ta njohë strukturën e tyre të brendshme, t’i kuptojë ato, t’i krahasojë dhe t’i vlerësojë. Ura konceptore midis të kuptuarit të tij, krahasimit, dëshirave, nevojave dhe veprimtarive të tij është sjellje vlerësuese, që duhet të mbajë njëfarë rendi. Kështu, pas vlerave si orientuese themelore të rendit, qëndrojnë pyetjet: ç’është e drejtë dhe ç’po ndodh me të drejtën; çfarë guxon e çfarë nuk guxon të bëhet; cili është kuptimi i jetës; a ka diçka për të cilën vlen të jetohet, për të cilën vlen angazhimi; ose si të dëshmohet feja dhe besimtari, çfarë po ndodh me fenë, “besimtarin” dhe institucionin fetar?
Është fakt që njeriu i të sotmes nuk e shikon më veten në kuadër të vlerave të përhershme apo në sfond të realitetit që është më i madh se vetë ai. Ai nuk e përjeton vetëm krizën e metafizikës, siç thonë filozofët, por e përjeton edhe krizën e vlerave dhe të së mirës. (R. Guenon)
Në shoqërinë e sotme të rrezikut, përparësi kanë përjetimet. Realiteti shndërrohet në një tërësi loje dhe zbavitjeje. Jetojmë në një rreth të nihilizmit banal që në rezultatet e tij nuk është banal. Ëndërrimtarin utopik, sot e ka zëvendësuar konsumatori i pangopur, njeriu bredhës, i pastrehu, i dëbuari, vrapuesi nëpër tehet e zbrazëtisë përmbajtësore, nevojtari për plotësimin e ëndrrave të lëvizshmërisë së tij të përhershme. Automobili është simbol i atij “realiteti kinetik” të kohës në të cilën jetojmë. (A. Spengler) Lëvizshmëria e jetës së lirë apo e punës është e shënuar nga arritjet teknologjike. Mediumet telekomunikuese dhe elektronike e kanë rrjetëzuar në mënyrë ideore të gjithë botën, duke ofruar fotografi, informacione, stile të jetës dhe elemente të botëkuptimit divergjente.
Globalizimi, nga njëra anë dhe vetëdija e arnuar, nga ana tjetër, e shënojnë pozitën tonë cilësisht të re. U shuan vatrat shtëpiake. Lëvizshmëria e përgjithshme i prishi shpejt marrëdhëniet njerëzore, duke filluar nga ato familjaret – ku gati nuk ka bashkësi në kuptimin klasik të fjalës, respektivisht, bashkësi të fortë dhe të qëndrueshme, e deri te raportet me të tjerët, madje edhe me natyrën. Programet më të shikuara për adoleshentët, sipas një ankete, i paraqisin prindërit si jo të qëndrueshëm emocionalisht, të paarsimuar, të varur nga alkooli – si ekzistenca të kota (“The Economist”, 28 janar, 1992). Të çorientuar dhe të pamotivuar, shumë të rinj janë të kapur brenda banalitetit, gjenden në jo-kulturën personale dhe shoqërore të pakonsideratës dhe grabitjes. Shumica i dorëzohen ekzistencës së fluturës dhe fluturojnë nga “lulja në lule”, duke kërcyer nga ishulli në ishull, eksperimentojnë me këtë apo atë. I nënshtrohen logjikës: nëse do të kesh vlerë, duhet të posedosh diçka – vetëm atëherë je dikush! Shumica në këtë situatë janë të tërhequr mbi humnerën, të çorientuar, të pamotivuar, të lodhur e të rraskapitur.
Me humbjen e vetëdijes njeriu i të sotmes e humb edhe ndërgjegjen. Kanë ardhur kohë të liga për të mirën. Kanë plasur dhe janë shpërndarë horizontet e kuptimit. Kuptimi nuk gjendet më. E meqenëse nuk gjendet, ai as që kërkohet më. Masat e luhatura të vlerësimit, për të cilat është vështirë të flitet në epokën e të kuptuarit subjektivist-relativist, ndjehen më fuqishëm në jetën shoqërore-etike. Shkalla e vlerësimit i merr përmasat e saj ashtu siç i nevojitet dikujt në një çast të caktuar. Etika e tillë e relativizuar shkakton një varg të gjatë paqartësish dhe mosmarrëveshjesh nga ato politike e deri te ato gjenetike. Jetojmë në konformizëm oportunist, cinizëm, keqpërdorim të lirisë. Pluralizmi i qëndrimeve dhe i mënyrave të sjelljes divergjente e shton mungesën e besueshmërisë dhe të besnikërisë ndaj vlerave dhe institucioneve tradicionale. (E. Çimiq)
Shoqëria bashkëkohore, për hir të pluralizimit të sferave të jetës, orientohet nga ajo që ta shohë njeriun si një konglomerat funksionesh dhe rolesh të ndryshme. Gjatë kësaj, identiteti diakronik dhe sinkronik i personit humb gjithnjë e më shumë nga horizonti (C. Taylor).
Nëse deri para tridhjetë vitesh entuziazmoheshim për idetë e lëvizjeve studentore, ose para disa vitesh për idenë e lëvizjes ekologjike, sot vëmendja e njeriut në Perëndim është e drejtuar vetëm mbi listat e kursit valutor. Individualizmi e le individin e alienuar, të paaftë dhe pa dëshirë për ofrimin e çfarëdo sakrifice të konsiderueshme për idealet e përbashkëta.
Njeriu i nënqiellit tonë, qysh në regjimin e kaluar, i flaku vlerat e përhershme fetare dhe e lidhi suksesin e tij kryekëput me materialen. Kriteri i vlerësimit në vetëdijen e njeriut tonë kaloi në anën e pronës dhe të standardit. U shuan të gjitha vlerat sociale-morale. Nga idealet e larta, njeriu i hapësirës sonë tërhiqet gjithnjë e më shumë në jetën private. Në situatën e tillë zhduket kuptimi për flijim. Flijimi për çështjen e përbashkët, për atdheun, për ideal, për ne deri para ca kohe kishin njëfarë domethënieje. Por si qëndron puna me dinjitetin dhe të drejtat e njeriut?
Jetojmë në një kohë, kur është shtrembëruar të folurit për të ashtuquajturat “vlera themelore”, para së gjithash të folurit për dinjitetin e personit njerëzor. Si shembull, dy nga tre suedezë mendojnë se njerëzit dhe kafshët kanë vlerë të njëjtë, dhe se u përket i njëjti dinjitet (“Die Presse”, 16.01.1989). “Vlerat themelore” në bazën e tyre përjetojnë errësim, “kolaps” (P. Corbett). Këtu qëndron fillimi dhe fundi i krizës së njeriut dhe i njerëzimit.
Vizioni për shoqëri të hapur dhe demokraci liberale, siç na ofrohet sot, edhe tek ne mbështetet mbi politikën pa të vërtetën, pra që nuk mbështetet mbi vlerat dhe të vërtetën, por mbi procedurën dhe vendimin e shumicës. Mbi faktet e përmendura (si humnerë para së cilës qëndron njeriu dhe mbarë njerëzimi) hapen pyetjet: ç’është sot e rëndësishme e çka e parëndësishme? Cilat vlera, modele apo norma mund të “mbajnë ujë” sot dhe në të ardhmen? Pse demokracia nuk i nënshtrohet fesë, por kërkon që ajo ta nënshtrojë fenë?
Një nga parimet e metafizikës klasike është e vërteta se të gjitha qeniet janë historike, të papërkryera, të papërfunduara dhe jo të plota, por edhe që çdo qenie meriton respekt dhe për këtë shkak edhe vlera. Për metafizikën vlerë është ajo për shkak të së cilës qenia thjeshtë është. Njeriu si qenie e arsyeshme dhe e lirë i pranon vlerat në nivele të ndryshme: në nivelin biologjik, psikologjik, intelektual dhe shpirtëror. Vlera si diçka e dëshiruar shkakton zgjedhje dhe nxit veprim. Në të folurit e zakonshëm, nocioni i vlerës është mjet përcaktimi midis subjektit dhe ndonjë gjendjeje të gjërave në predikatin pozitiv apo negativ: kjo është me vlerë, apo kjo është pa vlerë. Kategoria parësore e orientimit vlerësues është përmbajtur në çiftin vlerësues: mirë-keq. Në këtë kuptim vlerat na mundësojnë një zgjedhje relativisht të shpejtë dhe të sigurtë. Me çdo vendim që marrim, me çdo veprim që e kryejmë është i ndërlidhur ndonjë vlerësim. Nëse i japim përparësi diçkaje, mund të shohim se çka çmojmë dhe çka na duket me rëndësi. Madje edhe aty ku qëndrojmë para zgjedhjes mes dy të ligave, e liga më e vogël na paraqitet si vlerë më e madhe.
Vlera e gjësë nuk është sipas vetes dhe përgjithmonë, por matet sipas situatës dhe nevojave. Pra, vlerat tregojnë modalitetet e sjelljes zgjedhëse njerëzore ndaj nevojave. Në gjurmën e psikologjisë humaniste, nevojat mund të jenë ndjenjë subjektive ose e metë objektive. Nevojat biologjike dhe fiziologjike, si dhe nevojat për siguri, janë të vendosura në thelbin e motivit të mungesës, ndërsa nevojat e tjera në thelbin e motivit të rritjes. Në këtë kontekst flitet për të a.q. “nevoja themelore” në majën e të cilave është ideja për vetë-sendërtim (A.H. Maslow). Njeriu, në të vërtetë, e përjeton vlerën vetëm atëherë kur veprimtaria e tij është e përshkuar nga kënaqësia, kur e sheh kuptimin, kur ndjehet mirë.
A ekzistojnë vlera në vete? A nuk janë vlerat vetëm fetishe? A duhen dalluar vlerat nga virtytet (qëndrimet themelore) dhe të mirat (jeta, shëndeti…)? Është vështirë që në një paraqitje të shkurtër të zbulohet kuptimi i nocionit vlerë dhe i njëjti të përcaktohet, d.m.th. a ka për ne diçka vlerë për shkak se ne e çmojmë atë, apo çmojmë diçka për shkak se ka vlerë?
Për shkak të interpretimeve të gabuara brenda fesë, u arrit deri te kërkimi i mundësisë për mbivlerësimin e vlerave, sidomos të atyre që i kumtonte dhe përcillte tradita e krishterë. F. Nietzche thoshte se gjykimet vlerësuese të kulturës së krishterë kanë nevojë për mbivlerësim, ndryshim, ngase janë kundër jetës. Idealin përfundimtar për projektin e tij ai e gjeti tek “mbinjeriu”. “Mbinjeriu” do t’i posedojë ato, cilësitë dhe karakteristikat e vërteta: ai do të ishte këmbëngulës, nuk do të frikësohej nga rreziku, do t’i donte ndërmarrjet dhe kërcimet në të panjohurën dhe të papriturën, nuk do të ndalej në gjysmë rruge. Ai do ta çmonte pikërisht atë që më së shumti e dënonin moralistët: vetë-dashjen, egoizmin, kënaqësinë në fuqinë ndaj të tjerëve. Fuqia që del nga jeta, bëhet për të kriter i çdo gjëje. Prandaj, është e mirë e gjithë ajo që e shton vullnetin për fuqi, ndërsa e ligë e gjithë ajo që e dobëson atë fuqi. (Z.A. Badaiyuni)
Në fillim të shekullit XX, u formësua mësimi për vlerat materiale si orientues të veprimit njerëzor, dhe se me përpjekjen intuitive arrihen vlerat ideale. Mbretëria e vlerave është mbretëri idesh. Çmimi për këtë ishte ndarja e botës së prekshme të realitetit nga bota e paprekshme e vlerave. Bota (ose shkenca), i takon asaj që është, ndërsa vlerat asaj që duhet të jetë .
Në frikën nga “politeizmi i vlerave”, M. Weber angazhohej për objektivitetin e supozimeve shkencore. Postulati i lirisë së vlerave, sipas tij, duhej t’i shërbente asaj që të sigurohej rëndësia empirike-objektive, d.m.th. pozitive e shkencës, që është e kërcënuar nga pohimet dhe vlerësimet subjektive, të cilat në thelb nuk mund të arsyetohen shkencërisht. Të nxitur nga ato ide shumica pas Weberit (madje edhe jo aq shumë të kthyer nga metafizika), të folurit për vlerat, e konsiderojnë si “shenjë të sterilitetit intelektual-politik të mendimit, intelektualizim klerikal të politikës apo apel për kthimin përfundimtar në mesjetë” (H. Schelsky). Për neo-pozitivistët të folurit për vlerat paraqet katastrofën e filozofisë si shkencë. Pohimet vlerësuese nuk janë assesi gjykime, por qëndrime psikike, që e venë në pikëpyetje edhe vetë shkencërinë e etikës. (I. Supek)
Në përgjithësi, ne jetojmë në humnerën midis qenies (thelbit) dhe vlerave. Në diskutimin bashkëkohor për etikën flitet shpesh për vlerat dhe gjykimet përshkruese dhe normative, dhe bëhet distancim nga ideja e etikës si shkencë normative dhe objektive. Mirëpo, përkundër të gjitha perspektivave subjektive dhe kulturore, çdo lloj vlerësimi nuk është arbitrar dhe sipas qejfit, por është i ndërlidhur në mënyrë objektive me supozimet dhe qëllimet. Harrohet se vlerësimi në të vërtetë është orientim normativ në mënyrë që jeta jonë dhe veprimet tona të kenë sukses dhe të jenë domethënëse.

Mbi teoritë për ndryshimin e vlerave

Është fakt që jetojmë në një kohë kur janë të luhatura masat e vlerësimit. Shkalla e vlerësimit i merr përmasat e saj ashtu siç i nevojiten dikujt në një çast të caktuar. Nga shenjat e shumta që mund të vërehen sot dhe që i japin konotacion kohës sonë, duhen përmendur gjithsesi pluralizmi dhe liberalizmi, kthimi nga modeli piramidal (hierarkik) i mendimit në atë qarkor (diskursiv), ngecja e strukturave, kulti i trupit, kriza e identitetit dhe autoritetit. Pas të gjitha këtyre lëvizjeve shpirtërore qëndron mendimi se vlerat i nënshtrohen ndryshimit dhe zëvendësimit, qoftë në kuptimin e përputhjes së niveleve të ndryshme, qoftë në kuptimin e pluralizimit. (I. Supek) Idetë e ndryshme përshkojnë njëra-tjetrën dhe çojnë në përcaktues të ndryshëm të vlerave. Zgjerimi i tillë i spektrit të vlerave dhe humbja e vetë-kuptueshmërisë së tyre shprehet në zvogëlimin e rëndësisë së veprimit. Vlerat shpeshherë nuk hynë në procesin e veprimit të vërtetë. Për to flitet aq gjatë, ndërsa kjo nuk kushton gjë. Këtu edhe një herë shihet qartë ndarja mes realitetit dhe idealit. Idealet nuk i takojnë më realitetit. Kjo vërehet në bisedat e shpeshta për vlerat themelore, për shembull, për vlerën e paqes, sidomos asaj në emër të fesë. Përse diskutimet e sofistikuara në atë fushë ngelin pa rezultate? Njerëzit janë të dehur nga përmbajtja e lartësuar e fjalës PAQE dhe kënaqen vetëm me shqiptimin e saj. Thënë me fjalën e Librit të Shenjtë: Thonë paqe, por edhe dashuri, drejtësi – e paqe, dashuri, drejtësi nuk ka askund! Njëfarë frike nga prekja e realitetit e pengon sendërtimin e kësaj vlere.
Drejtimi i ndryshimit të vlerave nga të vërteta në të pastra, rrjedh edhe në drejtimin e individualizmit. Në qendër është individi. Vlerat sociale nënçmohen, ose shikohen nga jashtë. Segmentimi dhe përzierja e vlerave ka shkaktuar shpesh lëvizje kundërshtuese që vërehen në shoqërinë bashkëkohore.
Sot vërehet ecuria e mbishtimit apo zëvendësimit të vlerave, dhe kjo para së gjithash në mbisundimin e vlerave materiale, ku është vërejtur njëfarë llogarie jo-materialiste. Për shembull, paraja nuk është më e vetmja vlerë në punë. Kërkohet një veprim i përqendruar, i menduar, ku janë të përfshirë aspektet materialë. Andaj, caktimi i vlerave mbetet më i ngadalësuar nëse nuk i kushtohet vëmendje edhe vlerave jomateriale, pra shpirtërore.
Kohëve të fundit në shoqërinë moderne vërehet lidhja e ngushtë midis rritjes së standardit dhe ndryshimit të vlerave. Sociologët provojnë se ekzistojnë efekte të lidhura me standardin e jetesës, ku mund të vërehen tri periudha apo lloje ndryshimesh: standardi i njeriut ka qenë diçka e re dhe e pazakontë (këto janë qartë vlera konservative – lidhja shoqërore, gatishmëria për sakrifikim, puna e rëndë, kursimi në lidhje me ardhmërinë); ato vlera tradicionale me kalimin e kohës e humbin kuptimin (theksohen liria e individit dhe mundësitë zhvillimore individuale); në atë kontekst ndjehet frika nga humbja e standardit, egoizmi i rëndë dhe ndërprerja me solidaritetin. (E. Çimiq)
E gjithë kjo e shkatërron stilin qytetar të jetës (siç janë vlera e madhe e punës, prodhimtaria, bindja se mundi paguhet, besimi në përparimin, vërtetimi i dallimeve dhe konkurrencës midis njerëzve, kursimi, largimi nga kënaqësia afatshkurtër, respekt para posedimit, prestigji, konservativizmi që të ruhet e fituara), dhe procesi i këtyre ndryshimeve në kuptimin e vlerave shpie në “ikje” apo kërkim të shtuar për komoditet. Shpesh njeriu i të sotmes para punës, parashtron pyetjen: çka kam unë nga kjo? Punës i kundërvihen kënaqësitë. Etika e sakrifikimit, që ka qenë e gatshme t’i shërbente punës ose institucioneve të tjera, dobësohet. Absolutësia e vlerave humb çdo kuptim. Me humbjen e absolutësisë së vlerave morale, shkon dorë më dorë edhe humbja e sigurisë. Sot nuk ka përgjigje të sigurta në pyetjen se çfarë duhet bërë. Flitet për guximin për zgjidhje jo të plota dhe të përkohshme.
Në sfondin e analizës së rrjedhës kohore të edukimit, vërehet se në qendër të të menduarit për vlerat, janë vlerat e individit. Me këtë krijohet një filtër i ri në lidhje me zgjedhjen e vlerave, qëllimeve dhe mënyrave të veprimit. Pranohet ajo që i kontribuon zhvillimit personal, për të cilën përndryshe vështirë do të vendosnit. Vlerat janë në mënyrë manipuluese të varura nga zhvillimet e modës. Vetëzhvillimi i individit në mendësinë “shfrytëzoje rastin” në të vërtetë do të thotë “ecje e kotë”, që mbështet cinizmin dhe skizofreninë e moralit. Si shembull të këtij cinizmi dhe skizofrenie mund të përmendim qëndrimin e njeriut të sotëm ndaj të drejtës dhe normave juridike. E drejta pranohet nëse i jep të drejtë individit – përndryshe kundërshtohet me të madhe.
Në përgjithësi, vlerat janë të drejtuara në përbërjen socio-kulturore që nxit në ndryshime në etikë. Nga perspektiva e të a.q. “etikë feministe”, gjithnjë e më shumë në plan të parë vendoset vlera e afrisë, “kujdesit”, që do të duhej ta zëvendësonte atë të drejtësisë.
Kjo përzierje e vlerave në sfondin e teorive kulturore dhe shoqërore-politike e vendos njeriun e së sotmes para një përgjegjësie të madhe. Është fakt që vendi, të cilin do ta zërë ndonjë vlerë në kulturë dhe shoqëri, varet në masë të madhe nga edukimi dhe arsimimi, gjë që i bën edukimin dhe arsimimin bashkë-përgjegjës për horizontin moral-vlerësues të një kohe dhe populli të caktuar.
Atëherë, ç’të thuhet për vlerat në hapësirën e fesë? Duket sikur kriza këtu është akoma më e dukshme dhe më e thellë. Në të vërtetë, është fakt që në kohën e sotme vërehet religjioziteti i pathemeltë, pezullues apo i vakët, religjiozitet i rezervuar për kohëra të veçanta, para së gjithash në lëvizjet e reja religjioze ose në kuadër të ideve që i quajmë thjesht sekularizëm
Me shfaqjen e sekularizmit ringjallet forma e fesë pa raporte konfesionale e historike – e a.q. “fe civile”. Për sekularizmin, vlerat fetare nuk janë më të nevojshme, por as që pengojnë. Ato janë të përziera dhe boshe. Feja shndërrohet në dukuri sipërfaqësore, të modës. Flitet për “fuqinë në vdekje të institucioneve fetare”. (A.F. Ansary)
Sekularizimi në hapësirën e fesë e mbështet rrymën e ndryshimit të vlerave në lidhje me zvogëlimin e rëndësisë së saj. Ky proces mund të shikohet në katër nivele: e para, në nivelin e përgjithshëm shoqëror, sekularizim do të thotë mungesë e rëndësisë së fesë; e dyta, kemi shtyrjen e institucionit fetar jashtë hapësirës së shoqërisë – politikës dhe ekonomisë; e treta, bashkësitë fetare vendosen në prapavijë; dhe e katërta, motivimi fetar dhe normat fetare e humbin kuptimin praktik. Është e qartë se sot feja shpesh matet me vlerën e zbavitjes e jo në sajë të aftësisë për të dhënë orientim të qëndrueshëm. Vlerat fetare ngjiten në konceptin e vetëzhvillimit dhe të vetë-sendërtimit njerëzor. Qytetari shërbehet me fenë kur t’i nevojitet ajo. Kështu krijohet religjiozitet pavetor pa asgjë tërheqëse, ose institucionet fetare shndërrohen në “shërbime burokratike”. Sot humnera midis vlerave të përkrahura religjioze dhe praktikës religjioze, shpesh është e thellë. Edhe në hapësirën e fesë sot shpesh dhe me ëndje flitet për të a.q. “vlera të pastra”. Kështu edhe në hapësirën e fesë zgjerohet shpërpjesëtimi midis vlerave dhe praktikës. (Gj. Shushnjiq)

Institucioni fetar dhe kriza e vlerave

Institucioni fetar edhe vetë është bërë jo-imun para sekularizmit, pluralizmit dhe humbjes së vlerave (sidomos të atyre fetare). Pluralizmi, sekularizmi dhe relativizmi i vlerave edhe për të paraqesin rrezik dhe sfidë. Sot institucioni fetar, deshëm apo s’deshëm, në shumë mënyra është i shtyrë buzë humnerës. Ai i nënshtrohet kritikës me pretekst se shumë pak vëmendje u kushton pritjeve të njeriut, se veprimet dhe vendimet e veta shumë pak i themelon, se e folura e tij është vjetruar, se u përmbahet shumë normave “të ngurta”, se është i papajtueshëm në mënyrë autoritare ndaj njerëzve, thjesht: se një gjë thotë, e tjetër bën, por edhe atë që e bën, s’ka se ku e bazon. Nga ana tjetër vlerat që ai i mbështet i nënshtrohen konkurrencës së vlerave të rrejshme fetare, të cilat i përhapin grupet e tjera. Vlerat që i përkrah institucioni fetar nuk pranohen më për shkak të autoritetit, por i nënshtrohen kritikës dhe kërkojnë mbështetje, jo në rend të parë teologjike-shkencore, por praktike – jetësore.
Prandaj, as teologjia nuk guxon të mbetet vetëm në konstruktet teorike, apo në kërkesat e larta etike, të cilat në realitet vështirë se mund të realizohen. Ajo duhet që në mënyrë besnike, pra praktikisht, t’i kumtojë vlerat e Kur’anit dhe të porosive të Pejgamberit a.s. Parimi i ndihmës dhe i solidaritetit, për të cilët mendohet në mënyrë teologjike, shpesh as brenda institucionit fetar nuk tregohet në mënyrë vepruese. Por, përkundër kësaj, institucioni fetar duhet të tregojë në vlerat themelore dhe të edukojë për solidaritet dhe ndihmë, drejtësi, paqe, mirëkuptim, liri, dhe të përpiqet që ato vlera të mos ngelin të izoluara nga realiteti dhe jeta, në rend të parë në vetë atë, e pastaj edhe jashtë tij.
Me këtë e hapëm edhe të menduarit për ardhmërinë e krizës së vlerave përkitazi edhe me institucionin fetar. Është e sigurt që njeriu i së sotmes, si ai brenda komunitetit fetar ashtu edhe jashtë tij, ka nevojë për vlera që do t’ia hapnin ardhmërinë. Por, përderisa nuk e mësojmë njeriun të dijë ta çmojë dhe vlerësojë vetveten siç duhet, do të ishte e kotë që në mënyrë sipërfaqësore t’i zgjidhim të gjitha krizat tona.
Po të dojë institucioni fetar t’i ndihmojë njeriut të sotëm, do të duhej që të niste shumë gjëra nga fillimi. Pa u futur këtu në gjithë këtë problematikë të ndërlikuar, përveç asaj që u tha tashmë, gjithsesi duhet theksuar kthimin në rindërtimin e brendshëm, shpirtëror të kulturës dhe të vetë njeriut dhe angazhimin për vlerat e përhershme.
Çfarëdo rindërtimi i dobishëm dhe përparim, duhen filluar që brenda, nga vetëdija dhe ndërgjegjja. Sepse, në botën e përzierjes së relativizmit dhe bindjeve fanatike, moraliteti dhe angazhimi për vlerat e përhershme nuk duhet të bëhen të tepërta. Akoma në çdo gjë vendimtar është njeriu me konstantën e tij shpirtërore, në rend të parë me lirinë dhe përgjegjësinë e tij.
Do të duhej që vëmendje të madhe, shumë më të madhe se deri më tani, t’i kushtohet mundit, punës dhe kujdesit për njeriun dhe shërimit të tij shpirtëror – shpëtimit. Ardhmëria e institucionit fetar, shikuar nga aspekti njerëzor, varet nga ajo se a do të jenë në këtë kohë mësimi i tij moral dhe vlerësimi mjaft “profetikë” dhe bindës që njeriut të së sotmes, duke ia ofruar vlerat e veta, t’ia japë edhe shpresën dhe t’ia sigurojë shpëtimin. Sepse, Islami nuk është fe asketike, por shëruese (shifâ); nuk është aq mistike, sa morale; Islami është në rend të parë fe e Librit, por edhe e Shpirtit.

Përfundim

Jetojmë në një kohë të letargjisë së rrezikshme të shpirtit. Vetëdija për krizën shpirtërore do të mund të ishte nxitje për rimëkëmbje. Besimtari gjithmonë ka qenë subjekt i dialektikës paradoksale të pozitës së tij: mbështetet në vlerat eskatologjike, ndërsa interesohet për ato të kësaj bote; e tërheq e amshuara, ndërsa i përkushtohet të kohshmes; i hapet qiellit, ndërsa ngel fëmijë i tokës, e kështu ballafaqohet me paradoksin e vlerave.
Ne besimtarët, si halifetullahi fi’l-erd, nuk guxojmë t’i harrojmë shpresën dhe gëzimin. Këtu duhet ta shqyrtojmë vlerësimin e personit njerëzor, të dinjitetit, drejtësisë, paqes, kujdesit. Na duhet një ritëm më njerëzor për të jetuar – një cilësi e re e kohës dhe vlera humane. Kemi nevojë për furnizim, mirënjohje, mirëkuptim, falje, durim. Është mirë të tregohet kjo mungesë dhe ky mjerim në marrëdhëniet tona ndër-njerëzore dhe shikimi të drejtohet nga Pejgamberi a.s., si shpëtimtari ynë. Përderisa sipas Kur’anit nuk mësojmë t’i çmojmë, respektojmë dhe t’i vlerësojmë drejt jetën, veten, njeriun, vlerat dhe Zotin, do të ishte e kotë që t’i zgjidhnim të gjitha krizat tona në mënyrë sipërfaqësore. Krizës së qytetërimit duhet t’i përgjigjemi me angazhimin për njeriun, për qytetërimin e dashurisë, që do të duhej të ishte i themeluar mbi vlerat e përgjithshme të paqes, solidaritetit, drejtësisë dhe lirisë, të cilat sendërtimin e plotë të tyre e gjejnë tek rikthimi në burimin.
Vetë gjeneza e Shpalljes tregon padyshim në këtë fakt. Shpallja në zbulimin e saj të shkallëshkallshëm të së vërtetës për Zotin, njeriun dhe botën, “e ka respektuar rendin dhe u është përshtatur rrethanave të dhëna”. (H. Gjozo) Ka ofruar vetëm aq sa është dashur të pranojë njeriu në kushtet e duhura dhe aq sa i është nevojitur atij. Ajo e ka ndjekur hap pas hapi zhvillimin e shoqërisë. Shpalljet e mëparshme kanë pasur tipare lokale dhe kohore. Çdo shpallje pasuese e ka ndryshuar parapraken. Është zgjeruar, plotësuar dhe ndryshuar sipas ndryshimit të rrethanave, zhvillimit të shoqërisë dhe nevojave të njeriut dhe të jetës. Mu për këtë arsye, Kur’ani mbetet vepër e hapur për çdo kohë, për çdo vend, që në vazhdimësi i jep njeriut zgjidhje dhe shpëtim, pa marrë parasysh “ndryshimin” e vlerave.

Tiranë, 18 qershor, 2010

*Dr. Ismail Bardhi ka qene pedagog dhe dekan i Fakultetit te Shkencave Islame ne Shkup, Maqedoni si dhe ka qene pedagog i ftuar ne nje sere universitetesh ne SHBA ku ka dhene mesim dijet tradicionale te Islamit. Ai eshte autor, kohet e fundit, i librit “Kriza e Teologjise Muslimane Shqiptare.”

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *