Zëri i Tjetrisë*






(Përgjigje ndaj Jonida Azizaj)

Klodi Malushaj

Ligjërimi aktual i projektligjit anti-burka (anti-mbulim) dhe sanksioneve ndërshkimore që Sarkozy e qeveria e tij po ndërmarrin, më sollën në mendje Gjermaninë Naziste me ligjet e Nurembergut. Ishin pikërisht ato ligje që përcaktuan dallimet midis qytetarëve të Rajhut (qytetarë të plotë) dhe të pjesës tjetër (qytetarë të dorës së dytë pa të drejta politike); ishin po ato ligje që sollën legjitimimin e totalitarizmit fashist dhe shfarosjen e mijëra hebrenjve; ishin po ato ligje që sollën unifikimin e kulturës totalitare “ruajtjes së pastërisë së gjakut gjerman”. E meqë historia ka vërtetuar se nuk nguron të përsëritet, duket se kësaj radhe objekt stigmatizues ekperimental i Ligjit do të jenë femrat myslimane. Kësisoj, gjendja është më e koklavitur seç duket, revanshi i aksionit të Sarkozy-së nën sloganin e “çlirimit” të femrës sapo ka filluar, ku shkelja e të drejtave të njeriut duket se nuk përbën aspak problem për të.

Ndërkohë opinioni publik evropian po gëlon me kritika ndaj padrejtësisë dhe pasojave që do sjellë vendosja e këtij ligji, duke e akuzuar qeverisjen Sarkozy si diskriminuese, shtypëse, policore dhe aspak në përputhje me respektimin e shtetit të së drejtës. Paradoksalisht, në formën anti-rrymë na vjen një rrëfenjë nga zërat femërorë shqiptarë duke ngritur në piedestal, me thirrje të zjarrta atë çka është më e kritikueshmja në qeverisjen Sarkozy: mosrespektimin e identitetit fetar. Revolta e znj.Azizaj shkon deri aty sa mendon se përdorimi i vetos do të ishte instrumenti më i mirë për t’i shuar këto “figurëzeza”. S’ka se si të ndodhte ndryshe, në kohën ku jetojmë imazhi i duhur është vetëm ai i “top modelit” do të shtonte filozofi Alain Badiou.

Në stisjen e rrëfenjës qartazi spikat tonaliteti tretës që mëton ta shkrijë të tërën në personazhe partikulare. Personazhet domosdo duhet të na shpërfaqen si antipode të njëra-tjetës, ku e vetmja gjë që mund të gjenerojnë është retorika bardhë e zi. Nga njëra anë kemi imazhin e bardhë të zhveshjes, ndërsa nga ana tjetër imazhin mbytës të figurës së zezë, të mbulimit. Morali i rrëfenjës nuk do shumë për t’u dekoduar, ajo çka autorja është lodhur për të na përcjellë është një lloj th(f)yerje larg asaj çka jemi mësuar të shohim zakonisht, ku personazhet e zgjedhura me “delikatesë”, na duhet të vërtetojë shprehjen e famshme popullore se aparenca të gënjen. Vajza goxha e zhveshur, “e shthurura”, na shfaqet e sjellshme dhe e buzëqeshur (deri këtu s’ka gjë për t’u çuditur), e kundërta ndodh me figurën e zezë, “e devotshmja”, përfaqësuese e të tërës së femrave myslimane, e cila na shpërfaqet me mungesa të forta aftësish komunikimi.

Për çudi, përpjekja për demaskimin e femrës me shami, mplekset në një lloj strumbullari pikëpyetjesh, të cilave mesa duket për të anashkaluar përgjegjësinë e ndonjë përgjigje të vagullt apo kontradiktore, parapëlqen t’i lërë në pezulli. Moria e pikëpyetjeve të lë të nënkuptosh mungesën e thellë të informacionit apo të kontakteve që znj. Azizaj ka në lidhje me vajzat me shami. Pavarësisht gjithë kësaj, nuk heziton aspak të paragjykojë në emër të së tërës e të jetë përgjithësuese, pa marrë aspak në konsideratë se po cënon mbi ndjeshmërinë e dinjitetin e një shumësie personash.

Kësodore, si për të kthjelltësuar disi gjendjen, le të orvatemi t’u përgjigjemi disa prej pyetjeve të shumta të shtruara:

“Besimtaret myslimane kërkojnë të drejtën e tyre për t’u mbuluar me shami, por ndërkohë nuk kuptoj përse e kanë të vështirë të kenë një komunikim të lirë me femrat e tjera, qoftë edhe në një dyqan veshjesh?”

Kurioziteti më shtyn që pyetjes t’i përgjigjem me pyetje: sa është numri i vajzave me shami që pretendoni se njihni znj. Azizaj, që paskan handikap në komunikim?

“Në emër të cilës së drejtë dhe cilës liri këta prindër dhe ky besim vendosin t’i detyrojnë vajzat e vogla për t’u mbuluar me shami? Nëse besojnë se vendosja e shamisë është zgjedhje e lirë, përse nuk i lejojnë vajzat e vogla të zgjedhin vetë pasi të mbushin moshën e lirisë, por i detyrojnë të cungohen e të diferencohen në shoqëri? Ku janë mbrojtësit e mëdhenj të të drejtave të njeriut në Shqipëri?”

Nuk ka nevojë për kaq alarmim, besoj se çdo kush e di apo e ka të provuar se në moshën e foshnjërisë, fëmijëve u pëlqen t’u ngjasojnë “të rriturve”, e në mënyrë të veçantë janë vajzat ato që priren më shumë për të provuar ndopak veshjet e mamit. Nuk është për t’u habitur teksa vajzat e vogla imitojnë mamin e tyre me shami, ku dëshira e tyre foshnjore për të provuar gjërat e mamit nuk ka pse të përkthehet si një shtrëngim që këto nëna u bëjnë fëmijëve për të vendosur shami. Nuk e di nëse do të mbanit të njëjtën linjë logjike duke i konsideruar shtrënguese apo imponuese, kur vajzat e vogla veshin minifunde thjesht dhe vetëm për të imituar nënat e tyre. Sa për informim sqaroj znj. Azizaj dhe lexuesit se shamia është çështje esenciale besimi, zgjedhje shpirtërore, ku imponimi i saj nuk do të mbarte asnjë vlerë.

“E ndërsa flasim për të drejta, ku është e drejta e fëmijës tim, për të cilin unë zgjedh të mos mbulohet, por as të mos ndikohet në shkollë nga një fëmijë i mbuluar?”

Paradoksi s’kish ku të shfaqej më paradoks se kaq. Konsiderohet shkelje e të drejtave të fëmijëve kur prindi mysliman le të themi se zgjedh për jetën e fëmijës së tij një formë jetese dhe jo një tjetër, ku ndërkohë znj. Azizaj nuk e konsideron aspak shkelje të drejtash të fëmijës kur është ajo që zgjedh sipas shijeve prindërore dhe jo vetë fëmija. Po le të reflektojmë pak më shumë, vallë çfarë kuptimi do të kishte zgjedhja, në momentin kur e kemi asgjesuar shumësinë për të zgjedhur. Vetvetiu rezulton se s’kemi shkuar asgjëkundi, thjesht pohojmë pafundësisht sistemet totalitare.

“Besimtaret flasin për diskriminim që po u bëhet. A e dinë ato që në shkolla, në ambiente zyrtare, ndalohen veshjet provokuese, fundet e shkurtra, bluzat e hapura? Nuk ka shoqata femrash që të protestojnë për ndalim të drejtash në këto raste. Përse besimi fetar duhet trajtuar në tjetër mënyrë?”

Po. Besimtaret flasin për diskriminimin që u bëhet, por nuk flasin aq sa duhet, se pesha e përçmimit apo e dinjitetit të shkelur, peshon shumë herë më shumë se fjala dhe trajtimi që u bëhet, prandaj them se lipset të flasin më shumë. A e dini ju se në shkolla dhe ambiente zyrtare, ndalimi i veshjeve provokuese, fundet e shkurtëra, bluzat e hapura e tjera të ngjashme me këto, qëndrojnë veçse të varura në rregulloret e shkruara të secilit institucion, pasi vetë realiteti po çirret nga mosrespektimi i këtyre rregulloreve. Jetojmë këtu e të gjithë jemi dëshmitarë për këtë fakt. Për më tepër, nuk ka asnjë rast të vetëm (dhe nuk dëshiroj të ketë) që një vajze t’i jetë hequr e drejta e arsimimit apo të jetë përjashtuar nga shkolla apo t’i jenë mbyllur dyert për punësim, për shkak të veshjesh provokuese, përkundrazi krejt e kundërta duket se ka ndodhur e po ndodh me vajzat me shami.

”Përse edhe këto besimtare të mos respektojnë rregullat e shtetit shqiptar, duke qenë njëherë shqiptare, e më pas myslimane?”

Nuk besoj se ndonjëra prej tyre ka shkelur rregullat e shtetit shqiptar, të cilat janë të mirëpërcaktuara në kushtetutën shqiptare, në thelb të të cilave qëndron liria e secilit për të besuar dhe praktikuar besimin e vet. E më tutje akoma besoj se duhet të jeni aq e informuar se njeriu përbëhet nga identitete të cilat mund të dallojnë nga njëri-tjetri në spektrin cilësor, por kurrsesi ato nuk mund të jenë sasiore. Ato ekzitojnë në formë paralele apo si esencë, nuk ka më shumë apo më pak, më para apo më mbrapa, ose ekzistojnë, ose nuk ekzitojnë fare. Shkurt, shqiptare-myslimane janë thjesht esencë.

”Por si do munden këta besimtarë të përhapin fjalën hyjnore të Zotit, ndërsa me vetëmbylljen që krijojnë, s’bëjnë gjë tjetër veçse e vendosin veten e tyre në një sferë të tejdukshme, ku ne shohim veçse frikën e tyre për t’u përballur me shoqërinë?”

Në fakt, nëse do të na duhet të hyjmë në psikoanalizë, do të kuptojmë se vetëmbyllja dhe frika për t’u përballur me shoqërinë nuk është faj i individit në vetvete, por faj i shoqërisë e rënë si pasojë mbi ta. Është atmosfera dhe realiteti shoqëror me ngritjen e barrierave të steriotipeve për Tjetrin të ndryshëm nga Unë, i cili në vend që të bëhet përfshirës me anën e bashkëbisedimit dialogor, ngre kufijtë ndarës të përjashtimit. Domosdo, ngjarje të tilla do simulojnë vetëizolim dhe getoizim të grupeve të caktuara, por sigurisht jo të të tërës.

J.F. Lyotard thotë,“Le t’i shpallim luftë totalitetit, le të bëhemi dëshmitarë të papërfaqësimit; le të aktivizojmë dallimet dhe të ruajmë nderin e emrit.” Kjo do të thotë ta njohësh veten dhe të drejtat e tua përmes syrit të të drejtave të Tjetrit, por kjo arrihet veçse në një proces të hapur dialogues si interlokutorë dhe jo si stigmatizues.

________________________________
* Ky shkrim u refuzua te botohet nga gazeta “Shqip”, ne replike te shkrimit te Jonida Azizajt te botuar disa dite me pare ne kete gazete.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *