IftarBesnik Sinani

Në mes të gushtit, me fillimin e muajit hënor të Ramazanit, gjendem i ftuar në qendrën Islame shqiptaro – amerikane në Garfield, New Jersey, për darkën e iftarit kur besimtarët myslimanë pas një dite agjërimi që zgjat nga agu në perëndim të diellit, mblidhen për të ngrënë së bashku.

Eksperienca e emigracionit shoqërohet shpesh me përpjekjen për të transplantuar rite, zakone e kujtime në vendin e emigrimit dhe qendra të tilla bëhen më shumë se thjesht tempuj për lutje. Ato kthehen në qendra komunitare, që sigurojnë vazhdimësi kulturore dhe mundësojnë eksperiencën kolektive të riteve fetare.

Takon këtu emigrantë të moshuar dibranë, pogradecarë e korçarë që së pari ngritën këtë qendër, emigrantë të një prurje të mëvonshme nga Kosova e Maqedonia, si dhe studentë të ardhur vitet e fundit për të studiuar në universitetet amerikane nga Vlora, Puka, Struga, Prishtina, Durrësi e Tirana.

Sipas disa burimeve, në vitin 1905, emigrantët shqiptarë kanë hapur të parën xhami në SHBA. Edhe pse kjo është e debatueshme, është më se e njohur se emigrantët shqiptarë kanë hapur të parën xhami në shtetin e Connecticut, nga të parat në New York dhe sot gjinden 13 xhami shqiptare në Amerikën e Veriut.

Darka e iftarit pasohet me ligjërata fetare nga Imam Rifat Alili nga Shkupi, ku shembujt e profetëve thirren për të shërbyer si modele të jetës së virtytshme në realizimin e projektit hyjnor të Zotit në jetën e çdo individi.

Ligjëratat pasohen me lutjet (namazet) e teravive ku lexohen pasazhe të gjata nga Kurani dhe mes lutjeve, sipas traditës osmane të praktikuar nga shqiptarët, këndohen litani e himne për Zotin dhe lajmëtarin e mesazhit hyjnor, Muhamedin.

Agjërimi në muajin e Ramazanit është mirëfilli event global. Gati një e katërta e popullsisë së botës marrin pjesë në këtë rit masiv kolektiv për një muaj të tërë, që kurorëzohet në ditën e Bajramit.

E megjithatë agjërimi nuk është praktikë unike e Islamit. Krishtërimi, Hebraizmi, Budizmi e fe të tjera kanë forma të ndryshme agjërimi. Traditat fetare duket sikur thërrasin në kahjen e kundërt të prirjes së jetës tonë. Nëse pjesa më e madhe e jetës tonë angazhohet në akumulimin material për të ngritur cilësinë tonë të jetesës, traditat fetare, qoftë për një periudhë të shkurtër, na kërkojnë të heqim dorë, të abstenojmë nga orekset tona.

Cilësia e jetesës, në fakt e lirisë tonë, na kumtojnë traditat fetare, varet nga aftësia njerëzore për të kontrolluar orekset e vetes, epshet njerëzore, pjesën tonë shtazore.

Buda arrin Nirvanën pas abstenimit në pyllin e Uruvellës, profetët biblikë dhe kuranorë kalojnë kohë izolimi e meditimi në shkretëtirë, Krishti mposht djallin gjithashtu në shkretëtirë dhe Muhamedi merr shpalljen e parë hyjnore kur shkon për të medituar në shpellën Hera. Prandaj agjërimi nuk është vetëm përpjekje diete por synim i arritjes së një stadi shpirtëror që përpiqet të përkthehet në rol social.

Në Kuran Zoti u thotë besimtarëve se synimi i agjërimit, ashtu siç ishte dhe për popujt e më përparshëm – ku Kurani ka kryesisht parasysh Hebrenjtë dhe të Krishterët – është arritja e ndërgjegjshmit për prezencën e Zotit në jetën e njeriut, që njeriu të jetojë me Zotin, në marrëdhënie të vazhdueshme me të.

Profeti Muhamed, në një numër thëniesh u kumtonte dishepujve të vet se agjërimi i stomakut nuk ka asnjë vlerë nëse nuk shoqërohet me largimin nga vrazhdësia, mashtrimi, dhe e liga.

Agjërimi i Ramazanit shënon një nga pesë praktikat thelbësore të Islamit së bashku me deklarimin e besimit (shehadeti), lutjet (namazet), dhënien e 2.5 % të pasurisë së akumuluar të vitit për nevojtarët (zekatit) dhe kryerjen e pelegrinazhit në qytetin e Mekës (haxhi), ku tradita Islame thotë se tempulli i parë për adhurimin e Zotit u ndërtua nga profeti Ibrahim, patriarku i të tre feve monoteiste, Hebraizmit, Krishtërimit dhe Islamit.

Ramazani është gjithashtu muaji kur myslimanët besojnë se fjala e Zotit, Kurani, u zbrit në dimensionin njerëzor dhe për shkak të domethënies së lartë, ky muaj është bekuar nga Zoti.

Në të gjendet dhe Nata e Kadrit, besuar të jetë në natën e 27 të muajit Ramazan, ku besimtarët në të tërë botën intensifikojnë aktet e adhurimit duke besuar se shpërblimi hyjnor në këtë natë shumfishohet për të shënuar domethënien e rëndësisë së kësaj nate dhe të këtij muaji.

Sipas traditës Islame, në këtë natë Zoti zbriti Kuranin, është nata kur zbresin në rrafshin tokësor engjëjt dhe Shpirti, dhe kjo sjellë paqen hyjnore gjer në agim.

Edhe pse Islami normativ kundërshton murgërinë, gjatë Ramazanit mund të shohim formën e kufizuar të murgërisë, itikafin. Për ata që kanë mundësi, dhjetë ditët e fundit të Ramazanit mund të mbyllen në xhami, ku madje është e këshilluar që as mos kalohet shumë kohë bisede qoftë me besimtarë të tjerë të xhamisë, pasi supozohet të jetë periudhë meditimi, studimi, e adhurimi. Besimtari që mbyllet në itikaf kalon shumë kohë duke studiuar librin e Zotit, Kuranin, kalon kohë në lutje e meditim si dhe në dhikr.

Dhikri është praktika e përkujtimit të Zotit duke recituar litani që lartësojnë emrin e tij. Besimtari që gjendet në itikaf kalon pjesët më të vona të natës, para agut, duke ngritur duart nga qielli e duke ju lutur Zotit për falje e për mirësi për veten e të dashurit e tij.

Edhe pse këto tema kuptimore janë të përbashkëta për myslimanët në tërë botën, praktikat dhe traditat që shënojnë Ramazanin variojnë nga vendi në vend.

Kajro, në Egjipt, është i famshëm për llambat karakteristike që dekorojnë qytetin gjatë Ramazanit, Damasku në Siri dhe Fezi në Marok janë të njohur për rrethet e mistikëve – sufive, që kalojnë netët e Ramazanit duke kënduar himne për Zotin, ndërsa Medina – qyteti i Profetit në Arabinë Saudite – kthehet në vend vizite e pelegrinazhi për myslimanë nga e tërë bota.

Duke qenë se tradita Islame i kushton shumë vlerë të ushqyerit të agjëruesit, në qytetin e Medinës është traditë që fëmijët dërgohen nga prindërit të kërkojnë rrugëve për pelegrinë e t’i ftojnë të hanë darkën e iftarit me ta.

Mes shqiptarëve Ramazani shënohet qoftë me çfarë antropologët cilësojnë si forma të religjionit popullor, si ndezja e qirinjve në varreza gjatë Natës së Kadrit, apo me forma adhurimi që i afrohen më shumë praktikave normative të fesë.

Ndalimi i fesë qysh nga viti 1967 ka ulur masivitetin dhe domethënien e praktikave dhe festimeve fetare në përgjithësi. Për besimtarët, shpesh, agjërimi dhe ritet e tjera që shoqërojnë Ramazanin nuk janë evente familjare, tradita fetare nuk tejçohet vertikalisht nga një gjeneratë në tjetrën, por është më shumë rezultat i eksplorimeve individuale. E megjithatë, ka mjaft raste të mbijetesës së traditës.

Në vitin 1995, gjatë një vizite në Kalanë e Dodës, në rrethin e Dibrës, vija re me habi se agjërimi ishte event kolektiv i tërë zonës. Vetëm pesë vjet pas rrëzimit të regjimit komunist, një rajon i tërë agjëronte dhe formësonte aktivitetet e ditës, marrëdhëniet sociale dhe jetën tregtare në bazë të regjimit të agjërimit.

Siç tregonin banorët, duke qenë se ky ishte rajon kufitar, regjimi kish mbyllur një sy ndaj praktikave fetare si agjërimi, operacioni i të bërit synet, e madje dhe praktikave të tjera fetare si lutjet e individëve të caktuar, për të mos shtuar acarimin e popullsisë.

Në këtë vend ku edhe ish anëtarë partie agjëronin, banorët në ato vite kundërshtuan dhe ndihmat e shoqatave të huaja që ofruan të rindërtojnë xhamitë dhe morën përsipër t’i ndërtojnë vetë.

Agjërimi dhe muaji i Ramazanit ka dhe politikat e veta. Fillimi i Ramazanit shënohet nga shfaqja e hënës së re, por në vitet e fundit janë shtuar debatet rreth përcaktimit të fillimit të muajit dhe është kthyer në çështje politike që reflekton divergjencat e vendeve të ndryshme me shumicë myslimane. Kjo mund të shihet edhe ne debate që shfaqen herë pas here dhe në xhamitë shqiptare rreth “fillimit të agjërimit sipas Turqisë, Arabisë Saudite, apo Egjiptit.”

Dijetarët më me autoritet në bashkësinë globale të myslimanëve janë përpjekur të gjejnë mënyrat për të dalë mbi këto debate politike. Së pari, bazuar në një thënie të profetit Muhamed sipas së cilës “Opinionet e ndryshme brenda bashkësisë sime janë mëshirë,” janë përpjekur që këto divergjenca mos kthehen në çështje përçarjeje.

Ata kanë bërë thirrje, që me gjithë dallimet, besimtarët të fokusohen tek shpirti dhe mesazhi i agjërimit dhe jo tek detajet teknike. Së dyti, janë ngritur institucione si Këshilli Evropian për Fetua dhe Kërkim, që veprojnë jashtë kufijve dhe kontrollit të regjimeve të Lindjes së Mesme, në mënyrë që vendimi për këto çështje mos mbetet nën presionet politike por të reflektojë traditën e fesë me ndihmën e kalkulimeve satelitore.

Megjithatë, rritja e ndikimit të organizatave turke në vitet e fundit në Shqipëri, pritet të ndikojë dhe qëndrimin zyrtar të Komuniteti Mysliman në deklarimin e fillimit të muajit të Ramazanit.

Debati për fillimin e muajit të Ramazanit është i gjallë edhe mes besimtarëve shqiptarë në New Jersey. Edhe pse myslimanët në SHBA kanë ngritur institucione që marrin vendime fetare që evitojnë debatet politike në Lindjen e Mesme, imami i xhamisë sqaron se për besimtarët e komunitetit ku ai shërben është e rëndësishme të fillojnë agjërimin në akordim me fillimin në Prishtinë, Shkup e Tiranë.

Duke qeshur ai pranon se këto konsiderata nuk kanë të bëjnë me debatet rreth përdorimit të kalkulimit satelitor apo ndryshimit gjeografik, por se për komunitetin e tij, agjërimi është një event që i lidh me agjërimin e familjarëve të tyre në vendet nga vinë.

Duke qenë se gjatë Ramazanit shtohet edhe aktiviteti altruist i besimtarëve, imami tregon se ka kërkuar që bashkësia të jetë më e përfshirë në ndihmën ndaj të varfërve këtu ku ata jetojnë, duke i shërbyer komunitetit vendas.

Megjithatë, thotë ai, ka pasur rezistencë nga anëtarët e komunitetit që ngulin këmbë që ndihmat të dërgohen në vendet e origjinës. Të ardhurat që mblidhen për Kurbanet gjatë Kurban Bajramit apo tani gjatë Ramazanit, thotë ai, dërgohen në Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni.

Pas bisedës me të, dhe në mbarim të lutjeve të kësaj nate, besimtarët ulen për të pirë çaj e duhanxhinjtë që kanë rezistuar tërë ditën pa pirë duhan, duket të përpiqen të marrin gjithë nikotinën që nuk kanë mundur të marrin gjatë ditës.

Duke pirë çaj i drejtohen imamit me pyetje për teknikalitetet e agjërimit. Me çfarë duhet nisur iftari, pyet dikush. Hurma dhe ujë, përgjigjet imami, hurmat simbolizojnë begati e uji pastërti.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *