A janë të zemëruar shqiptarët?






Besnik Sinani

Ngjarjet që pasuan vrasjen e një shtetasi shqiptar nga Himara, sfondi politik i vërtetë apo i supozuar i motiveve të vrasjes, protesta e qeverisë greke dhe kryepeshkopit të Kishës Ortodokse, zbythja e shtetit shqiptar e servilizmi i politikanëve ndaj shtetit grek kanë nxitur një mori artikujsh në shtyp që reflektojne zemërimin shqiptar.

Është zemërimi shqiptar ndaj fqinjit tonë që teksa ngre zërin në kupë të qiellit për një vrasje që ende nuk është hetuar tërësisht, toleron vrasjen e emigrantëve shqiptarë për motive të qarta ksenofobie teksa ushtarët e këtij shteti premtojnë në marshe ushtarake se do e kthejnë lëkurën e shqiptarëve (si dhe turqve) në shollë këpucësh. Është zemërimi ndaj kreut të Kishës Ortodokse Shqiptare që as nuk përpiqet të ruajë aparencat në mbështetje të politikave greke në Shqipëri. Është zemërimi ndaj politikanëve tanë që lejojnë që rrugët e këtij vendi të zaptohen me banditizëm, që servilosen para fqinjëve tanë që trajtojnë Shqipërinë si vend vasal, që nuk ngrenë zërin për keqtrajtimet e emigrantëve shqiptarë.

Po a janë vërtet të zemëruar shqiptarët nga qeveria e tyre, nga servilizmi politik, nga trajtimi në pikat kufitare apo në rrugët e Athinës? A janë të irrituar shqiptarët që trajtohen si mbeturina që shtyhen me FSHESË? A mos vallë gjithë këta artikuj në media reflektojnë ngritjen e ndonjë lëvizjeje nacionaliste shqiptare? Jo.

Qeveria aktuale dhe kryeministri i saj, që ka treguar me jetgjatësinë e vet politike se e njeh mirë këtë vënd, nuk trembet se servilizmi dhe vasaliteti i tij do i kushtojë në kutitë e votimit, se zemërimi shqiptar do kthehet në kriter politik sipas të cilit do vlerësohen forcat politike dhe se do ndikojë rezultatet elektorale. Opozita qartazi nuk mendon se ka vlerë praktike marja e rolit të kampionit të zërit të revoltës shqiptare ndaj dinjitetit të humbur e prandaj as nuk ka ndër mend të marë një hap të tillë. Arsyeja është se nuk ka zemërim shqiptar, nuk ka shance që gjithë kjo prodhimtari mediatike të reflektojë një lëvizje civile që do vendoste artikulimin e ndonje qëndrimi politik që kërcënon të ndëshkojë politikanët për vasalitetin e tyre ndaj fqinjit të jugut. Shqiptarët prej kaq vitesh e kanë bërë të qartë sa e kanë pazarin, se cili ështe cmimi i tyre. Shqiptarët nuk i ka zemëruar mjaftueshëm as FSHESA e as konvertimi me dhunë i eshtrave të gjyshërve të tyre, as impotenca e policisë që u zmbraps para tymit të temjanit, as ksenofobia e racizmi i shtetit grek, as fundamentalizmi fetar i Greqisë që vazhdon të mbështesë kriminelët më famëkeq të Ballkanit, as trajtimi i tyre në Kakavi si qenie që nuk meritojnë respektin themeltar njerëzor. Shqiptarët nuk janë të zemëruar, ose së paku jo aq sa ta vënë re politikanët e tyre, jo aq sa ta kthejnë këtë zemërim në lëvizje civile e politike që kërkon dinjitet. Si rjedhim kjo valë mediatike, përfshi këtë artikull, ka gjasa të jëtë retorikë boshe.

Nëse një hetim i pa-politizuar do tregonte se vrasja u krye për motive urrejtje etnike, atëherë ajo duhet dënuar si e tillë. Por kjo jo për shkak të presioneve të një vendi si Greqia që nuk ka të drejtën morale t’u japë leksion shqiptarëve për këto punë. Duhet dënuar si e tillë sepse shqiptarët nuk duhet të lejojnë diskriminimin e dhunimin e askujt për shkak të etnisë, rracës apo fesë së tij. Nëse vërtetohet se vrasja është motivuar nga urrejtja etnike, atëherë arsyet, motivet, shtysat që e ushqejnë një gjë të tillë duhen studiuar dhe adresuar. Por të jemi të qartë, shqiptarët kanë mjaft arsye, më se të justifikuara, për të qenë të pakënaqur, të fyer, të indinjuar nga politikat e fqinjit të jugut dhe ky zemërim duhet të gjejë zë në mënyrë dinjitoze e të shëndetshme, në një mënyrë që do u tregonte politikanëve tanë se nëse nuk do përfaqsojnë interesat e elektoratit që i voton, atëherë ata nuk meritojnë pushtetin.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *