Besnik Sinani
New York.

Debati për ngritjen e një ‘xhamie’ dy blloqe larg vendit ku gjendeshin dikur kullat binjake është kthyer në debat global. Për këtë arsye, me sa duket, Gazeta Shqiptare e pa të arsyeshme të merte mendimin e disa intelektualëve shqiptarë nëse duhet lejuar ngritja e ‘xhamisë’ për të cilën ndërkaq autoritet lokale të New York-ut kanë dhënë aprovimin. Pa u lodhur të shohë fotografitë e maketit që gjindet kudo në internet, një nga kontribuesit shqiptarë të këtij debati krahasonte minaren jo-egistente të xhamisë që nuk do jetë xhami me një ‘raketë shpirtërore.’

Park 51, sic quhet projekti, nuk do të jetë xhami, por qendër kulturore islame me 13 kate, me galeri arti, pishinë e palestër, me dhomë faljeje e meditimi e modeluar sipas shembullit të qendrave të tilla komunitare të komunitetit hebre. Nuk ka as minare e as kupolë. Figura mbrapa këtij projekti, Imam Abdul Rauf, ka vite që kryen ture shëtitjesh në Lindjen e Mesme për llogari dhe të sponsorizuara nga Departamenti i Shtetit Amerikan, ka marë pjesë në aktivitete të tilla në shumë raste dhe gjatë administratës republikane të Bushit, përfshi krah për krah condolenza Rice, aq sa një grup studentësh në Kajro e akuzuan për agjent të CIAs. Aktualisht ai gjendet në Bahrein i dërguar nga Departamenti i Shtetit Amerikan për të promovuar vlerat amerikane në botën arabe. Bordi drejtues i projektit është i mbushur me të krishterë e hebrenjë dhe Imam Abdul Rauf ka vite që promovohet në televizionet amerikane si përfaqsues i Islamit që dëshëron të ketë si partnerë Amerika. Atëherë pse gjithë kjo revoltë nga politikanët e të djathtës me të cilët Imam Abdul Rauf ka qenë kaq i afërt.

Fushata kundra Park 51 është udhëhequr, nxitur e formuluar kryesisht nga tre ente mediatike të së djathtës amerikane: FOX NEWS, The Wall Street Journal, dhe The New York Post që janë pronë e të njëjtës Kompani, News Corp. Ironikisht ishte FOX NEWS nga stacionet e para mediatike që i dha bekimin dhe miratimin këtij projekti në dhjetor të viti që shkoi në një intervistë më gruan e Imamit, Daisy Khan. Edhe më ironike është se sot një nga akuzat që ngrënë me të madhe këto media është se ndoshta ky projekt financohet nga ndonjë princ saudit kur është se aksioneri i dytë më i madh në kompaninë që i ka pronë këto media, është një anëtar i familjes mbretërore saudite.

Atëherë pse ndryshoi qëndrimi i të djathtës amerikane? Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, gati 20% e amerikanëve besojnë se Obama është musliman. Teksa Amerika i afrohet zgjedhjeve për kongres dhe senat, demagogët e të djathtës kanë parë në debatin për ‘xhaminë’ një aset politik që mund ta monopolizojnë në diskursin e tyre politik. Por teksa ky debat është i motivuar nga politika lokale, ato kanë marrë përmasa globale.

Diskursi politik amerikan qysh nga George Bush ka qenë se Amerika nuk është në luftë me Islamin por me terroristët që shpërdorojnë Islamin. Por parrullat e protestuesve kundër xhamisë, prodhimtaria mediatike që ofendojnë fenë islame, Profetin Muhamed, dhe që cilësojnë gjithë muslimanët si terroristë japin imazhin e një lufte mes Amerikës dhe Islamit, i cili, jo rastësisht, është dhe argumenti bazë ideologjik i Bin Ladenit. Teksa specialistë të terrorizmit si Bernard Haykel thonë se numri i militantëve të organizatave terroriste si Al-Kaida është diku tek 20 mijë vetë – një numër i vogël në një popullsi globale prej më shumë se 1.5 miliardë muslimanë – interesi i SHBA ka qenë të izolojë Al-Kaidën, të gjejë partnerë kudo mes popullsive muslimane në botë dhe mos i japë terren mesazhit të Al-Kajdës të përhapet e të fitojë pasues më tej. Debati mbi Park 51, rrefuzimi për këtë qendër e për xhami në vënde të tjera të Amerikës, i shërbejnë një retorike të ndryshme, një retorikë që njëson Islamin me terrorizmin, që injoron faktitn se pati musliamanë ndër viktimat e kullave binjake, se shumica e viktimave të Al-Kaidas nëpër botë kanë qenë muslimanë – shumë prej tyre klerikë që kanë folur kundra Al-Kaidas – dhe jep mesazhin që ka vite që trumpeton Bin Laden: se Amerika po kryen njw luftë fetare drejtuar kundra gjithë muslimanëve dhe Islamit. Prandaj ndalimi i xhamisë, në fjalët e Kryetarit të Bashkisë së New York-ut, “do i jepte një vegël të rëndësishme propagandistike rekrutuesve të terroristëve, të cilët përhapin mendimin e gabuar se Amerika është në luftë me Islamin.”

Teksa media e djathtë nxit këtë imazh të Islamit si fe e prirur ndaj një dhune fetare irracionale, një imazh shumë i përafërt egziston në botën arabe për Amerikën. Imazhi i Bushit si njeri që deklaronte se ishte me mision nga Zoti, artikujt e medias amerikane që tregojnë se raportet e luftës i dorëzoheshin me citime nga Bibla, apo deklaratat e një zv. ministri të Mbrojtjes Amerikane që predikonte nëpër kisha i veshur me uniformë ushtarake ” se tashmë e dimë fytyrën e djallit që gjendet në Faluxha [në Irak] dhe do fitojmë vetëm nëse luftojmë në emer të Jezusit,” të gjitha këto kanë krijuar përshtypjen edhe ndër intelektualët sekularistë të Lindjes së Mesme se Amerika është një forcë e nxitur nga fanatizmi fetar dhe Obama ende shihet si shumë I dobët për të ndërruar këto trende. Debati rreth Park 51 vetëm sa përforcon këto nocione. Ky debat mund t’i shërbejë të djathtës amerikane në politikat lokale por sjell dëme më të mëdha, jo vetëm për SHBA, në zhvillimet globale.

Duke ju kthyer rezonancave të këtij debati në Shqipëri, metafora e minareve si raketa nuk është e re e as origjinale. Është përdorur, në fakt, më parë për xhamitë lokale shqipatare në Maqedoni. Edhe këtu ngërthehen lokalja me globalen në këtë mëtaforë që i jep palëvizshmërisë së minareve lokale mobilizimin e imagjinuar, ushqyer me eksplozivë të medias globale.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *