Himara virtuale e Jazexhiut





ERGYS MëRTIRI

Në numrin e fundit, gazeta “Java” kishte një koment prej Olsi Jazexhiut në lidhje me incidentin e fundit të ndodhur në Himarë dhe reagimet ndaj kësaj ngjarjeje. Shkrimi i Jazexhiut ishte një përpjekje për të ofruar një qasje krejt tjetër nga ajo që kanë ofruar përgjithësisht shumica e komentuesve në shtypin shqiptar, duke pretenduar një vizion më të hapur dhe më të emancipuar, larg atyre që autori i konsideron si reagime nacionaliste antigreke, të cilat sipas tij, dhunojnë të drejtat e tyre etnike. Autori shpalos një vizion të hapur ndaj diversitetit etnik dhe kulturor, duke ofruar hapësirë pa limit për minoritetet, të cilët sipas tij kanë të drejt të zhvillojnë kulturën, simpatitë apo edhe të idetë e tyre në lidhje me historinë dhe pretendimet etnike në vend. Shkrimi bazohej mbi kritikën ndaj katër artikujve nga shtypi shqiptar, të shkruara nga Pëllumb Xhufi, Agron Tufa, Ergys Mërtiri dhe Dritan Egro, artikuj të cilët autori i konsideron si shfrime histerike “nacional-komuniste” apo “nacional-shqiptarisë” kundër qytetarëve të Himarës. Gjithashtu, ai i interpreton reagime të tilla si përpjekje për t’i “shqiptarizuar me pahir” banorët e Himarës, gjë që, sipas tij, përbën anën tjetër të medaljes, të barabartë me histerinë nacionaliste greke, serbe e maqedonase kundër shqiptarëve. Autori i konsideron këto reagime, jo vetëm të padrejta, por edhe historikisht të gabuara, pasi sipas tij, grekofonia e Himarës është diçka e vulosur nga historia dhe realiteti aktual.

Duke e lënë mënjanë historinë, për të cilën është folur shumë në shtyp gjatë këtyre ditëve dhe janë ofruar dëshmi mjaft interesante, përfshirë ato të ardhura nga intelektualë me origjinë himarjote, më duhet të ndalem tek premisat ideo-kulturore dhe politike mbi të cilat ngrihen pretendime të tilla. Në fakt, jam befasuar nga niveli i lartë i tolerancës dhe kozmopolitizmit të pretenduar nga autori, të cilin, nëpërmjet shtypit, por edhe nëpërmjet një sërë debatesh të zhvilluara personalisht me të në internet, e njoh si mbrojtës të pikëpamjeve krejt të kundërta, të cilat fare hapur promovojnë konfliktin ndërfetar në shoqërinë shqiptare. Megjithatë, me gjithë kontrastin e thellë të shfaqur në një metamorfozë të tillë, mund të thuash se edhe në këtë shkrim, nuk mungonte koherenca e plotë me pikëpamjet e tij ekstremiste, të shfaqura në vijimësi. Thelbi dhe premisat prej nga buronin idetë e parashtruara, kishin mbetur të njëjta, duke vijuar të çojnë ujë me përpikmëri në botën e tij konfliktuale.

Po përpiqem ta qartësoj këtë, për hir të së vërtetës që fshihet nën lëkurën e këmbës së lyer me miell prej liberali kozmopolit, me të cilin autori ka maskuar etnocentrizmin e vet ideologjik. Gjithashtu, duke qenë një prej katër autorëve të kritikuar me të padrejtë në shkrimin e tij, po përpiqem të qartësoj abuzivizmin me të cilin ai i përdor citimet, në funksion të besueshmërisë kallpe që kërkon t’i japë kritikës së vet.

Në pamje të parë të duket sikur autori ka të drejtë. Çdo minoritet ka të drejtë të ruajë dhe shfaqë publikisht identitetin e vet etnik, kulturor dhe fetar, dhe nuk mund të cenosh një minoritet thjesht për shkak se flet gjuhën e vet. Por kjo është vetëm teorikisht. Ajo që ndodh praktikisht në Himarë, si dhe ajo çka është pretenduar nga disa prej autorëve që Jazexhiu përpiqet t’i kritikojë, është diçka krejt tjetër.

Së pari, duke u nisur thjesht nga ajo që kam trajtuar në shkrimin tim “Nga se kërcënohet në të vërtetë minoriteti grek”, botuar në gazetën “Metropol” në datë 17.08.2010, çdo kush mund të kuptojë lehtësisht se ajo për çka akuzon Olsi Jazexhiu është krejtësisht e pavërtetë. Në këtë shkrim, jo vetëm që nuk kam sulmuar në asnjë moment minoritetin grek (duke supozuar se ekziston një i tillë në Himarë), por përkundrazi, kam shprehur nevojën e garantimit të të drejtave të tyre. Reagimi im nuk ka të bëjë aspak me të drejtat e minoritarëve, qofshin këta të vërtetë apo të stisur, por me interpretimet e padrejta të kreut Kishës Ortodokse ndaj incidentit, të cilin krerët përfaqësues të këtij minoriteti u përpoqën ta instrumentalizojnë. Tekstualisht në këtë shkrim jam shprehur:

“Natyrisht, ngjarja është krejtësisht e papranueshme dhe është normale që një akt i tillë të dënohet ashpërsisht nga opinioni publik. E drejta e gjithkujt për të folur në gjuhën e tij është legjitime. Por është pa kuptim t’i referohesh të drejtave të njeriut, kundrejt një sherri banal rrugësh, ndaj njerëzve pa kurrfarë statusi përfaqësues, qoftë edhe të nxitur prej ndjenjash nacionaliste”.

Nga ana tjetër, shkrimi im ka pasur për qëllim të tregojë që problemet etnike në Himarë vijnë, jo se shteti shqiptar nuk zbaton të drejtat e minoriteteve (në fakt e kundërta është e vërtetë, shteti shqiptar ka gati 15 vjet që është nënshtruar krejtësisht ndaj politikës greke), por për shkak të përhapjes së pikëpamjeve ekstremiste nacionaliste greke, prej drejtuesve lokalë si Bollano. Në lidhje me këtë jam shprehur:

“Të evidentosh nevojën për zbatimin e të drejtave të njeriut, në momente të tilla gjaknxehtësie kolektive do të thotë t’i shërbesh acarimit të situatës nga të dyja palët, dhe kjo më së paku i shërben minoritetit grek në Himarë, të cilit më tepër sesa aventurat e politikave të mbrapshta ku është përfshirë shpesh, i intereson të zhvillojë turizmin dhe ekonominë e vet, të cilat nuk mund të bëhen pa ndërtuar më parë qetësinë dhe harmoninë me bashkështetasit e tjerë shqiptarë. Aq më pak mund të ketë dobi nga fabrikimi i heronjve të rinj, që derdhin gjakun për të vaditur kauza të tilla të mbrapshta, si ato që, mjerisht, gjejnë jo pak vend në fantazitë e qytetarëve të Himarës, të mikluara këto edhe prej pensioneve të majme që nuk pyesin as për krizat ekonomike”.

Besoj se është e qartë që nuk kemi të bëjmë këtu me kurrfarë agresioni intelektual antigrek. Ajo që Jazexhiu e quan, sulm ndaj Bollanos, është një reagim i përgjegjshëm dhe realist, ndaj një përfaqësuesi të këtij minoritetit, i cili synon të minojë klimën e bashkëjetesës etnike në jug të vendit. Dhe këtë e bën për të zgjatur mbijetesën e vet në krye të pushtetit lokal. Duke zgjuar sensibilitetet etnike në një klimë të polarizuar, Bollano krijon kushtet për ta bërë elektoratin e tij të shpërfillë korrupsionin që ka përfshirë Bashkinë e Himarës, në zgjedhjet e radhës vendore që pritet të mbahen së shpejti. Nga ana tjetër, kjo mbijetesë e Bollanos, garantohet edhe nga qarqe të caktuara të politikës ekstremiste greke, të cilat shpenzojnë para dhe investime për të konvertuar qytetarët e Himarës në panhelenistë. Dhe ky është një realitet që e ka të qartë çdokush në Shqipëri, përfshirë edhe vetë himarjotët, pavarësisht se shumë prej tyre janë sot nën verbimin e propagandës, si dhe nën efektin joshës të ofertës financiare greke nëpërmjet pensioneve dhe emigracionit. Po mbi të gjitha, reagimi im është i zhveshur krejtësisht nga çdo lloj ngarkese ideologjike, qoftë kjo nacionaliste apo antiminoritare.

Por, përse del në mbrojtje të Bollanos Olsi Jazexhiu?

Duke qenë i mirënjohur me tezat e tij, mund të them me plot gojën se Jazexhiu është një Bollano në vetvete, një Bollano me petka pseudoislamiste. Kushdo që është njohur me ligjërimin që Jazexhiu ka prodhuar për dhjetë vjet me radhë në hapësirat mediatike dixhitale apo edhe në shtyp, e ka të qartë që ai nuk është absolutisht i interesuar për diversitetin kulturor, apo për të drejtat e minoriteteve etnike, kulturore e sociale në këtë vend. Kushdo që i ka lexuar shkrimet e tij e di që, në mënyrë të hapur, ky njeri ka krijuar profilin e një polemisti konfliktual krejtësisht intolerant ndaj komuniteteve të tjera. Rrjedhimisht kjo tolerancë e paraqitur në këtë shkrim, është krejt e pazakontë për të, ndaj dhe mund të themi se ajo nuk është gjë tjetër vetëm se instrument në funksion legjitimimit të misionit te tij shumë të ngjashëm me atë të Bollanos.

Por nuk është hera e parë që Olsi Jazexhiu bën kapërcime të tilla. Për të justifikuar ideologjinë e vet, ai ka përdorur herë pas here, ashtu si edhe në këtë shkrim, një profil më kozmopolit, i cili promovon një vizion historik refuzues ndaj miteve si dhe ndaj nacionalizmit, duke u rrekur të shfaqet si një mendimtar i lirë e i pakompromis, që nuk heziton ti thotë gjërat hapur. Në shkrimet e tij ai refuzon të pranojë ata që ai i quan “heronjtë kaurrë që i janë imponuar shqiptarëve me dhunë nga ideologjia shqiptariste”, si Skënderbeu, Gjergj Fishta apo Nënë Tereza, duke mbështetur në një vizion çmitizues ndaj figurave historike.

Në pamje të parë, një qasje e tillë do të ishte e respektueshme, nëse do të nisej thjesht nga pikëpamjet psotmoderniste apo dekosntruktiviste, të cilat janë të mirënjohura dhe janë pjese normale e debateve të sotme mes studiuesish të historisë, filozofisë, kulturës etj. Por Jazexhiu nuk ofron çmitizimin e figurave të tilla për shkak se nuk beson në mite. Përkundrazi, ligjërimi i tij është fund e krye mitologjik dhe ideologjik. Ai i përpiqet t’i rrëzojë këta mite për t’i zëvendësuar me disa të tjerë, të tillë si Esat Pashë Toptani, Musa Qazimi apo Haxhi Qamili. Pra, ai nuk është në luftë me mendimin totalitar në emër të nevojës për tu cliruar nga prangat e mendimit që presupozohet se ka sjellë ideologjia nacionaliste. Përkundrazi ai është në luftë me totalitarizmin ideologjik në fuqi, në emër të një tjetër totalitarizmi, edhe më të ngurtë dhe më të panatyrshëm për mjedisin ideo-kulturor shqiptar. Në shumë shkrime të tij, Jazexhiu kërkon prej myslimanëve shqiptarë të refuzojnë glorifikimin ndaj të gjitha figurave nacionaliste që kanë punuar për të ndërtuar kombin shqiptar, qofshin këta edhe myslimanë, madje edhe klerikë e dijetarë të mirënjohur të fesë Islame në Shqipëri siç janë Hafiz Ali Korca, Vehbi Dibra apo Ibrahim Dalliu. Për këtë madje ai nuk heziton të abuzojë edhe me vetë parimet fetare duke e shpallur fetarisht herezi dhe mohim të themeleve të fesë nderimin e figurave që kanë punuar për të hedhur themelet e kombit. Sipas tij, heronjtë e vërtetë të myslimanëve duhet të jenë vetëm figura të tilla si Toptani, Qazimi e Qamili, të cilët në fakt njihen vetëm për pengesat që i kanë nxjerrë kombit. Kjo është edhe arsyeja që e bën Jazexhiun të gjejë aleancë me shovinistët grekë në Himarë. Të dyja palët i puq antishqiptarizmi.

Kjo shprehet në njëfarë mënyre edhe në shkrimin e tij në gazetën “Java”: “Shqiptarët duhet të mësohen të jetë tolerantë, të pranojnë që myslimanët shqiptarë mund të kenë heronj të tyre sulltan Muratin e Mehmet Fatihun, Musa Qazimin, Haxhi Qamilin dhe Esat Pashë Toptanin, ndërsa himariotët Spiromilon, Marko Boçarin dhe Venizelosin, dhe të mos i sulmojnë komunitetet e tjera etnike dhe fetare që jetojnë në Shqipëri nga ethet e sëmura nacionaliste”. Sipas tij, himarjotet, madje edhe vetë sajti zyrtar i pushtetit vendor në Himarë, ka të drejtë të glorifikojë luftëtarët e vet antishqiptarë, ndërsa shqiptarët, me gjithë veprimtarinë abuzive asimiluese që iu bëhet prej grekëve në vendin e tyre, nuk kanë të drejtë të shprehin mosaprovimin e tyre ndaj kësaj.

Në fakt, veprimtaria e Jazexhiut nuk është thjesht një retorikë emocionale individuale. Në shumë shkrime të tij, ai pretendon të konstruktojë skeletin e asaj që ai e quan “Islami politik”, që përmbledh truallin ideor prej nga rrjedhin qëndrimet që ai kërkon t’ia imponojë bashkësisë myslimane në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë. Për këtë, atij i duhet të polarizojë klimën e marrëdhënieve të bashkësisë myslimane me grupet e tjera shoqërore, duke realizuar pozicionimin e tyre në zgrip të jetës sociale, prej nga mund të burojnë vetëm reagime konfliktuale. Në thelb ky projekt, nuk është gjë tjetër vetëm se përpjekje për të fabrikuar Himarën myslimane në Tiranë, Shkup e Prishtinë, gjë që pritet të sjellë “bllokime rrugësh” në mbrojtje të kauzave të stisura dhe inekzistente.

Në këtë mënyrë, Jazexhiu është sot në krah të Bollanos, për arsye se të dy kanë të njëjtin vizion. Bollano kërkon autonomi etnike për Vorio Epirin e vet imagjinar, ndërsa Jazexhiu kërkon autonomi fetare për sulltanatin e vet imagjinar. Vetëm për Shqipërinë si një entitet real dhe normal, ku grupet sociale bashkëjetojnë duke toleruar praninë e njëri-tjetrit, nuk ka vend.

Ajo që mbetet pozitive, është fakti që ky vizion nuk ka mundur të gjejë terren brenda myslimanëve shqiptarë, të cilët, deri tani, kanë ditur të tregojnë kthjelltësinë e nevojshme për të mos iu atashuar aventurave të tilla pa krye. Kjo ka bërë që vizioni i tij të mbetet gjithsesi margjinal brenda vetë komunitetit që ai kërkon të përfaqësojë. Është e rëndësishme që opinioni publik të arrijë të bëjë diferencën midis realitetit të vërtetë të Islamit në Shqipëri, me sharlatanizmin përfaqësues që prodhojnë grupe të ndryshme margjinale brenda tij. Shoqëria shqiptare ka nevojë të komunikojë me pjesët më të shëndosha të bashkësisë myslimane, si pjesë e rëndësishme dhe e paneglizhueshme në zhvillimin e shoqërisë, dhe njëkohësisht të refuzojë diskurse të tilla agresive periferike, që shfrytëzojnë vakumin e ligjërimit fetar në opinionin publik, për të imponuar utopitë e tyre aventureske.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *