Ismail Bardhi

Shkup, 16.09.2010

Të hënën, me datë 13 shtator, 2010, në një e-mail nga Prof. Aida Osman, kuptova që bashkëshorti i saj, Prof. Fet’hi Osman, kishte ndërruar jetë dy ditë më parë. Natyrisht se ndjeva dhimbje të thellë jo vetëm për shkak se personalisht e njihja profesorin e ndjerë, me të cilin kisha kaluar disa muaj bashkë në një projekt shkencor, por edhe për shkak të humbjes së një njeriu të madh, që gjithë jetën ia kushtoi fesë dhe besimtarëve.

Prof. Fet’hi Osman, një ekspert egjiptian për Islamin, i cili ishte një zë i fuqishëm për modernizmin në fenë islame, ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Montrose, në pjesën veriore të Los Angelesit, SHBA, në moshën 82-vjeçare, për shkak të problemeve me zemrën. Lajmin për mediet e kishte publikuar e bija, Ghada Osman, profesoreshë e studimeve arabe në Universitetin shtetëror të San Diegos.
Fet’hi Osman shkroi më shumë se 25 libra në arabishte dhe anglishte, përfshirë “Konceptet e Kur’anit” (1996), një koment i veçantë i Kur’anit në gjuhën angleze, që paraqet një tekst sfidues të hollë dhe diskursiv në një format të organizuar sipas temave. E botuar me ndihmën e Qendrës Islamike të Kalifornisë Jugore (Islamic Center of Southern California), kjo vepër përfshin interpretimet e Prof. Fet’hi Osmanit të mësimeve kryesore të Kur’anit, siç janë shpalljet e tij polemike dhe, sipas autorit, në masë të madhe të keqkuptuara, rreth rolit të grave.
I shkolluar në Universitetin e Kajros dhe Universitetin Princeton (SHBA), profesori i ndjerë besonte se Islami është një fe dinamike dhe e epshme, në gjendje të merrej me modernitetin dhe çështjet e të drejtave të njeriut, si dhe me çështjet e grave. Kjo vepër e tij konsiderohet si një kthesë në diturinë islame, që ua ka bërë më të afërt tekstin qendror të fesë islame anglisht-folësve.

Me pikëpamje të matura për çështje si të drejtat e njeriut, pluralizmi fetar dhe të drejtat gjinore, Fet’hi Osman ishte “pionieri kryesor në reformën islamike në shekullin e 20-të, që kishte një ndikim mbi vendet muslimane që nga Egjipti deri në Malajzi dhe në Evropë e Amerikë”, ka deklaruar profesori John L. Esposito, i cili ligjëron religjionin në Universitetin Georgetown dhe drejton Qendrën Princi Elwelid Bin Talal për Mirëkuptimin Musliman-Krishterë, në kuadër të tij.

Në “Konceptet e Kur’anit”, Osman e paraqet Kur’anin sipas sferave të gjera tematike, duke përfshirë ligjin hyjnor, të drejtat e njeriut, drejtësinë ekonomike, familjen, adhurimin dhe engjëjt. Komenti i tij synon t’u kundërpërgjigjet keqkuptimeve rreth Islamit, siç është besimi i përhapur se Kur’ani e mbron superioritetin e burrave.
Fet’hi Osman lindi më 17 mars, 1928 në Minja të Egjiptit. Diplomoi në degën e historisë në Universitetin e Kajros në vitin 1948, po ashtu diplomoi edhe në drejtësi në Universitetin e Aleksandrias më 1960; magjistroi në histori në Universitetin e Kajros në vitin 1962, ndërsa fitoi titullin e doktorit të shkencave në Studimet për Lindjen e Afërt në Universitetin Princeton (SHBA) në vitin 1976.
Në vitin 1978 kaloi në Los Angeles, për t’u angazhuar si shkencëtar rezident në Qendrën Islamike të Kalifornisë Jugore. Ai themeloi gjithashtu Institutin për Studim të Islamit në Botën Bashkëkohore në kuadër të Fondacionit Omar Ibn al-Khattab me seli në Los Angeles dhe ishte bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Angazhim Musliman-Hebraik (Center for Muslim Jewish Engagement) në kuadër të Universitetit të Kalifornisë Jugore.

Përveç të bijës, Prof. Fet’hi Osman e la pas vetes edhe bashkëshorten e tij, Aida Abdel Rahman Osman, një pedagoge e pensionuar.
Prof. Fet’hi Osmanin e takova për të parën herë në Institutin për Kërkim, Arsim dhe Dialog – Ikbal (Iqbal International Institute for Research, Education and Dialogue) në Lahore, Pakistan. Ai e cekte vazhdimisht që është mirë që ishim tubuar në këtë institut dhe nevojën për të bashkëpunuar dhe për të menduar më shumë për të, sepse ai do t’i shërbente popullit te Pakistanit. Përshtypja ime ishte se kisha përballë një njeri, i cili, përpos erudicionit, kishte edhe anën e tij të urtësisë, që e bënte edhe më të thellë dhe më stabil në tokë. Ishte shumë i guximshëm dhe i qartë në interpretimin e Kur’anit dhe për reformën e teologjisë muslimane. Natyrisht se e mundonte fotografia ekzistuese e vendit, por edhe e Lindjes në përgjithësi, për arsye te “zhvillimit” të pakuptimtë. Ne një ligjëratë, ndërsa ishim në Universitetin e Lahores, ku foli për rolin e rinisë dhe problemet e sotme, siç janë fanatizmi, radikalizmi, e po ashtu edhe terrorizmi, ai, duke iu drejtuar rinisë studentore u tha se duhet te ishin te kujdesshëm, mos të mundoheshin ta “mashtronin” parajsën me fanatizëm dhe radikalizëm, sepse si duket xhenneti “ishte i ngopur” nga këto. Pastaj, përmendi se tradita profetike ishte larg këtyre rrymave, të cilat edhe sot, për fat të keq, po e lodhin shoqërinë me mendjelehtësitë e tyre.

Si çdo institucion i tillë shkencor, edhe instituti Ikbal krijonte mundësi për të qenë sa më tepër së bashku. Aty brenda javës kishim një ditë për të ashtuquajturin “çajin e orës 5”. Çdo kandidat shkencor i institutit fliste për gjendjen ne vendin prej nga vinte. Me një rast të tillë unë fola për fotografinë e vendit prej nga vij, duke filluar nga koha e komunizmit deri tek ajo e “tranzicionit”. Prof. Fet’hi Osmani e dëgjonte me vëmendje paraqitjen e bërë nga ana ime, siç bënte me çdo rast kur diskutonim së bashku, dhe e vërejta që ajo që po thuaja disi edhe dukej ne fytyrën e tij, me çka e bënte të qartë se padrejtësia qe i ishte bërë fesë në përgjithësi, e sidomos asaj islame, ishte e papranueshme. Përmendja e burgosjes së vitit 1983 dhe angazhimi nën formën e Rinisë Muslimane Shqiptare edhe në hapësirën e Maqedonisë, e detyruan atë ta bënte një vështrim nga këndi i tij, gjatë periudhës sa kishte jetuar në Egjipt, ku kishte qenë i burgosur dhe kishte qëndruar në burg së bashku me shumë emra te shquar te asaj kohe, te cilët u kanë vënë vulë shumë lëvizjeve te mëdha kulturore e intelektuale, si Hasan el-Benna, Mahmud Sheltut, Sejjid Kutb, Shejh Zakzuk e shumë te tjerë. Me atë rast më tha të mos habitesha, se ata në Egjipt, nëpër burgje kishin vuajtur mundime që ne as që mund t’i paramendonim. Nuk e kishte aq për torturat e padurueshme fizike, por për atë që u ishte ndaluar madje edhe lutja dhe libri i Kur’anit. Për fat të keq, tha ai, ju në Ballkan keni qenë nën hijet e mundimeve të ndryshme, kurse Lindja me vite të tëra ju harroi dhe ju shkëputi nga lezeti i “lindjes”. E gjithë kjo u dëshmua me masakrën ndaj boshnjakëve dhe ndaj shqiptarëve në shekullin 20.

Shpresoj që lajmi për vdekjen e këtij alimi të madh, i cili ka lënë gjurmë gjithandej, për arsye se në mënyrë dinjitoze, me një mjeshtri dhe urtësi te madhe është munduar ta paraqesë rolin e fesë, pa marrë parasysh kohën dhe vendin, do te behet shtysë për zhvillimin e një metodologjie të re për studimin e Kur’anit, të cilës edhe vetë ai i ishte përkushtuar.

I lutem Zotit ta shpërblejë me Xhennetu’l Firdeusin, për hir të shërbimit që ia bëri Fjalës së Tij.

Ismail Bardhi

Shkup, 16.09.2010

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *