Besnik Sinani

Para ca ditësh mora një email ku një gazetar që po përgatit një shkrim mbi zhvillimet fetare në Shqipëri më bënte pyetjen:” A kanë zëvendësuar turqit arabët në Shqipëri? Përgjigja e thjeshtë e kësaj pyetje është ‘po’, por përgjigja kërkon disa shpjegime rreth cfare kuptohet me këtë zëvendësim.

Së pari, ka nevojë të kuptohet natyra e efektit që patën ‘arabët’ në zhvillimet fetare në Shqiperi. Një numër autoresh si Xhavit Shala, Piro Misha etj. kanë sugjeruar se aktiviteti misionar i shoqatave të huaja muslimane është pjesë e të njëjtit fenomen me shkollimin e një gjenerate të re hoxhallarësh në shkollat teologjike të vendeve arabe. Për këtë arsye, në media është komentuar shpesh përpjekja e këtyre hoxhallarëve për të patur më shumë zë në institucionin që drejton jetën fetare të muslimanëve si përpjekje për të avancuar axhendën e organizatave arabe për të marrë nën kontroll Komunitetin Musliman Shqiptar. Ajo që këta autorë duket se nuk kanë kuptuar është dallimi në mendimin dhe aktivitetin e këtyre organizatave nga mendimi fetar i hoxhallarëve shqiptarë.Shumica e organizatave misionare muslimane që kanë qenë aktive në Shqipëri janë produkt intelektual i një tradite mendimi që sheh hoxhallarët, dijetarët muslimanë, klerin në përgjithësi si arsyen e humbjes së vitalitetit të muslimanëve. Mendimtarët që informojnë konceptet e këtyre organizatave kanë qenë më së shumti shkrimtarë, inxhinjerë, mjekë, avokatë por rrallë herë teologë. Mendimi i tyre jo rrallë here është ndikuar nga mendimi anti-kolonial e marksist. Ndërkohë që hoxhallarët shqiptarë janë produkt i institucioneve që mendojnë se mendimi fetar duhet prodhuar nga ata që kanë kaluar vite duke studiuar dijet e traditës skolastike islame, pra kleri, dijetarët fetarë, e hoxhallarët që njohin dhe kanë studiuar traditën shekullore teologjike. Këto dy grupe, normalisht, janë grupe konkurente me njëri-tjetrin. Fjalët e një mësuesi në një nga medresetë e vendit që intervistova në janar, ilustrojnë më së miri qëndrimin e tyre: ” Kur u kthyem nga studimet ne kishim dhe më shumë dije fetare se misionarët arabë, dhe njihnim dhe vendin e popullin tonë më mirë se ata. Nuk kishte më asgjë cfarë të mësonim prej tyre.” Në të kundërt, këta hoxhallarë të rinj kishin shumë ankesa ndaj misionarëve arabë dhe kërkonin që organizatat që meren me propagandimin fetar, aktivitetin bamirës etj, të kalonin në dorë të njerëzve që kishin kredencialet skolastike nga studimet në universitete teologjike, si dhe që ishin vendas.Rëndësia e këtij dallimi nuk është kuptuar qartë. Në fillim të viteve 90, shumica e besimtarëve nëpër xhamitë e vendit (shumica prej tyre të rinj në moshë) nëse kishin ndonjë pyetje fetare i drejtoheshin misionarëve të huaj të cilët kishin njohuri më të lartë të teksteve fetare se sa ata pak hoxhallarë të mbetur nga periudha para komunizmit. Me ardhjen e gjeneratës së re të hoxhallarëve, ata vinë me kredenciale më të larta dijeje fetare se misionarët arabë dhe pikërisht studimi në universitetet teologjike të botës arabe u jep atyre autoritetin fetar mbi misionarët e huaj. Fenomeni i prodhimit të një gjenerate të re hoxhallarrësh sjell thyerjen e efektit të organizatave misionare arabe dhe jo vazhdimësi të saj dhe nis procesin e domestifikimit të mendimit fetar musliman.
Së dyti, duhet patur parasysh se, kur misionarët arabë mbërritën në Shqipëri në fillim të viteve 90, kishte një zbraztësi gati totale në personel dhe institucione fetare. Avancimi i rolit të ‘turqve’ vjen në kushte të tjera në Shqipëri, dhe kjo detyrimish kushtëzon natyrën e aktivitetit të cfarëdolloj organizate fetare. Sot Shqipëria ka hoxhallarët e vet që gëzojnë autoritet fetar mes besimtarëve dhe ata janë pjesë e fenomenit fetar shqiptar. Gjithashtu, shteti dhe shoqëria janë shumë më të vëmëndhshëm ndaj zhvillimeve fetare.Organizata më prominente, që teksa ka lindur në Turqi, sot është kthyer në transnacionale dhe shtrihet nga ish republikat ruse e gjer në SHBA, është lëvizja Gullen, e inspiruar nga mësimet e klerikut dhe aktivistit turk me qëndrim në SHBA, Fetullah Gullen. Prezenca e kësaj organizate në Shqipëri nuk është gjë e re, pasi ata kanë qenë prezent në Shqipëri të paktën qysh më 1994, kur hapën shkollën e parë të njohur si “kolegji turk.” Por më parë aktiviteti i tyre ka qenë I kufizuar, sic vë në dukje dhe studiuesi Bekim Agai, në hapjen e shkollave pa përmbajtje fetare. Ajo që është risi në rastin e Shqipërisë, është se së paku që nga 2005, ata marin përsipër dhe manaxhimin e shkollave fetare, medreseve, dhe jetës fetare të vendit në përgjithësi.Ka arsye të mendohet se ky rol i ri është marrë në mos me nxitjen, se paku me aprovimin e shtetit. Në aktivitetin e parë publik organizuar nga Fondacioni Sema, me rastin e ditëlindjes së Profetit Muhamed në 2005, morën pjesë figurat më të larta të shtetit. Teksa shteti kërkon të ketë rol më të madh në politikën rregullatore fetare, është e qartë se pse Lëvizja Gullen, në një kohë debati botëror mbi Islamin, përbën një model atraktiv. Vetë Gulleni është lavdëruar në Perëndim, përfshi nga Hillary dhe Bill Clinton për rolin e tij në promovimin e harmonisë dhe bashkëjetesës fetare. Modeli i shkollimit fetar, sic bëhet e qartë në faqen në internet të Fondacionit Sema, përkon me atë të Turqisë ku i jepet përparësi lëndëve shoqërore, dhe reflekton politikat sekulare të qeverive turke kur këto shkolla u ngritën. Sic vinte në dukje para pak kohësh gazeta The New York Times, në Perëndim shihet me simpati përhapja e këtij modeli dhe në vende të tjera, sidomos vende që përballen me ekstremizëm fetar si Pakistani. Mund të kuptohet pra aprovimi i aktivitetit fetar të Lëvizjes Gullen.Cfarë anashkalohet këtu, ashtu sic është bërë dhe nga qeveri të tjera që janë përfshirë në formulimin e politikave fetare, është se cdo lloj modeli fetar që të jetë i suksesshëm, duhet të gëzojë autoritet dhe mirëbesim tek besimtarët, dhe mos paraqitet si produkt i servirur, apo i imponuar nga shteti, sidomos në raste si mes besimtarëve shqiptarë të cilët përgjithësisht mendojnë se shteti ka qenë i njëanshëm dhe i padrejtë në politikat fetare.Një nga problemet me aktivitetin e Lëvizjes Gullen në Shqipëri është se ajo është atashuar me kryesinë e Komunitetit Musliman Shqiptar i cili përballet me një krizë autoriteti dhe me kritika të ashpra nga besimtarë dhe një sërë hoxhallarësh për korrupsion, keq manaxhim të pasurive, dhe mos përfaqsim të interesave të muslimanëve në shoqëri.
KMSH, ashtu si dhe autorët e mësipërm, apo dhe komentatorë të huaj si Miranda Vickers, kanë vënë në dukje, gabimisht për mendimin tim, se kjo është rezultat i një ndeshjeje ideologjike midis të rinjve ‘radikalë, vehabi’ kundra të vjetërve ‘tradicionalistë e tolerantë.’ Në fakt të njëjtat akuza janë bërë ndaj KMSH nga hierarkia më e lartë e kryesisë së saj, të cilët u pushuan pasi ngritën zërin e tyre, si ish nën kryetari i KMSH, Saimir Rusheku dhe ish Myftiu i Shkodrës, Ndricim Sulejmani. Ky i fundit, duhet theksuar, është shkolluar në universitetin Ebu Nur në Siri, i njohur për qëndrimin e vet tejet anti-vehabi.
Me atashimin e ngushtë me KMSH, Lëvizja Gullen dhe hoxhallarët që ajo po përgatit, rrezikojnë reputacionin e tyre përballë besimtarëve. Teksa Lëvizja Gullen në Shqipëri ka marrë një rol tejet aktiv në drejtimin e jetës fetare të vendit, është e rëndësishme që të bashkërendojë aktivitetin dhe përfshijë hoxhallarët shqiptarë se në të kundërt do ketë thellim të fragmentarizimit të bashkësisë muslimane edhe më shumë nga c’kemi parë këto vite. Ky fragmentarizim nuk është produkt përplasjesh ideologjike, por një kërkese prej shumë vitesh nga hoxhallarët dhe besimtarët shqiptarë për transparencë në manaxhmin e pasurive dhe përfaqsim të intëresave të tyre. Në të kundërt, dallimet ideologjike sillen thirren për tu bërë pjesë e debatit vetëm kur kanë ndodhur mosmarrëveshje për cështje më praktike.
Përfaqsuesit e Lëvizjes Gullen që intervistova në Tiranë në janarin që shkoi kuptojnë se Shqipëria është sensitive ndaj prezencës së të huajve në punët fetare. Për këtë arsye ata thonë se janë përkohësisht në rolet drejtuese të medreseve.
Së fundi, duhet vënë në dukje se teksa debatet globale dhe politikat identitare kanë sjellë vëmëndje proporcionalisht më të madhe mbi misionarët e huaj muslimanë, kjo duhet parë në kontekstin e historisë së fesë në Shqipëri dhe mungesave që solli komunizmi. Të gjitha komunitetet e tjera kanë misionarë e klerikë të huaj të cilët shpesh predikojnë meshat në gjuhë të huaj. Merita e bashkësisë muslimane ka qenë se përherë minberi i predikimit të xhumasë, falja dhe eventi më i rëndësishëm javor i muslimanëve është bërë në shqip, nga shqiptarë.Pra mund të flasim për largimin e gati të gjithë misionarëve arabë, dhe ‘zëvendësimin’ me organizata fetare me origjinë nga Turqia, vetëm nëse kuptojmë shtratin e ndryshëm fetar dhe shoqëror që dallon fillimin e viteve 90 me kohën e sotme.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *