Piramida – xhami… pse jo?





Ahmet Dursun

Një ditë prej ditësh, Nastradini me në njërën dorë kusinë me kos dhe në tjetrën lugën e drurit, niset për te Liqeni… Ulet këmbëkryq dhe fillon dalëngadalë ta hedhë dhe ta trazojë kosin në ujërat e liqenit të përgjumur…
Një kalimtar, i habitur e pyet se ç’po bënte. Nastradini, duke e kruar fundin e kusisë, pa e kthyer kokën, i përgjigjet:
Nuk po e sheh? Po zë kos…
Bre Nasradin, ke lajthitur me ç’duket… A është parë ndonjëherë të zerë kos liqeni?!
Nastradini, duke u mbështetur te bishti i lugës, ngrihet në këmbë dhe shikon nga bregu matanë.
Po sikur të zerë, ç’do të thuash?… Hë, po sikur?!
-Ideja ime është Piramidën ta kthejmë në xhami…

E di mjaft mirë, disa prej jush do të mendojnë se po hiqem si nazi-gjerman, që të dukem si partizan apo e kundërta, por ju kur nuk ju ndreqi dot NATO, as unë s’kam ç’t’ju bëj…
Ta fillojmë konkretisht nga kubeja, që mund të ngrihet sipër piramidës… Kubeja të prodhojë edhe energji nëpërmjet diellit dhe ta shpërndajë falas në Kryeministri, në ish-Komitetin Qendror…
Xhamat e xhamisë së re të vihen blu, graniti rozë… Pra Demokratët të falen në xhaminë blu… Socialistët të protestojnë aty pranë xhamisë rozë… Meqenëse ideja është e imja, propozoj të quhet Xhamia e Sulltan Ahmetit…
Të ketë gjithsej katër minare… Sa numri i besimeve, sa numri i engjëjve e sa numri i pushteteve…
Në katet e mëposhtme, të ngrihet një fakultet i dijes dhe shkencës islame, që të mos ketë ndikim asnjë rrymë, asnjë shtet apo organizatë famëkeqe… Të përgatiten kuadro për të gjitha trevat shqiptare… ashtu si gjuha shqipe të unifikohet edhe interpretimi i drejtë dhe i kohës i vargjeve të Kuranit… Pse jo, me krenari t’u tregohet grupeve të interesit se një besimtar musliman shqiptar nuk bën rrugë deri në Stamboll, Kajro apo në Rijad, për të komunikuar me Zotin…
Financimet e projektit merren lehtësisht, madje më shumë se ç’duhen, nga vendet e pasura të Lindjes…
Turizmi lulëzon… Nga Australia deri në Kanada… Gjithashtu, jam i bindur, asnjë lider politik botëror, përfshirë edhe presidentin Obama, nuk e refuzon ftesën për ta parë nga afër këtë kryevepër…
Nëse del njeri dhe ma kundërshton këtë ide, pikë së pari duhet të dijë se edhe një xhami, kishë apo sinagogë është një Kuvend… Një Kuvend, i cili me diturinë e mjaftueshme, mirësinë dhe reflektimin në kohë, zgjon një shqisë, e cila quhet ndërgjegje…
Për pak harrova Enveristat. Edhe ata, ashtu si Volteri, sa herë të vizitojnë Piramidën e shndërruar në xhami, duan apo s’duan, përshëndeten me Zotin…
-Vërtet, po sikur Piramida të kthehet në xhami?! Me xhama blu, me granit rozë…
Për një çast, mbyllni sytë dhe imagjinoni… sikur të jeni në Xhaminë e Sulltan Ahmetit, dikur Piramidë…
Me xhama blu… Me granitin rozë… Imagjinoni…
Si tha Nastradini dikur… Po sikur të zerë, çdo të thoni?! Po sikur …?!

(botuar tek gazeta Mapo)

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *