Rama dhe myslimanët





Besnik Sinani

Askush nuk mund të pretendojë njohjen mbi motivet e brendshme të njerëzve e prandaj dhe nuk mund të them nëse deklarata e kryebashkiakut Rama për ndërtimin e xhamisë së re ishte një premtim i zbrazët elektoral apo tregues se kryetari i bashkisë e sheh këtë kërkesë të besimtarëve të qytetit të tij si legjitime. Vetë prirem të besoj të dytën. Ajo që është e qartë, është se ministri Olldashi e pa deklaratën e Ramës si manovër elektorale përpara zgjedhjeve lokale, çfarë tregon se për forcat politike komunitetet fetare shihen si blloqe elektorale.

Kjo nuk është gjë e re. A nuk pat deklaruar kryetari demokristian Ndoka se Topalli nuk po përfaqësonte katolikët siç duhet, dhe se ai merte përsipër të përmbushte interesat e tyre? Teksa konsiderimi i interesave grupore apo komunitare është gjë e njohur dhe normale në politikat elektorale në shumë vende demokratike, asnjëherë në Shqipëri kjo nuk ka qenë haptas e artikuluar në retorikën zyrtare të forcave kryesore politike. Sa i përket politikave komunitare, me specifikë fetare, teorikisht në një vend laik si Shqipëria nuk ka pse veçohen strategji komunikimi të ndara për grupe të ndryshme, sipas përkatësië së besimit të tyre, mirëpo kjo gjendje ideale do të kërkonte në rradhë të parë edhe barazi ideale të bashkësive në trajtimin e tyre prej institucioneve shtetërore. Nëse kjo barazi shkelet, vetvetiu krijohet një terren i padëshiruar dallimesh komunitare të cilat herët a vonë mund të politizohen. Pamja e përvitshme e besimtarëve myslimanë që falen trotuareve në ditët e tyre festive, tregon për premtimet publike të pambajtura prej dy dekadash të titullarëve të institucioneve shtetërore për ngritjen e xhamisë së madhe të kryeqytetit, e cila do të plotësonte, pa krijuar ndjesi diferencimi, po të njëjtat nevoja si edhe dy katedralet, tashmë të ndërtuara. Një mirëmbajtje e përgjegjshme e simbolikave të barazisë do të pamundësonte abuzimet me akuzat e kundërakuzat e rrezikshme me sfond fetar në arenën politike, dhe ç’ka është më e rëndësishme, do t’i priste rrugën perceptimimeve naive se ndonjë grup a bashkësi voton “unanimisht”, motivuar nga çështje që konsiderohen të rëndësishme fetarisht e politikisht njëherazi.

Por kushdo të ketë qëne arsyeja për këtë premtim pragzgjedhor, Rama ka mundësinë të marrë hapa më domethënëse si në afrimin me sektorë të elektoratit mysliman ashtu dhe në adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për këtë komunitet fetar. Për shumë arsye, ai është në pozita më të favorshme për ta bërë këtë se oponenti i tij politik, Berisha.

Të njëjtën ditë që gazeta Shekulli botonte lajmin e shkëmbimeve politike mes zyrës së Ramës dhe Olldashit, në ditën e Kurban Bajramit, po kjo gazetë botonte dhe një reportazh për tre vajza muslimane që mbajnë shami dhe që deklaronin se veçanërisht në shtet i kanë patur dyert e punësimit të mbyllura. Edhe pse Shqipëria tani ka një ligj kundër diskriminimit, është e njohur se vetëm aprovimi i një ligji në parlament nuk mund të modifikojë qëndrimet diskriminuese në një shoqëri. Ndërkohë, para pak ditësh, në një intervistë për blogun Respublica, intelektuali dhe studiuesi Ardian Vehbiu fliste me shqetësim për mënjanimin e muslimanëve si komunitet nga jeta publike. Para ndonjë viti Elsa Ballauri e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, duke shqyrtuar ligjërimin ndaj fesë në Shqipëri, shkruante tek gazeta Panorama se ky ligjërim ka krijuar një ndasi midis “nesh” dhe “myslimanëve.” Duke shkruar para pak ditësh në gazetën MAPO rreth premtimit të Ramës për xhaminë, analisti dhe pedagogu Fabian Zhilla, shkruante për nevojën e integrimit të muslimanëve praktikantë në shoqëri si një nevojë dhe më imediate se ndërtimi i xhamisë.

Çfarë mund të bëjë Rama që premtimi i tij të mos sulmohet si propagandë elektoraliste? Në disa shoqëri demokratike, ku Shtetet e Bashkuara përbëjnë rastin më domethënës, një nga mënyrat sesi përballet diskriminimi është nëpërmjet “diskriminimit pozitiv,” ndryshe i njohur në ShBA si “affirmative action.” Ky lloj diskriminimi pozitiv synon të marrë në konsideratë faktorë si gjinia, feja, etnia, ngjyra etj. për të sjellë përfitim për grupe me nivel të ulët përfaqësimi e për të balancuar kështu efektet e diskriminimit. Kjo politikë prek fusha të tilla si ato të shkollimit a punësimit nga ku këto grupe të caktuara të shoqërisë kanë vështirësi aksesi. Rama si politikan e administrator publik mund të kontrubuonte dyfish në integrimin e një prej grupeve më të përjashtuar të shoqërisë, femrave me identitet të dukshëm fetar musliman. Ai mundet në fakt të marrë dhe hapin e guximshëm duke punësuar një nga këto vajza në administratën e tij të bashkisë, çfarë do të ishte një hap i rëndësishëm simbolik që t’i jepet fund diskriminimit të kësaj kategorie të shoqërisë tonë në punësim e veçanërisht në sektorin shtetëror.

Rama, siç thashë më lart, është në pozita më të favorshme se Berisha për të ndërmarrë politika të tilla. Rama nuk do mund të akuzohet, siç abuzohet me Berishën, për filo-islamizëm, apo se “na ka futur në Konferencën Islamike.” Hapat e tij në këto kahje do të emanciponin gjithë skenën politike shqiptare, dukshëm të kompleksuar kur vjen fjala tek trashëgimia apo përkatësia myslimane. Por tek e fundit, të tilla politika do ishin në harmoni dhe me një vizion normativ të së majtës progresiste perëndimore.

Besimtarët e kryeqytetit sigurisht do ta vlerësonin plotësimin e premtimit gati 20 vjeçar të politikës për një xhami me përmasa që i përgjigjen nevojave të tyre, por më shumë do ishin të interesuar në politika që adresojnë diskriminimin në punësim, shkollim e integrimin e plotë në shoqëri. Rama ka treguar ndërkaq se nuk i mungon as guximi dhe as avancimi i risive politike.

Comments

  • hahahahah sa per te qeshur jane ber politikanet shqiptar, nejse jam i mendimit qe islami dhe besimtaret musliman luftohen dhe do te luftohen, por se ditkam qe Edi qenka ber pjese e menyrave djallzore te hebrenjve ose cifuteve, nejse ska faj se dhe vet ashtu duhet te jete, me ben habi qe ne vendet kriastiane nuk ndodhen aspak keto gjera , por vetem ne vende ku ka popullaritet islamizmi mendoj se po vjen dita qe te prishet vllazeria fetare ne shqipoeri dhe kjo per shkak te qeverritarev si puna e Zotit Rama

  • Leave a Reply to Elton Cancel reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *