E. Mertiri

Kalimi i një shoqërie nga një formë moderniteti (ai totalitar komunist, sic ishte regjimi diktatorial në Shqipëri) në një tjetër, që i përket modernitetit të sotëm të demokracisë liberale, do të kalojë natyrisht nëpër debate të pashmangshme, të cilat lidhen me mënyrat e ndryshme sesi mund të modelohet jeta sociale dhe kulturore. Debati mbi rolin e feve në shoqëri të tilla është pjesë e rëndësishme këtij procesi, i domosdoshëm, për sa kohë që feja mbetet një burim i rëndësishëm i modelimit shoqëror. Një debat i tillë do të ishte i frytshëm, nëse elitat dinë ti adresojnë mirë pikëpyetjet e tyre dhe nëse dinë gjithashtu ti qasen fenomenve të tilla me të gjithë kujdesin dhe seriozitetin e nevojshëm, për të bërë të mundur jo vetëm përgjigjet e duhura, por edhe impaktin shoqëror që rrjedh prej tyre.


Këto debate, bëhen kudo në vendet e zhvilluara. Ato tërheqin jo pak vëmendje dhe përtej debatit, në shumë prej këtyre vendeve feja trajtohet me të gjithë kujdesin e duhur për të kuptuar dhe orientuar efektet e saj në zhvillimet shoqërore. Në të kundërt vihet re se, se në shoqëritë në zhvillim, si dhe në shoqëritë që ruajnë ende ndikim prej ideologjive të shkuara, ato krijojnë polarizim të skajshëm të hapësirës publike.

Ajo që ndodh në Shqipëri, shkon në përputhje me një mentalitet të tillë që ka prirjen ta ekstremizojë debatin publik duke rritur antagonizmin ndërmjet palëve të përfshira si dhe ndërmjet grupeve sociale përkatëse. Një paraqitje të tillë, me tone të forta paragjykimi dhe paditurie mund ta ndeshje në një shkrim të fundit të Naser Aliut (një autor ky i njohur për promovimin e një gjuhe të tillë racizmi dhe agresiviteti), ku synohej të paraqitej një profil denigrues për myslimanët shqiptarë. Në fakt, shkrimet e z. Aliu hyjnë në atë kategori që nuk meritojnë përgjigje, por duke parë hapësirën që i rezervohet në disa prej mediave të shkruara jopak të rëndësishme, si dhe efektin e shkaktuar në një masë të konsiderueshme njerëzish në internet, të cilët në vijimësi të qendrimeve të tij frymëzohen për të radikalizuar gjuhën e tyre të racizmit dhe përjashtimit shoqëror të muslimanëve, mendoj se ky është një fenomen që duhet marrë në konsideratë.

Shkrimi, i titulluar “Fundamentalizmi dhe homo rationalis”, synonte të na ndërgjegjësonte për problemet që kanë sjellë emigrantët myslimanë në Europë, gjë që i mjafton autorit për të nxjerrë konkluzione edhe mbi myslimanët shqitparë. Ashtu si edhe në shumë shkrime të tillë, që polarizojnë debatin publik mbi fetë në Shqipëri, edhe këtu ndeshim, një masë të madhe të paragjykimeve që shoqërojnë në përgjithësi debate të tillë.

Autori mëton të na flasë për problemet e myslimanëve në një dialektikë imagjinare midis kategorive konceptuale të ndërtuar virtualisht dhe subjektivisht prej tij si fondamentalizmi radikal islamik dhe racionalizmit shkencor e iluminist të njeriut modern, të cilin ai e përkëdhel antroponomikisht nëpërmjet një etikete që përpiqet të na pozicionojë tifozërisht që në fillim në njërin kah të duelit. Pra, në të kundërt të “homo fanaticus”, qenies inferiore të shpërfillur dhe përbuzur që i bie të jenë myslimanët shqiptarë qëndron “homo rationalis”, qenia superiore e adimurar. Nuk do mend që kjo logjikë bardhë e zi, nuk le më vend për një diskutim normal dhe për një debat që mund të na shpjerë përpara. Qëllimi është të qendrojmë këtu ku jemi, këtu ku ka mundur të “ngrihet” autori, duke pështyrë publikisht dhe intelektualisht “kundërshtarët”, të cilët perceptohen si kërcënim, ndaj dhe duhen izoluar për të ruajtur shëndetin e shoqërisë. Natyrisht, ky debat kthehet në fletrrufe publike për një pjesë të madhe dhe të rëndësishme të shoqërisë, e cila përjashtohet nga e drejta për të marrë pjesë në zhvillimin e saj. E gjithë kjo, në shkrimin në fjalë, bëhet duke shprehur njëkohësisht edhe admirimin për lirinë e fjalës, madje edhe të ofendimit ndaj palës tjetër, si një prej vlerave më të mëdha të qytetërimit perëndimor.

Mendoj se është e tepërt të vemë në dukje se përse paralelizmi midis emigrantëve myslimanë në Europë dhe atyre në Shqipëri është krejt pa lidhje. Megjithatë, duhet thënë se ky paralelizëm përbën një thjeshtim të qëllimshëm të debatit i cili synon të veshë me statusin e emigrantit myslimanët shqiptarë në vendin e tyre. Kjo buron prej logjikës përjashtuese fondamentaliste të autorit dhe sërës së tij, e cila nuk ka aftësinë intelektuale dhe morale për të qenë rehatë në një shoqëri të lirë që zhvillohet në pluralitet dhe diversitet. E gjithë kjo, natyrisht që vjen në kontradiktë të fortë me lirinë dhe qytetërimin e lirisë, që pretendon se mbron dhe predikon autori.

Që në fillim të shkrimit, na jepen disa statistikave sipas të cilave, 50 % e gjermanëve perëndimorë dhe 74 % të atyre lindorë, i shohin si problem myslimanët në vendin e tyre. Për këtë, sipas tij, fajet i kanë myslimanët e moderuar që nuk i kundërvihen me vendosmëri terrorizmit. Menjëherë pas kësaj, pasi shpreh disa elementë ekstremizmi nëpër xhamitë europiane, autori nuk ngurron të nxjerrë si përfundim masat që duhet të marrë shteti shqiptar për parandalimin e fenomeneve të tilla (pavarësisht se ato ndodhin në Gjermani dhe jo në Shqipëri). Z. Naseri propozon që shteti të “mos njohë diplomat e imamëve nga jashtë, por vetëm nga universitetet shqiptare”.

Se c’punë ka shteti për të caktuar se kush duhet e kush nuk duhet të jetë imam, këtë një Zot e merr vesh, por për më tepër, ec e gjeje tani se ku janë këto universitete fetare në Shqipëri, që të mund të marrim diplomën e duhur për të monopolizuar petkun e klerikut musliman.

Por ajo që duket më interesante për të njohur më mirë botën ideore prej nga burojnë qëndrime të tilla është raporti me lirinë që autori shpreh në këto pak rradhë. Z. Naseri nuk ngurron të shfaqë simpati për Kancelaren gjermane Angela Merkel, për shkak se ditën e Bajramit nderoi karikaturistin danez të Profetit Muhamed, gjë të cilën ai e konsideron si një akt në mbrojtje të lirisë, në kundërshtim me synimet e emigrantëve që duan të sjellin “kufizimin e lirisë dhe kthimin e shoqërive perëndimore në mesjetë”. Sipas tij, protestat e emigrantëve myslimanë ndaj një fyerje publike nuk janë shprehje e lirisë qytetare, por kufizim i saj. Përkundrazi, shprehja publike e një fyerje është ushtrim i lirisë, që shkon konform vlerave të qytetërimit perëndimor.

Sigurisht që diskriminimi i emigrantëve është një realitet që ka shqetësuar shumë autorë në perëndim. Një trajtesë e vëmendshme mbi një temë të tillë do të ishte vërtetë me interes, në një kohë kur shoqëria shqiptare është edhe vetë e prekur ndjeshëm nga emigracioni dhe diskriminimi që e shoqëron në këto vende. Por, të shpërfillësh zërat e intelektualëve që bëjnë thirrje për luftimin e dukurive të tilla negative për shoqërinë perëndimore, duke iu referuar politikanëve oportunistë që, interesohen ti përdorin këto realitetete shoqërore për përfitim elektoral, kjo përbën gjithashtu një oportunizëm të lig intelektual, i cili është edhe po aq dritëshkurtër. Ne fakt, vetë shifrat e sjella në fillim të këtij artikulli, ku niveli i gjermanëve që paragjykojnë emigrantët është 50 % më i lartë në Gjermaninë Lindore sesa në atë Perëndimore, na tregojnë qartë se kujt mentaliteti i përket z. Aliu. Nëse gjermanëve nga pjesa lindore, të kultivuar në një sistem shumë më pak të ngarkuar ideologjikisht, shumë herë më pak të izoluar dhe shumë më pranë zemrës së perëndimit se Shqipëria, edhe pas dy dekadash shkrirjeje me Gjermaninë Perëndimore u duhet kohë për tu c’veshur nga mentaliteti paragjykues, c’mund të themi për shqiptarë?! Z. Aliu pasqyron më së miri vështirësinë tonë kolektive për tu cveshur nga ky mentalitet, dhe shkrimet e tij kontribuojnë për ta ruajtur këtë gjendje dhe duke vonuar proceset e cideologjizimit të shoqërisë shqiptare.

Do të ndaleshim gjatë në pjesën tjetër të shkrimit të z. Aliu, e cila në mënyrë anakronike përpiqet të vendosë në peshore dy ekstreme konceptuale të prodhuara në mënyrë abstrakte, pa lidhje me realitetin e vërtetë: Fodamentalizmi fetar përballë “homo rationalis”. Të krahasosh dy pikëpamje kaq të ndryshme nuk sjell asgjë të re ne mendimin shoqëror, por të përpiqesh që këtyre dy ekstremeve konceptuale t’u mveshësh nga një realitet konkret pa lidhje, përbën një problem serioz. Aliu nuk bën gjë tjetër, vetëm se krahason vlerat historike të një qytetërimi me antivlerat e grupeve margjinale problematike aktuale mbrenda një qytetërimi tjetër. Nuk do mend për ta kuptuar sesa “a-rationalis” është kjo, por ajo që vlen të analizohet këtu është koncepti i tij në lidhje me filozofinë perëndimore në raport me arsyen. Të paktën që nga Bergsoni, bota moderne ka kuptuar se njeriu nuk mund të jetë një “homo rationalis” i kulluar, dhe se me tej, duke filluar me Frojdin (me hapësirat e pamata të të pandërgjegjshmes dhe iracionales tek njeriu) e deri në pikëpamjet e sotme postmoderniste, njeriu modern po kupton gjithnjë e më tej pafuqinë dhe pamjaftueshmërinë e racios së vet, për të ndërtuar të gjithë jetën njerëzore në të gjitha dimensionet e saj. Në po të njëjtën mënyrë, ringjallja e feve që dëshmojnë statistikat e sotme, ka sjellë diskutime reja në lidhje me rolin e fesë në shoqëritë e sotme moderne, të cilat duket se autori në fjalë nuk i merr fare para sysh. Në këtë kuptim, bota ideore por edhe agresiviteti i shfaqur prej z. Aliu i ngjan pikërisht epokës së ezauruar të iluminizmit, gjë që do të thotë se z. Aliu ka mbetur të paktën në shek. XVIII.

Comments

  • Naser Aliu sikur nderroi emrin keshtu qe nuk shkon me te nenshkruaj kesisoj. Ajo qe duhet shenuar eshte se edhe manifestimet e fashizmit evropian, si ato aktualisht ne Gjermani, pretendohet se jane perfaqsues te idealeve evropiane te lirise. Kjo, jo vetem ne Evrope, po dhe ne mendimin politik shqiptar nuk eshte gje e re pasi vecanerisht ne vitet 20-30 pati figura te njohura qe modernizimin, evropianizmin etj e perfytyronin ne modelet fashiste evropiane.

  • Idete qe perfaqeson Naser Aliu jane idete me shkaterruese per shoqerine shqiptare. Ato synojne ne uniformizojne dhe te imponojne nje format standard te shqiptarit, duke eleminuar cdo lloj diversiteti. Pikepamje te tilla jane genocidale. Ato synojne te shpallin joshqiptar, te shpallin te padeshiruar, apo qytetare te dores se dyte, 70 per qind te popullsise. Duke qene se ide te tilla jane te parealizueshme dhe utopi enderrimtare, ato kane vetem nje efekt real, prodhimin dhe stimulimin e konfliktualitetit nderfetar, gje qe rezulton shkaterruese per kete vend. Ne kete menyre, idete e Aliut nuk jane vetem kriminale per racizmin e tyre, por jane nje tumor malinj kercenues per te gjithe shoqerine shqiptare.

  • Leave a Reply to Ezani i Naltë Cancel reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *