Muça luan ‘politikash’ me Berishën





Agjencia Kombëtare e Lajmeve bënte të ditur se gjatë një takimi me Kryeministrin Sali Berisha, kreu i Komunitetit Musliman Shqiptar (KMSH) ka shprehur mungesën e besimit tek premtimi i Kryetarit të Bashkisë si dhe kreu i opozitës, Edi Rama, për ndërtimin e një xhamie të re në kryeqytet.

Në takim u përmend fakti që premtimi për ndërtimin e një xhamie në Tiranë ka qenë bërë edhe pesë vjet më parë nga Bashkia e Tiranës, por ky premtim nuk është mbajtur asnjëherë, pasi kjo nuk ka qenë dëshira reale e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës për ta ndërtuar atë. Sikurse u tha në takim, edhe në këtë rast, Komuniteti Musliman konstatoi mashtrimin e z. Rama për ndërtimin e këtij objekti.

Është e vërtetë që besimtarët e kryeqytetit mbajnë mënd premtimin e paplotësuar para pesë vjetësh, por mbajnë mend gjithashtu se të njëjtin premtim më parë e ka thyer Partia që është sot në pushtet. Pas vendosjes së gurit të themelit nga ish-Ministri i Ndërtimit, Emin Musliu, tek namazgjaja, ndërtimi i xhamisë u pezullua e “gojët e këqia” thonë se kish qenë kundërshtia e të ndjerit Pjetër Arbnori.

Sido që të jetë, kreu i KMSH – së bën mirë që përfaqson kërkesat e ligjshme të besimtarëve në shtet, por gabon kur luan politikisht në prag të zgjedhjeve duke treguar anësim politik me një krah kundra një tjetri. Xhamia dhe KMSH – ja z. Muca janë për besimtarë të majtë e të djathtë. Xhamia është tempulli i Zotit i hapur për të tërë dhe KMSH – ja organizmi që supozohet të përfaqsojë gjithshtu të tërë besimtarët. Në anën tjetër, mësimi dhe qëndrimi etik i fesë nuk është as i majtë e as i djathtë por është i drejtë.

Por le t’i ofrojmë një këshillë politike falas z. Berisha. Z. Muca mund të jetë formalisht kreu i KMSH – së, dhe kjo dhe si rezultat i ndërhyrjeve të qeverisë së tij si ato paraardhëse në jetën e institucioneve fetare, por mes besimtarësh ai akuzohet për korrupsion, keqmanaxhim të aseteve të KMSH – së, dhe shkelje statutore. Politikisht fjala e tij nuk ngrë peshë tek njerëzit që supozohet se përfaqson. Radhën tjetër që qeveria të imponojë kreun e KMSH – së, duhet të përpiqet të gjejë ndonjë figurë që të ketë së paku ca më shumë besueshmëri. Qoka e z. Muca në kryeministri vështirë të ndihmojë politikisht. Premtimi për xhaminë ka njëzet vjet që vërvitet e është thyer sa nga të majtët dhe të djathtët e z. Muca bën vaki mos e mbaj mend këtë gjë po besimtarët e Tiranës dhe gjithë vendit e mbajnë mend shumë mirë.

Dhe një fjalë të fundit për kërkesën e Mucës për universitetin e studimeve islame. Ai e deklaroi për herë të parë publikisht fillimin e këtij projekti kur kish dalë para kamerave për të treguar se i kish mbijetuar pucit të bërë nga ish bashkpunorët e tij. Tashmë e zë prapë në gojë kur shkon të luajë ‘politikash’ me kryeministrin. Universiteti është projekt shumë i rëndësishëm por z. Muca ja ka humbur seriozitetin e kredibilitetin qysh në fillim.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *