E-Zani

Siç kemi mësuar nga mediat, Ministria e Arsimit ka hartuar një draft ligjor, ku, ndër të tjera, ka një nen icili ndalon ekspozimin e simboleve fetare në shkollat publike të arsimit parauniversitar. Një ligj i tillë përbën një lajm vërtet shqetësues për çdo musliman pasi çdo kush e kupton që tashmë, vajzat muslimane që mbajnë shami do të mund ti thonë përfundimisht lamtumirë shkollimit nëpër institucionet publike. Pikërisht ky ligj u interpretua në këtë mënyrë nga të gjitha mediat në Shqipëri, gjë që tregon se ligji, në mënyrë shumë eksplicite dhe të qartë ndalon shaminë në shkolla.


Por ajo që ka qenë e çuditshme kësaj rradhe, është fakti se zhurma u bë vetëm nga mediat dhe se as Ministria as KMSh-ja nuk na kanë sqaruar ende qartësisht se për çfarë bëhet fjalë dhe se çfarë pritet të ndodhë. Teksa për ministrinë kjo heshtje është e kuptueshme, ajo që nuk kuptohet është heshtja e KMSH-së si dhe imamëve të saj, të cilët, kësaj here, ndryshe nga çka ndodhur gjithmonë, kanë zgjedhur të mos japin asnjë prononcim publik. E teksa besimtarët presin të shqetësuar të dinë se ç’farë do të bëhet me ta, institucioni i tyre drejtues ofron vetëm heshtje stoike si dhe një njoftim të thatë për shtyp, po kaq naiv dhe të paprecendent. Në këtë njoftim thuhet se, pas takimit të KMSH-së me drejtues të Ministrisë së Arsimit, u sqarua se nuk bëhej fjalë për të ndaluar ekspozimin e simboleve fetare tek nxënësit, por kjo ndalesë i drejtohet vetëm vetë institucioneve arsimore, pra vetem nga ana e shkollave: http://www.kmsh.al/component/content/article/15-faqja-e-pare/338-projektligji-i-ri-i-arsimit-nuk-ndalon-shamine.html

Ndër të tjera, pas sqarimit se lajmi është “servirur” keq nga mediat, KMSH-ja nuk ngurron të falenderojë Ministrinë e Arsimit për gatishmërinë e shfaqur prej saj për të bashkëpunuar. Dua të ndalemi pak tek ky njoftim pasi na flet shumë për nivelin në të cilin ka rënë Komuniteti Musliman në Shqipëri.

E para njëherë, nuk e kuptoj se që kur KMSH-ja qenka kthyer në një zëdhënëse për Ministrine e Arsimit?! Nëse ka një keqkuptim në këtë mes, këtë duhet ta zbardhë vetë Ministria e Arsimit dhe nuk ka punë KMSH-ja të na sqarojë se çfarë ka dashur të thotë ministria.

Së dyti, për çfarë e falenderon KMSH-ja ministrinë?! E falenderon se nuk doli ashtu siç e menduam? Apo e falenderon për mundësinë që na dha ta keqkuptojmë, duke u treguar e paaftë për të formuluar një nen të thjeshtë që ngjan më shumë si një rregullore shkolle?!

Së fundi, mos vallë e ministria falenderohet për faktin që në ligjin e ri që ka hartuar nuk i ka dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje duke mos denjuar të formulojë një nen që u jep këtyre vajzave të drejtën e tyre minimale të frekuentojnë shkollat e këtij shteti?! Ne i themi “faleminderit” kësaj ministrie, ndërkohë që ajo vijon ta lërë peng këtë problem dhe, sot e gjithë ditën, vajzat tona vijojnë ta kenë të pamundur të frekuentojnë gjimnazet publike të vendit të tyre.

Ajo që mendoj se do të ishte në dinjitetin minimal të një institucioni normal (nuk po flasim për institucione vërtetë serioze, por po kërkojme minimumin e dinjitetit të një institucioni) është diçka krejt tjetër.

Së pari, KMSH-ja do të duhej ti kërkonte ministrisë që ajo të kërkojë të falur për paaftësinë që ka treguar në formulimin e ligjit, nëse është e vërtetë që problemi vjen nga keqkuptimi dhe jo nga ndonjë ligësi e brendshme. Përkundrazi, njoftimi i KMSH-së shprehet se mediat e kanë “servirur” informacionin në mënyrë të gabuar duke ua hedhur fajin mediave. Në fakt, mediat nuk kanë servirur asgjë gabim. Ligji i hartuar nga ministria thotë, e bardha mbi të zezë, se ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në shkolla, pa theksuar askund se kujt i adresohet ndalesa, shkollës apo nxënësve. Kështu që mediat këtu nuk kanë faj, pse ministria flet per çart dhe thotë gjëra në tym duke formuluar ligje që nuk i kupton njeri.

Së dyti, KMSH-ja nuk duhet të qetësohet kaq kollaj me një fjalë goje, por të kërkojë në një deklaratë publike prej ministrisë arsyet se përse bëhet ky ligj. Çdo ligj i ri, apo ndryshim ligji bëhet kur ligji ekzistues nuk i zgjidh siç duhet realitetet që merr përsipër të rregullojë. Atëherë, pyetja që shtrohet tashmë është, çfarë realitetesh nuk rregullon ligji ekzistues dhe çfarë mendohet se do të rregullohet me ligjin e ri (flas për nenet përkatëse që lidhen me laicizmin). Kur thuhet se na duhet të vendosim një nen që ndalon prej shkollave ekspozimin e simboleve fetare, pyetja që lind është, çfarë boshllëku ka ligji ekzistues në këtë drejtim, dhe a ka pasur precedentë që kanë shfrytëzuar boshllëqe të tilla ligjore për të vendosur kryqe apo gjysmëhëna në muret e shkollës në raste të tilla? Në fakt ligjet ekzistuese e ndalojnë praktikisht një dukuri të tillë, ndërkohë që as precedentë të shkeljes së tyre nuk dimë të ketë pasur, ndaj i bie që këto nene, në mos qofshin hartuar për të ndaluar shamitë, qenkan hartuar kot, gjë që nuk duket e besueshme.
I bie që, ose ministria e ka pasur nga budallallëku ose nga shejtanllëku, dhe KMSH-së do ti duhej publikisht ti kërkojë ministrisë se cili prej këtyre dy varianteve është i vërtetë.

Së treti, KMSH-ja do të duhej ti kërkonte tashmë ministrisë që, meqë paska në dorë një draft ligjor për këto punë, të përfshijnë përfundimisht zgjidhjen e kësaj çështjeje, dhe të mos fshihen më pas gaxhiut duke ua lënë në dorë zbatimin e të drejtat e njeriut drejtorëve të shkollave, për tu dhënë më pas urdhëra nën zë që ti përjashtojnë nga shkollat vajzat me shami. KMSH-ja, duhet të kërkojë publikisht që ky problem të marrë fund njëherë e mirë, dhe njerëzit të dijnë nëse ky shtet do ti shkelë me ligj të drejtat e motrave tona (jo, ti shkele me maliq, siç ka bërë deri tani), apo do t’ua japë ato siç u takon. KMSH-ja duhet të kërkojë përfundimisht përfshirjen e një neni, ku të sanksionohet tekstualisht e drejta e vajzave për tu shkolluar pa cënuar detyrimet e tyre fetare. Kjo nuk kërkon as mund, as djersë, as sakrificë, asgjë. Thjesht kërkohet prej këtij shteti, që ti njohë motrat tona si qytetarë normalë, si gjithë të tjerët në këtë vend, dhe të mos vazhdohet me barbari të tilla diskriminuese, siç është bërë deri me tani.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *