Elton Hatibi

Shtëpi e Zotit apo apartamente për “zotat”?

Këto ditë është përfolur në publik mbi mundësinë e ndërtimit të një xhamie të re në kryeqytet. Nga autoritetet janë përcaktuar dhe kriteret funksionale të këtij objekti, sipërfaqja, koeficienti i ndërtimit, kate mbi dhè e gjithashtu nën dhè, një minare, metra katrorë, pronarëdhe shpronsime. E gjitha kjo që është publikuar i ngjason një historie me pronar trualli dhe ndërtues pallatesh, histori të rëndomta këto që shoqërojnë jetën social ekonomike të qyteteve tona. E vecanta në këtë ngjarje, parë kështu me sy të lirë, është se në këtë pallat do të ushtrohen rite dhe praktika të besimit islam.

Duke qenë se nga çfarë njohim si opinion i gjerë publik është një marrdhënie “më jep-të jap” (leje ndërtimi) ndërmjet një bashkesie fetare dhe autoriteteve lokale, si dhe ngarkesa me labirinthe funksionale të kërkuara me ngulm në këtë objekt, mungesa publike e një aureole me vlerësime dhe kritika estetiko-kulturore mbi simbolikën e kësaj ndërmarrjeje, e nevojshme në të tilla raste, e zbeh dukshëm entuziasmin momental në gjirin e dashamirësve tëxhamisë së re. Mbase mungesa e qëndrimeve të tilla mund të vijë nga shkrehja e beftë gjatë një paraditeje festive pas tendosjes së pritshmërisë së gjatë nga ana e të interesuarve, ose nga droja e shumkujt që në këtë klimë mbarëkombëtare islamofobie, nuk ka ndërmend të zgjojë “shejtanin” nga dremitja duke i thurur lavde kësaj nisme. Të dyja sa thashë më sipër qëndrojnë, por mendoj që mosqasja ndaj një debati të dobishëm mbi domethënjen shumëplanëshe të ndërtimit të një Xhamie qendrore, simbolikën qe mbart ajo në një mjedis multireligjioz, si dhe kriteret specifike të natyrës arkitektonike që do të vuloste dhe identitetin islamik të kësaj ndërtese, vijnë kryesisht nga një zbraztësi shpirtërore e përgjithshmë e cila karakterizon mjerisht shqiptarët pas një ateizmi të dhunshëm, përfunduar zyrtarisht vetëm 20 vite më parë.

Tempulli është një vend ku kryhet komunikimi me transhendenten, ndaj besimtarët duhet të jenë eskluzivisht të vetmit të cilët duhet të ideojnë dhe materializojnë një projekt të tillë. Me suksesin ose jo të projekteve të tilla varet pritshmëria e përjetimit shpirtëror të anëtarëve të një bashkësie religjoze dhe kohezioni i identitetit kulturor që e karakterizon bashkësinë. Sa larg është projekti i nxitur nga autoritetet, i një ngrehine religjoze me zyra, parkingje, dhe më tragjikja, me kate që frekuentuesve u pamundësojnë kontaktin fizik dhe vizual ndërmjet tyre, me atë që sipas Eliades, duhet të përfaqësojë një Tempull: “… mundësinë që njeriu religjioz të gjejë periodikisht Kozmosin, ashtu siç ishte në gjenezë, në momentin mitik të Krijimit”. Ky përkufizim i tij është mbi natyrën universale të tempullit në të gjitha religjionet, ndërsa më specifikisht, tempullin semit ai e kategorizon si “arketip qiellor”. Jo rastësisht arkitektura e krishterë (sidomos ajo lindore) dhe ajo islamike ( jo magrebine) në ndërtimin e tempujve e kanë zhvilluar përgjatë shekujve kupolën, si një element arkitektonik që mishëron qellin, kozmosin, përjetësinë. Nuk duhet të harrojmë se në qytetin tonë kemi një shembull të tillë plotësisht origjinal,Xhaminë e Et’hem Beut, e cila frekuentohet si nga besimtarët që prehen “fetarisht” aty, ashtu dhe nga vizitorë që mrekullohen nga veçantia e saj. Ndërkaq Eliade, si një ndër historianët me të njohur të religjoneve, thekson se ndërtimi i tempullit lind si nevojë për të veçuar të shenjtën nga korrupsioni i kudondodhur njerëzor. Në rastin tonë jemi larg nga ky konstatim, kur kemi parasysh terminologjinë e përdorur, e ngjashme kjo si në ndërtimin e çfarëdolloj objekti, si dhe përfytyrimin popullor mbi virgjërinë morale të aktorëve të përfshirë në projekt.

Bashkësitë religjioze kur ndërmarrin projekte kaq kulmore siç është ndërtimi i tempullit të tyre qëndror në qytet, angazhojnë burimet njerëzore më të kualifikuara nga gjiri i tyre. Në mungesë të personaliteve produktivë nga gjiri i vet, mundet të huazohen ndihmëtarë nga bashkësitë simotra kudo në botë, gjithmonë per të harmonizuar elementët lokalë të traditës tonë, me universalizmin e arkitekturës islame, risitë e modernitetit, në hapësirën dhe mundësitë e dhëna. Mendimin thelbësor në të tilla raste duhet ta thonë personalitete me ndjeshmëri spirituale, etike të mirë në komunikimin me termat e religjonit, si dhe me një profesionalizëm në njohjen e estetikës islame në objektet religjoze. Rudolf Otto thekson se: ”e shenjta është parasëgjithash kategori interpretimi dhe vlerësimi e cila ritakohet vetëm në fushën e religjonit. Në etikëzgjerohet rrethi i saj, por nuk theksohet kurrë veçmas religjionit, i nënshtrohet racionales, komplikohet dhe është e pashprehshme konceptualisht”. Kështu jo çdokush, aq më tepër elita jonë kulturore e politike,me një te kaluar të skajshme ateiste, mund të ndërhyjë me një retorikë formale duke shfrytëzuar boshllekun shpirtëror të shqiptarëve për ta “mbushur” sadopak këtë hapësirë. Me tej, pas këtij barazlargimi të së shenjtës ndërmet burimit të saj, religjonit dhe etikës, Otto e hedh këtë kategori në fushën e përjetimit njerëzor dhe thotë : “Është e vështirë të flasësh për njohje religjioze me dikë, i cili mund të rikujtojë ndjenjat e tij të para të moshës së pubertetit, ndonjë çrregullim në tretjen e ushqimit, ose ndjenjat sociale, por jo specifikisht ndjenjat e para religjioze”. Por në promovimin e Xhamisë së re janë thirrur të kontribuojne personalitete me profil të theksuar areligjoz, me interesa dukshëm profane dhe me background të turbullt dhe jo të denjë. Nëse shumëkush arrin të rinjohë në vetvete ndjesi të së shenjtës, të lidhura specifikisht me ndonjë religjon, ështe i thirrur të kontribuojë me gjithë kapacitetet e tij në bashkësinë perkatëse religjoze, nëse dëshiron dhe nëse ia pranojnë. Përfshirja gjithnjë e më tepër e autoriteteve shtetërore në retorikat me sfond religjioz, dhëniaprej tyre e recetave veterinaro-fetare inflacioniste kudo dhe kurdoherë, dhe në rastin e xhamisë, protagonizmijo i shëndetshëm I kryebashkiakut në promovimin e cunguar të saj arkitektonik dhe kulturor, është shkelmimi I vazhdueshëm I parimit të neutralitetit të shtetit ndaj bashkësive fetare. Neutralitet qe thërmohet vetëm në rastin e bashkesisë së besimtarëvë muslimanë sepse ndërkaq , nuk kemi parë të tillë ndërhyrje kaq flagrante të autoriteteve në ndërtimin e tempujve të bashkësive të tjera në kryeqytet. Siç duket këto bashkësi kanë ndjekur procedurat rutinë në aplikimet pranë autoriteteve dhe duke iu përmbajtur rregullave, kanë arritur atë që deshirojnë. Nuk dime në asnjërin rast sa kapacitet parkimi ka nën tempujt e tyre dhe sa kate u kanë kërkuar autoritetet. Ndërtesat fetare monumentale në fakt nuk maten me kate, por me lartësi, sepse si kudo edhe në Tiranë, ato janë kryesisht njëkatëshe.

Në ndërtimin e një xhamie sipas Titus Burckhardt: ”arkitektura ka për detyrë të rivendosë gjendjen e pastërtisë që servir natyra”. Më pas shton se: “arti islam (në xhami brendashkruhen të gjitha llojet e këtij arti) është një komentues i librit të shenjtë”. Mospasja parasysh e të tillave kritereve konceptuale dhe turrja me vrap pas funksionalitetit dhe utilitetit, tregon zbraztësi të thellë shpirtërore dhe mosnjohje te principeve të fesë në këtë fushë nga shumëkush në bashkësinë e muslimanëve shqiptarë, ose më tragjikja, një kombinim i asaj sa thamë më sipër me një nënshtrim total dhë servil ndaj më të fortëve që nuk kanë farë respekti për vlerat religjioze të Islamit. Në qoftë se gjërat në këtë rrafsh nuk ndryshojnë në favor të frymëmarrjes së jetës religjoze tek muslimanët, kjo tregon se ata nuk kanë mësuar asgjë që nga viti ‘67.

Comments

  • Shkrim i shkelqyer. I realizuar jo vetem ne menyren sesi eshte prekur tema, por edhe ne realizimin e shkrimit. Ka nje veshgim te holle, shoqeror, kulturor, etik, politik e fetar. Urime Tonit!

  • Vertet jemi afer ndertimit te nje xhamie te madhe ne Tirane?! Me c'kuptova nga iniciativa e Bashkise ne kete drejtim, aty ku plani urbanistik i miratuar i Tiranes parashikon te ndertohet nje xhami, siperfaqja e truallit ne pronesi te KM nuk eshte e mjaftueshme per ndertimin e nje xhamie qe t'i pergjigjet nevojave te muslimaneve. Nqs kjo eshte e vertete, puna e KM per momentin duhtet e perqendrohet ne dy drejtime: te negocioje fuqishem me Bashkine per te bere realitet premtimin e tyre (por nga ana tjeter t'futmen e tyre(!)) ne lidhje me zgjerimin e siperfaqes me toka te pronareve te tjere, dhe te ngreje nje grup pune me pjesmarres jo vetem te zyrtareve te vet por edhe me pjesmarrjen e zerave te spikatur profesioniste muslimanesh brenda por edhe jashte shqiperise per te organizuar nje konkurs arktitektonik per ndertimin e xhamise.

  • Shkrim shume i bukur dhe nje qasje e plote nga te gjitha anet, sidomos nga ajo kulturore dhe shpirterore.Urime per shkrimin Elton.
    Une jam e mendmit se askush nuk i ka menduar kriteret spirituale qe duhet te dominojne, por thjesht po luhet me nje karte politike para zgjedhjeve dhe kjo per shume arsye nga ana e politikaneve.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *