E. Mërtiri

Gazeta Panorama, para disa ditësh, kishte një shkrim të Mandeta Minxhozit, pedagoge e shkencave sociale në Universitetin e Tiranës, në të cilin mbrohej me forcë ideja se simbolet fetare në shkollat publike duhen ndaluar. Ky debat në fakt, është i rëndësishëm për realitetin shqiptar nëse palët gjykojnë me qetësi dhe maturi, por kur opinionet pozohen në mënyrë arbitrare, duke synuar ti imponohen publikut me arrogancë, kjo e prish klimën e nevojshme për kultivimin e ideve të frytshme. Shkrimi i znj. Minxhozi ishte i tillë, që nuk i shërben kësaj klime. Ai vetëm përpiqej të diktonte qendrimin e vet, duke injoruar idetë e tjera. Madje autorja nuk ngurron as të gjykojë mbi qëllimet që ajo mendon se fshihen pas qendrimeve të atyre që e kundërshtojnë ligjin. Ndër të tjera, Autorja nuk ngurron as që të akuzojë një prej drejtueseve të një OJF-je për të drejtat e njeriut (përtej anonimatit literal që ruhej me cinizëm prej saj, në mënyrë të dukshme kuptohet se bëhet fjalë për Elsa Ballaurin), e cila, sipas saj, del në mbrojtje të simboleve fetare në shkolla me qëllim që të përfitojë fonde prej organizmave ndërkombëtare.


Që e gjithë kjo përbën një gjykim kryekëput subjektiv, për të cilin askush nuk ka të drejtë dhe nuk mund të gjykojë kjo është e qartë, por ajo që e bën të pahijshëm këtë subjektivitet tendencioz, është fakti që ai artikulohet nga një pedagoge filozofie, e cila normalisht do të duhej të ishte shembulli i konseguencës dhe koherencës racionale. Nga këto vlerësime kuptojmë se, sipas gjykimit të znj. Minxhozi, njeriu nuk ka mundësi ta mendojë ndryshe këtë debat, përveç se sipas asaj që mendon vetë ajo, ndaj dhe rrjedhimisht, nëse dikush mendon ndryshe, atëherë ai duhet të jetë i shtyrë doemos nga intersa të tjera jointelektuale, të cilat e devijojnë nga “e vërteta”. Paaftësia për të përfytyruar arsye intelektuale që i bëjnë të tjerët të mendojnë ndryshe prej saj, tregon për nivelin intelektual që ajo përfaqëson, në mos për ndonjë motiv tjetër, të natyrës jointelektuale, si ato që ajo ua mvesh të tjerëve.

Në thelb, shkrimi i saj “Liri besimi apo abuzim me simbolet në shkolla”, rreket të na thotë se liria e besimit, e shprehur edhe në kushtetutë si dhe në Konventën e të Drejtave të Njeriut, nuk është absolute dhe se kjo liri kushtëzohet nga neutraliteti që duhet të ketë shteti laik. Ajo që duket se mungon në arsyetimet e znj. Minxhozi, ka të bëjë me disa nocione elementare të logjikës formale, gjë që e bën të pamundur barazimin e të dy anëve të ekuacionit. Sipas saj, njeriu është i lirë të ushtrojë besimin e vet, por nga ana tjetër liria ime mbaron aty ku fillon liria e tjetrit. Dhe rrjedhimisht i bie që kjo të legjitimojë shkeljen e lirisë, duke arritur në përfundimin se liria fetare në shkolla nuk ekziston, pasi ajo shkel lirinë jofetare, lirinë e tjetrit që unë të mos shpreh besimin tim.

Po përpiqem ta qartësoj pak këtë. Znj. Minxhozi shprehet se nxënësit në shkolla nuk kanë vetëm një fe, por shumë, ndërkohë që ka edhe ateistë, laikë apo edhe agnostikë. Kjo bën që këta të fundit të kenë të drejtën e tyre të kërkojnë mosshfaqjen e simboleve fetare, për shkak se ata nuk besojnë në këto fe. Pra, edhe një ateist ka lirinë e tij për të mosbesuar dhe për rrjedhojë, çdo i krishter që mban kryq në qafë apo çdo vajzë muslimane që mban shami në kohë, përbën cënim të lirësë së ateistit për të mosbesuar. Liria e besimtarit për të shprehur besimin e tij, cënon lirinë e ateistit për të mos u përballur me besimin e shfaqur. Si përfundim postulati i demokracisë konkludon se: liria e besimtarit mbaron aty ku fillon liria e mosbesimtarit dhe liria e mosbesimtarit shkon deri në mohimin e të drejtës së besimtarit për të shfaqur besimin e vet.

Cdokush e kupton që e gjithë kjo përbën një non sense. Ajo që ngatërron znj. Minxhozi është liria që ka njeriu për veten, me atë që lidhet me të tjerët. Ateisti, në rastin konkret, nuk lihet në lirinë e tij për të mos besuar, por bëhet i lirë për të kufizuar besimin e tjetrit, duke penguar shprehjen e besimit.

Por, keqkuptimi më i madh që znj. Minxhozi shfaq në shkrimin e vet, ka të bëjë me atë që ajo e quan “neutralitet” i laicizmit ndaj fesë. Profesoresha e filozofisë nuk arrinë të bëjë dallimin mes neutralitetit e asnjanësisë dhe përjashtimit e imponimit. Kjo e çon atë në idenë që për hir të neutralitetit, çdo simbol fetar privat i studentëve në një shkollë duhet të jetë i përjashtuar.

Cdokush e kupton se neutraliteti përbën barazlargim nga palët dhe se të jesh neutral ndaj feve, do të thotë ti pranosh të gjithë, pa u interesuar për ta dhe pa anuar nga ndonjë prej tyre. Por neutraliteti, për znj. Minxhozi, është diçka tjetër, është përjashtim i subjekteve ndaj të cilëve shkolla është neutrale. Si rrjedhim, meqe shkollat laike janë neutrale ndaj fesë, ato nuk duhet të pranojnë asnjë nxënës që shfaq besimin e tij. Sipas kësaj, besimi do të duhet të mbahet në shkollë vetëm fshehtas, njësoj si në kohë të Enverit.

Në të njëjtën mënyrë ajo gjykon edhe efektet sociale të lejimit të simboleve fetare në shkolla. Sipas saj, lejimi i tyre do të sillte kaos dhe konflikte, pasi njerëzit janë të ndryshëm dhe kemi shumë besime. Kjo do të thotë që, për shkak të mundësisë së konfliktualitetit, atëherë të eleminojmë diversitetin dhe ti imponojmë njerëzve homogjenitetin e diktuar prej nesh. E thënë më shkoqur, ne eleminojmë mundësinë e konfliktualitetit, duke asgjësuar tjetrin, atë që nuk është si ne. Që të shmangim luftërat, zhdukim ata që mendojnë dhe besojnë ndryshe. Asgjë më shumë nuk bëri Enveri.

Por edhe më interesant është argumenti i saj kundër identitetit individual për hir të indentitetit kolektiv gjë që shkon deri aty sa të vendosë edhe në kontradiktë atë që ajo e quan “ndërgjegje individuale” me “ndërgjegjen kolektive”. Se çfarë është ndërgjegjia kolektive jashtë asaj individuale dhe se sa mundet ndërgjegjia kolektive ti imponohet arbitrarisht me forcë ndërgjegjes individuale këtë vetëm Znj. Minxhozi e di. Megjithatë, të diskutosh kaq lirshëm për koncepte të tilla si identiteti kolektiv përballë atij vetjak, duke nxjerrë kaq serbes konkluzione me efekte ligjore, që bien mbi kurriz të njerëzve konkretë që përjashtohen nga shkollat, kjo është pak të thuash cinike. Përtej sofizmit, znj. Minxhozi do të duhej të dijë se, që prej gjenezës së nominalizmit, nuk mund të bësh fjalë kaq lehtë për identitete të tilla kolektive që dalin mbi ato individuale, për realitete konceptuale që marrin më shumë peshë sesa ato konkrete. As vetë Shën Anselmi nuk do fliste kaq serbes për këtë. Por, të paktën, çdo njeri që ka dëgjuar dy fjalë për postmodernizmin, do të arrinte të kuptonte se të kërkosh identitete apo ndërgjegje kolektive të tilla, në një epokë të tillë fragmentarizimi shoqëror marramendës si ky që karakterizon shoqëritë e sotme postmoderne, pasindustriale, përbën vërtetë një përpjekje fatkeqe që synon ta kthejë mbrapsht rrotën e historisë njerëzore, duke prodhuar një polaritet të rrezikshëm për cdo shoqëri. Një polaritet që mund të prodhohet vetëm në guzhinat historiciste totalitare, nga ato që ofronin dikur ushqim social masiv të kontaminuar me opiumin intelektual të ideologjive që u shkërrmoqën me turp në shekullin që lamë pas, duke lënë në faqen e historisë një katastrofë globale dramatike.

E gjithë retorika e mëtejme e znj. Minxhozi, duke cituar pa vend nene e ligje, përbën vetëm materialin inert me të cilin ajo ndërton konstruksionin e vet të paqendrueshëm logjik, konstruksion që do të mbeste në klasë çdo student të logjikës formale në fakultetin ku ajo jep mësim.

Comments

  • Sa gjynah qe kaq i ri ky Mertiri dhe kaq i kapur pas parase qe ushqen radikalizem fondamentalist islamik tipike arabe dhe qe vjen ne Shqiperi me misione te dyshimta dhe qe nuk e ka identitet te vertete. Duhet te ndiqet nga SHIKU qe te identifikohen keta njerez te dyshimte qe kerkojne te indoktrinojne me dhune gjithe boten me inetresin e tyre material gjoja ne emer te fese. Feja islame ka tolerance ndersa keta jane rebele

    • Kjo eshte menyra sesi doni te beni perpara ne Shqiperi, duke shkelur mbi trupat e besimtareve qe nuk jane te sektit tuaj? Spiune vullnetare si ti nuk trembin njeri ama. E keni kollaj te trembni bashkefshataret tuaj qe impresionohen nga fjalet e medhaja, po nuk ju ecen shantazhi qesharak me te tjeret.

      Ej, a e di sa cope provokatore stalle si ti duhen per te na trembur ne kundershtareve te qebapit?

      Po si ka mundesi qe gjithe te vonuarit qe vijne ketu per provokim te njejten fytyre kane, vetem per pare flasin. Po si nuk u shkon fantazia dot pertej kaishit te pantallonave xhanem? Po pse kaq tallash o shok? Pak halle kemi, po edhe ju duhet t’ju presim te beheni njerez tani, sa te mesoni se feja nuk eshte dallavere? Sa do t’ju durojme me keto tangerlleqe me era dele? Po kush ta mesoi llafin “radikalizem” ty mor bir? Po gjithe ato olimpiada matematike e gjithe ato medialje per fizike kush i merr neper kolegje? Pse nuk po vjen ndonjeri prej tyre te thote ndonje gje me mend ketu, apo vetem sakatet e kolegjeve futen ne sekt?

  • Leave a Reply to antiqebap Cancel reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *