Diktatura e laicizmit






E. Mërtiri

Projektligji i ri për arsimin parauniversitar, i përgatitur nga Ministria e Arsimit, ka ndezur një debat të gjerë në media në lidhje me laicizmin dhe funksionin e tij në shoqëri. Debati në fakt, shfaq, në një masë të konsiderueshme, mungesë profesionalizmi, dhe shumë pak refleksione serioze filozofiko-juridike shohim të hidhen në diskutim. Kjo tregon që shoqëria shqiptare është kapur gafil në tema të tilla, dhe klasa intelektuale është ende e papërgatitur për ti trajtuar ato me kujdesin dhe mprehtësinë e duhur. Të ndërmarrësh iniciativa të tilla ligjore që prekin dukuri mjaft sensitive dhe delikate siç janë fetë, kërkon që fillimisht shoqëria të ketë pjekur gjykimin e saj mbi dukuri të tilla.


Një shoqëri si kjo e jona, e dalë prej një gjysmë shekulli ateizmi agresiv, ku në çerekun e fundit të tij feja ka qenë e ndaluar krejtësisht, ka nevojë të reflektojë shumë mbi dukuri të tilla dhe hartimi i ligjeve që lidhen me to do të duhej të bëhej vetëm pasi ky reflektim të jetë konsumuar në masën e duhur dhe kur shoqëria të ketë arritur pjekurinë e nevojshme në trajtimin dhe gjykimin e këtyre pikëpamjeve. Hartimi i neneve të tilla që përjashtojnë simbolet fetare në emër të laicizmit, ndërkohë që hartuesit e ligjit nuk janë në gjendje të formulojnë asgjë të qartë se çfarë kuptojnë me laicizëm, si dhe se çfarë quajmë simbol fetar, tregon për turbullinë intelektuale mbi të cilën ngrihen vendime të tilla që rëndojnë mbi grupe shoqërore të rëndësishme siç janë komunitetet fetare.

Deri më tani, kemi ndeshur deklarata të ndryshme nga drejtues të lartë të Ministrisë së Arsimit që theksojnë me forcë laicitetin e shkollave, ndrëkohë që nuk na kanë sqaruar ende se ku dhe si kërcënohet ky laicitet, në të mënyrë që të kuptojmë edhe arsyet e ndërmarrjes së këtyre masave, si dhe nuk kemi parë ende një sqarim se cilit model të laicizmit i referohet dhe se përse ka zgjedhur atë dhe jo një tjetër, bie fjala modelin anglosankson, i cili realisht është më produktiv, më realist dhe më respektues ndaj lirisë dhe të drejtave të individit. Kjo bën që jo vetëm arsyet dhe motivet e kësaj pjese të projektligjit të jenë krejtësisht të paqarta, ashtu si edhe efekti real i aplikimit të tij në të ardhmen, por edhe vetë ligji të mbetet evaziv, duke mos ofruar një përcaktim të qartë se cilat dukuri do të jenë objekt i zbatimit të tij. Gjithashtu, deri më tani, asgjë nuk kemi mësuar prej ministrisë se ç’do të bëhet me ata nxënës që preken drejt për së drejti prej nenit që ndalon simbolet fetare dhe nuk dimë ende nëse do ti lërë këta nxënës në rrugë nëse refuzojnë ti heqin simbolet e tyre.

E gjithë kjo tregon se ministria nuk mban përgjegjësi për pasojat e vendimeve të veta. Drejtuesit e saj duket se nuk kanë as përgatitjen teorike për t’iu referuar koncepteve të qarta në këtë fushë, por nuk ka as angazhimin e nevojshëm për të njohur dhe zgjidhur problematikën reale në terren, aty ku do të veprojë ky ligj. Siç duket, 67-a nuk ka mundur ende të bëhet mësim për njeriun e ri të projektuar prej atij sistemi që u ngrit mbi rrënojat e lirisë së ndërgjegjes, ndaj dhe trajtimi i të tillave tema vijon të bëhet me të njëjtën mungesë respekti ndaj besimit.

Në thelb, përtej konceptimit të gabuar të vendimeve të ndërmarra qëndron perceptimi që kjo klasë politike e intelektuale ka për shoqërinë shqiptare. Qëndrimet që kjo klasë manifeston, flasin për një mentalitet përjashtues i cili nuk pranon diversitetin shoqëror, kulturor e ideor. Ajo mendon se ka të drejtë ti imponohet individit në mënyrë arbitrare duke shpërfillur zgjedhjet dhe lirinë e tij. Si përfundim, ajo e ka të pamundur të bashkëjetojë me tjetërin dhe e shikon atë ose si subjekt që do të duhet të nënshtrohet ndaj verdiktit të saj, ose të vetpërjashtohet. Rrjedhimisht, laicizmi perceptohet si një mekanizëm i ndërtuar për të përjashtuar besimet nga mjediset publike dhe jo si një rregullator që ruan balancat e diversitetit fetar. Një nxënës që respekton simbolet e veta fetare (po e lemë mënj’anë debatin se ç’quajmë simbol), konsiderohet për këtë kategori intelektualësh prej nga burojnë edhe politikat përjashtuese të Ministrisë së Arsimit, një devijim nga norma, një kërcënim për “shëndetin” e të tjerëve. Sigurisht, norma këtu është, jo më një konvencion, por një përcaktim arbitrar i cili i imponohet të gjithëve. Kjo është një shoqëri që nuk kultivon më vullnetin e lirë të individit, por imponon vullnetin e një pjese të saj ndaj tjetrës. Njeriu i ri i projektuar nga partia duhet të ketë kudo të njëjtin imazh, të njëjtën formë.

Frika që drejtuesit e ministrisë shprehin se mos simbolet fetare do të sjellin kaos dhe konfliktualitet në institucionet arsimore shqiptare, përbën justifikimet klasike të çdo diktature kudo në botë. Totalitarizmi në vetvete është ndërtuar pikërisht mbi premisën se diversiteti dëmton “të vërtetën” dhe turbullon njerëzit, ndaj dhe rruga e vetme për triumfin e saj mbetet, asgjësimi i tjetrit. Rajmond Aron na sqaron mjaft mirë në veprën e tij “Opiumi i Intelektualëve” se komunizmi dhe totalitarizmi në përgjithësi, janë të predispozuar të mos pranojnë pluralitetin, për vetë faktin se ata ndërtohen mbi konstruksione të ngurta ideologjike, pa lidhje me të vërtetën objektive që gjendet në realitet. Konstruksione te tilla nuk mund ti nënshtrohen asnjë kritike, sepse kritika vë në pah fiktivitetin e këtyre pikëpamjeve. Rrjedhimisht, çdo përballje ideore i bën ata të dështojnë. Ata ose duhet të ndryshojnë, duke humbur thelbin e tyre ideologjik, ose do të duhet të ruajnë doktrinën duke shpallur armiqësore çdo ide që nuk përshtatet me ta. Për këtë arsye, politika e përjashtimit, mbi të cilën ndërtohet raporti i shkollës me fenë në këtë projektligj, nuk është gjë tjetër vetëm se produkt i kësaj bote konceptuale prej nga zënë rrënjë premisat ideologjike që ndërtojnë të gjithë ngrehinën tonë institucionale në këtë vend.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *