Loja e rrezikshme me fenë





Nga:BLENDI KAJSIU

Herë pas here rishfaqet “problemi” i fesë në shkollat publike. Është një problem i stisur, sepse në vendin tonë nuk ekziston ndonjë përplasjes mes fesë dhe shtetit laik, aq më pak mes feve të ndryshme. Nuk ekziston ndonjë rrymë fetare, e cila është kundër edukimit laik që ofron shteti. Nuk ekziston as ndonjë kërkesë nga grupime fetare që kërkojnë ndryshimin e programit mësimor për të futur aty më shumë ide fetare (siç ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kundërshtohet dhënia e teorisë së evolucionit të Darvinit dhe jo historia biblike e krijimit).
Përkundrazi, besimtarët shqiptarë kërkojnë edukimin laik ashtu siç e ofron shteti, ndërsa shteti me ligjet që miraton, i detyron besimtarët të shkojnë drejt edukimit fetar.

Në këto kushte, debati mbi laicitetin e shkollës publike është bërë sa problematik, aq edhe i rrezikshëm. Debati është problematik, pasi ligjet që prodhon shteti ynë bazohen në një keqkuptim të thellë të konceptit të laicitetit si një qëndrim anti-fetar, apo kundër fesë. Laiciteti do të thotë ndarje e shtetit nga feja dhe jo luftë e shtetit me fenë. Kjo ndarje nënkupton që nuk ka një fe zyrtare, shteti nuk përkrah apo nuk mbështet asnjë pikëpamje fetare. Por kjo nuk do të thotë që shteti është kundër çdo shfaqje fetare në hapësirën publike.

Përkundrazi, në kuadrin e demokracisë liberale, laiciteti nënkupton lehtësira të barabarta për të gjitha fetë, pa përqafuar dhe pa predikuar asnjërën prej tyre. Konkretisht, kjo do të thotë që në hapësirën publike, shteti (dhe jo individët sikurse thotë ligji për arsimin parauniversitar) nuk duhet të shfaqë simbole fetare. Pra, institucionet shtetërore nuk duhet të vendosin simbole fetare në hapësirën e tyre, qofshin këto kryqe, ikona, apo gjysmëhëna. Po kështu, shteti si në programin mësimor, ashtu edhe në politikat arsimore, nuk duhet të përqafojë asnjë pikëpamje fetare. Pra, shteti nuk duhet t’i detyrojë studentët të varin një kryq në qafë, të rrisin mjekrën, të venë një shami në kokë, të luten apo të falen.

Ama, kjo nuk do të thotë që individëd nuk kanë të drejtë të shfaqin simbole fetare në hapësirën publike. Përndryshe i bie që në hapësirën publike të marrin pjesë vetëm ata që nuk besojnë. Fatkeqësisht, ky është koncepti i laicitetit që mbrohet nga shteti ynë. Në konceptimin zyrtar, laiciteti është kuptuar si një hapësirë publike, ku gjithçka duhet të zhvishet nga dimensioni fetar. Qytetari, që të marrë pjesë në hapësirën publike, duhet të heqë dorë nga besimi i tij, apo i saj fetar. I vetmi individ që mund të marrë pjesë rehat në këtë hapësirë publike, pa hequr dorë nga asgjë, është individi ateist apo agnostik.

Këtu qëndron perversiteti i konceptimit aktual të laicitetit nga zyrtarët tanë shtetërorë. Ky është një konceptim që laicitetin e kupton si ateizëm, ose si agnosticizëm në rastin më të mirë. Në këto dy raste, laicizmi përkthehet si mosbesim ose dyshim tek ekzistenca e Zotit. Helbete, nuk kemi pse të çuditemi, pasi vijmë nga një traditë e gjatë ateiste. Problemi është se vetë ateizmi është një koncept fetar. Ai është një fe materialiste, që bazohet tek besimi se Zoti, apo çdo transhendencë përtej botës aktuale, nuk ekziston (diçka po aq e paprovueshme sa besimi tek e kundërta).

Prandaj, duke i ndaluar besimtarët të shfaqin besimin e tyre në hapësirën publike, shteti ynë nuk sillet si një aktor laik dhe jo-fetar, por si një aktor anti-fetar dhe ateist (ose agnostik në rastin më të mirë). Shteti ynë e ka kthyer ateizmin në fenë e tij institucionale, duke shkelur kështu parimin themelor të laicizmit sipas të cilit shteti nuk ka fe, qoftë ky ateizmi apo agnosticizmi. Ndaj, referenca që i bëhet laicitetit kur ndalohet shkollimi publik i djemve me mjekër, i vajzave me shami në kokë, apo me kryq në qafë, është bërë tashmë tejet problematik me tonet e tij anti-fetare (dhe shpesh anti-islamike).

Këtu qëndron edhe rrezikshmëria e argumenti se laiciteti përjashton shfaqjen e fesë në publik. Mënyra se si institucionet e arsimit publik kapen vazhdimisht me besimtarët, është shqetësuese. Në kushtet kur adoleshentët shqiptarë gjithnjë e më pak frekuentojnë shkollat e mesme, gjithnjë e më pak mësojnë, gjithnjë e më pak respektojnë mësuesit dhe gjithnjë e më shumë pinë klubeve, duket sikur shqetësimi kryesor i institucioneve të edukimit publik janë individëd që venë një shami në kokë, apo një kryq në qafë, edhe pse këta nuk shquhen për sjellje problematike. Përkundrazi, ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë që shkojnë në shkollë pothuajse lakuriq, ata e duan edukimin laik publik. Ndërsa shteti ia mohon këtë të drejtë, duke i çuar me zor drejt shkollave fetare.

Në këtë mënyrë, shteti shqiptar nga njëra anë krijon pakënaqësi të komuniteteve fetare (e veçanërisht të atij Islam, por jo vetëm). Nga ana tjetër, kjo pakënaqësi shoqërohet me margjinalizimin e besimtarëve drejt institucioneve, apo hapësirave të edukimit fetar. Kështu, në vend që besimtarët të përfshihen në hapësirën publike, ata në mënyrë të padrejtë përjashtohen prej saj, duke krijuar të gjitha premisat për radikalizim. Është një situatë absurde që nga hiçi synon të krijojë probleme sociale me komunitetet fetare.

Një absurditet i tillë mund të shpjegohet vetëm me faktin se debatet mbi laicitetin, shaminë, mjekrën apo kryqin, shërbejnë për të tërhequr vëmendjen nga një sërë problemesh reale të arsimit parauniversitar. Këto fillojnë nga mungesa skandaloze e financimit, cilësia e ulët e mësimdhënies dhe e teksteve, e deri tek kapja e arsimit parauniversitar nga partitë politike, që pa pikë turpi emërojnë aty mësuesit. Debati shterpë mbi laicitetin e arsimit publik jo vetëm nuk ka lidhje me problematikën e arsimit parauniversitar, por shërben për ta mbuluar atë.
Ndaj, ky debat më shumë se një diskutimi serioz i ngjan një loje sa të lodhshme, aq edhe të rrezikshme. E lodhshme, sepse argumentet që përdoren në të janë tashmë tejet bajate dhe pa logjikë. E rrezikshme, sepse disa probleme që mund të zgjidhen relativisht lehtë, siç është financimi apo kontrolli partiak i shkollave parauniversitare, mbulohen duke nxitur konflikte sociale që po u hapën, zor se mbyllen.

Në këto kushte është e domosdoshme që autoritetet më të larta të qeverisë, siç është ministri i Arsimit, apo kryeministri Berisha, të ndërhyjnë qartë dhe me vendosmëri për t’i dhënë fund persekutimit idiot të besimtarëve që nuk duan gjë tjetër veçse të njëjtin edukim publik, si çdo qytetar tjetër shqiptar. Edhe pse një ndërhyrje e tillë do e zhvendosë vëmendjen tek një sërë problemesh reale të arsimit publik që nuk fshihen as pas shamisë, as pas mjekrës dhe as pas kryqit. Në këtë mënyrë, qeveria do mund të na dëshmojë se përpara interesave të saj të ngushta dhe afatshkurtra, vendos interesat e gjera dhe afatgjata të shoqërisë.

Marre nga Gazeta Panorama, 12 Janar 2011.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *