Dy herë e përjashtuar .






Besnik Sinani

Në një bisedë me një vajzë myslimane para një viti ajo më thotë: “Shyqyr Zotit që nuk i kam sugjeruar asnjë vajze që të vërë shami e nuk ndihem përgjegjëse për vendimet e asnjërës prej tyre.”

Kjo vajzë nuk është kundër shamisë, bile një të tillë e mban vetë mbi krye, e po ashtu ka marrë pjesë në emisione televizive në mbrojtje të së drejtës së femrave myslimane për të mbajtur shaminë. Ndër të tjera, më tha gjatë bisedës, ajo kishte zgjedhur të ndërmerrte studimet juridike që të mund të kontribuonte në mënyrë ligjore për të drejtat e femrave myslimane për punësim.

Për shumë femra myslimane, vendimi për të mbajtur shaminë ka rezultuar në përballjen me paragjykimet shoqërore dhe me trajtim të diferencuar në shërbimet publike, mundësitë e shkollimit e të punësimit. Bashkëbiseduesja ime më tregon për raste pas rastesh të vajzave që kanë humbur punën, janë përballur me presion ekonomik, privim nga ndjekja e interesave të tyre vetëm sepse kanë zgjedhur t’i shtojnë një shami koke veshjes së përditshme.

Shqetësimi për diskriminimin e vajzave të përkushtuara myslimane, të cilat bëhen të dukshme nëpërmjet vënies së shamisë, ka qenë dhe në qendër të reagimeve të disa aktivistëve për të drejtat e njeriut, analistëve e juristëve pa dallim besimi, sidomos ndaj projektligjit të fundit të propozuar nga ministria e arsimit, i cili duke ndaluar ekspozimin e simboleve fetare në shkolla, sipas zyrtarëve, duhet të ndalojë edhe mbajtjen e shamisë së kokës në shkollimin parauniversitar. Një veshje, që sipas përkufizimeve tekstuale apo opinionit të bartëseve të saj, nuk shërben për asgjë tjetër përveçse si kufi etik midis intimes dhe publikes, në optikën zyrtare të 40 e ca vjetëve të fundit gjykohet si simbol – ndonëse simbolet zakonisht përcillen me figura, shkronja apo ngjyra.

Por teksa përjashtimi nga shkolla, i mbartur në politikat diskriminatore, është në thelb të këtij debati, ka dhe një tjetër dimension e hapësirë përjashtuese me të cilën përballen femrat myslimane praktikuese.

Femrat myslimane, me shami ose jo, janë gati tërësisht të përjashtuara nga format e përfaqësimit dhe procesi i vendimarjes në rrjetin e institucioneve përfaqësuese si Komuniteti Mysliman Shqiptar, organizatave myslimane të shoqërisë civile – ku nëse janë prezente, janë në funksione sekretariale, por jo në bordet e vendimarjes – dhe janë totalisht të munguara në këshillat e xhamive.

Komuniteti Mysliman ka dhe një departament të gruas (e sigurisht nuk ka nevojë për ndonjë department të burrave) por nuk mund të kuptojmë nga informacioni i ofruar se çfarë funksionesh, qëllimesh, dhe aktiviteti ka ky department. Për më tepër, në dallim nga praktikat e mëparshme, ky department tashmë drejtohet nga një mashkull. Në emër të pretendimit për tradicionalizëm, Komuniteti Mysliman ka ngulur këmbë në pasimin e shkollës juridike hanefi dhe shkolla hanefi në qëndrimet e veta tradicionale njeh se një grua mund të shërbejë dhe si gjykatëse e ligjit të shenjtë, sheriatit. Megjithatë në këshillin e ulemave të Komunitetit Mysliman, që ka për qëllim të adresojë pyetje e probleme etike e fetare të bashkësisë myslimane, nuk ka asnjë grua. Edhe rregullimi i hapësirave të xhamive është i tillë që përjashton pjesëmarrjen e femrave nga debatet mbi çështje të rëndësishme për gjithë komunitetin.

Kësisoj, femrat e përkushtuara myslimane nuk përballen vetëm me përjashtim nga qasjet në shoqëri, por shpesh edhe me përjashtim nga pjesëmarrja e plotë në jetën e bashkësisë së tyre. Sipas disa femrave myslimane që kanë punuar në shoqata e organizata joqeveritare myslimane, edhe aty, punësimi i tyre është për role dytësore dhe me kompensim ekonomik më të ulët.

Sigurisht ky nuk është një shqetësim ekskluziv i myslimanëve dhe mjaftojnë takimet ceremoniale të përfaqësuesve të feve tradicionale që na përkujtojnë tolerancën fetare për të parë që kjo supozohet si tolerancë midis meshkujve të këtyre komuniteteve, sepse femrat nuk janë asnjë herë prezente.

Në këtë aspekt, këto bashkësi, dhe bashkësia myslimane në veçanti, si bashkësi të reja që po ridimensionojnë dhe formulojnë qëndrimet në një shoqëri që për shumë gjatë përjashtoi fenë dhunshëm nga jeta publike, kanë mundësi të krijojnë struktura që përfshijnë femrat me energjitë, idetë, dhe aftësitë e tyre në jetën fetare, si nevojë për kontribut të shumëanshëm në përpjekjet rigjeneruese.

Tradita islame gëzon mjaftueshëm precendentë nga e kaluara që të shërbejnë si inspirim për një formulim gjithëpërfshirës të qëndrimeve të kësaj bashkësie. Në rrafshin lokal, nuk duhet harruar se përvoja islame shqiptare ka njohur edhe figura si Dervish Hatixheja, e mbetur në kujtesën kolektive pikërisht për shkak të veprimtarisë publike fetare e bamirëse.

Nëse diskriminimi e përjashtimi nga prezenca e plotë e femrave të përkushtuara myslimane në shoqëri është një shqetësim legjitim, i tillë është edhe shqetësimi mbi përjashtimin e tyre nga jeta e bashkësisë fetare ku përkasin, në këshillat e xhamive, në përfaqësimin institucional apo në rrjetin e organizatave myslimane të shoqërisë civile. Në një farë mënyre, dy përjashtimet ndihmojnë njëri-tjetrin.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *