Kastriot Qema

Prej ditësh, në media po diskutohet mbi pr/ligjin e Ministrisë së Arsimit mbi ndalimin e simboleve fetare në shkolla. Lidhur me këtë temë është shprehur edhe Profesor, Artan Fuga. Normalisht si çdo qytetar, por në këtë rast personalitet-intelektual-profesor, jep mendimin e tij mbi këtë çështje duke argumentuar qëndrimin e tij pro projektligjit.

Pas leximit të këtij teksti, unë si qytetar i këtij vendi fillova të dyshoj mbi rehatinë time të përditshme. Tek e fundit pse duhet të shqetësohem për gjëra që nuk më prekin mua, individualitetin tim?! Mirëpo, debati mbi këtë temë tashmë ka bërë që produkti mediatik të më ngacmojë pikërisht se është një çështje që i përket një teme me karakter publik. Ngacmimi im mbi këtë çështje nuk ka të bëj me atë teknik-profesional, por thjesht me atë si individ-qytetar.

Përtej gamës së gjerë që sjell interneti, siç shprehet edhe prof. Fuga, përqendrimi im ka të bëj me replikën e tij “Bisedë me lexuesit për laicitetin e arsimit parauniversitar”, për atë se çfarë ai na ka paraqitur sipas pikëpamjes së tij si: qytetar, individ, shoqëri, shtet, te drejtë, liri dhe hapësirë publike. Kjo natyrisht është një e drejtë e të shprehurit, që siç shprehet edhe vete ai – u miratua apo jo, nuk ka rendësi. Rëndësi ka argumenti!

Për t’u mos u zgjatur më shumë, më duhet të shtroj pyetjen: çfarë është individi, shoqëria, shteti, tek e fundit çfarë është një grup interesi?

Kjo ishte një praktikë të cilën Sokrati e përdorte lidhur me debatet që dijetarët e kohës ngrinin për diskutim. (Për sqarim, Sokrati nuk u ndëshkua me shumë për shpërfilljen e zotave, sesa për propagandimin e një Zoti të ri dhe të plotfuqishëm, dhe për me tepër për “postulatin”-Çfarë- që Sokrati ua lëshonte dijetarëve të kohës, si sfidë ndaj asaj që ata thoshin duke sjelle kështu risi ne filozofinë e tij).

Duke iu referuar Weberit -siç shprehet ai- ne nuk mund të themi çfarë “duhet” pa sqaruar më parë se çfarë “është”. Dhe në këtë kontekst (çfarë duhet), profesori është shprehur mirë, krejtësisht akademik, edhe pse në subkoshiencë (sipas konceptit kantian) mund të jesh i bindur se diçka nuk shkon; pra, e vërteta është diçka tjetër nga realiteti.

Kësisoj unë e shoh të drejtë të shtrojmë pyetjen çfarë është shteti, çfarë përfaqëson ai?
Keni të drejtë kur thoni se koncepte abstrakte të tilla si postulati “liria jote mbaron aty ku fillon liria ime” i dhënë i tillë, ashtu siç është, nuk paraqet asnjë formë të marrëdhënies dhe ndërveprimit njerëzor/shoqëror. Kjo është me të vërtetë pjesë e vështirë.

Mirëpo unë nuk mund t’i përgjigjem pyetjes çfarë është shteti pa iu përgjigjur më parë pyetjes çfarë është individi, kush është e drejta e tij, çfarë është liria?

Nëse do të përpiqeshim të hulumtonim mbi një objekt, nuk do të mund ta perceptonim ndryshe përveçse një shumësi e pjesëve, ku kjo shumësi nuk përcakton hapësirën absolute, por hapësirën relative të pjesëve (ku edhe vetë objekti është një pjesë e së tërës, por përsëri tërësia nuk ka karakter absolut, por që demonstron një autoritet hetoronom të tipit hipotetik të kushtëzuar nga ai hapësinor në marrëdhënie me objektet e tjera në hapësirë).

Pra, siç duket aktiviteti i pjesëve përbërëse kushtëzon ekzistencën e tyre si edhe të vet objektit, njëkohësisht edhe domosdoshmërinë e relativitetit për të siguruar kësisoj ekzistencën e tyre. Pa shkuar më tej, po të jemi të vëmendshëm kuptohet qartë se hapësira ka një karakter deduktiv dhe jo absolut. Kjo mbështetur edhe tek Dekarti kur shprehet se: “objektet që tregojnë vartësi nuk kanë karakter absolut”.

Në të njëjtën kohë, këto pjesëza dhe objekte nuk kanë asnjë mundësi veprimi-bashkëveprimi (nuk marrin jetë) pa komponentin thelbësor dhe jetik të tyre, e që është “koha”, edhe kjo tashmë në nënndarjet e saj përbëhet nga çastet, dhe nuk ndalet këtu; e vetmja pikë ndalese e saj është këndi ku paraqet pikëlidhjen perimetrike si distancë të përshkruar në kohë.

Koha na paraqitet si një ent i pavarur dhe autonom në hapësirën përshkruese, e cila nuk kushtëzohet nga eksperienca, por sipas një vargu induktiv, karakteri i të cilës është rrjedhshmëria. Hapësira gjithashtu, nuk është një proces eksperimental, nuk varet nga përvoja, është një fenomen krejtësisht i dhënë në kohë, ku gëzon një autoritet heteronom–relativ.

Koha si një autoritet i pavarur nga ligjet natyrore dhe hapësira e rregulluar sipas ligjesh natyrore, gjithmonë, si dukuri relative, ekzistenca e të cilës demonstron si shkakësi domosdoshmërinë e një hapësire të jashtme që gjithsesi nuk varet nga koha dhe hapësira janë dy komponentë që e karakterizojnë nocionin e lirisë si një ide transhendente. Nuk është nevoja të shpjegojmë se koha dhe hapësira nuk përbëjnë lirinë absolute, përderisa e ekzistenca e tyre i atribuohet domosdoshmërisë se një shkakësie të jashtme. Kjo mbështetur edhe tek Dekarti kur shprehet se: “objektet që tregojnë vartësi nuk kanë karakter absolut”.

****
Sigurisht nuk do të mjaftonte një libër për të trajtuar përkufizimet e këtyre fenomeneve siç janë “koha” dhe “hapësira”. Si do të mund të shpjegohem më thjesht? Imanuel Kant në studimin e objektit dhe subjektit, studim i cili çoi në përfundimin e ndarjes se fenomenit nga noumeni si shkenca specifike të fushave të ndryshme: e para e perceptuar nga shqisat (perceptime ndijore; forma, objekte), e dyta, një koncept krejtësisht metafizik-ontologjik (njohja e të cilave është mundur vetëm nëpërmjet intelektit dhe intuitës së kulluar subjektive). Kanti arriti në konkluzionin se koha dhe hapësira megjithëse anëtare në botën e fenomeneve, për shkak të veçorive të tyre janë koncepte të kulluara (nuk kanë perceptim ndijor).

Si te shpjegohem më thjeshtë?

Po si do të mund të konceptoj ndryshe lirinë time përveçse si objekt natyror në kohë dhe hapësirë dhe si subjekt moral-ontologjik?! Mesa duket, nuk jemi krejt jashtë teme me këto dy koncepte të kulluara.
Shteti është një koncept abstrakt pa aktivizimin e njësive politike (e drejta e çdo qytetari për t’u përfshirë në problematikën publike). Tani mund t’i përgjigjemi pyetjes çfarë është shteti ose më mirë të themi pse ekziston shteti? -ngase ekzistoj “unë”, ngase ekzistojmë “ne”; pra grupet e interesit!

Nuk besoj se duhet ngatërruar pushteti me shtetin. Pushteti me rrotacionin e tij i përket një hapësire që konsumohet në kohë. Ndërsa, shteti është koncept më i gjerë. Shteti është gjithëpërfshirës, të paktën sipas konceptit kushtetues. Dhe, si i tillë nuk mund të mos përfaqësojë të gjithën, ku edhe përfytyrohet i gjithë konteksti kulturor, historik…fetar dhe përfundon me shtet-komb, identiteti i të cilit është rezistenca ndaj çdo tentative për ta shkëputur fenomenin nga konteksti përfaqësues. Shteti është gjithëpërfshirës (nuk mund të jetë gjithëpërfshirës nëse nuk është përfaqësues, nuk mund të jetë përfaqësues nëse nuk shpërfaq interesat e grupeve përbërëse).

Ndërsa pushteti konsumon vetveten, koha e karakterizon shtetin, si imperativ kategorik, kësisoj përfaqësues, si rrjedhim imperativ pozitiv. Pushteti karakterizohet si imperativ hipotetik, hapësinor- relativ i përcaktuar në kohë, vazhdimisht i ndryshueshëm, çka pasqyrohet edhe në atë legjislativ, vetëkonsumohet, si rrjedhim imperativ negativ (jo domosdoshmërish!). Shteti nuk është një ent absolut pasi përshkruhet nga koha dhe hapësira dhe përbëhet nga subjekte politike të cilat kanë karakter divergjente. Por është imperativ kategorik pikërisht se është përfaqësues.

Kështu i kemi dhënë edhe koncepteve të kulluara si koha dhe hapësira(aq sa mund t’i jepnim kuptim ne këtë hapësirë të shkurtër), te cilat nuk përbëjnë imperativin absolut, por i japin kuptim ekzistencës se objektit. Megjithëse në kontekste të caktuara jeni shumë origjinal kur ndani individin nga shkollari, besoj se pikërisht kjo është kontradikta që ju përshkruan si ju edhe Shtetin, në fakt, pushtetin.

Njëherë i drejtoheni individit si student/shkollar me të drejta të kufizuara në hapësirën publike, pastaj thoni se ne e mbrojmë pikërisht fëmijën si një individ që akoma nuk ka arritur moshën e pubertetit e jo më adoleshentin nga shtrëngimi prindëror. Pra kaloni tek fëmija‼! Ky qëndrim nuk kufizohet vetëm tek institucioni arsimor, por lë hapësirë edhe tek ai familjar. Shteti ndërhyn ne edukimin e fëmijës! Me gjithë respektin… është një absurditet i vërtetë të hamendësosh se shteti është më i preokupuar për fëmijën “tim se sa vete unë-prindi ” (përjashto këtu raste të jashtëzakonshme).

Ndërsa shteti është i preokupuar për qytetarin e shoqërisë, prindi; për njeriun/individin e aftë dhe të lirë. Nuk e kuptoj se si njeriu arrin në ndërgjegjësimin e tij si të prerë me thikë prej ligjesh të përcaktuar nga shteti.
Sinteza të tilla më çojnë nëpër mend Thomas More (banori utopik). Po edhe nëse është kështu (që shteti nuk ka qëllim tjetër përveçse të mbrojë fëmijën nga edukimi i shtrënguar i prindit), çfarë mund të themi për atë pjesë të këtyre individëve që më vullnetin e tyre vendosin një mënyrë të të veshurit, të të jetuarit… etj., (në rastin konkret shamia)? – a nuk do të ishte më e drejtë që të gjykoheshin rastet precedent, se për shkak të një të drejte, ne nuk mund të shtrëngojmë shumë të tjera, edhe kjo është një përplasje midis dy të drejtave! Sokrati thotë se ne nuk mund të ç’bëjmë një padrejtësi duke bërë një padrejtësi tjetër.

Por, prapë nuk është ky problemi kryesor. Ju profesor, e shikoni ndërgjegjen e individit sipas një procesi ndërveprimi me objektet rrethuese (shoqëria). Mirëpo, nëse nuk ekzistoj unë nuk ekziston shoqëria. Ja pra çdo me thënë shoqëri (objekti është shuma përbërëse e pjesëve, individi, shoqëria!) Ndërgjegjja pikësëpari arrihet nëpërmjet një procesi të të njohurit me veten, ndërsa ajo që ju pretendoni nuk është asgjë tjetër përveçse vlerësimi i tjetrit për mua, gjë e cila nuk përcakton medoemos ndërgjegjen e as vlerën reale të objektit. Ndërgjegjja është një fakt subjektiv, realizimi i saj është objektiv.

Ndërgjegjja, për shkak të veçorive që ka nuk është anëtare në botën e fenomeneve dhe si e tillë nuk përcaktohet nga ligjet natyrore aq më pak ato politike. Ndërgjegjja ka të bëjë kryekëput me arsyen, e cila nuk përkufizohet sipas ligjesh politike të mbivendosura. E kundërta është e saktë!

Mund të thotë dikush, po nëse një person dëshiron të kryej krime si do ta ndalojmë atë? Krimineli nuk ka moshë, fe apo kombësi. Jo pak herë dëgjojmë nëpër media se adoleshentët bëjnë terror në ambientet e shkollës me armë zjarri. Ky është edhe një faktor social. Po nuk e kuptoj, ku ishte shteti në këtë moment, pse dështoi në edukimin e qytetarit të shoqërisë? Kjo është më shumë një dështim i mungesës se pjesëmarrjes së prindërve. Faktori thelbësor në këtë problematikë është pikërisht vetë individi. Ne nuk mund ta bëjmë një njeri të mirë–të devotshëm me kufizime ligjore (ky ishte edhe një prej defekteve të Platonit), por ne mund ta ndalojmë atë që të bëhet i keq (kriminel). Siç shprehet edhe Aristoteli: fakti është se krimet e mëdha kryhen nga tejkalimet dhe jo nga nevojat!

“… në një cep rruge policia përkohësisht ka venë shenja që aty nuk kalohet, se ajo është duke marrë shenjat e një aksidenti që ka ndodhur…” –shembull i pagjetur. Është njësoj sikur në një emision të ftuarit në panel janë njoftuar për temën (shamia) …tjetra pyetet: a te lejohet të dalësh në media? Pa lidhje!
Nëse krahasojmë dy objekte me njëra-tjetrën, ne mund të dallojmë se njëra është më e madhe se tjetra, mirëpo krahasimi, nuk paraqet madhështinë që mbart vet objekti. Për të dalluar madhështinë e vërtetë të objektit, krahasimi më i mirë është ai i krahasimit të objektit me vetveten (Kanti).

Siç shpreheni ju, karakteri universal i Kushtetutës nuk pengon për miratimin e ligjeve të përkohshme/administrative. Besoj se pavarësisht se ligji është deduksion i neneve kushtetuese, ka një karakter universal në hapësirën për të cilën ajo lipset të aplikohet.

Nëse polici ka vënë një tabelë që ndalon kalimin e përkohshëm nga ajo rrugë, kjo vlen për të gjithë qytetarët. Përndryshe aplikimi i saj ka një karakter përjashtues. Pra ligji qe ndalon simbolet… (edhe pse nuk është përcaktuar se çfarë nënkuptohet me simbol), ka bërë jo rastësisht që debati të fokusohet tek veshja e muslimanes. Pra është përjashtues ndaj një kategorie të caktuar.

Le ta themi qartë dhe troç: që në thelb, ky nen i këtij projektligji ka një mashtrim. E këtë, e tregon vetë debati që po zhvillohet rreth tij. Ai është formuluar në frymën e ndalimit të të gjitha simboleve fetare, por diskutimi publik që e ka shoqëruar është fokusuar vetëm në një çështje: “te moslejimi i vajzave apo adoleshenteve që duan të shkojnë në klasat e tyre me shami në kokë”-shprehet Andi Bushati – Pra, në thelb, ai është paramenduar vetëm si sanksion ndaj një kategorie, një shtrese, një besimi: atij musliman.
-Gjërat e përsëritura nuk janë më rastësi!

Këtu po merr kuptim edhe refreni kaq i vështirë dhe i thjeshtë: liria jote mbaron aty ku fillon liria ime. Këtë herë jo me gardhin por me mua, me personin tim, individualitetin tim, me hapësirën time. Siç shprehet edhe Milton Friedman lëvizja e grushtit tënd kufizohet nga afërsia e mjekrës time.
Po ca grushti… po ç’mjekër …!
Bëhet fjalë për mënyrën time të të jetuarit, personin tim, identitetin tim, për elementët fillestarë të lirisë.
Po jo vetëm kaq, shteti i shoqërisë dëshiron ta veshë banorin e utopisë sipas shijesh dhe tekash tashmë të kthyera në ligj!
Ndërgjegjja kolektive…tingëllon si Marksiste. Gjithsesi, si ai i moderuari…!

Po edhe nëse qeveria nuk e miraton – shpreheni ju – unë do ta kritikoja qeverinë duke mbrojtur qëndrimin tim. “Parashikimi mund të bëhet shkak për ngjarjen që parashikon. Mund të mos kishte ndodhur po të mos ishte parashikuar. Po megjithëse ka thënë të vërtetën… nuk mund të themi se ai i është mbajtur një objektiviteti shkencor. Sepse ai (parashikuesi) ka përligjur parashikimin e tij duke ndikuar me qëndrimin personal” (Karl Poper). Pasion! Gjykim objektiv, sipas Kantit. Gjithsesi përjashtues!
***
Mendoj se janë pjekur kushtet që politika të vlerësojë më me kujdes interesat e përfaqësive fetare. Në Ditën e Bajramit, në sheshin e Tiranës, sipas medieve u falën rreth 70 mijë besimtarë-qytetarë, pa marrë parasysh rrethet. Të përkthyera në vota nuk janë pak. Vëmendja nuk duhet përqendruar vetëm tek komuniteti musliman, por edhe të komuniteteve të tjera, ku eksponentë të lartë të klerikeve fetarë janë shprehur se për çështje fetare reagimi duhet të jetë i përbashkët dhe përfaqësues…

Keni shkuar shumë larg do thoshit ju. Hapi sytë, bëhu më pragmatist. Këta janë militantë-turmë-tutelë. Këtu biem njëherësh dakord! Nëse ky është qëndrimi ynë për politikën, atëherë çdo popull meriton atë demokraci që ka!

“Në qoftë se kemi të bëjmë me një gjë të tillë siç është dija njerëzore, s’mund të parandiejmë sot atë që do të ndodhë nesër. Orvatje për këtë mund të ketë vetëm pasi parashikimi të jetë bërë parashikim” (Karl Poper).
**
Eshtë mirë që njeriu të mos merret me statusin civil të tjetrit, po edhe në qoftë se e bën…ndaj dhe parimet janë një dukuri relative, si të tilla nuk mund të kthehen në ligj, pasi ato karakterizojnë cilësinë e secilit objekt.

2011-01-09

_____________
Ky shkrim eshte botuar me pare ne gazeten Start. Botohet ketu, me dijeni te autorit.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *