Drejt cilës Evropë?






@font-face { font-family: “MS 明朝”; }@font-face { font-family: “Cambria Math”; }@font-face { font-family: “Cambria”; }p.MsoNormal, li.MsoNormal, div.MsoNormal { margin: 0in 0in 0.0001pt; font-size: 12pt; font-family: Cambria; }.MsoChpDefault { font-size: 10pt; font-family: Cambria; }div.WordSection1 { page: WordSection1; }

Besnik Sinani

Një sondazh i para një viti për Ballkanin tregonte se në vende që janë më pranë pranimit në Bashkimin Evropian (BE), si Kroacia, më pak sesa 20% e popullsisë mbështet futjen e vendit në BE, ndërsa në vendet që janë më larg pranimit, si Shqipëria dhe Kosova, mbi 80% e popullsisë mbështet futjen e vendit në BE.

Në vendet që janë anëtarë të BE janë të zakonshëm zëra prominentë euroskeptikësh, njerëz që janë të shqetësuar nga ideja e një supershteti ku vendimet për një fshat të Portugalisë merren në Belgjikë, ku politikat rregullatore të Brukselit diktojnë deri edhe licensat për bërjen e turshive, dhe krijimi i një monedhe të përbashkët rrezikon fleksibilitetin ekonomik. Në Shqipëri, ligjërimi politik për të ardhmen në BE të vendit është i mveshur kokë e këmbë me romanticizëm, i cili shënon BE-në si destinacioni ku jemi drejtuar të udhëhequr në një metafizikë historike.

Ka arsye të mirëfillta për këtë. Projekti i Evropës tregon se paqja, bashkimi dhe prosperiteti mund të arrihen në një kontinent i cili qe rrënuar e përcarë nga disa nga luftrat më gjakatare të historisë njerzore. Ky projekt ofron një model ambicioz të kombinimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut me prosperitet dhe siguri ekonomike për individin. Është normale që ky model të mbërthejë dhe imagjinatën shqiptare dhe në mënyrë të natyrshme të sjellë nxitjen e identifikimit me të. Por ky model sot është në rrezik për arsye që obligojnë shqyrtimin e politikave ekonomike përpara se të kenë të bëjnë me vizionet tona të metafizikës historike. Duke hedhur pyetjen “A mund të shpëtohet Evropa?,” fituesi i Cmimit Nobel për Ekonomi në vitin 2008 dhe ekonomisti i Universitetit Princeton, Paul Krugman, (The New York Times Magazine, 1.16.2011) adreson pikërisht politikat ekonomike e vecanërisht ato që kanë të bëjnë me unifikimin monetar evropian.

Qysh në gjenezë, projekti i Evropës së bashkuar shihte integrimin ekonomik si parakusht për integrimin politik. Në vitin 1950, ministri i jashtëm francez, Robert Schuman propozoi që vendi i tij dhe Gjermania Perëndimore të bashkonin prodhimin e qymyrit dhe çelikut, për të cilën Schuman deklaroi se ishte më shumë se thjesht një pazar i leverdisshëm, pasi Komuniteti i Qymyrit dhe Çelikut do ta bënte një luftë të ardhshme midis Gjermanisë dhe Francës “jo vetëm të paimagjinueshme, por edhe materialisht të pamundur.” Ky integrim ekonomik do sillte edhe unitetin politik. Ishte Komuniteti i Qymyrit dhe Çelikut që solli më vonë Shengenin e me rënien e diktaturave në Greqi, Spanjë e Portugali, si dhe rënien më vonë të komunizmit në vendet e Lindjes, edhe zgjerimin e mëtejshëm.

Krijimi i një monedhe të përbashkët, i euros, siç vë në dukje Krugman, ishte vetëm hapi i logjikshëm i këtij procesi. Avantazhet duken të qarta: nuk ka nevojë për shkëmbime valutore sa herë që kalohet kufiri, lehtësohet bërja e tregtisë si dhe forcohet uniteti evropian. Problemi, sipas Krugman, është se vende që adoptojnë një sistem të përbashkët monetar humbasin gjithashtu fleksibilitetin ekonomik. Përfitimet dhe dëmet që vinë nga një bashkim monetar janë në varësi të kushteve specifike dhe sasisë së shkëmbimeve tregtare midis vendeve, por mbi të gjitha, të anëtarësisë në një politikë fiskale të integruar.

Për shembull, shteti i Nevadës në ShBA dhe Irlanda kanë shumë ngjashëmëri ekonomike dhe njëra është pjesë e “zonës së dollarit” e tjetra e euros. Të dyja u goditën rëndë nga kriza ekonomike e veçanërisht nga “plasja e flluckës” në tregun e banesave. Por Nevada sheh një perspektivë më të mirë se Irlanda. Kjo vjen nga roli i shtetit federal në ShBA. Pensionistët në Nevada nuk do shqetësohen shumë nga politikat e taksave dhe uljet e rrogave të qeverisë lokale të shtetit të tyre, sepse ato që njihen në ShBA si pagesat nga Social Security dhe mbulimi shëndetsor, do të paguhen nga buxheti federal dhe fondet që iu dhanë bankave për të mbijetuar gjithashtu vinë nga buxheti federal. Për më tepër, forca punëtore amerikane ka lëvizshmëri më të madhe se forca punëtore evropiane, gjë që vjen, ndër të tjera, dhe nga përdorimi i të njëjtës gjuhë në ShBA. Në fillim të aplikimit të euros u ngrit pyetja nëse ajo do të funksiononte po aq mirë sa dollari, por Evropa nuk është e integruar në anën fiskale si Amerika dhe punëtorët gjermanë nuk mbulojnë në mënyrë automatike shpenzimet për pensionistët grekë, siç ndodh mes punëtorëve në shtetet e Amerikës. Në ShBA, sipas Krugman, bashkimi monetar funksionon sepse koincidon me një shtet i cili ka një qeveri të fortë qendrore, gjuhë dhe kulturë të përbashkët – elementë këto që nuk gjenden në Evropë.

Nga katër skenarët e mundshëm që Krugman parashikon të sjellë kriza evropiane, skenare që përfshinë që nga restrukturime të borxheve me pasoja të dhimbshme për popullsitë e vendeve në krizë, përballim të pasojave të “zhvlerësimit të brendshëm” që sjell ulje të mëdha në të ardhurat me shpresë se do sjellë stabilitet, apo qoftë dhe dalje e mundshme të ndonjë vendi nga zona e euros – edhe kjo me pasojat dhe dhimbjet e veta, varianti i katërt duket më optimisti, ai që Krugman quan: Ripërtëritje e Evropianizmit.

Në dhjetor, kreministri i Luksenburgut, Jean – Claude Juncker, dhe ministri i financave i Italisë, Giulio Tremonti, propozuan krijimn e “E-bonds” të cilat do t’u jepen vendeve evropiane nga një agjenci evropiane e huave dhe do të garantohen nga Bashkimi Evropian në tërësi. Kjo do sillte mbrojtje për vende me ekonomi të dobët nga rënia e konfidencës në investime apo nga huatë me kosto të larta. Në mënyrë praktike kjo do ishte hapi më i afërt drejt një “federate evropiane.” Por siç u pa edhe nga protesta e zyrtarëve gjermanë, kjo do sillte që qeveritë e fuqishme do duhet të ndihmojnë vazhdimisht ato më të dobëtat. Por kjo, thotë Krugman, është pikërisht ajo që na mëson krahasimi midis Nevadës dhe Irlandës dhe fakti pse dollari funksionon më mirë se euro.

E megjithatë, për momentin kjo nuk do të ndodhë. Nuk do ketë “E-bonds” dhe huatë që iu dhanë Irlandës, për shembull, ishin me 6% interes. Edhe nëse masat që po merren tani, vë në dukje Krugman, do të parandalojnë katastrofën ekonomike, kjo do të sillte vështirësi të thella ekonomike për shumë vende e për shumë vite, do ketë reperkursione politike dhe do përkeqsonte përshtypjet e ndërsjelllta midis popullsive “të qendrës” dhe atyre të “periferive”, ku ca do të shihen si Gobsekë të pangopur e ca si barrë e bezdisshme. Strategjia që kanë zgjedhur vendet e mëdha të BE – së, thotë Krugman, nuk do të funksionojë dhe këto vende do të duhet të vendosin nëse do mbartin përgjegjsitë dhe kostot e mbajtjes së vendeve të tjera të bashkimit, apo do t’i japin fund projektit që nisi në vitin 1950.

Teksa politikanët tanë shpërdorojnë retorikën e integrimit, mungon një debat serioz mbi çfarë sfidash na presin, cilat do të jenë kostot dhe përfitimet e hapave që do marrim dhe çfarë efektesh do të kenë këto hapa në të ardhmen e shoqërisë tonë. Teksa integrimi në BE është qëllimi ynë i deklaruar, është e paqartë se si do jetë e ardhmja evropiane dhe po aq e paqartë e ardhmja jonë. Ajo që është më problematike është se integrimi në BE është rrethuar tek ne me aureolën romantike që bën të pamundur debatin rreth pyetjes se drejt cilës Evropë po shkojmë. Nëse ky debat mungon, kjo do ishte më tepër indikacion se ne nuk kërkojmë të integrohemi, por t’i ngelemi Evropës në derë. Në thelb është dallimi midis integrimit dhe protektoratit. Tek e fundit, ndoshta, duhet kuptuar një popull që beson se çdo paqartësi që na ofron e ardhmja me parashikime kërcënuese ekonomike, do të jetë më e mirë se skëterra që kanë krijuar qeveritarët tanë.

Comments

  • Pyetja se drejt ciles Evrope po shkojme, eshte nje pyetje qe nuk i shqeteson shqiptaret, per sa kohe, ata e kane perjashtuar mendimin prej zhvillimeve te veta. Celesi i suksesit ne kete vend eshte, "te mos mendosh", apo t'ia ngarkosh barren e te menduarti, dikujt tjetri. Ne kete rast, shqitparet nuk duhet te mendojne per Europen. E vetmja gje qe duhet te mendojne, eshte, se si te zbatojne me mire ate qe Europa kerkon, ndersa ne lidhje me vleren e asaj qe thote Europa, nuk duhet te diskutohet. Pra, pyetjes se ne cilen Europe duhet te shkojme shqiptaret i pergjigjen: Kete e di Europa.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *