Çfarë e ndalon shaminë në shkolla?






Endri Xhafo

Kur pyet partizanët e projektligjit të ri për arsimin, pse janë kundër mbajtjes së shamisë myslimane në shkolla, një pjesë e tyre thonë: “Na mbytën myslimanët”! Ky nuk është argument. Disa të tjerë thonë: “Shkolla është laike”. E drejtë, por në këtë rast, as ky nuk është argument.

Laiciteti i shkollës qëndron në mësimdhënien e saj, në faktin se u mëson fëmijëve që Toka është e rrumbullakët, apo se ç’thotë Darvini për evolucionin e species. Laiciteti qëndron te ngulitja e dëshirës për të zbuluar të vërtetat shkencore dhe ngacmimin e kuriozitetit për t’i eksploruar ato më vonë, në mënyrë më të thelluar, në kuadër të studimeve të specializuara universitare. Laiciteti i shkollës dhe i institucioneve shtetërore në vetvete, buron në fakt prej laicitetit të shtetit.

Laiciteti i shtetit nënkupton ndarjen e shtetit nga feja, dhe për rrjedhojë, mosadoptimin e një feje zyrtare; zbatimin e ligjeve civile nga gjykata civile; lejimin e divorcit (aborti nga ana e tij i nënshtrohet një diskutimi sa fetar aq edhe etiko-profesional nga mjekësia) dhe në fund, sigurisht mësimdhënia.

Sot shtetet perëndimore janë laike, por niveli i laicitetit është i ndryshëm në vende të ndryshme (ndikimi i Zotit si qenie supreme në shoqërinë multietnike amerikane; ndikimi i katolicizmit në shoqërinë konservatore irlandeze apo edhe në atë portugeze, spanjolle e italiane; kundërvënia, shpesh e fortë, mes laicitetit të republikës dhe trashëgimisë kulturore të popullsisë në Turqi; ndikimi i ortodoksisë në Greqi, përkundër laicitetit si vlerë absolute në Francë). Në një vend si Shqipëria, ku feja nuk ka luajtur rol në formëzimin e identitetit kombëtar, përkundrazi, “feja e shqiptarit… [ka qenë] shqiptaria”, laiciteti duhet ruajtur me po atë kujdes që përpiqej ta injektonte Vaso Pasha në vitin 1880.

Thënë kjo, laiciteti në Shqipëri merr edhe vlerën e garantit të harmonisë fetare. Por projektligji i ri për arsimin në një pikë të tij, duket se rrezikon pikërisht këtë harmoni. Komuniteti që mund të lëndohet në mënyrë më të drejtpërdrejtë është komuniteti mysliman, sepse ndalimi i shenjave fetare mund të shënjestrojë më së shumti shaminë myslimane, si shenja e jashtme më e dukshme e përkatësisë fetare. Kjo nuk thuhet shprehimisht në projektligj dhe në këtë pikë, ai është i mangët.

Vetë pika që e ndalon “ekspozimin e simboleve fetare në institucionet arsimore (përveçse në shkollat ku mësohen lëndë fetare)”, gjendet në kreun III, ku parashikohet: “Drejtimi i Sistemit Arsimor Parauniversitar”. Si e tillë, ajo më shumë mund të merret si një masë administrative për organizimin e shkollës si institucion, sesa si një rregullatore e aspektit të jashtëm të nxënësit si individ. Por, kjo duhet sqaruar më tej, për të mos i lënë vend në praktikë interpretimeve sipas dëshirës. Në listën e përkufizimeve, në nenin 3 të projektit duhet fiksuar përkufizimi i “shenjës fetare”. Çfarë është ajo? Kryqi, gjysmëhëna, ylli i Davidit, të vëna mbi tabelën e zezë në krye të klasës, apo edhe riprodhimet e këtyre objekteve si stoli vetjake? Çfarë e diferencon shaminë myslimane me të cilën një vajzë e re, pudike ndaj vështrimit të meshkujve, mbulon kryet, nga një shami e hedhur mbi flokë si aksesor mode? Projektligji lipset të jetë i qartë në këtë pikë dhe të përcaktojë që në krye të herës se çfarë konsiderohen “simbole fetare” të ndalueshme.

Shamia apo kryqi si stoli nuk e cenojnë thelbin laik të shkollës. Nëse nxënësit do të ndaloheshin me ligj për t’i mbajtur këto, sikurse e kërkon një rrymë e opinionit publik, kjo do të cenonte në radhë të parë të drejtën kushtetuese për besimin fetar (Kushtetuta, neni 24.1) dhe do të përbënte një diskriminim për shkak të besimit apo të shprehjes së besimit, që ndalohet si nga Kushtetuta (neni 18.2), nga ligji për mbrojtjen nga diskriminimi (neni 10.1), por edhe nga vetë projektligji për arsimin (neni 6.2). Këtë kontradiktë, projektligji duhet ta zgjidhë në favor të lirive individuale. Nëse ndalimi i mbajtjes së shenjave fetare vetjake do të çonte në përjashtimin nga shkolla të fëmijëve (sikurse ka ndodhur), kjo do të ishte një shkelje e hapur e Kushtetutës, e cila garanton të drejtën për arsimim (Kushtetuta, neni 57.1 ).

Sigurisht, edhe Kushtetuta, edhe ligji për mbrojtjen nga diskriminimi, e lejojnë kufizimin me ligj të të drejtave dhe lirive, por vetëm kur kufizimet janë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë dhe kur ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive. Në rastin e ndalimit të shenjave fetare vetjake në shkolla, cila do të ishte kjo “përligjje e arsyeshme dhe objektive”? Laiciteti i shkollës, sigurisht që jo! Sepse laiciteti, e thamë, qëndron te mësimdhënia dhe ambientet e përbashkëta, që administrohen nga shteti.

E vërteta, që nuk na pëlqen ta themi me zë të lartë, është se ndalimi i “shenjave fetare” shënjestron më së shumti myslimanët. Bezdia që një pjesë e opinionit publik ndjen prej besimtarëve praktikantë, lidhet pikërisht me aspektin e jashtëm të djemve me mjekër e pantallona treçerekëshe dhe të vajzave me shami në kokë. Për shumëkënd islami jo vetëm është demode, por nuk është as besimi origjinal i shqiptarëve. Mendohet se ai bie ndesh me aspiratën europiane të popullit shqiptar, në rrugëtimin e tij drejt një Europe të ngritur mbi trashëgiminë kulturore judeo-kristiane. Reagimi i asaj rryme që është kundër mbajtjes së shenjave fetare në shkolla, e ka origjinën pikërisht në këtë pavetëdije kolektive, të përzier me objektivitetin historik. Po ashtu, ekziston një amalgamë “islam/botë arabe”, që qëndron varur si një rrezik i përhershëm, sa kohë formimi i kuadrove fetare vazhdon të bëhet në vende me islam radikal si Arabia Saudite. Ndaj, edhe në këtë pikë, flladi që fryn nga shkretëtirat arabike rrezikon të acarojë racizmin anti-islam.

Por, ligjbërësit dhe ligjvënësit duhet të ngrihen mbi paragjykimet shoqërore dhe të sigurohen se kuadri ligjor që hartojnë dhe miratojnë, respekton Kushtetutën dhe parimet themelore të të drejtave të njeriut. Në Shqipëri nuk ekzistojnë “përligjje të arsyeshme dhe objektive” për t’u kufizuar të drejtën vajzave myslimane për të shkuar në shkollë me shami. Shamia e besimtareve myslimane në Shqipëri nuk është kurrsesi shprehje e një veçimi apo mbylljeje në vetvete e një komuniteti etnik, që ndihet i përjashtuar nga grupi etnik kryesor. Kjo mund të jetë e vërtetë në Francë, ku presioni asimilues i një republike centralizuese bie ndesh me mbylljen në vetvete të komuniteteve etnike të paintegruara, madje të përjashtuara nga zhvillimet e shoqërisë, shembull i dështimit të një modeli të caktuar social, kundër të cilit ngrihet brezi i dytë e i tretë i emigracionit magrebin (algjerianë, marokenë e tunizianë). Vërtet që në Shqipëri shamia është për vajzat myslimane një mënyrë jetese që refuzon disa nga normat e jetës perëndimore, por për vetë specifikat e islamit shqiptar, i cili bashkë me dy fetë e tjera të mëdha janë nënkategori të identitetit kombëtar, nuk bëhet fjalë kurrsesi për refuzim të vlerave themelore të republikës, as të laicitetit të saj. Ndaj, asgjë nuk i ndalon në Shqipëri vajzat myslimane që të shkojnë në shkollë me kokën e mbuluar. E kundërta do të ishte shprehje e intolerancës!

Marre nga Gazeta Shqip, 1.22.2011

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *