U prish dynjaja!





Ramadan Ramadani

Titulli mund të shpie shumë lexues të kujtojnë se në këtë shkrim do bëhet fjalë për ngjarjen më të madhe momentalisht në botë. Lëvizja që po transformon Egjiptin. Lëvizje kjo që qëllimisht nuk e emërtoj revolucion pasi mendoj se është edhe më e madhe se kjo dhe se do transformon shumëçka në historinë e botës. Që në fillim më duhet të shfaq hapur pamundësinë time tani të shkruaj për këtë, pasi kjo kërkon më shumë se një shkrim dhe ende më shumë lexim. Tani dhe këtu mund vetëm të themi se dikujt është duke iu prishur dynjaja por jo atyre që po protestojnë për të drejtat e tyre në Kajro dhe qytete tjera; ata kanë përkrahjen e madhe nga gjithë njerëzit liridashës në botë, përfshirë edhe vogëlsinë time.

Të kthehemi te titulli që është pjesë e një dialogu në një tregim që kishim në librat e letërsisë në shkollë fillore. Tregimi i shkurtër që kishte për qëllim edukimin e brezave të ri me soc-realizmin, mbaronte me një dialog ku një hoxhë thoshte se është prishur dynjaja kurse heroi i përrallës ia kthente; jo, jo Hoxho, por u prishën planet e tua!

Një hoxhë normal nuk ka plane të veta për dynjanë. Aq më pak përlyet me punë dynjaje sa të tregon se për kënd saktësisht duhet votuar dhe të cilëson, pa kurrënjëfarë argumenti, lëvizje të tëra si haram! Hoxha i tregimit, sa do që aty ishte i portretizuar si “reaksionar” nuk pati ndonjë plan. Plane trivjeçare, pesë vjeçare (Mubaraku i bënte për shtatë vite!) patën ata komunistët që me tregime donin të na bënin diçka tjetër nga ajo që ishim. Gjithë atyre planeve ju ndodhi si në barsoletën ku në një fshat aq të impresionuar nga planet e partisë; prindërit kishin vendosur t’ia lënë emrin një foshnjeje të porsalindur: Plani. Dhe kur fëmija si fëmijë kryente nevojën fiziologjike ata nuk guxonin të tregojnë se pse kundërmon erë në dhomë. Vetëm një plak që ose ishte i çiltër ose aspak nuk i frikohej autoritetit të partisë komuniste; duke mos mundur të duron më erën kundërmuese e tha troç: u … plani pesëvjeçar!

Ashtu shpesh i ndodh dikujt të i prishet ndonjë plan e ai ose ajo të kujton se është prishur dynjaja.

Feja nuk ka lidhje me shumëçka nga ajo që i atribuohet, por ka lidhje përmirësimi të gjithçkaje në këtë botë. Por, me që e kundërta e kësaj po proklamohet, neve duhet të dimë si të ruhemi dhe ku është zgjidhja. Kjo sigurohet nëpërmjet dy parakushteve, e i pari nga këto është përfaqësimi. Përfaqësimi i vërtetë i fesë bëhet sipas kriterit dhe principit brenda fetar dhe kushdo që gjatë historisë ka dashur që të simulojë përfaqësim të fesë apo fetarëve me kritere tjera pos atyre të shëndosha fetarisht, pra dijes dhe drejtësisë, e ka pësuar. Gati gjithmonë mu nga ky përfaqësim dallash.

Poashtu, së dyti duhet ditur se jo vetëm që nuk duhet injoruar arsimimi fetar, bile edhe ai i inkorporuari në shkollimin publik, por duhet ndihmuar me gjithë mundësitë për aktualizimin e tij. Kjo sepse padituria është baza e përgjithshme edhe e mëkatit por edhe e gjithë veprimeve të gabuara. Të paramendojmë për një çast nëse një analiste e jona e nderuar do kishte ditur për fenë, si temë për të cilën zgjedh të shkruajë, në ikje nga temat politike, atëherë ajo nuk do kishte rrëshqitur dhe sharruar siç i ndodhë kështu dy herë në vit! Unë vazhdoj të mos sugjeroj asgjë por e di se kur ik nga politika nuk është patjetër të shkruash për sende që nuk i din. Mund të shkruash për moshën ose klimën, për ngrohje globale, diplomaci me shkelje syri e shumë e shumë tema tjera; që do ishin shumë interesante për neve lexuesit. Nëse duam të dimë mu nga feja mund të mësojmë se si në të vërtetë prishet dynjaja?

Gjatë komentimit të traktatit mbi kredon të Imam Tahaviut, një dijetari të njohur klasik mysliman, një tjetër dijetar eminent, Ibën Ebil Izz el-Hanefi, sjell në një mënyrë koncize tre grupet dhe llojet e njerëzve nga të cilat vjen prishja e dynjasë, thënë më saktë: fesadi (fesati). Përkatësisht në këtë traktat të njohur klasik mbi kredon islame, që gjatë shekujve ka qenë dhe është referencë e pashmangshme për kuptimin e çështjeve të besimit, përcaktohet se nga këto tre grupe, të parët janë sundimtarët e padrejtë që imponojnë politika të kundërta nga feja, të dytët dijetarët të cilët i japin përparësi mendimeve dhe interesave të tyre para ligjit fetar dhe të tretët, adhuruesit të cilët praktikojnë sipas shijes dhe epshit të tyre e jo sipas argumenteve fetare.

Këto fjalë të shkurtëra janë përkthimi dhe sqarimi për tre grupet që sjellin çoroditjen në botën, e cila është edhe subjekt i fesë. Kjo ngase edhe pse tanimë ka libra e publikime voluminoze dhe të shumta të kohës së fundit mbi këto tema neve sërish na duhet të kemi çelësin për njohjen e kësaj dukurie, e çelësi është në mundësinë e identifikimit tonë të këtyre grupeve.

E para, kur pushteti me politika të padrejta dhe jo të shëndosha përzihet në ndonjë çështje fetare, qoftë kjo edhe me qëllim të kontrollimit, ajo sjell prishje, pasi parimisht është një ndërhyrje nga jashtë dhe sjell pasoja të mëdha e nga më të rrezikshmet. Kjo sepse sjell humbje të ndjenjës për mbrojtje tek vetë njerëzit e fesë si dhe krizë të përfaqësimit të tyre. Shohim që nga kohët e kahershme por edhe nga këto aktuale, se nëse shteti ose pushteti dikund dëshiroi që dikush i “veti” ta përfaqësojë fenë, si reaksion ajo më vonë u përfaqësua nga dikushi “krejt tjetër”.

E dyta, kur kemi të bëjmë me njerëz dhe dijetarë të fesë të cilët janë të (në gjuhën e sotme) korruptuar, apo (me të vjetrën) të prishur dhe japin përparësi intereseve të tyre politike, materiale apo të tjera gjëra tokësore para atyre të çiltërta dhe thjesht fetare.
Dhe grupi i tretë prej njerëzve që duan të praktikojnë fenë pa dituri dhe vetëm nga ajo që atyre ju vjen për së mbari.

Pra nëse ende nuk është “prishë dynjaja” meritën e ka feja e pastër e cila në mësimet e veta, përveç tjerave, mëson se robërit e vërtetë të Zotit janë ata të cilët nuk dëshirojnë që në dynja të ketë as kryelartësi e as fesat, pra prishje të saj.

Marre nga Gazeta Koha e Re

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *