@font-face { font-family: “MS 明朝”; }@font-face { font-family: “Cambria Math”; }@font-face { font-family: “Cambria”; }p.MsoNormal, li.MsoNormal, div.MsoNormal { margin: 0in 0in 0.0001pt; font-size: 12pt; font-family: Cambria; }.MsoChpDefault { font-family: Cambria; }div.WordSection1 { page: WordSection1; }

Besnik Sinani

Romani që e bëri të njohur në botë shkrimtarit egjiptian, Alaa al Asuani, “Pallati Jakubian,” mund të përshkruhet ndryshe si kronika e formimit të një militanti. Taha el Shazli, figura qendrore e romanit, është një djalë i ri që nëpërmjet punës dhe disiplinës në shkollim synon të shkollohet për një nga karierat më të preferuara në Egjiptin e viteve ’90: oficer policie. Duke qenë se ai është i biri i një rojtari të thjeshtë të pallatit Jakubian, nuk ka njohjet e lidhjet e duhura për arritjen e ëndrrës së tij, dhe shteti vendos që ai do bëhet agronom.

Ndërkohë vajza me të cilën Taha ka rënë në dashuri, detyrohet nga varfëria të punojë në një dyqan këpucësh ku abuzohet seksualisht nga pronari dhe kjo sjell dhe fundin e dashurisë së dy të rinjve. Ndërkohë, teksa Taha është i dedikuar jetës së tij fetare, ai radikalizohet vetëm pas vajtjes në fakultetin e agronomisë, kur dimensionit fetar i bashkangjitet retorika politike opozitare e islamistëve kundër regjimit diktatorial të Mubarakut.

Taha arrestohet sapo i kapet literaturë politike e ndaluar nga regjimi dhe, ndonëse nuk është anëtar i asnjë organizate, akuzohet si anëtar i grupeve terroriste dhe torturohet brutalisht. Ngjarjet po ndodhin gjatë luftës së parë në Gjirin Persik, pas pushtimit iraken të Kuvajtit, dhe në kundërshtim ndaj sentimentit popullor, klerikët e regjimit mbështesin luftën e koalicionit amerikan kundër Irakut, gjë që krijon dikotominë midis përfaqësuesve ‘hipokritë’ të fesë dhe ‘të sinqertëve’. Duket sikur me të gjitha rrugët e shprehjes politike të mbyllura nga regjimi, militantizmi i dhunshëm mbetet e vetmja përgjigje e mundshme politike.

Këto referenca nuk janë thjesht produkt letrar. Një nga figurat më të njohura militante të viteve ’60-’70, Mustafa Shukri, ishte student në fakultetin e agronomisë, dhe një nga kategoritë e sulmuara më së shumti prej tij ishin klerikët që konsideroheshin si shërbëtorë të pushtetit. Ai u arrestua në vitin 1965 për mbajtje literature politike të ndaluar dhe radikalizmi i tij i skajshëm ndodhi pas torturave në burg.

Ai që konsiderohet si traktati frymëzues i grupeve militante myslimane si Al Kaida, libri “Shenjat në rrugë,” i intelektualit Sejid Kutb (ka shumë studiues që kundërshtojnë këtë lidhje mes librit të Kutb dhe militantizmit) ishte produkt i eksperiencës së Kutb në burgjet egjiptiane të Naserit, ku edhe u shkrua. Njerëz që e njohën Kutb në atë kohë kanë thënë që tezat e tij më radikale, si argumentimi i ligjshmërisë së luftës së armatosur kundër qeverisë, ishin produkt i drejtpërdrejtë i torturave në burg.

Sipas dëshmive të njerëzve që e kanë njohur në burg numrin dy të Al Kaidës, pediatrin Ajman Zauahiri, ajo që Zauahiri nuk do i falte kurrë pushtetit të Mubarakut nuk ishte thjesht tortura, por fakti që, nga ç’është treguar, shteti arriti ta thyejë atë gjatë torturave. Kronika më rrënqethëse që ne kemi nga burgjet e Egjiptit janë kujtimet e aktivistes politike të Vëllazërisë Myslimane, Zejneb el Gazali.

Ashtu si Ajman Zauahiri i Al Kaidës, Taha i romanit të Alaa al Asuanit, thyhet gjatë torturave dhe për këtë hakmerret gjatë një atentati ndaj njërit prej krerëve të policisë sekrete, pasi ishte bërë tashmë anëtar i një organizate militante që synonte rrëzimin e pushtetit. Taha nuk tenton të largohet e të shpëtojë pas atentatit dhe pret të vritet nga forcat policore. E tija është vetëm një prej historive dramatike të jetëve të njerëzve që shteti i Mubarakut u kish vjedhur aspiratat, ëndrrat, dashuritë, shpresat…

Qysh kur u shpall pas sulmit të 11 Shtatorit, Lufta kundra Terrorizmit është kritikuar për ambiguitetin e vet në mungesën e një sheënjestre e qëllimi të qartë. Sidoqoftë, është pranuar ndërkaq se regjimet totalitare të Lindjes së Mesme kanë qenë laboratorët ku është prodhuar militantizmi fetar i cili qëndron mbrapa akteve të terrorizmit në rajon e përtej tij. Rënia e njërit prej diktatorëve më brutalë të Lindjes së Mesme është një fitore ndaj realiteteve që kanë prodhuar dhunën politike në këtë rajon.

Edhe në traktatet e veta politike, al Kaida ka vendosur sulmet kundër Perëndimit jo si qëllimin primar të aktivitetit të tyre, por të ndërlidhur më qellimin primar të rrëzimit të regjimeve të Lindjes së Mesme si ai i Mubarakut. Këto regjime, që al Kaida i quan “armiku i afërt,” sipas mendimit të tyre, qëndrojnë në pushtet për shkak të mbështetjes së Perëndimit, kryesisht ShBA, pra “armikut të largët.” Regjime si ai i Mubarakut, sipas tyre mund të rrëzohen vetëm me luftë të armatosur dhe sulmet terroriste synojnë ta bëjnë sa më të kushtueshme për Perëndimin përfshirjen e tij në Lindjen e Mesme, apo mbështetjen për regjimet aleate aty.

Protestat në Egjipt dhe Tunizi provuan se grupe si al Kaida janë krejtësisht të gabuar në analizën e tyre. Megjithatë, këto ngjarje nuk do bindin njerëz si bin Laden të heqin dorë nga lufta e tyre, por rrëzimi i tiranive do e bëjë më të vështirë për grupe si al Kaida për të rekrutuar të rinj si Taha i romanit të Asuanit. I pyetur nëse ngjarjet në Egjipt përbëjnë një mundësi të mirë për al Kaidan, një nga njohësit më të mirë të grupeve militante të Lindjes së Mesme, gazetari Peter Berger, tha se do ishte një mundësi për al Kaidan vetëm nëse revolucioni dështon, çfarë do bëjë të mundur që al Kaida të pretendojë se regjimet si ai i Mubarakut nuk mund të rrëzohen nga protesta paqesore popullore, por vetëm me akte dhune, si ato për të cilat al Kaida apo grupet që i kanë paraprirë, kanë vite që propagandonjnë.

Rënia e Mubarakut nuk është fitorja përfundimtare në këtë luftë ndaj dhunës politike të prodhuar nga politikat e këtij gjysmëshekulli në Lindjen e Mesme, sepse ka ende diktatorë të tjerë, por edhe sepse ende nuk dimë rrugën në të cilën do ecë revolucioni, ç’rol do luajë ushtria etj. E megjithatë, rënia e Mubarakut është një fitore e rëndësishme në luftën e popullit egjiptian për një rend më të drejtë e të lirë, si dhe një fitore e rëndësishme kundra realiteteve që kanë prodhuar terrorizmin në Lindjen e Mesme.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *