Xhamia e Re!





 

Armir Taraj

Fillimi i viteve ’90. Nëpër gjysëm-gërmadhat e depos se vjetër me tavan të harkuar lart si lugë e përmbysur e veshur me zift, luanim me shokët në pushimet e gjata ose pas shkolle. Nuk na kujtohej mirë se c’kishte qenë më parë ky objekt i braktisur, por kishte qenë gjithmonë në fund të kodrës ku qëndronte shkolla jonë, masive, muret e bardha, taraca e zezë, e rëndë, e neglizhuar. Tashmë ishim mësuar me pamjet e shkatërrimit të gjithkundshëm e gjendja e re e mjerueshme e saj na dukej si një formë normale ekzistence. Na bezdiste pak fakti se qoshet e depos ishin kthyer në nevojtore e na irritonte era e rëndë që shoqëron pashmgangshëm këtë funksion, por gjithsesi edhe ne përfitonim nga ky relaksim i rregullave shoqërore për të lehtësuar trupin tonë sipas nevojës.

Duhet të kem qenë në klasë të gjashtë ose të shtatë kur erdhën punëtorët e parë dhe filluan nga shembja e ndërtesës së vjetër. Nuk na erdhi keq. Më pas vendi i zbrazur u rrethua me një gardh të përkohshëm dhe punëtorë të tjerë e materiale ndërtimi filluan të vinin. Mbaj mend që ishim tepër kuriozë të dinim se ç’po ndërtohej vallë në vend të depos së shëmtuar, dhe në fillim sikur nuk na jepnin përgjigje të sakta. Vërtiteshim rreth sheshit të ndërtimit dhe pasi bënim pak muhabet me punëtorët e lodhur e të pluhurosur, mundoheshim të merrnim vesh se ç’po ndërtonin por dukej sikur kjo pyetje nuk u pëlqente. U krijua njëfarë misteri i pakuptueshëm. Kur muret me tulla të kuqe arritën lartësinë e tyre më të lartë dhe njëfarë strukture e rrumbullakët filloi të marrë formë sipër tyre, dikush tha se e kishte marrë vesh se ç’do ndërtohej. Po ndërtohej një xhami e re për fshatin tonë.

 

Në fillim e pritëm me dyshim zbardhjen e misterit, gjë normale pas cdo zbardhjeje misteri, por pastaj dyshimi ja la vendin kureshtjes e gëzimit të përmbajtur. Sa mirë, do kishim më në fund xhaminë tonë. Xhamia e re. Kjo sepse fshati ynë e kishte një xhami të vjetër, një ndërtesë e thjeshtë katërkëndëshe me çati tjegullash të murrme, e vendosur në varrezat e pjesës së vjetër të fshatit. Kisha qenë dy-tri herë tek kjo xhami për raste Bajramesh me gjyshin dhe më kishte pelqyer atmosfera e saj. Kishte një qetësi të çuditshme, ndoshta të theksuar nga varrezat përbri dhe nga selvija e gjatë që i bënte hije. Por ishte më tepër se gjysëm ore larg në këmbë nga fshati i ri, ku ndodhej shkolla e dyqanet, e ku jetonte pjesa më e madhe e njerëzve, dhe besimtarët shkonin atje vetëm të premteve. Tani s’do kishim më nevojë të shkonim aq larg, sepse do kishim xhaminë tonë të re, kaq afër, mu përballë shkollës, e kaq të madhe e të bukur.

Përveç kupolës që po merrte formë, puna kishte filluar edhe tek minarja, dhe kjo na ngacmonte më shumë se çdo gjë. “A thua sa të gjatë do e bëjnë vallë?” Kjo ishte pyetja që gjithkush bënte e të gjithë e imagjinonim atë shumë, shumë të gjatë. Tani ishim shumë të sjellshëm me punëtorët dhe mundoheshim ti merrnim me të mira e tua bënim qefin sepse kështu ata do punonin më shumë e minarja do dilte më e gjatë. Minarja doli vërtetë e gjatë, por jo aq sa e imagjinuam ne…disa nga ne u merzitën, por si ngushëllim patëm kapuçin metalik me majucë të minares i cili shkëlqente fort nga dielli e na pëlqeu shumë. Fantazia jonë e re tani ishte të hypnim lart në minare e të dilnim njëherë në ballkonin e saj e atje të thërrisnim “zanin” ashtu siç bënte hoxha në xhaminë e vjetër, e që ne mendonim se e bënte si ngrohje të fytit para se të fillonte të këndonte suret në xhami gjatë namazit. Për këtë na duhej të prisnim me padurim ditën e hapjes së xhamisë, e cila gati kishte perfunduar, dhe po rrethohej me një mur te shkurtër e po zbukurohej me një bahçe të vogël.

Dita e çeljes

Isha i sigurt që fshati ynë nuk kishte parë ndonjëherë gëzim më të madh të përbashkët. Ceremonia e hapjes së xhamisë së re kishte ditë që ishte lajmëruar dhe xhamia ishte zbukuruar më së miri me shirita me ngjyra e me drita që ndizeshin natën. Kur dita e premte e çeljes erdhi më në fund, dukej sikur krejt fshati ishte mbledhur në oborrin e vogël të xhamisë e përreth saj për të marrë pjesë në këtë gëzim. Drejtuesit e xhamisë, nuk e kishim marrë vesh akoma kush do ishin ata, po vononin në hapjen e dyerve, e dukej se turma do fillonte të shtypej pas dyerve nëse kjo vonesë zgjaste dhe ca. Më në fund dolën para nesh të ftuarit e nderit, disa hoxhallarë të mëdhenj nga Komuniteti Musliman i Shqipërisë, një përfaqësues i qeverisë, imami i zgjedhur i fshatit, i nderuari Ali Koçi, e disa njerëz nga paria e fshatit, e në mënyrë simbolike u pre shiriti i kuq e xhamia e re u deklarua e hapur.

Të gjithë u gëzuam e brohoritëm, ndërsa filluan të qarkullojnë llokumet e karamelet. Shtytjet e bërrylat u shpeshtuan e pasi e kollufitëm nga një llokume shpejt e shpejt e hoqëm këpucët, arritëm të futemi brenda e të zëmë një vend nga mesi i sallës së mbushur plot. Pas thirrjeve të shumta të imamit e rojes së rreptë të xhamisë, i cili me sa duket ishte zgjedhur me kujdes, u vu njëfarë qetësie, e prishur herë pas here nga ndonjë e qeshur kokëfortë, e më në fund imami e mori fjalën e na uroi mirëseardhjen në xhaminë tonë të re të cilën na tha “e gëzofshi”. Imami foli qetë e me respekt për të gjithë ne, e na shpjegoi proçesin e faljeve të ditës së xhuma, falje të cilën do e kryenim pas pak të gjithë. Imami na shpjegoi se si kryhet abdesi, e na tha se kësaj rradhe na falet nëse nuk kemi abdes se është hera e parë, por herën tjetër duhet të merrnim abdes para se të vinim në xhami. Na u duk si këshillë e arsyeshme, pasi as vetë nuk donim të faleshim pas dikujt që s’i kishte larë këmbët e s’do na kushtonte gjë që të lanim duart, sytë e këmbët para se të hynim në xhami herë tjetër.

Pas porosive të hoxhës, u thirr ezani e u ngritëm të gjithë për faljen tonë të parë në xhaminë e re.

Emocioni ishte i çuditshëm, respekt, frikë, gëzim, kureshtje, turp, ndrojtjte, krenari, çudi…

Momentet e para pas thënies Allahu Ekber dhe ngritjes së duarve tek veshët ishin krejt të qeta e serioze, por pas këndimit të fjalëve të para nga ana e hoxhës në arabisht, dikush ja plasi gazit e aq deshëm e të gjithë filluam të kakarisim nën zë. Dëshira për të qeshur e për tu çliruar ishte shumë e fortë dhe megjithëse kafshova buzën për tu përmbajtur, s’durova dot e ja krisa dhe unë…hihihi…sa gallatë…po falemi…

E mblodha veten me vështirësi dhe arrita të përkulem e të çohem lart përsëri pas hoxhës pa qeshur, por kur u ulëm përtoke e prekëm ballin në shesh, aty filluan të qeshurat edhe më keq. Ndoshta të nxitur nga pozicioni i cili na e fshihte fytyrën e çlironte ndrojtjen, apo ngaqë shumë nga ne s’ishim përulur kurrë kaq poshtë në këtë formë respekti të ekzagjeruar, por ndoshta dhe nga imazhi i shokut tonë përballë në pozicionin më të përshtatshëm për një shkelm të mirë e të gjithëve na kapi gazi në këtë pozicion që më pas mesova se quhej sexhde.

Falja e parë përfundoi duke dhënë selam në të djathtë e në të majtë me një lëvizje të ngadaltë të kokës që dukej sikur kishte si kriter mos shkëputjen e mjekrës nga trupi e që ne mësuam ta bëjmë me shumë kujdes e krenari. Më pas të gjithëve na u dha një “tour” i ambjenteve të xhamisë, dhoma e vogël ngjitur me sallën e faljeve ku na u tha se do ishte zyra e imamit dhe klasa e xhamisë ku mund të vinim të mësonim për fenë e përdorimin e kompjuterat, ambjentet e abdesit, bahçja përreth dhe vendi më i mistershëm, shkalla spirale e errët e minares.

Sigurisht që nuk na lanë të hipnim lart, por unë e shokët e mi ramë menjëherë dakort që të vinim rregullisht në xhami derisa të fitonim besimin e imamit e të na linte të ngjisnim minaren.

Ajo ditë e madhe dhe e gëzueshme për krejt fshatin tonë përfundoi me sukses. Ne u kthyem në shtëpitë tona me krenari që kishim një objekt të ri të përbashkët në fshat të cilin do e gëzonim të gjithë. Edhe gjyshi im me pleqtë e tjerë të fshatit ishin të lehtësuar që nuk do detyroheshin të ecnin deri tek xhamia e vjetër të premteve, e për më tepër do mund të falnin edhe vaktet e tjera në xhaminë e re. Dy-tre javët e para pas hapjes së xhamisë, une me shokët e mi erdhëm shpesh për tu falur dhe rreshtat e xhamisë ishin plot. Në fillim akoma na vinte për të qeshur gjatë ritualit të faljes, por pak nga pak u mësuam me seriozitetin e situatës dhe u ndjemë më rehat. Numri i besimtarëve që faleshin rregullisht erdhi duke u pakësuar vazhdimisht dhe pas disa javësh vetëm dy rreshtat e parë mbusheshin gjatë vakteve të ditës. Gëzimi dhe euforia e ditës së madhe të çeljes së xhamisë ja la vendin si problemeve kronike të llojeve të ndryshme ashtu edhe përvojave jo dhe aq të mira. Por kjo është një histori tjetër…

Comments

  • shkrimi me ngjan me ato tregimet bajate qe na detyronin te analizonim ne shkolle, ku tregohej se sa mire nen partine u bene reforma te thella, u zhduken zokonet prapanike, feja etj. Keto tregime psh tregonin se kur hoqen kafshet nga fshati, per ti bere elozhe tufezimit, tregohej gezimi qe ndiente femija sepse kishte kohe te lire te mesonte, te shihte televizor etj. per me te vegjlit kishte versione monolog lope, ku laramania shprehte gezimin qe nuk do te rrinte me vetem ne shtepi po do e ngryste jeten ne stalla plot drite. Ilustrimi artistik per politiken e shemtuar te propozimit te ndertimit te xhamise, eshte turp i madh qe vjen nga pena e muslimaneve dhe reklamohet nga blogjet e muslimaneve! te pakten foto ilustruese ti perkiste xhamise se re te fshatit

  • Njerezit nuk kane pse te kene te njejtat shije e kesisoj as te pelqejne te njejtat gjera. Te jap te drejte Elton edhe tek ankimi per perzgjedhjen e fotos ilustruese, por me duhet te ve ne dukje teprimin ne quajtjen e ketij shkrimi ashtu si dhe postimit si, citoj, "turp i madh." Cfare personalisht vleresoj tek ky shkrim dhe te tjere te ketij autori jane sjellja e perjetimeve personale nga perballja e tij fillestare me fene ne dimensione te ndryshme: si femi, ne familje, si student jashte, ne maredhenie me bashkombas jo fort miqesor ndaj fese. Pikerisht ngase perpiqet te sjelle perjetime personale, keto prurje mund te mos pelqehen, por nuk mund te komandohen. Gjithmone flm qe viziton kete faqe.

  • pergezoj Amirin per ciltersine qe ka ne te shkruar dhe qe mundohet te sjelle perjetimet e tij personale te kaluara pa asnje kompleks qe shpesh rrealiteti shqiptar mundohet te imponoje me zor…ne nje shkrim te mepershem te "shkretin" ne fb desh e nxorren nga feja, ketu po e quajne debatikas e gati gati po e akuzojne per agjitacion e propagande!!!

  • Edhe pse ka kohe qe qenka postuar ky shkrim une tani e lexova dhe kujtova edhe njehere ato vite te hershme, qe i takojne edhe brezit tim. Mua me pelqeu shume pershkrimi i Admirit dhe m'u kujtua nje pjese gati e ngjashme e perjetimeve te mia kur faleshim per here te pare dhe kureshtja qe kishim per skutat e xhamise, plus rastet sa here i shkundnim tapetet dhe qilimat e xhamise me shoqet dhe fshinim pluhurat e saj vetem per hir te besimit qe sa kishte zene fill tek ne. Une u kenaqa shume duke e lexuar rrefimin e kendshem me nje shije te holle prej narratori te Admirit dhe me vjen mire qe ka guximin dhe deshiren te ndaje me te tjeret pervojat, perjetimet dhe kujtimet e tij. Selam!

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *