Ramadan Ramadani*

Opinioni shqiptar në ditët që kaluan u rëndua me tri vrasje të trishtueshme. Në luginën e Preshevës u vra një vogëlush gjashtëvjeçar, Nijazi Ibrahimi. Në Tiranë u shtyp me makinë një këngëtare e njohur, Emmy Idershai. Dhe në Gjermani një shqiptar qëlloi për vdekje dhe vrau dy ushtarë amerikanë. Prej vrasjes së parë kaloi disa kohë dhe ngjarjet më pas e mbuluan aktin që na kujtoi se e keqja më e madhe është gjithmonë brenda nesh. Ishte një vrasje që tronditi shqiptarët e Luginës dhe më gjerë dhe na kujtoi gjithë neve se sa të këqij mund të jemi vetë dhe për vete. Kjo pasi i dyshuari kryesor në këtë krim ishte një shqiptar.

Përplasja ose vrasja me makinë në orë të vona të këngëtares në Tiranë na kujtoi se shqiptarët kanë marrëdhënie mes vete edhe për t’u vrarë e masakruar. Dhe tani kryesisht na duhet të merremi me pasojat e përkeqësimit të marrëdhënieve ndërnjerëzore mes shqiptarëve në Shqipëri dhe atyre të Kosovës. Mjafton të përcillet ndonjë forum interneti në shqip për të parë, nga komentet që bëhen aty, përmasat e shtuara të urrejtjes ndërshqiptare.

Dhe akti i tretë makabër dhe në thelb anarkik që ka tronditur ndërkombëtarisht shqiptarët kudo që janë, është vrasja në Gjermani. Potencojmë se është anarkik pasi mu edhe nga kjo karakteristikë asgjë nuk mund ta justifikojë fetarisht këtë vrasje, meqë fetarisht po përfolet kjo vrasje. Pra sipas asnjë hoxhe e asnjë qitapi nuk mund të justifikohet një kësi veprim. Sidomos në kësi budallallëqe globale nuk hyjnë shqiptarët që edhe kur e dinë botën globale ende njëqind vjet mbeten të zënë duke u marrë me padrejtësitë që u janë bërë këtu lokalisht!

Pasi ndodhi kjo shqiptarët u përkujtuan përveç për atë që kanë ditur që moti se askush nuk mund të bën zapt dynjanë e tërë; tani edhe atë se në kësi botë globale nuk mundesh të bësh zapt as veten. Ashtu sipas raportimit në media një shqiptar me prejardhje nga Kosova dhe shtetësi gjermane, me nofkë arabe, që falej pas një hoxhe maroken, kishte dashur që sipas tij të hakmerret për çështje nderi në Afganistan, të cilat i ka parë në Jutube amerikan!

Ashtu përveç gishtit, në këtë krim nuk kishte gjë tjetër shqiptare. Shqiptarët me krejt çka kanë dhe kudo që janë reaguan dhe u distancuan. Prej këtyre reagimeve më kuptimplote ishte reagimi i Bashkësisë Islame të Kosovës; i vetmi institucion fetar islam funksional dhe legjitim në trojet shqiptare. Dhe një ligjërim në xhuma i njërit prej hoxhallarëve të këtij institucioni kosovar, Fatmir ef. Latifi, ku shumë ashpër dënohet edhe krimi edhe autori!

Por ka një aspekt të reagimeve dhe pjesëve të reagimit, kyesisht të organizimeve politike në trojet shqiptare ku theksohet dashuria dhe mirënjohja jonë shqiptare ndaj SHBA-ve. Në këtë rast mendoj se këto pjesë janë të panevojshme, pasi krimi nuk është bërë në emër të kurgjëje shqiptare, por në rastin kur reagimin e bëjnë disa parti dhe organizime politike ai ndonjëherë duket edhe qesharakisht i shëmtuar.

Kjo shkaku se bëhet nga aktorë që në kohë rishtazi kanë qenë ose janë në veprim kundërshtues me atë çka paraqesin amerikanët nëpërmjet ambasadorëve të tyre në trojet shqiptare. Mjafton të përcillen peripecitë që dalin në opinion të ambasadorëve amerikanë në Tiranë dhe Prishtinë. Kurse kolegu i tyre në Shkup tani më haptazi bën brifing për media ku merret me analistët si nuk kanë komentuar mjaftueshëm porositë amerikane që i janë dhënë kryeministrit maqedonas gjatë vizitës së fundit në SHBA. Përmendja e mediave dhe analistëve tregon shumëçka por mund të kuptohet edhe ajo se tani janë hequr duart nga mundësia e përmirësimit të politikës nëpërmjet përfaqësuesve shqiptarë kur ajo të jetë bashkëpjesëmarrëse në pushtet me kësi kryeministër!

Kështu arrijmë deri tek titulli i këtij shkrimi për ta shpjeguar atë po edhe për ta freskuar rëndimin e këtyre rreshtave serioze sa vet vdekja dhe vrasjet. Titulli është refren nga një këngë tallava që shpesh këndohet në ahengje dhe dasma shqiptare. Leximi dhe komenti sipërfaqësor i këtyre rreshtave është mu kjo që shpesh bëjnë politikanët tanë kur hyjnë në manovrime politike që nuk duken se janë të aprovuara nga përfaqësues të SHBA-ve. Pra ai lexim thotë se vullnetit të ndonjë djali ose goce nuk kanë çka i bën as SHBA-të. Por edhe pse tallava kjo këngë flet për dashuri dhe romancë. Nuk duket se do jetë njësoj në politikë. Neve mbetet të shohim kurse ata vetë mandej i bartin pasojat e atyre veprimeve.

Por ka edhe një lexim të këtij refreni që sipas meje e bën këtë pjesë të këngës argumentin më të mirë të proamerikanizmit shqiptar. Kjo ngase tallavaja dhe ekstremizmi i gjithë llojeve vijnë thellë nga errësirat e nënvetëdijes. Mund të mos dij shumë për tollovinë zhurmuese të këngëve tallava, por duke qenë teorikisht i pajisur me dije për shumë lloje ekstremizmi ndiej të njëjtën zhurmë kumbuese tek të dyja këto paraqitje. Argumenti i këtij refreni për proamerikanizëm të shqiptarëve qëndron mu në atë; kur edhe në kësi këngë Amerika dihet si superfuqi dhe përmendet edhe tekstualisht, kjo dëshmon për respektin deri në admirim të asaj çka përfaqësojnë SHBA-të për shqiptarët!

Tani pa qenë askund në këto tre ngjarje shahemi befas neve shqiptarët e Maqedonisë. Sa herë që ndër shqiptarë hapet biseda për fe e xhami neve etiketohemi me lloj-lloj etiketash. Ne këtu jemi trashë shumë nga gjithë etiketat dhe stigmatizimet që na bëhen nga fqinjët tanë me të cilët ndajmë një shtet, por kjo ende na vjen shumë e dhimbshme kur vjen nga bashkëkombës tanë nga Shqipëria ose Kosova. Ashtu trajektoria e akuzave edhe tani në këto raste nis prej Tirane; ku mes krejt akuzave të riaktivizuara sërish nga vrasja e këngëtares ndodh edhe ajo me “fanatikë e talibanë”; atëherë këta thonë jo nuk jemi ne janë ata të Maqedonisë! Ne u lodhëm këtu brenda duke sqaruar se edhe në Maqedoni nuk janë krejt shqiptarët myslimanë dhe nuk janë gjithë myslimanët shqiptarë; disi të balancojmë mes islamofobisë dhe albanofobisë. Kjo për shkak se ende nuk dihet se cila nga këto dy fobi shton më shumë urrejtjen ndaj gjithë asaj që është shqiptare në këtë vend. Fobi këto që si rezultat përfundimtar sjellin sëmurjen e një shoqërie të tërë; pasi kjo që moti e ka bërë shtetin jofunksional.

Për neve thonë se jemi vëllai i vogël i shqiptarëve dhe na trajtojnë si në përrallat e moçme; në ato përralla vëllai i vogël është ai që më së shumti i përjeton mundimet. Neve jemi dakord me pozicionin e vëllait të vogël përkundër krejt mundimeve që mund të përjetojmë. Ajo pak që kërkojmë në këmbim është të dihet se edhe pse jemi pak, ne jemi si maja e bukës për shqiptarinë; pa ne nuk është e plotë dhe nuk zë shqiptaria.

Nuk duam që askush kolektivisht të na shajë ose paragjykojë sidomos jo për fenë të cilën nuk e kemi bërë projekt politik. Kjo shkaku se nga ligjësitë e vëllazërisë është të kuptohen rrethanat në të cilat jetojmë. Ne në Maqedoni kemi të bëjmë me fqinjë të cilët fenë institucionalisht e përdorin për qëllime politike.

A ka argument më të madh për këtë se akti i themelit të institucionit fetar të fqinjve tanë është bërë në partinë komuniste të atëhershme? Neve na mbijnë për çdo ditë kisha politike, kryqe të pakuptimta mbi qytetet tona dhe favorizohet politikisht po i njëjti institucion fetar. Pra përkundër krejt këtyre provokimeve nëse ende nuk kemi bërë projekte politike fetare ne dalim maja më e vetëdijshme ndër shqiptarë që më së drejti e kemi kuptuar thënien e moçme se pa vatan nuk ka iman. Dhe jemi ata që mundemi të gjithë ti mësojmë se edhe pa pasur njerëzit iman nuk bëjnë, mbajnë dhe mbrojnë dot vatan.

*Autori eshte opinionist ne gazeten Koha E Re ne Shkup dhe Imam i Xhamise Isa Beg po ne Shkup. Artikulli eshte mare me leje te autorit nga gazeta Koha e Re

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *