Nga Sam Haselby*

Në ç’mënyrë mund ta krahasojmë revolucionin egjiptian me atë amerikan? Një krahasim të njëmendtë as që mund të ketë. Deri më tash revolucioni egjiptian është më mbresëlënës dhe më i rëndësishëm.


Në Shtetet e Bashkuara revolucioni amerikan konsiderohet ‘ histori e shenjtë’. Për rrjedhojë amerikanët mëtojnë ti shoqërojnë slloganet dhe simbolet e tij me tërësinë e konceptit se si mund të jetë një revolucion. Nëse veçantia e këtij zakoni do ti bëhet pengesë amerikanëve ne njohjen e kuptimit të ngjarjeve në Egjipt atëherë që të dyja këto vende mund të humbasin shumë.


Për udhëheqësit e revolucionit amerikan, Amerika koloniale ishte vendi i përshtatshëm për mobilizimin dhe begatimin e shoqërisë brenda të cilës jetonin. Brenda kontekstit evropian, patriotët amerikanë i përkisnin një klase te vogël xhentëlmenësh. Asnjë shoqëri evropiane nuk i lejonte pjesëtarëve të kësaj klase role të spikatura në jetën politike ashtu siç kolonitë britanike i ofruan amerikanëve. Kur këta njerëz u rebeluan kundër Mbretërisë Britanike për taksat e larta dhe për më shumë liri, ata njëkohesisht ishin prej njerëzve me të lirë dhe më pak të taksuar të botës perëndimore!


Një krahasim historik


Për këtë rebelim hipokrit të skllavopronarëve amerikanë në emër të lirisë, shkrimrati anglez Samuel Xhonson formuloi frazën më thumbuese e cila pati jehonë për shumë vite: “ Ç’ndodh kështu, klithmat më të larta për liri dalin prej atyre që tërheqin gjithë ditën prej kapistalli zezakët nëpër plantacione?”, pyet i revoltuar Xhonsoni.


Në dallim për sa më sipër populli i Egjiptit për dekada jetoi nën një diktaturë ushtarake mizore. Regjimi i Mubarakut e çoi gati drejt shkatërrim klasen e mesme e cila një herë e një kohë ishte zemra vibrante e shoqërisë egjiptiane. Familja e Mubarakut, sipas të dhënave të fundit, arriti të grumbullojë rreth 70 miliardë dollarë asete, shumicën të depozituar në bankat e huaja apo të investuar në pasuri të patundshme. Në dallim prej revolucionarëve të lirë dhe të pasur amerikanë, revolucioni në Egjipt e pati burimin tek të varfërit dhe të shtypurit.


Numri i pjesëmarrësve në Egjipt ishte gjithashtu më i lartë. Në 1776-ën, vitin e rebelimit amerikan kundër Britanisë së Madhe, në kolonitë amerikane banonin më pak se tre milionë kolonë.


Në Egjipt punëtorët nga Heluaniu , Kuesna dhe rajone të tjera të vendit i’u bashkangjitën demonstruesve në Kajro në luftë për të drejtat e 83 milion egjiptianeve. Kurajoja e protestuesve në Egjipt tërhoqi dhe frymezoi dhjetëra,qindra miliona njerëz në Magreb, Levant, Gjirin Persik dhe botën mbarë. Kurse patriotët amerikanë pavarësisht ftesave dhe pushtimit nuk arritën të bindnin dot as Kanadanë që ti vinte në ndihmë.


Rreziku më i lartë


Egjiptianën jo vetëm që ngritën krye për një qëllim shumë më fisnik por u përballën me një rrezik shumë herë më të madh. Luftëbërja në shekullin e XVIII ishte krahasimisht një sipërmarrje më e qytetëruar.


Tek Britania e Madhe, patriotët amerikanë panë jo vetëm një kundërshtar të largët, të hapërdarë dhe të shpërqëndruar për shkak të luftërave në kontinetin evropian por edhe të përçarë për faktin se ç’do të bënin me kushërinjtë e tyre rebelë përtej Atlantikut.

Ndërsa egjiptianët nga ana e tyre marshuan përmes rrotave bluajtëse të makinerisë kriminale të një shteti policor të konservuar nga miliardat e dollarëve. Mbrojtja e tyre e vetme u bënë kamerat dhe pjesëmarrja masive. Patriotët amerikanë kurrë sdo t’ia kishin dalë mbanë pa ndihmën e Flotës Franceze, ndersa popullin egjiptian nuk e ndihmoi kush, qoftë Kombet e Bashkuara apo deklaratat e ndonjë OJQ-je. Pavarësisht këtyre dallimeve drastike kemi një aspekt të revoltës egjiptiane i cili duhet të rezonojë me përkorjen e amerikanëve për revolucionin e tyre.


Revolucionarët frëng dhe ata bolshevikë, revolucionet e të cilëvë amerikanët i kundërshtuan, kërkuan nje transformim rrënjësor të rendit botëror. Egjiptianët në dallim nuk artikuluan ambicie të tilla, por ngjashëm me pararendësit revolucionarë të amerikanëve kontemporanë, ata thjeshtë kërkojnë reforma politike. Besoj se askush nuk e vë në diskutim që egjiptianët e meritojnë këtë gjë.


Shtetndërtimi


Egjiptianët mbase mund të kenë zgjedhur rrugë më të drejta luftimi se homologët e tyre amerikanë por duhet të themi se patriotët amerikanë në përfundim dolën me fryte më të mira sesa ç’diktonte rruga e keqe së cilës ju futën.


Ishin liritë esenciale qe patriotët amerikanë shijonin të cilat paradoksalisht ndihmuan në përgatitjen për sfidat që pasuan fitoren e Revolucionit Amerikan.


Juristët e Anglisë së Re dhe latifondistët e Çesëpikut në shekullin e XVIII treguan aftësi dhe zgdërvjellësi të jashtëzakonshme ne qeverisje, shtetndërtuese dhe konstitucionale. Aftësia e tyre lidhet pikërisht me të qënit të lirë.


Me ç’andralla duhet të përballen egjiptianët gjatë procesit të ndërtimit të një qeverie përfaqësuese dhe të përgjegjshme ndaj ligjit? Kjo mbetet për tu parë . Shanset janë në duart e tyre ashtu siç është mbi ta edhe vëmendja e botës mbarë.


*Autori është asistent profesor ne departamentin e Stdudimeve Amerikane pranë Universitetit Amerikan të Bejrutit. Nga viti 2007 deri në vitin 2010 ka qënë mik i ri pranë Harvard Society of Fellows dhe kohët e fundit ka përfunduar së shkruari veprën studimore me titull The Origins of American Religious Nationalism, 1776-1832 ( Origjina e Nacionalizmit Fetar Amerikan 1776-1832) mbi rolin e nacionalizmit dhe fesë gjatë revolucionit dhe republikës së hershme amerikane.

Origjinali në gjuhën angleze është publikuar fillimisht ne faqen e internetit Al Jazeera English online.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *