Reforma institucionale e gylenistëve ka sjellë ndryshime të mëdha statutore ku kryetari aktual mbetet në hije


Këshilli i Përgjithshëm, në mbledhjen e sotme, ka sjellë një sërë ndryshimesh radikale në konfigurimin e KMSH-së. Kanë qenë rreth 50 nene të statutit dhe të rregullores së brendshme të cilat janë ndryshuar, duke krijuar tashmë një realitet të ri mbi mënyrën sesi do të menaxhohet ky institucion. Ajo që spikat në këto ndryshime, është heqja e kompetencave të Kryetarit Selim Muca dhe kalimi i këtyre kompetencave në funksion të Sekretarit të Përgjithshëm. Sipas këtyre ndryshimeve, posti i Sekretari i Përgjithshëm është suprimuar duke i lënë vëndin atij të Kancelarit, i cili tashmë, do të ketë rol dominues në jetën institucionale të KMSH-së.


Sipas ndryshimeve statutore Kancelari do të menaxhojë të gjithë veprimtarinë e këtij institucioni, gjë që, deri më tani ka qenë atribut i Kryetarit Muca. Jo vetëm kaq, por ndryshimet e reja parashikojnë që Kryetari dhe Nënkryetari të zgjidhen me votim të hapur, jo të fshehtë, siç është vepruar deri më tani, gjë që do të shtojë mjetet e presionit në duart e nurxhinjve që drejtojnë këtë operacion institucional brenda KMSH-së. Me pak fjalë KMSH-ja ka forcuar kompetencat e Sekretarit të Përgjithshëm, duke lënë në hije Selim Muçën. Kryetari Muça bëhet pa pushtet dhe rolin kyç tashmë do ta luajë Ali Zajmi, ish Sekretari i Përgjithshëm, tashmë Kancelar, që i përket grupit gylenist brenda KMSH-së. Ky grup, ka mundur të verë në dorën e vet, në mënyrë të plotë institucionin më të madh fetar në vend, megjithëse i përket një sekti të ndryshëm dhe në minorancë nga e tërë pjesa tjetër e muslimanëve në Shqipëri.

Muça: Vokshi ka koruptuar gjykatën

Gjithashtu, në rendin e ditës kanë qenë edhe ndryshimet statutore për drejtoritë e reja të krijuara pas ndryshimeve të ardhura prej shkarkimeve që lidhen me grupin Vokshi. Ndërkohë, vendimi i Gjykatës, i cili rikthen Vokshin në KMSH, është kundërshtuar, duke vendosur për apelimin e këtij vendimi në shkallë të tjera të gjyqësorit. Në mbledhje, ky vendim është konsideruar i pa drejtë, ku dhe Kryetari Muca u shpreh se, Gjykata ka qenë e koruptuar, dhe se Vokshi ka paguar para për të fituar gjyqin. Për këtë arsye KMSH-ja, siç është shprehur edhe më parë, do ta ndjekë këtë proces në shkallë të tjera më të larta të gjyqësorit.

Këshilli: Jo projektit të Bashkisë për Xhaminë e re

Këshilli i Përgjithshëm vendosi gjithashtu se nuk do të miratojë projektin e Xhamisë së Re të planifikuar nga Bashkia e Tiranës. Refuzimi, ka të bëjë kryesisht me vendin e ndërtimit të xhamisë, ashtu siç është bërë e ditur më herët nga Kryesia e KMSH-së, sipas të cilës trualli i ofruar nga Bashkia nuk garanton siguri për pronësinë. KMSH-ja do të kërkojë që Xhamia e Re të ndërtohet në truallin e namazgjasë, aty ku ky projekt ka nisur të ndërtohet rreth 15 vjet më parë, dhe ku ndërtimi është ndërprerë. Megjithëse projekti i bashkisë ka qenë një projekt i refuzuar nga shumë aktorë të jetës fetare në Shqipëri, duket se ka një ndërhyrje të politikës në këtë qendrim. Takimi i Mucës me Kryeministrin, ku mori sinjalin se Rama po mashtronte besimtarët, si dhe fakti që këto hapa ndërmerren në kohë fushate elektorale, janë disa prej arsyeve që i bëjnë shumë njerëz të jenë skeptikë ndaj motiveve që shoqërojnë guximin e KMSH-së për të kundërshtuar Bashkinë.

Gjithsesi, në thelb, mbledhja e sotme konkludoi në vendosjen e një sundimi të plotë të gylenistëve në KMSH, gjë që do të thotë se jetën fetare të muslimanëve në Shqipëri, do ta drejtojë një grup i vogël dhe margjinal, i cili vjen nga jashtë jetës xhematore të xhamive tona.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *