Në një konferencë për shtyp të para ca ditëve, Komuniteti Musliman Shqiptar deklaroi se,

Këshilli i Përgjithshëm i KMSH ka mirëpritur nismën e vonuar për ndërtimin e xhamisë së re në Tiranë që në fillimin e saj, por në arritjen e këtij objektivi, Këshilli i Përgjithshëm konstaton mjaft pasiguri, derisa nuk është zgjidhur leja e sheshit të ndërtimit dhe shpronësimi i sipërfaqes së truallit që nuk është në pronësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe paqartësi të tjera.


Skepticizmi i këtij komenti ndaj projektit të Bashkisë së Tiranës për ngritjen e një xhamie të re pason një prononcim të mëpërparshëm të kreut të KMSH, Selim Muca, në një takim me kryeministrin Berisha ku ai haptazi mori një anësim politik kundra kreut të opozitës dhe kreut të bashkisë, z. Rama.

I njëjti skepticizëm që dallohet në deklaratën e KMSH – së ka kohë që gjendet në debate e forume muslimanësh shqiptarë. Xhamia e re e propozuar nuk duket të ketë karakteristikat që do adresonin një nga arsyet kryesore pse kjo xhami e re nevojitet, hapsirën për të akomoduar besimtarët të cilët jo vetëm në festat e mëdha të muslimanëve si Bajramet, por edhe në faljet javore të xhumasë, u duhet të falen në oborret e xhamive duke u përballur me kushtet e papërshtatshme klimaterike dhe me mungesën e qetësisë dhe dinjitetit që kërkon akti i faljes. Hapsira që i dedikohet kësaj xhamie, pozicionimi i propozuar ngre shqetësime në lidhje me përmbushjen e kritereve estetike të nje tempulli. Por këto probleme mos ngrihen asnjëherë si pyetje se si bashkia mendon ti adresojë por paraqiten shpesh si prova për mungesën e sinqeritetit të kreut të bashkië dhe si manovër elektorale.

Meqë jemi tek manovrat elektorale, i njëjti grup njerëzisht që nuk ngrurojnë të tregojnë preferenca politike të djathta, nuk ngrenë pyetjen tjetër, se nëse ky është projekti me të meta i propozuar nga bashkia, cfarë propozon kandidati i djathtë për zgjedhjet bashkiake në lidhje me këtë kërkesë të hershme të muslimanëve të kryeqytetit? Gjer më sot e djathta ka denoncuar planin e Ramës si jo adekuat por nuk ka ofruar asgjë.

Zëra të tjerë ndër muslimanë, të cilët duket të jenë më simpatizues ndaj të majtës kanë vënë në dukje pikërisht këtë fakt duke debatuar se së paku kreu aktual po ofron një projekt, i cili edhe pse nuk përmbush kërkesat e muslimanëve dhe larg eksponentëve të dy tempujve të tjerë të qendrës, të katolikëve dhe ortodoksëve, së paku është dicka. Por dhe ky argument duket minimalist dhe nuk adreson pyetjen thelbësore, për mendimin tim, të këtij debati: pse ndërtimi i një xhamie duhet të kalojë nëpër të tilla debate që nuk u panë në rastin e asnjë prej ndërtimeve të kishave; pse projketi për një xhami duhet të jetë pjesë e një projekti bashkiak të mbivendosur në jetën e bashkësisë së besimtarëve kurse tempujt e konfensioneve të tjera reflektuan vizionin, nevojat dhe mundësitë e komuniteteve përkatëse?

Në qendër të debatit për xhaminë, përtej përshtatshmërisë së këtij projekti për të adresuar nevojat në hapsirë dhe parametrat e një tempulli fetar, qëndron cështja e margjinalitetit të bashkësisë muslimane, rrënza ku kërkojnë ta degdisin politikat identitare trashigiminë kulturore dhe komunitetin e sotëm islam në Shqipëri, në thelb të debatit për xhaminë, arsyeja pse në fakt ky debat po ndodh – një debat që nuk e pamë për kishat ortodokse dhe katolike – është dhe cfarë publicisti Ardian Vehbiu cilëson si një “një tërheqje e myslimanëve si komunitet nga jeta publike.”

Politikanët kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë bujarisht në diskursin dhe në politikat që shkaktojnë këtë margjinalizim e këtë “tërheqje” dhe debati për xhaminë, për mënyrën dhe për nga premisat se si po zhvillohet është produkt i drejtëpërdrejtë i këtyre politikave, i frymës dhe atmosferës që ngul këmbë të mohojë vendin legjitim dhe hapsirën komunitare të muslimanëve në shoqërinë shqiptare, ngulmon në paraqitjen e muslimanëve si të huaj, të përjashtuar nga konsensusi dhe solidariteti kombëtar. Kërkesa më se legjitime për xhaminë duhet të jetë pjesë e një artikulimi të këtyre shqetësimeve muslimane, të cilat, për cdo kënd që ka mend, janë shqetësime për cdo shqiptar.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *