@font-face { font-family: “MS 明朝”; }@font-face { font-family: “Cambria Math”; }@font-face { font-family: “Cambria”; }p.MsoNormal, li.MsoNormal, div.MsoNormal { margin: 0in 0in 0.0001pt; font-size: 12pt; font-family: Cambria; }.MsoChpDefault { font-family: Cambria; }div.WordSection1 { page: WordSection1; }

Besnik Sinani.

Kur Evropa Lindore dhe Qendrore u përfshi në valën e transmormimeve politike që do sillnin rrëzimin e bllokut lindor, shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe fundin ideologjik të socializmit si alternativë ndaj modelit perendimor ishte e qartë se kush ishte modeli që këto vende do emulonin: demokraci liberale dhe ekonomi e tregut të lirë. Francis Fukuyama, një studiues i shkencave politike në ShBA, në atë kohë shkroi rreth fundit të evolucionit politik të shprehur si fundi i historisë, ide që reflektonte besimin e epokës se ky model demokracie liberale, tregu të lirë dhe përqafimi të globalizmit është i vetmi model i mundshëm drejt të cilit herët a vonë do avancojnë të gjitha shoqëritë.

Dy dekada më vonë, teksa bota vëren valën e revolucioneve që ka përfshirë shoqëritë arabe, modeli nuk është më i qartë për ato që shpresohet të jenë demokracitë e reja të Lindjes së Mesme. Disa arsye përmenden për këtë pasiguri: Vetë perëndimi nuk gëzon të njëjtën siguri si në epokën e optimizmit të viteve 1990, sic e quan atë kohë kolumnisti i Financial Times, Gideon Rachman në librin e tij të fundit, Zero – Sum Future. Kriza ekonomike, rënia e momentit unipolar të ShBA, rënia e besimit tek modeli i globalizmit që supozohej të sillte përfitim për të gjithë janë disa nga arsyet. Por ka arsye të tjera lokale që lidhen me strukturën sociale specifike të vendeve të rajonit të Lindjes së Mesme. Egjipti ka një shtresë të mesme profesionale shumë më të zhvilluar nga shoqëria me strukturë të fuqishme solidariteti fisnor si Jemeni. Mbretëri si Maroku nuk kanë burime financiare si ato të mbretërisë saudite për të ‘blerë’ stabilitet. Por një pyetje që ngrihet vecanërisht me urgjencë këto kohë nga sektorë të ndryshëm të shoqërive arabe por dhe në Perëndim ka të bëjë me rolin e forcave politike islamiste dhe se sa janë të dedikuara ato ndaj proceseve demokratike.

Në shumë nga këto shoqëri, represioni politik i më shumë se gjysëm shekulli pavarësie nuk ka lejuar zhvillimin e forcave politike, nacionalizmi arab i artikuluar nga Naserizmi dhe partitë bathiste ka marë fund si ideologji në rajon, dhe në këto kushte të vetmet forca politike të organizuara edhe pse shpesh në gjysëm ilegalitet kanë qenë partitë islamiste ku sigurisht përfaqsuesja kryesore është Vëllazëria Myslimane në Egjipt. Nëse këto forca dalin grupet dominante fitimtare nga revolucionet arabe, cfarë vizioni politik kanë ato, kush ka qenë natyra e aktivizmit të tyre politik, cfarë vizioni kanë këto forca në lidhje me marëdhëniet me grupe të tjera politike dhe shoqërore? Sigurisht që shumë nga këto pyetje ngrihen duke patur në mend eksperiencën e Revolucionit Iranian ku lëvizja popullore me përfshirjen e disa grupeve shoqërore që nga klerikët, komunistët e gjer tek grupet feministe u mor nën kontroll nga pasuesit e Khomenit që u kthye më pas të ngrinte një teokraci që luftoi aleatët e dikurshëm përfshi klerikët që e kundërshtuan, krijoi një politikë anti-perendimore dhe kufizoi liritë politike, shoqërore dhe individuale. Disa nga intelektualët më të njohur të Lindjes së Mesme si Fehmi Huejdi e të tjerë kanë vite që ngulin këmbë se rasti i Iranit dhe shoqëria Iraniane në 1979 ishte shumë më ndryshme nga shoqëritë arabe sot. Por një tjetër model duket të jetë shumë më relevant në këtë kontekst, ai i Turqisë, ku në një sistem demokratik gjendet në pushtet një parti me rënjë islamiste e udhëhequr nga një lider populist, Rexhep Tajip Erdogan.

Dilema reth Islamistëve.

Shumë nga këto pyetje janë rezultat i ambiguitetit si dhe mosnjohjes që egziston vecanërisht në Perëndim rreth organizmave politike islamiste në rajon. Cdo vend dhe cdo organizëm politik ka karakteristikat e veta dhe nuk do mund të trajtohen në kufijtë e këtij shkrimi specifikat e secilës prej tyre. E megjithatë, për disa arsye, do shërbente të fokusoheshim tek Egjipti. Grupi më i rëndësishëm islamist në Egjipt, Vëllazëria Myslimanë, është organizata mëmë e organizatave të tjera islamiste në rajon e më gjerë dhe Egjipti ka një rol qendror në rajon në aspektin e influencës kulturore e politike.

Vëllazëria Myslimane në Egjipt ka qenë objekt studimi i shumë akademikëve e megjithatë vepra më e rëndësishme historike për lëvizjen mbetet The Society of the Muslim Brothers e Richard P. Mitchell. Duhet vënë në dukje se me pak kritika ky teks është pranuar dhe nga udhëheqsit historik të lëvizjes. E megjithatë, ngjarjet e studiuara në libër nisin me themelimin e lëvizjes nga Hasan el Bana në 1929 gjer me përplasjen e lëvizjes me pushtetin ushtarak të oficerëve të lirë që morën pushtetin në Egjipt në 1952 duke rrëzuar mbretin Faruk.

Një tjetër plotësim i rëndësishëm kohët e fundit është bërë nga historiani norvegjez Brynjar Lia, i cili në librin The Society of the Muslim Brothers in Egypt: The Rise of an Islamic Mass Movement 1928 – 1942, plotëson disa nga njohuritë e periudhës së parë qëkurse pati akses dhe tek arkiva e familjes el Banna të ofruara nga vëllai i themeluesit të organizatës, Xhemal el Banna.

Kjo histori është një nga narrativat më të rëndësishme politike të rajonit që ndjek ngritjen politike dhe formulimin e mendimit politik të një prej lëvizjeve më të rëndësishme shoqërore në Lindjen e Mesme. Problemi me këto studime, që në një pjesë të madhe ofrojnë informacionin më të detajuar në aktivitetin dhe mendimin e kësaj organizate, është se na cojnë gjer në vitet ’50 – ’60, kur në fakt pas shtypjes nga regjimi ushtarak i Egjiptit, mendohej se Vëllazëria e Myslimanëve kishte mbetur pjesë e historisë por pa të ardhme politike.

Periudha kur shumë nga udhëheqsit përfunduan në burg dhe radikalizimi që pasoi represionin e regjimit të Naserit ka formësuar një pjesë të madhe të mendimit rreth kësaj lëvizje. Në këtë kohë, nga burgjet e Egjiptit shkruhet edhe Ma’alim fi el tarik (Shenjat në rrugë) me autor Sejid Kutb, i cili do konsiderohej prej disave si traktati intelektual i gjithë lëvizjeve radikale islamiste që do vinin më vonë si dhe kontributi më i rëndësishëm intelektual i lëvizjes. Por Kutb nuk bëhet vetëm autori më i famshëm i lëvizjes dhe një nga tre figurat më të rëndësishme të islamit politik në botë së bashku me Khomeinin dhe Maududin në Pakistan, por dhe martiri i lëvizjes pas ekzekutimit të tij nga regjimi i Naserit. Teksti i tij si manifeti i një martiri potencohet dhe më tepër. Shenjat në Rrugë bëhet përgjigja ndaj represionit dhe dhunës që është përshkruar me imtësi dritheruese në librin e aktivistes së njohur të lëvizjes, Zejneb el Ghazali, në kujtimet e saj Ajam min hajati (Ditë nga Jeta Ime).

Mendimi i lëvizjes qysh prej asaj kohe është dashur të përballohet me peshën që marin idetë e martirit të lëvizjes, Sejid Kutb dhe sic shkruan studiuesi francez Gilles Kepel në librin e tij, The Prophet and the Pharaoh, statusi prej martiri i bëri gati të paprekshme idetë e tij që dukej të ofronin argumentin për përdorimin e dhunës politike kundra regjimeve të Lindjes së Mesme. Përgjigja e Vëllazërisë Myslimane, përfshi ajo e vëllait të Kutb, Muhamed Kutb, ka qenë se libri Shenjat në Rrugë është keqkuptuar nga radikalët. Por në të njëjtën kohë që Kutb ishte në burg dhe shkroi Shenjat në Rrugë, një tjetër tekst i rëndësishëm u shkrua po në burg, nga kreu i atëhershëm i Lëvizjes, Hasan el Hudajbi, i titulluar Du’at la Kudat (Predikues, jo Gjykatës) që pa përmendur asnjëherë Kutb, bën kritikën esenciale të veprës së tij dhe të islamistit tjetër pakistanez, Maududi.

Qysh nga ajo kohë, vepra e Kutb do ruante aurën e veprës së martirit dhe do frymëzonte shumë nga lëvizjet më të rëndësishmë radikale që u larguan nga Vëllazëria Myslimane duke e konsideruar qëndrimin e tyre si të butë dhe oportunist. Vepra e el Hudajbit nuk pati asnjëherë famën e e veprës së Kutb, por u kthye në veprën më jetëgjatë në kuptimin e frymës politike të lëvizjes që ka avancuar vazhdimisht drejt angazhimit politik dhe social dhe larg radikalizmit politik. Kjo solli jo vetëm largimin e radikalëve, por arriti gjer në pikën kur numri dy i el Kaidës deklaroi apostozinë e lëvizjes, i deklaroi ata jo-myslimanë dhe tradhëtarë. Arsyeja kryesore është se lëvizja ka vendosur të jetë pjesë e sistemit politik egjiptian që el Kaida e konsideron jo legjitim e detyrimisht edhe pjesmarjen politike në të e ka konsideruar jo legjitime. Qëndrimi i grupeve radikale ka qenë qëë karshi regjimeve të Lindjes së Mesme është përpjekja për ti rrëzuar ato me dhunë. Ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme treguan njëkohësisht dështimin e analizës të grupeve si el Kaida teksa Vëllazëria Myslimane vazhdon të jetë pjesë e procesit politik që solli transformimin më të madh politik në Egjipt qysh prej gjysëm shekulli.

Aktiviteti Politik i Islamistëve.

Në vitin 2005, megjithë ndërhyrjet e zakonshme shtetrore në zgjedhjet në Egjipt, 88 anëtarë të Vëllazërisë Myslimane u bënë anëtarë të parlamentit të vendit me mbi 450 anëtarë. Sigurisht kjo nuk do sillte transformimin e regjimit, por solli sic vënë në dukje Samer Shehata i Universitetit Georgetoën në ShBA dhe Joshua Stacher në artikullin e tyre, The Brotherhood Goes to Parliament, energjizimin e jetës parlamentare në vend dhe aktiviteti i tyre shërben si indikues i aktivitetit politik të Vëllazërisë Myslimane në ditët e sotme.

Shehata dhe Stacher vënë në dukje se lëvizja solli seriozitet në një insitucion që nuk merej kurrë seriozisht, solli debate të rëndësishme politike dhe shqetësime sociale, luftoi dhe pati sukses në ruajtjen e gjykatësve që ishin kritikë ndaj regjimit, krijuan aleanca politike me grupe të tjera dhe sollën kulturën e angazhimit me grupe, intelektualë e profesionistë jashtë parlamentit. Ata krijuar ‘kuzhinën parlamentare’, një lloj think-tank që analizonte ceshtje nga specialistë, organizonte takime të deputetëve me firgura akademike dhe analistë me qëndrime të ndryshme politike dhe fetare me qëllim që të informonin deputetët për esencën e problemeve që diskutoheshin dhe të informonin ata për varitetin e mendimeve nga komuniteti akademik dhe profesional. Me pak fjalë, 88 deputetët e Vëllazërisë sollën cilësinë parlamentare në një institucion që qe kthyer në një kukull të pushtetit. Por mbi të gjitha, sic vënë në dukje Shehata dhe Stacher, këta deputetë treguan në shumë raste se nuk ishin një grup i vetëm që funksionojnë si ushtarë, por shpesh treguan qëndrime të pavarura dhe të ndryshme nga lëvizja pjesë e të cilës janë.

Dicka tjetër duhet vënë në dukje në këtë aspekt. Reporterë me eksperiencë të rajonit dalluan pjesmarjen e Vëllazërisë në protestat e fundit kur u shfaqën mjekët me bluzat e bardha, përfaqsues të sindikatës së inxhinjerëve e mësuesve. Vëllazëria në shumë aspekte ka kapërcyer kufijtë e një organizate politike duke u bërë një shenjues i shtresave të gjera të klasës së mesme. Kur lëvizja u nxor jashtë ligjit nga regjimi i oficerëve të lirë kryesuar nga Naseri, ajo ishte organizata me më shumë anëtarë në Egjipt. Përpara rënies së regjimit të mbretit Faruk, partitë politike si Uafd kishin sjellë në politikë pronarët e mëdhenj të tokave. Vëllazëria ishte e para që angazhoi si aktorë politik, edukoi politikisht dhe ktheu në faktorë politik masa nga shtresa të ndyshme të popullsisë. Sot Vëllazëria është e përfaqsuar në pjesën më të madhe të sindikatave profesionale dhe studentore dhe ka shërbyer për vite si e vetmja opozitë politike në një nga regjimet më repressive në botë. Pyetjes nëse Vëllazëria është e dedikuar ndaj demokracisë i duhet shtuar pyetja nëse demokracia në Egjipt e më gjerë në rajon është e mundur pa Vëllazërinë.

Pushteti që sapo u rrëzua ka pas pretenduar për dicka të njohur si ‘dimokratija el istithna’a’ apo demokracia e përjashtimit, ku pretendohej se islamistët në Lindjen e Mesme duhen përjashtuar nga pjesmarja në procesin demokratik. Tashmë kjo nuk është më e mundur por prej vitesh kam dëgjuar nga kaq e kaq figura intelektualësh nga Lindja e Mesme që janë ideologjikisht kundra Vëllazërisë se nëse do ketë demokraci të mirëfilltë në Egjipt e më gjerë, ajo duhet të përfshijë dhe pjesmarjen e organizatave si Vëllazëria.

Turqia si shembull.

Është më se e mirënjohur aksima se pjesmarja në politikë detyrimisht të moderon ideologjikisht. Një nga gjërat që vënë në dukje Shehata dhe Stacher është se në eksperiencën e tyre parlamentare, deputetët e Vëllazërisë treguan pragmatizëm politik duke mos u marrë – sic pritej prej shumë kritikëve – me cështje të moralitetit të publikut, gjë që tremb shumë sekularë, grupe feministe etj., por me cështje praktike të ekonomisë, pavarësisë së gjyqsorit dhe lirive politike. Kjo nuk do të thotë që organizata të lidhura me Vëllazërinë si sindikata e mjekëve nuk kanë promovuar kohët e fundit qëndrime konservatore që efektojnë legjistlacionin e vendit, por kjo na sjell në mend një forcë politike me aktivitetin politik të së cilës jemi më mirë të njohur, Partinë AK në Turqi. Vëllazëria në Egjipt, në transformim të vazhdueshëm qysh nga themelimi i saj, duket të jetë fokusuar politikisht në dy shtylla që e bëjnë të ngjajë shumë me islamistët në pushtet në Turqi: pragmatizëm politik dhe ekonomik i ndërthurur me konservatorizëm social.

Shumë vëzhgues të Vëllazërisë kanë vënë në dukje se vetë organizata nuk është një monolit por ka brenda njerëz me qëndrime të ndryshme. Tariq Ramadan, profesor i studimeve islame në universitetin e Oxford dhe nipi i themeluesit të Vëllazërisë, Hasan el Banna, vinte në dukej para pak kohësh në një intervistë me televizionin Al Jazzera (El Xhezira) se brenda Vëllazërisë janë ata që janë më pranë pozicioneve saudite, por janë dhe ata që kanë parë me shumë vëmendje dhe duan të emulojnë modelin e Partisë AK në Turqi. Në favor të këtyre të fundëmve, modeli saudit duket gjithnjë e më pak i favorshëm dhe pa apel – përvec atij ideologjik mes disave – teksa islamistët e rinj në Ankara kanë qenë të sukseshëm jo vetëm në manaxhimin e suksesshëm ekonomik, krijimin e një politike të jashtme asertive në kauza të rëndësishme për myslimanët globalisht si cështja e Palestinës, por dhe në krijimin e një imazhi modern për politikat islamiste. Teksa kjo vëmendje për Turqinë lidhet me ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme, qysh në zgjedhjet e 2005 në Marok, partia e re islamiste kish marë jo vetëm emrin por dhe shumë nga idetë e Partisë AK në Turqi. Teksa partia tradicionale islamiste e Abdel Selam Jasin, Drejtësi dhe Devocion (Al adl ue al ihsan) vazhdonte të ishte e paligjshme për shkak të qëndrimit të vet të oponencës së pakompromis ndaj pushtetit mbretëror, partia e re ishte partia e tretë në parlament dhe kishte shumë vëzhgues që thonin se nëse zgjedhjet do kishin qenë vërtet të lira, ata do kishin fituar zgjedhjet.

Përtej politikave partiake?

Vëllazëria Myslimane ndërkaq ka deklaruar se sapo të sigurohet korniza e duhur ligjore, ajo do shpallë formimin e një partie ndërkohë që ka shprehur se nuk ka ambicje në vendosjen e një kandidati për president. Shumëkush sheh këtë parti të ardhme të formësuar rreth modelit të AK turke dhe vënë në dukje që vendimi për të luajtur një rol të tërhequr politik tregon ndjeshmërinë ndaj frikërave perendimore. Vite më parë, Olivier Roy shkroi veprën e tij të famshme, The failure of political Islam (Dështimi i Islamit Politik), ku ai vuri në dukje se sido që të avancojnë partitë islamiste ata kishin dështuar në pretendimin e islamizimit të jetës politike sepse ata në fakt kishin kontribuar në krijimin e një sfere sekulare politike. Por nëse shohim shtrirjen sociale të Vëllazërisë apo dhe lëvizjeve të tjera fetare, vërejmë një rritje të religjiozitetit në të gjitha shtresat e popullsisë që të bën të mendosh se idetë mbi marëdhëniet e fesë me shoqërinë, politikën dhe kulturën në mënyrën si u artikuluan nga Hasan el Banna dhe se si u modifikuan gjatë viteve, kanë kaluar sferën e politikave partiake dhe janë bërë pjesë e imagjinatës fetare të një rajoni të tërë. Pjesmarja politike në politikat parlamentare është vetëm një nga projektet e projektit islamist i cili nuk po ndjek detyrimisht një text të parashkruar por po formësohet teksa avancon në përpjekjet e sfidave ditore. Pas goditjes nga regjimi i Naserit, u mendua se do ishte fundi i projektit islamist. Qysh atëherë, lëvizja ka provuar oponencën nëpërmjet dhunës politike vetëm që më pas të refuzonte përfundimisht përdorimin e dhunës për qëllime politike, ka treguar që di të jetë një forcë e sukseshme parlamentare, dhe të jetë një forcë madhore e shoqërisë civile që ka sjellë angazhim të masave në jetën politike, ka ndikuar në debatet kulturore dhe intelektuale, ka qenë pjesë e shërbimeve civile, mjeksore, dhe të ndihmës të gjithë popullsisë.

Kjo të bën të mendosh se ka shumë mundësi që Vëllazëria të hezitojë të hidhet me kokë në paqartësinë e politikave që zënë fill pas revolucionit, por në një kohë kur shumë nga format politike që kanë promovuar oponentë të të gjitha ngjyrave fetare kundra pushtetit kanë dështuar, pjesmarja politike e sukseshme e islamistëve të rinj që pasuan Erbakanit në Turqi, shërben si një model pragmatizmi politik dhe suksesi manaxhimi ekonomik në një epokë krize ekonomike në një kombinim vlerash fetare dhe dedikimi ndaj vlerave të biznesit. Politikat e islamistëve të vendeve të Lindjes së Mesme do reflektojnë specificitetin e vendeve të vecanta, por Turqia shërben si një model atraktiv për shumë nga këto lëvizje që pritet të bëhen pjesë e formësimit të një politike të re në vendet arabe.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *