Imamët dhe Zgjedhjet II





e-Zani

Pas postimit tonë me titull Imamët dhe Zgjedhjet, kemi ndjekur me vëmendje komentet e disa lexuesve në faqe të ndryshme të Facebook ku ky shkrim u postua. Në këto debate kanë marë pjesë myslimanë dhe jo myslimanë, shqiptarë nga treva të ndryshme dhe jashtë vendit si dhe tërhoqi dhe vëmendjen dhe komentet e një politikaneje të njohur të opozitës shqiptare, znj. Ledi Shamku.

     Mendojmë se ka vend të shtojmë mendimin tonë mbi disa komente që hedhin vështrimin nga historia e ulemave në të gjithë kohët për të treguar se aktivizmi politik i hoxhallarëve është praktikë e mbështetur në shembullin e ulemave të mëpërparshëm, shohin politizimin e fesë si dicka të rrezikshme dhe përkitazi mendojnë se njerëzit fetarë duhet të rinë larg politikës, mendojnë se hoxhallarët janë të pakualifikuar për të qenë përfaqsues të interesave politike të myslimanëve, shohin hoxhallarët si krerë të bashkësisë të cilët më së miri mund të drejtojnë bashkësinë drejt qëndrimeve korekte dhe në përputhje me etikën fetare.

Duhet kujtuar se është i mirënjohur qëndrimi skeptik i disa prej ulemave më të rëndësishëm në historinë e Islamit ndaj pushtetit politik. Ebu Hanifja, rahmet pastë, u burgos dhe u toruturua se nuk pranoi të bëhej kryegjykatësi i shtetit Abasid. Imam Ghazali, rahmet pastë, në një nga veprat e tij më të rëndësishme, El munkidh min el dalal, thekson se distanca e ulemave nga pushteti është kusht për shëndetin shpirtëror të tyre. Në anën tjetër, ka një zhanër të tërë literature të njohur si literatura e këshillës që indikon që shumë ulema, historikisht, kanë zgjedhur të qëndrojnë pranë dhe të këshillojnë sundimatarët politikë dhe ka patur mjaft ulema me poste politike dhe të angazhuar politikisht edhe si udhëheqës në lëvizjet clirimatare sic ishin luftrat anti-koloniale. Me këtë duam të sugjerojmë se nuk mund të flitet për rastin e ulemave si shembuj pa i vendosur në kontekstin historik dhe të strukturës sociale ku ata jetuan. Cdo kohë dhe shoqëri meriton analizën e vet, dhe po kështu edhe shoqëria dhe koha kur ne jetojmë.

Në adresimin e pikës së dytë, shkrimi ynë i mëpërparshëm mund të ketë lënë përshtypjen e një qëndrimi dhe mendimi shumë të ngushtë mbi cfarë është politike. Nuk ka qënie njerzore që jeton në shoqëri që mos ketë lidhje me politikën, mos efektohet prej saj e detyrimisht dhe të mund të kërkojë si shprehje të agjensisë së vet morale të ndikojë në të. Nuk ka asnjë arsye pse imamët të përbëjnë përjashtim. Si qytetarë ata ndjejnë drejtëpërdrejtë efektet e politikës në shoqërinë e tyre, në mbarëvajtjen ekonomike, në klimën sociale, në politikat arsimore, nivelin e shërbimit shëndetsor, në politikat e shtetit ndaj fesë, dhe si qytetar ai ka të drejtën dhe madje në një shoqëri demokratike edhe obligimin për të qenë i informuar dhe i impenjuar në mbarëvajtjen politike të shoqërisë ku jeton. E njëjta gjë vlen për të si anëtar i një bashkësie, apo në rastin konkret i bashkësisë së besimtarëve myslimanë.

Shprehet nganjëherë një qëndrim që supozon se ndarja e shtetit prej fesë kërkon që klerkikët e kujtëdo feje duhet të evitojnë cfarëdolloj angazhimi apo shprehje qëndrimi politk. Ky supozim është në fakt antidemokratik sepse kërkon ti mohojë një qytetari të drejtën e vet demokratike. Ndarja e fesë nga shtetit, apo dhe thirjet kundra politizimit të fesë nuk duan të thonë përjashtim nga të drejtat e qytetarisë. Duhet shtuar këtu, se në vetëvete, nxitja e imamëve ndaj bashkësisë fetare për të qenë të angazhuar në procesin zgjedhor është emancipues. Një nga rreziqet më të mëdha për një demokraci është mungesa e përfshirjes së qytetarëve, kur qytetarët mendojnë se nuk ka vlerë të votojnë apo janë indiferentë ndaj vetë procesit. Demokracia kërkon që qytetarët të shohin që mund të avancojnë interesat dhe vlerat e tyre nëpërmjet procesit zgjedhor.

Në postimin tonë të më përparshëm, kemi tërhequr vëmendjen se imamët po marin një rol si udhëheqës komunitarë kur është se jeta e komunitetit përfshin shumë aspekte që nuk janë pjesë e vokacionit të tyre dhe përdorëm shembullin e përfaqsimit politik për ta ilustruar. Mbi cfarë baze një imam (apo klerik i cfarëdolloj feje) gjykon mbi programin ekonomik dhe shëndetsor të një politikani? Sigurisht që programet, në mënyrë ideale, synojnë të kenë qartësinë e nevojshme për tu kuptuar prej cdo qytetari por, për të kuptuar në nivel më të thellë si përfaqsues komunitar, sigurisht që kërkohet ekspertiza e nevojshme.

Por le të sjellim shkurtimisht një tjetër aspekt të këtij debati. Nëse ndiqet ligjërimi fetar musliman në Shqipëri për angazhimin politik, do vihet re që ky debat artikulohet në kornizën e fikh el akalijat, apo jurisprundenca e minoriteteve, sipas modelit të artikuluar për muslimanët në vende të Evropës perëndimore. Por është ngritur argumenti që ky artikulim është arkaik. Dr. Tariq Ramadan ka argumentuar se duke qenë se ligjërisht muslimanët votues në vendet perendimore nuk janë minoritarë, pasi gëzojnë të njëjtat të drejta kushtetuese si qytetarët e tjerë, atëherë duhet shkuar përtej jurisprundencës së minoriteteve drejt artikulimit të “fiqh of citizenship,” apo jurisprundencës së qytetarisë. Për arsye historike, argumenti duket edhe më i fuqishëm në rastin shqiptar.

Sigurisht që kjo temë ka nevojë për trajtim më të gjerë, por vlen si ilustrim se aktualisht ndër ne mungon një analizë e mirëfilltë, paraprake e strukturës politike dhe cfarë ajo ofron, si parakusht për angazhimin sa më dobiprurës.

Për më tepër, teprimi në gjuhën e disa imamëve ku alternativat politike pasqyrohen jo thjesht në terma “e dobishme,” dhe më “pak e dobishme, apo e dëmshme” si reflektim pragmatist, por në terma maksimalist si “e keqja” dhe “e mira” është gjithashtu spekulativ.

Mbit ë gjitha, në një klimë tejet të tensionuar dhe polarizuar politike, do pritej që udhëheqësit fetarë të jenë ata që ofrojnë një frymë pajtimi dhe përafrimi. Gjithashtu, në një kohë kur palët politike janë tejet të implikuara në korrupsion ekonomik, krime poltike, dhe përplot dështime në etikën civile, marja e një anësimi të qartë politik, implikon dhe integritetin e udhëheqësve fetar.

Partitë kryesore politike, para pak muajsh ashtu si në vitin 1997 cuan vendin drejt një lufte vëllavrasëse; në njëzet vjet qysh nga regjimi komunist kanë cuar vendin drejt niveleve më të ulëta rajonale të zhvillimit ekonomik për shkak të korrupsionit të të dyja palëve; në grykësinë e tyre kanë shkatërruar ekologjinë e vendit dhe urbanistikën e tij. Politika e fesë, e cdo feje, nuk mund të implikohet në pazare më këto forca politike pa u përlyer moralisht dhe pa pësuar humbje të kredibilitetit të vet. Thirja e këtij blogu kundra politizimit të fesë kërkon që minberi të mbetet podiumi nga ku degjohet zëri moral dhe etik i mësimit të fesë; kjo thirje është një përkujtim se Islami nuk është i majtë apo i djathtë, por i drejtë.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *