Post-scriptum mbi zgjedhjet jo politike





Anjeza Xhaferraj*

Pasi dëgjuam gjatë gjithë fushatës se vota e zgjedhjeve lokale nuk na qenkësh politike, tashmë dëgjojmë se kjo e bekuar votë na qenkërka në dy versione: popullore/ politike dhe diçka tjetër e papërcaktuar, që, ndonëse nuk artikulohet, i bie të jetë si jopopullore ose jopolitike. Me këtë lloj logjike i bie që qytetarët në ditën e votimit janë paraqitur si njerëz politikë dhe jo politikë në të njëjtën kohë. Pra, pasi kanë dëshmuar vullnetin e tyre politik kur kanë votuar për këshilltarët bashkiakë, janë zhveshur nga ky vullnet dhe kanë votuar për kryetarin e bashkisë, ose anasjelltas, pra kanë qenë të zhveshur fillimisht dhe më pas kanë hedhur petkun politik, gjithmonë në varësi të operacioneve fletë-plotësuese që kanë kryer më parë. Mbetet mister, megjithatë, se pse njëra votë na fut në politikë dhe tjetra na nxjerr prej saj. Dhe për të plotësuar kuadrin (dhe për t’u argëtuar disi) konstatojmë se vota politike është hedhur pikërisht për krahun që bëri një fushatë jo politike, por për “qytetarin”, dhe vota tjetër, ajo jo-politikja, u hodh për atë krah që nuk reshti së bërtituri për rëndësinë politike të këtyre zgjedhjeve.

Ndarja në politike dhe jo politike na vjen prej një diference matematikore, pikërisht prej ndryshimit në përqindje të votave në proporcional dhe mazhoritar. Nuk kanë rëndësi idetë që shtyjnë njerëzit të bëjnë zgjedhje dhe as motivet, interesat, hezitimet e trishta gri, pakënaqësitë e kësi gjërash. E rëndësishme është që u zbulua kjo diferencë që po na jep material të ri për të përpunuar, analizuar dhe sidomos për të klasifikuar.

Diskutimet post-votimore janë fokusuar në numërimin e votave, në mbledhjen dhe zbritjen e tyre, në gjetjen e mesatareve për kuti votimi e të tjera si këto. Me dhimbje kam pranuar të numërohesha si numër në grigjën që quhet popull. E kam pranuar se të qenit të gjithë ‘një-sha’ në një farë mënyre garantonte barazinë ndër ne, populluesit e tufës. Të qenit numër i hiqte mundësinë ca ‘elitistëve’ pretendimin për të qenë të tillë, duke i kthyer ata, “ndriçuesit e mendjeve të thjeshta”, në numra gjithashtu. Megjithatë, pas këtyre zgjedhjeve, frikshmërisht mësuam se jo vetëm që ishim numra, por edhe të klasifikuar dhe etiketuar. Mësuam se lëvizjet tona demografike, bindjet tona, flirtimet partiake dhe pasiguritë, këto të fundit madje të ngjyrosura në gri, ishin regjistruar me një përpikëri të habitshmes. Ashtu të regjistruara ato u nxorën nga arkivat dhe na u përplasën në fytyrë dhe herë na bën të ndiheshim “krenar” për besnikërinë partiake dhe herë tjetër na bënë të skuqeshim “për tradhtinë” e zbuluar. Kështu harta e besnikëri-tradhtisë shqiptare ndahet në bastionet ‘e ndershme’, që ia lehtësojnë parashikimet analistëve; në zonat ‘e pandershme’, që flirtojnë herë me njërin krah e herë me tjetrin; dhe në ato të zhgënjyerat që, pasi i kanë përkitur besnikërisht njërës palë në këto zgjedhje u krodhën në krahët e palës tjetër (Edhe ti Brut?)

Megjithatë, edhe kjo zhaurimë numrash, diferencash dhe fraksionesh së shpejti do të harrohet. Pasi na mblodhën, zbritën, shumëzuan dhe pjesëtuan, pasi harruan pra që pas këtyre numrave qëndronin njerëz me bindje politike, me interesa, shqetësime, plane për të ardhmen, politikanë dhe analistë bashkë na hodhën përsipër bojën kuq-e-blu duke krijuar kështu homogjenitetin anonim apo anonimatin homogjen. Tashmë as numrat nuk ekzistojnë, përveç ca njollash që në të vërtetë nën maskën e tyre kuq-e-blu fshehin ndarjet, konfliktet, diversitetin dhe hezitimet gri (sa shumë u tentua të grishej kjo e shkretë gri gjatë gjithë fushatës) të njerëzve. Zgjedhjet mbaruan, por mbas perdes ne sërish po paketohemi, klasifikohemi dhe etiketohemi, në mënyrë që rishtas pas dy vjetësh të rifillojë gjithçka nga e para, së bashku me përsëritjen, tashmë të domosdoshme, të operacioneve matematikore diferencë-llogaritëse. Dhe ne sërish do rendim të votojmë qytetarisht, politikisht, popullarisht dhe një sërë isht-esh të tjera, për t’u redukturar sërish në numra dhe më pas në një anonimat të stërngjyrosur që do të sheshojë dallimet politike dhe kthejë në hiç bindjet tona.

*Pedagoge-Universiteti Europian i Tiranës.

Comments

  • Anjeza do doja te sugjeroja qe ankesa kundra "zgjedhjeve politike" eshte perkthim literal nga diskurse te huaja pa perkthyer gjithe gamen e debatit qe ne menyre disi paradoksale demonizon politikat "politike". Ne Shba kjo ndodh rendome kur politikane thone qe nuk jane te interesuar ne politik me cfare duan te thone se jane te interesuar ne CEshtjet qe i interesojne votuesve. Teksa ky lloj diskursi eshte i kuptueshem nga publiku qe i drejtohet, mendoj se dallimi ne Shqiperi eshte me shume konfuzion ne diskursin politik qe eshte nderkaq si gjuhe alienesh per publikun shqiptar.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *