Tariq Ramadan dha një intervistë në emsionin Studio e Hapur në televizionin Albanian Screen, ku foli për një sërë problemesh që lidhen me Islamin, fetë në përgjithësi, si dhe me problemet e shumta të kohëve të sotme. Ndër të tjera ai foli për krizën e shoqërisë së sotme, rolin e individit dhe pikëpamjet e tij për mjetet nërpërmjet të cilave duhet të orientohet mendimi dhe politikat. Një intervistë e shkëlqyer, e cila artikulon në mënyrë brilante, zemrën e problematikës së kohëve të sotme.

Tariq Ramadan, një ndër intelektualët më me influencë sot në botë, i kërkuar nga gjigantët mediatikë si CNN, BBC, ABC e të tjerë ishte në një rrëfim të jashtëzakonshëm në “Studio e Hapur” të Eni Vasilit. Tariq Ramadan, Profesor në Universistetin e Oksfordit është renditur nga Revista “Foreign Policy”, i teti mes 100 intelektualëve më të njohur në mbarë globin. Ai mban leksione në universitetet me prestigjoze të rruzullit dhe është sot një nga mendimtarët më të famshëm të kohës.

Eni Vasili: “Zoti Ramadan kjo është vizita juaj e parë në Shqipëri. Çfarë dini për këtë vend dhe cilat janë impresionet tuaja pas disa orësh qendrimi në Tiranë?”

Tariq Ramadan: “Kjo është hera e parë që vizitoj Shqipërinë, por kam qenë më parpara në Ballkan, dhe kam lexuar shumë për shkak të situatës specifike që keni në Shqipëri në Ballkan, historia e vonë. Kjo është një vizitë e rëndësishme për mua, është hera e parë, dhe unë kam takuar njerëz të cilët diskutojnë çështje kritike të kulturës, dhe identitetit. Unë kam takuar europianë dhe europianë muslimanë dhe ju kam bërë të qartë se duhet të jetojnë me pluralizmin, me dinjitet dhe me kulturën e tyre. Unë dhashë një leksion dhe mora një përshtypje që e ardhmja europiane nuk është në Europën Perëndimore, por në Europën Lindore dhe më specifikisht në Ballkan.

Eni Vasili: “Shqipëria është një vend që ka 20 vjet që ka rrëzuar regjimin komunist dhe po aq vite që ka lejuar liritë e individit, përfshi dhe ato fetare. Ky vend dallohet për bashkëjetesën fetare. A është interesant në këndvështrimin tuaj? A kemi të bëjmë me një shembull?”

Tariq Ramadan: “20 vjet në shkallën e historisë nuk është një kohë e gjatë. Pas regjimit komunist, dhe ajo që iu bë feve, jo vetëm islamit, por edhe krishtërimit, judaizmit, tani po ndodh një lindje e re, dhe 20 vjet, janë koha që duhet për të arritur një shkallë. Është e rëndësishme për të qenë të hapur ndaj të gjitha feve, por duhet ta përmirësojmë situatën. Shqipëria nuk është akoma një shembull për vendet e tjera. Shqipëria duhet të jetë konsistente në vlerat e saj. Pra, siç kemi qytetarë që trajtohen të barabartë para ligjit, po ashtu dhe fetë duhet të trajtohen të tilla. Ndonjëherë kemi muslimanë që ndjehen më pak të respektuar se të krishterët, dhe të krishterët që mendojnë se muslimanët nuk i përkasin vendit. Pra, një gjë që mund të bëni në Shqipëri, të krishterë, muslmanë, hebrej, është një dialog dinamik për drejtësi, barazi dhe respekt të ndërsjelltë.”

Eni Vasili: “Ju vini nga një tur rajonal. Keni qenë në Kroaci, Sarajevë, Shkup, Prishtinë. Mendoni se Ballkani ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në nxitjen e dialogut fetar dhe bashkëjetesën fetare?”

Tariq Ramadan: “Po. Unë mendoj se ka një rol shumë të rëndësishëm, jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Europën. Unë jam një musliman i Europës Perëndimore, dhe shpesh vendet e Europës Perëndimore mendojnë se duhet t’i mësojnë gjithçka lindjes, dhe shpesh mendojnë për Europën vetëm si Bashkimi Europian, dhe jo përtej saj,dhe se Ballkani, Europa Lindore janë të pazhvilluara, jo vërtet europiane. Për këtë arsye, Europa Lindore dhe specifikisht Ballkani, duhet të thonë, shikoni ne kemi kaluar një epokë të vështirë, komunizmin, por tani ne jemi në një pikë, ku kemi të bëjmë me shoqëri pluraliste dhe duam ta bëjmë këtë ashtu si duhet. Pra, është njëkohësisht edhe një sfidë për vendet e Ballkanit për të shkuar përtej urrejtjes së kohëve të fundit. Serbët, boshnjakët muslimanët, të krishterët duhet të vijnë në pikën ku të kuptojnë se e ardhmja është respekt i ndërsjelltë, dhe duhet t’u shkojë mesazhi edhe vendeve perëndimore që islami nuk është fe e re në kontinent. Ai ka qenë aty me shekuj. Diversiteti nuk është një koncept i ri për ne. Ndoshta perëndimi duhet të mësojë diçka nga lindja, por nuk do të thotë që lindja nuk duhet të merret me sfidat që ka përtej urrejtjes, racizmit dhe etnicitetit.”

Eni Vasili: “A ka sot një krizë morale në shoqërinë e sotme në të gjithë botën? A është në vështirësi familja, edukimi, shkolla?”

Tariq Ramadan: “Në pyetjen tuaj ekziston dhe përgjigja. Ju po thoni diçka që është e kuptueshme për të gjithë. Të gjitha filozofitë,ateizmi, agnosticizmi, budizmi, islami, kristianizmi dhe judaizmi; të gjitha fetë, të gjitha shoqëritë, shoqëritë sekulare dhe ato tradicionale po ballafaqohen me një krizë morale. Kur çoheni në mëngjes, dhe më pas, kur flini gjumë, ndërkohë 150 mijë njerëz vdesin nga uria dhe askush nuk mund të jetë i lumtur me këtë. Rendi ekonomik sot që mbron të pasurit, po vret njerëzit, pra nëse keni ndërgjegje dhe besoni në Zot nuk mund të jeni të lumtur me këtë. Në shkollat tona, sot ne u mësojmë fëmijëve që të jenë produktive, të jenë të parët, të fitojnë para, por ndërkohë duhet të pyesim veten çfarë duhet t’i mësojmë fëmijëve tanë që të jenë qytetarë të përgjegjshëm, dhe kjo nuk është thjesht çështje fetare, por çështje dinjiteti. Sistemi i edukimit sot ballafaqohet me këtë krizë. Çfarë duhet t’i mësojmë fëmijëve tanë që të jenë të përgjegjshëm? Ndërkohë që merremi me varfërinë, po bëhemi shumë nacionalistë, duke u marrë vetëm me veten tonë. E shikoni çfarë po i ndodh natyrës? Kemi parti ekologjiste që ngrenë shqetësime të caktuara. Ne flasim për ngrohjen globale, flasim se si po shkatërrojmë natyrën, lumenjtë, dhe natyra po ankohet. A nuk është koha që ne si njerëz, në vend që të luftojmë për pushtet të punojmë për mirëqenien e përbashkët? Dhe unë mendoj se ky është kontributi im si europian. Unë vij nga Egjipti.”

Eni Vasili: “A mund t’i gjejmë këto përgjigje nëse nuk e dimë pse arritëm këtu? Pse bota është këtu sot në mendimin tuaj?”

Tariq Ramadan: “Unë mendoj se bota është në një situatë të tillë pasi ne jemi të obsesionuar me fitimin e më shumë parave, më shumë pushtet dhe ngatërrojmë mirëqenien me pasurinë dhe paratë. Mirëqënia nuk është për këtë, prandaj dhe SHBA-të kanë ndryshyar parametrat. Po flasim për indeksin e zhvillimit njerëzor duke thënë që mund të mos fitoni shumë para, por mund të ndjeheni mirë në shoqërinë ku jetoni. Ajo çfarë duhet të bëjmë në këtë botë është të mos jemi spektatorë dhe të mos luajmë rolin e viktimës, të themi që unë jam egoist, që nuk ka solidaritet, në fakt duhet të merremi me gjëra që janë të rëndësishme për të gjithë ne, siç është etika në ekonomi, etika në politikë. Ju keni në vendin tuaj dhe unë kam vendin tim politikanë të cilët gënjejnë dhe vrasin njerëz në Irak për përfitime ekonomike dhe politike.”

Eni Vasili: “Unë do ju tregoja shumë për etikën e politikës në Shqipëri.”

Tariq Ramadan: “Unë e di që është në Shqipëri, por mund të them që e njëjta gjë është në të gjithë botën, mungon etika. Më lejoni të shtoj diçka. Mungon etika në familjet tona. Në traditën islame thuhet që nuk mund të shkosh tek Zoti nëse nuk respektoni prindërit. Nuk do të jeni të lumtur me veten tuaj nëse nuk respektoni prindërit dhe më të moshuarit në shoqëri. Ju në Shqipëri mund të keni ende një shoqëri tradicionale, por duhet të jeni të kujdeshëm që të mos lejoni që kjo shoqëri tradicionale të bëhet shumë shpejt moderne duke zvetënuar vlerat. E dini, ekziston një shkrimtar afrikan i cili mund të na mësojë shumë mësime të thella. Dhe e dini çfarë? Kur një burrë i vjetër vdes, në shoqëri digjet një librari e tërë, ndaj respektoni të moshuarit. Kur flasim për krizë morale ajo fillon në familje, pra ne i japim mësim botës por harrojmë prindërit tanë.”

Eni Vasili: “Jemi 20 vite nga rënia e murit të Berlinit. Frensis Fukujama tha dikur se tashmë kemi hyrë në fundin e historisë dhe se demokracia liberale do të triumfojë kudo. Ju e ndani këtë mendim?”

Tariq Ramadan: “E dini, unë e kam takuar z Fukujama. Isha në Japoni dhe patëm një diskutim dhe ai i ka ndryshuar pikëpamjet e tij. Ai tha që mund të ketë qenë gabim dhe ishte gabim, dhe në fakt ai është gabim, nuk është fundi i historisë. Unë mbroj demokracinë kudo që shkoj. Jam i lumtur me atë që po ndodh në Tunizi, në Egjipt, në Jemen, në Siri pra, me njerëzit që thonë: ne duam demokraci, duam liri. Unë nuk jam naiv. As ju që thoni që duhet të ketë etikë në politikë, nuk jeni naiv. Duhet të shikojmë shoqëritë demokratike në perëndim. Si në Amerikë dhe në Europë ne sot kemi parti populiste, parti të ekstremit të djathtë, njerëz që instrumentalizojnë demokracinë dhe përpiqen t’i apelojnë emocioneve të njerëzve. Dhe unë këtë e quaj politikë të emocioneve, që është e kundërta e demokracisë. Është një mënyrë për të manipuluar emocionet e njerëzve, por jo mendjet e tyre, ndërkohë demokracia është e bazuar në edukim dhe jo në emocion. Pra ne duhet të shohim demokracinë në vendet tona, në Amerikë, dhe të përmirësojmë sistemin. A është demokraci që dikush ka shumë para, zgjidhet? Jo! Kjo është demokraci financiare, demokracia e bazuar në para. Le të përmirësojmë sistemin dhe të jemi kritikë, sepse nëse ne qytetarët themi duam demokraci, duhet të kemi demokraci transparente, kualitet të vërtetë dhe jo të luajmë me fjalët.”

Eni Vasili: “Pra, ju po thoni që demokracia liberale nuk ka triumfuar, nuk do të triumfojë apo ky nuk është fundi i historisë?”

Tariq Ramadan: “Jo, unë nuk mendoj që ka triumfuar. Mendoj se demokracia dhe demokracia liberale janë modele që janë historike. Asnjë sistem nuk ka dominuar ose triumfuar, sistemet mund të përmirësohen. Duhet të kapemi pas parimeve dhe jo pas sistemeve. Sistemet janë historike, parimet janë universale. Kur unë flas për parimet, flas për drejtësinë. Në SHBA, demokracia më e madhe në botë, nëse je një qytetar i varfër, i zi, je pesë herë më i prirur për të shkuar në dënim me vdekje sesa një i bardhë. Nëqoftëse duhet të flasësh për parimet duhet sjellë drejtësi. Nëse flasim për barazinë, ju jeni grua dhe unë jam burrë. Nëqoftëse ne shkojmë në një punë ku kemi të njëjtat aftësi unë marr 30 % më shumë. A është kjo demokraci? A është kjo barazi? Ne duhet ta përmirësojmë këtë, pra nuk është fundi historisë. Duhet të përpiqemi më shumë dhe të përmirësojmë këto parime.”

Eni Vasili: “Kush do ta përmirësojë këtë?”

Tariq Ramadan: “Kjo është një pyetje e saktë. Ne mund të rrimë këtu dhe të luajmë rolin e viktimës dhe njerëzit që po na shohin duhet të dinë se askush nuk t’i jep të drejtat në pjatë. Duhet të përpiqeni t’i fitoni. Ju e dini se Nelson Mandela, i cili është celebruar për sjelljen e demokracisë gjatë gjithë jetës së tij u përpoq, dhe për 25 vjet ka qenë i burgosur. Pra, të gjithë qytetarët duhet të kuptojnë se nëse duan të drejtat e tyre dhe parimet e tyre duhet të jenë aktiv dhe të mos shohin TV dhe të jenë pasivë. Sigurisht, do të shohin kur ka programe të mira, por nëse shikoni TV pa qenë aktiv nuk mund ta ndryshoni botën. Unë si musliman flas me shumë njerëz, me budistët, me agnostikët, me ateistët dhe ne jemi të gjithë bashkë, që përpiqemi të ndryshojmë botën. Unë jam këtu me ndërgjegjen time dhe me besimin tim për të ndryshuar botën ashtu si duhet të jetë. Pra, nuk është fundi i historisë.”

Eni Vasili: “A mendoni se ekziston kjo vetëdije? A është e zgjuar ajo sot në botë, apo jemi të gjithë para TV duke parë programe të mira apo të këqija qofshin?”

Tariq Ramadan: “Jo, unë mendoj se shumë njerëz e kanë këtë ndërgjegje, por fatkeqësisht shumica e qytetarëve, cilido qoftë background-i i tyre fetar, psh në Shqipëri keni njerëz nga fe të ndryshme dhe janë pasive. P.sh mua më pëlqen futbolli, më pelqejnë sportet, por nuk dua që ai të jetë një fe e re, ku njeriu harron gjithçka. Jeni gati të vendosni para dhe të harroni gjithçka. Dikush që luan futboll vetëm një ndeshje, fiton sa një afrikan merr gjatë gjithë jetës së tyre. Pra, bota jonë sot qytetarët nuk mund t’i vënë faj sistemit. Ata janë pjesë e sistemit. Ndonjëherë do blesh produkte që prodhohen nga njerëz që shpesh trajtohen si skllevër në Azi, dhe neve nuk e vrasim mendjen.”

Eni Vasili: “Çfarë duhet të bëjë ai që po na shikon sot? Nuk duhet të blejë këtë produkt? Kjo është mënyra se si mund t’i bashkohet kësaj vetëdije?”

Tariq Ramadan: “Unë mendoj se po. Duhet të dini se në fund të ditës jeni çfarë hani dhe çfarë bleni. Prandaj duhet të keni një ndërgjegje. Mendoni për fëmijët tuaj nëse do të trajtoheshin si skllevër dhe ju do blini produktin dhe do të harroni për botën. Nëse flasim për etikën, moralin kini kujdes se çfarë hani. Unë flas shumë me muslimanët. Ju them që kemi një muaj gjatë të cilit agjërojmë dhe gjatë këtij muaji duhet të jemi pranë të varfërve. Fatkeqësisht, muslimanët hanë më shumë gjatë Ramazanit dhe më shumë gjatë natës, më shumë se ç’hanë gjatë pjesës tjetër të vitit. Kjo është krejtësisht gabim. Morali, esenca e agjërimit nuk është kjo. E njëjta gjë ndodh edhe me të krishterët gjatë dhjetorit. Japin dhurata, bëhen konsumeristë dhe harrojnë çfarë janë Krishtlindjet. Pra, të mos gënjejmë veten tonë por të ndërgjegjësohemi, dhe sidomos për ne në Europë dhe Shqipëri. Shqipëria nuk është një vend i pasur, dhe ndonjëherë mund të kesh privilegjet e të mos qenit një vend i pasur, por duhet të kesh ndërgjegje. Duhet të tregoni dinjitetin tuaj. Kur shoh shqiptarët këtu që bëjnë më të mirën e tyre, ndihmojnë të varfërit, ndihmojnë shoqërinë duke ndihmuar gratë, ky është dinjiteti i këtij vendi. Dua t’ju them një gjë. Unë kam lindur në Zvicër. E dini çfarë ndodh në Zvicër? Shqiptarët që shkojnë emigrantë atje, disa nga ata po i bëjnë një reklamë të keqe këtij vendi sepse merren me drogë, prostitucion, me dhunë dhe në emër të vendit tuaj është e rëndësishme edhe për mua kur jam në Zvicër, që t’ju them shikoni, duhet të ndryshoni sjelljen tuaj, nuk mund të justifikoheni me varfërinë e vendit të origjinës dhe të shkoni në një vend tjetër dhe të silleni në këtë mënyrë. Një pjesë janë muslimanë, disa jo, dhe një pjesë janë thjesht të humbur në shoqëritë e tjera. Ajo çfarë duhet të bëni ju nga këtu, është që t’i ndihmoni të jenë fytyra dinjitoze e shoqërisë dhe jo të humburit e shoqërisë tjetër, dhe kjo është përgjegjësia juaj?”

Eni Vasili: “A është në krizë ai që quhet progresizëm në kohët e sotme, pra idetë progresiste, mendimi progresist?”

Tariq Ramadan: “Mendoj se ajo çfarë është në krizë është përkufizimi i asaj se çfarë kuptojmë me fjalën progresizëm. Unë mendoj që ju keni të drejtë. Shumë njerëz e mendojnë veten si njerëzit që sjellin progresin, mund të jenë progresistë në disa fusha dhe shumë reaksionarë në fusha të tjera. Unë kam takuar njerëz që thonë se unë jam progresist kur flitet për sistemin politik apo kur flitet që të mos ketë fe. Pra, të jesh progresist është kur t’i nuk ndjek një fe të caktuar, por kur flasim për fenë ata janë reaksionarë, ndonjëherë ata refuzojnë çdo lloj angazhimi fetar. Ata mendojnë që duhet të shmangesh nga çdo gjë që ka të bëjë me fenë, qoftë muslimane, e krishterë apo hebre. Progresist duhet të jetë një person i cili ka parime, i cili promovon, ndryshon por duke ndjekur parimin e drejtësisë, barazisë. Dhe për ata njerëz që nuk kanë të njëjtën ngjyrë si ne, nuk mund të jesh një progresist dhe të jesh racist, nuk mund të jesh progresist dhe të jesh islamofob, antisemit ose të mohosh krishtërimin. Kjo është pjesa e gabuar e një mendje progresiste. Në vitet ’60, disa mendonin se ishin progresistë, dhe unë mendoj që kjo duhet rishikuar. Duhet të sjellë një kuptim të ndryshëm për diversitetin në botën sot. Ndonjëherë disa mendje progresiste perëndimore e shikojnë e Europën Lindore si kulturalisht të prapambetur, pra kultura shqiptare nuk vlen dhe ju duhet të bëheni progresistë. Duhet të bëheni më perëndimor, duke ndjekur kulturën progresiste që reklamon Hollywood-i. Pra, unë nuk e shikoj të qenit progresist në këtë formë. Unë do e quaja një imperializëm kulturor nën petkun e progresivizmit dhe kjo mendoj se është problematike.”

Eni Vasili: “Mendoni se kaq problematike është mungesa e hapësirës për liritë fetare në perëndim? Ka mungesë të këtyre lirive p.sh debati për burkën, ligji kundër minareve në Zvicër? A mendoni se europianët po ndjehen të rrezikuar dhe po shohin se stili i tyre i jetesës është në diskutim? Ndjehen të rrezikuar nga islami e kam fjalën?”

Tariq Ramadan: “Unë mendoj që sot po ballafaqohemi me një problem shumë të thellë ndërkombëtar. Ai është diversiteti kulturor dhe fetar. Sot në Europën Perëndimore, islami përceptohet si feja e tjetrit, e emigrantëve, pra ata nuk janë europianë në të vërtetë, janë muslimanë më shumë se ç’duhet për të qenë europianë. Populistët nga ana e tyre, e përdorin këtë qasje për të përhapur frikë jo vetëm në Europë por dhe në SHBA. Ka njerëz që thonë se duhet të ndalim islamizimin e Amerikës. Ekziston një lëvizje ndërkombëtare në perëndim dhe Australi që thonë se islami është feja e të tjerëve. Pse? Në fakt, islami është një fe europiane, amerikane dhe australiane. Në Europën Lindore ju e mbani e mend, ai personi, që do të gjykohet nga gjykata në Hagë, Mlladiç tha ndërkohë që po vriste muslimanët se ata janë të gjithë të krishterë, të konvertuar nga turqit dhe tradhëtuan rrënjët e tyre, pra, ose do të kthehen në krishtërim ose do të vriten, duke thënë që nuk janë europianë të vërtetë. Edhe në vendin tuaj janë disa që përdorin këtë retorikë, që muslimanët nuk janë në të vërtetë shqiptarë. Këtë nuk duhet ta pranojmë. Ky është një lloj racizmi i ri. Muslimanët duhet t’i dalin për zot të drejtave të tyre. Islami është një fe europiane dhe në Ballkan dhe në këtë vend, muslimanët ishin këtu përpara se të dilnin filozofi të tjera dhe besime të tjera. Kanë qenë këtu me shekuj.“

Eni Vasili: Çdo të thotë musliman europian? Si është muslimani europian?“

Tariq Ramadan: Muslimani europian është një si unë, dhe miliona të tjerë që respektojnë parimet e islamit që janë universale. Adhurojnë një zot, falen pesë herë në ditë, kanë besimin e tyre dhe janë praktikantë. Ky është një musliman dhe pastaj kanë kulturën e vendit përkatës. Në Shqipëri janë shqiptarë për nga kultura, flasin shqip, ose anglisht si në Britani, ose frëngjisht si në Francë, por janë muslimanë me fe dhe europianë me kulturë. Me lejoni të theksoj diçka. Ne po flasim për perëndimin dhe për sfidat që janë edhe për europianët për të kuptuar që shoqëritë tona janë pluraliste dhe të respektojmë njëri-tjetrin sepse duam apo jo, do të jetojmë me njeri- tjetrin, por njëkohësisht dua që edhe muslimanët të jenë konsistentë. Në vendet me shumicë muslimane kemi të krishterë, budistë dhe hebrenj që nuk trajtohen njësoj. Nuk mund të vijmë në Europë dhe të flasim për trajtim të barabartë dhe nga ana tjetër të pranojmë që njerëz në vendet me shumicë muslimane nuk trajtohen me respekt. Duhet të jemi konsistentë që në vendet me shumicë muslimane, mënyra se si trajtohen të krishterët p.sh nuk është e drejtë. Le ta marim këtë si një sfidë të përbashkët në të gjitha shoqëritë dhe të themi me qartësi se të gjitha shoqëritë duhet të bëjnë më mirë.“

Eni Vasili: Vite më parë, Samuel Hatington foli për një përplasje qytetërimesh. Ai tha me fjalë të tjera se islami nuk ka mundësi të pranojë lulëzimin e demokracisë. Cili është mendimi juaj?“

Tariq Ramadan: Më ka ndodhur të diskutuar me të dhe e kuptoja se çfarë donte të thoshte. Nuk ka përplasje qytetërimesh siç thuhet, por ekziston diçka që nuk mund ta mohojmë dhe që unë e quaj një përplasje perceptimesh. Nëse je në perëndim dhe udhëton nga Amerika në Europë, ndoshta në atë lindore dhe në Japoni, do shikoni diçka që është e qartë, shumica e qytetarëve perëndimorë kanë një përceptim për islamin si një realitet monolitik, të gjithë muslimanët janë njësoj dhe e reduktojnë islamin tek ata njerëzit e dhunshëm, që abuzojnë më gratë, ndërkohë që miliona e miliona muslimanë janë të hapur, paqësorë dhe nuk kanë probleme me modernitetin. Pra, problemi që kemi në perceptimin perëndimor, ku kemi një minorancë që shkatërron dëgjohet më shumë se miliona që ndërtojnë. Pra, dëgjohesh më shumë kur shkatërron se kur ndërton, sepse ndërtimi merr kohë, ndërsa shkatërrimi një moment. Një pemë që rrëzohet bën më shumë zhurmë se sa miliona pemë që rriten. Ky është realiteti i botës sonë. Më lejoni të shtoj diçka, përceptimi për islamin është ky, por nëse shkon në vende më shumicë muslimane, është e qartë që kemi një perceptim të gabuar të perëndimit. Perëndimi nuk është vetëm Amerika nën regjimin e Bushit. Perëndimi janë miliona njerëz që përpiqen të punojnë për drejtësinë, prandaj kemi përplasje të përceptimit dhe mungesë të komunikimit dhe roli im është për të ndërtuar një urë mes dy botëve dhe një klimë më të mirë.“

Eni Vasili: Pra, vështirësia më e madhe që ka islami është mënyra si përceptohet në perëndim apo ka dhe të tjera?“

Tariq Ramadan: Nuk është vetëm ky. Mënyra si përceptohet krijon përplasje. Unë dhashë një leksion në Tiranë për sfidat e muslimanëve dhe një nga sfidat e para nuk vjen nga jashtë. Unë jam në një vend, dhe flas në një vend ku 70% janë muslimanë, por nuk e kuptojnë fenë e tyre. Janë muslimanë me emër dhe jo me zemër. Muslimanë nga baballarët, por jo me mendje. Duhet të edukohen, pra, të kuptosh fenë tënde është një sfidë. Të kuptosh bukurinë e një feje që të thotë je i lirë ndër njerëz. Pra, nëse do të jesh në paqe me zotin, sepse islam do të thotë paqe, atëherë çohu dhe kontrollo veten tënde. Njohuria për islamin sot është sipërfaqësore. Një sfidë tjetër është komunikimi mes muslimanëve. Sot ata nuk komunikojnë, nuk e pranojnë diversitetin, por në fakt islami është një fe me shumë interpretime. Duhet të kemi komunikim mes këtyre prirjeve. Disa janë literalistë, disa reformistë, disa janë suni, disa janë sufi, pra duhet të vijmë dhe të respektojmë njeri-tjetrin. Një sfidë tjetër janë gratë. Unë shpesh ua përsëris muslimanëve që gratë nuk kanë probleme me islamin, ato kanë probleme me burrat muslimanë dhe mënyra se si ata e interpretojnë islamin, pra nuk e kuptojnë saktë, sepse një grua duhet të jetë autonome, e edukuar dhe për të njëjtat aftësi duhet të marr të njëjtën pagesë, duhet të jetë e lirë të martohet, pra nuk ka martesë me forcë, dhuna në familje nuk është për islamin sepse profeti nuk ka rrahur kurrë një grua.“

Eni Vasili: Dhe burka?

Tariq Ramadan: Burka nuk është diçka islame. Ajo ishte për gratë e profetit. Disa mendojnë se kjo është diçka islame. Si shkollar musliman, unë përpiqem t’u shpjegoj që nuk është një detyrim i islamit. Detyrim është mbulimi i flokëve dhe jo i fytyrës. Nëse do të mbulosh flokët, atëherë duhet të jesh e lirë. Pra, pozicioni im është se askush nuk mund të detyrojë një grua të vërë shaminë. Po ashtu, nuk mund ta detyrojë atë ta heqë. Burka që mbulon fytyrën dhe unë dua t’i bind gratë, nuk është një kusht i islamit, por nëse një grua më thotë që kjo është zgjidhja ime, unë e respektoj lirinë e saj dhe pse nuk bie dakord me interpretimin e saj.“

Eni Vasili: A keni bindur dikë?“

Tariq Ramadan: Oh po. Unë kam folur për këtë kur kishim një diskutim në Francë për ligjin që ndalonte burkën në rrugë. Unë kam folur me gra dhe u thoja që ky është kuptimi im i islamit dhe kjo është ajo që duhet të bëjmë. Disa nuk janë të bindur me argumentet e mia, por me kalimin e kohës ndryshojnë. Në fillim prej një angazhimi vishen, por me kohën ndryshojnë. Pra, duhet të kuptojmë ritmin dhe hapin e njerëzve le t’u respektojmë të drejtat dhe zgjedhjet e tyre, pra mos të ecim shumë shpejt.“

Eni Vasili: Jam e bindur që shumëkush që na dëgjon bindet, që ju dëgjon juve që flisni me kaq pasion dhe kaq bukur, por është e vërtetë ajo që thoni se më shumë dëgjohet e keqja se e mira. Pse ndodh kjo. Gjithë individët janë të bindur se janë të mirë. Kur bëhen bashkë mbizotëron e keqja apo ky nuk është një perceptim i vërtetë?“

Tariq Ramadan: Nuk është thjesht çështje fjalësh, është çështje të qenit i qendrueshëm. Çfarë është e domosdoshme është t’i qëndrosh asaj që thua dhe asaj që bën. Duke e ditur që nuk je perfekt, ndonjeherë do të dështosh, ndonjëherë do të jesh në kontradiktë. Të gjithë kemi kontradikta, dhe kuptimi i tyre është rruga drejt përulësisë. Nëse di kontradiktat e tua, nuk do të gjykosh tjetrin. Ti e gjykon tjetrin shpejt se harron veten, harron kontradiktat e tua. Duhet të kthehemi te vetja të shikojmë kontradiktat që kemi, dhe prej asaj të mësojmë dhe të bëjmë më të mirën. Ky është një mësim i islamit. Zoti nuk pret nga ju më shumë se çka mund të bësh. Por atë që mund ta bësh, duhet ta bësh. U them të gjithë njerëzve që na shohin: Mund të pëlqejnë fjalët, fjalët që them janë të bukura por shumë kërkuese në jetë. Nëse do ti vini në jetë ato që them unë, duhet të ndryshoni veten tuaj, mënyrën se si silleni. Kur ju thuhet nga profeti diçka që është në çdo traditë, buzëqeshni. Ne në arabisht themi Hala“. Buzëqeshni motra dhe vëllezër, shërbejini njerëzve.“ Më i miri ndër njerëzve është ai që u shërben atyre. Sa më shumë shërbeni aq më shumë afër Zotit jeni. Këto nuk janë vetëm fjalë. Këto duhen vënë në jetë. Dhe unë nuk dua që ata që janë ulur në dhomën e ndenjes dhe po na shohin të mendojnë që kjo është e bukur, por kur fiket Tv është e rëndësishme që t’i bëni këto, edhe në qoftë se jeni muslimanë, të krishterë apo hebrenj, edhe nëse nuk besoni në Zot. Shoqëritë tona do të ndryshojnë vetëm për shkak të përkushtimit tonë ndaj ndryshimit. Dy gjëra nuk më pëlqejnë tek njerëzit, mendja dogmatike që thotë se unë kam të drejtë dhe ti e ke gabim, pra, të imponohen ndaj nuk më pëlqejnë këto mendje, dhe nuk më pelqen mendja pasive, që nuk bën asgjë, shohin botën dhe ankohen. Këto dyja janë të rrezikshme ata që imponohen dhe ata që thjesht vëzhgojnë.“

Eni Vasili: Po të tretët, ata të pafuqishmit që ju dëgjojnë ju japin të drejtë, që thonë nuk jam dogmatikë, nuk mendojnë që e keni gabim, por që thonë nuk mund ta ndryshoj botën se jam pa punë, kam shumë probleme të tjera?“

Tariq Ramadan: Unë mendoj që keni të drejtë. Por unë mendoj që edhe ata që janë viktima të padrejtësisë, si psh në botën e tretë në Afrikë. Unë kam takuar njerëz dhe u kam thënë të mos luajnë me mentalitetin e viktimës. Në islam ne kemi një mësim të tillë, nuk duhet të jesh viktimë, por duhet t’i kërkosh të drejtat e tua. Dikush më tha njëherë: Tariq, çfarë po thua? Unë jam viktimë. Unë nuk kam punë, nuk kam para, jam viktimë në shoqëri. Ti më thua të mos kem mentalitetin e viktimës, por unë në fakt jam viktimë.“ Unë nuk e mohoj këtë gjë, unë i respektoj viktimat, por puna ime është të ndihmoj viktimat të marrin një ndjenjë përgjegjësie, të mos i pranojnë rrethanat dhe të ngrihen të luftojnë për të drejtat e tyre dhe historia është në duart e atyre që ngrihen për të drejtat e tyre. E patë çfarë ndodhi në Egjipt, Tunizi? Miliona njerëz që thonë: Ne nuk pranojmë të jemi viktima! I thanë diktatorit Ik!“. Ju mund të jeni viktima, por mos u kolonizoni në mendje, por ngrihuni dhe luftoni për të drejtat. Unë jam një intelektual dhe mësues dhe po përpiqem të punoj në terren me viktimat dhe t’i bëj ata të ndjehen që nuk është koha për të qenë pasiv, por të luftojnë për të drejtat e tyre.“

Eni Vasili: “Pra, ai që po na dëgjon t’i thotë bosit të tij që nuk ka të drejtë dhe të luftojë për të drejtat e veta edhe duke rrezikuar apo jo?“

Tariq Ramadan: Në fakt ka më shumë rrezik duke mos bërë asgjë, duke qenë pasiv sesa duke luftuar. Rreziku i të qenit pasiv është më shumë se kaq. Unë dua që të gjithë ata që na shohin në këtë moment, të mos e pranojnë botën siç është, të mos pranojnë varfërinë, papunësinë, diskriminimin. U them grave mos pranoni të keqtrajtoheni. Kjo nuk do të thotë të çohesh dhe të jesh i dhunshëm ose agresiv. Njerëzit më të fortë janë ata që janë të qetë, që janë të arsyeshëm. Të jesh i arsyeshëm do të thotë të jesh i fortë në mendje dhe i hapur në zemër. Unë nuk mbështes dhunën por të kundërtën e saj, pra rezistencën jo të dhunshme. Çohesh dhe i thua jo padrejtësisë. Ne kemi një thënie në Kuran që e gjejmë edhe në budizëm, në krishtërim, në hinduizëm dhe judaizëm, ku njerëzve që të sulmojnë me të padrejtë ti i thua paqe, sepse unë nuk dua që ti të jesh armiku im, varfëria është armiku im, shtypja është armiku im, por jo ti. Ti thjesht përfaqëson atë. Prandaj dua që njerëzit që na shikojnë, të kuptojnë se është koha për të mos parë vetëm Tv, por edhe të bëjnë diçka të rëndësishme dhe pozitive. Ekziston një problem në kulturën tonë. Po ushqejmë kultura të televizionit, internetit, radios, muzikës, por do të doja që njerëzit të kishin edhe dëshirën për të lexuar më shumë. Në librin e fundit Kërkimi për Kuptim“ unë flas për katër disiplinat. E para është historia. Lexoni histori se ju ndihmon të kuptoni njerëzit. E dyta është filozofia. Përgjigja e pyetjeve përse jemi këtu? E treta është feja. Mëson më shumë për fetë e tjera, jo vetëm tënden. Dhe e katërta është për artet. Mësoni më shumë për imagjinatën, kreativitetin, muzikën, traditën, pikturat sepse arti është gjuha universale e njerëzimit dhe duhet të ushqehemi më shumë më këtë kreativitet dhe kjo na mungon sot jemi shumë pasiv dhe jo shumë kreativë.”

Eni Vasili: “Zoti Ramadan ju flisni për besimin për islamin por dhe krishtërimin, mendoni që shpëtimi, e mira vjen vetëm nga besimi dhe mendoni se ateizmi sot është një kërcënim për njerëzimin?”

Tariq Ramadan: “Mund të them që sigurisht unë jam besimtar. Jam musliman dhe një musliman praktikant. Dhe islami është përgjigja e pyetjeve të mia ekzistenciale. Kuptimi i jetës sime në fund të ditës është tre gjëra. E para është dija për zotin. Pra, dija për zotin përmes pranisë së tij, mëshirës së tij, kjo është pjesa e udhëtimit tim tek zoti. Dhe dimensioni i dytë siç e thashë më parë, kur ne flasim për islamin, ne flasim për paqen dhe një nga synimet e jetës sime është paqja e brendshme, pra të qenit në paqe me veten. Çfarë kam kuptuar nga islami është se nuk do të jeni në paqe, nëse nuk keni këtë marrëdhënie me Zotin dhe me veten, sepse dija e Zotit është midis teje dhe zemrës tënde. Kjo paqe në zemrën time vjen përmes gjërave që unë bëj në shoqërinë time. Gjëja e tretë që unë marr nga feja është që të kuptoj se Zoti është dashuri, dhe marrëdhënia ime me të është e bazuar në dashuri, është t’i shërbej njerëzve. Një thënie fetare, një traditë profetike thotë se më i miri ndër ju është ai që i shërben njerëzimit më shumë. Dhe kjo është filozofia ime dhe unë mendoj se kjo është e vërteta, por e vërteta ime. Kurani më thotë diçka. Nëse Zoti do kishte dashur, do i kishte bërë njerëzit të gjithë një komunitet. Pra, të gjithë muslimanë, por Zoti nuk e donte këtë. Ai donte që unë të ballafaqohesha me hebrenjtë, me agnostikët, hindutë me të gjithë fetë e tjera. Përse? Sepse në diversitet unë mësoj përuljen dhe jo vetëm duhet të jem i përulur, por duhet të kem respekt. Është një varg në Kuran që thotë se nëse zZti do kishte dashur të gjithë njerëzit, do të kishin besuar, ndaj ju nuk mund të detyroni të tjerët të konvertohen me forcë, duhet të pranoni zgjedhjet e tyre. Unë takoj sot njerëz ateistë dhe disa kanë vlera, kanë ndërgjegje kanë moral dhe punojnë shumë mirë. Madje mund të them se kam takuar muslimanë me më pak moral se ateistët. Unë i respektoj njerëzit të cilët kanë parime, i respektoj për zgjedhjet e tyre, por unë nuk do të hesht përballë një prirje të re që kemi në perëndim, që është një lloj ateizmi militant që kritikon të gjitha fetë dhe thotë që ato nuk duhen, dhe e vetmja mënyrë e drejtë për të qenë një njeri është të qenit ateist.“

Eni Vasili: Ata thonë gjithashtu se pikërisht fetë janë agresive, janë prej tyre që lindin konfliktet si Sam Harris, Richard Dawkins?“

Tariq Ramadan: E saktë. Ju shfaqët një diskutim apo debat timin me Cristofer Hitchens, që thotë se Zoti nuk është i madh dhe kritikon gjithë fetë. Ata e thonë këtë, por problemi për mua është që këto mendje janë ato mendje dogmatike për te cilat fola më lart, që thonë: Unë jam ateist. Unë kam të drejtë dhe ti je gabim.“ Pra, është një mënyrë e pasaktë për ta parë historinë. A janë fetë përgjegjëse për më shumë vrasje se sa ateizmi, pushteti, ekonomia? Sa njerëz janë vrarë nën regjimet komuniste? Sa njerëz janë vrarë në emër të pushetit ekonomik dhe politik? A do të numërojmë të vdekurit? Fetë janë keqpërdorur nga njerëz të fesë. Nga ana tjetër feja është keqpërdorur nga humanistët. Francezët që krijuan edukimin falas në Francë, në të njëjtën kohë që ishin kaq progresistë me njerëzit e tyre, thonin se duhet të shkonin në Afrikë dhe të civilizonin këta njerëz. Kemi një mision për t’i kolonizuar këta njerëz në emër të civilizimit, dhe ishin gati të vrisnin algjerianë, tunizianë, marokenë në emër të qytetërimit dhe kjo nuk është bërë në emër të fesë, është bërë në emër të vlerave të ndryshuara. Pra, unë mendoj që ky pozicion kur thuhet që fetë janë përgjegjëse, është gabim. Do të preferoja që të gjithë ne besimtarët, ateistët të shikojmë të gjithë brenda vetes dhe të jemi kritikë ndaj vetes, në vend që të themi: Ju jeni përgjegjës për gjithçka.“ P.sh Hitchens, po flisja me të një New York. Ai po thoshte që fetë janë përgjegjëse për gjithçka dhe unë e pyeta pas takimit: Pse ke mbështetur luftën në Irak duke vrarë qindra mijë njerëz të pafajshëm? Kjo nuk ishte feja që shkoi për t’i vrarë por ti që mbështet qeverinë amerikane dhe luften! Turp të të vijë! Ai mbështeti luftën unë nuk po e mbështesja.”

Eni Vasili: “Ju keni qenë një person “nongrata” në Tunizi, Egjipt, Siri, Jemen për shkak se keni kritikuar mjaft regjimet diktatoriale atje. Sot këto vende i kanë rrëzuar këto regjime ju e përmendët. Pyetja është, a ka patur rol besimi fetar në këto lëvizje apo thjesht kishte ardhur koha e demokracisë atje?”

Tariq Ramadan: “Me shpresë do të shkoj në Tunizi shpejt. Egjipti është akoma diçka e papërfunduar. Është një evolucion të cilin nuk e dimë kur do të përfundojë. Ndërkohë, Siria dhe vende të tjera janë në vështirësi. Ne kemi gëlltitur një histori në perëndim, që në këto vende, në Egjipt ose Tunizi kishte vetëm një opsion, zgjidhja mes një diktatori dhe islamistëve radikalë, pra SHBA-të dhe vendet europiane po na thonin neve qytetarëve, që më mirë të mbështesni diktatorët që promovojnë stabilitet dhe siguri, se sa të keni islamikë dhe radikalë që do të veprojnë kundër interesave tona. Por njerëzit në Tunizi dhe në Egjipt po na tregojnë një histori tjetër. Pra, nga e majta deri tek islamistët u bënë bashkë dhe thane: “Duam liri”, “Duam dinjitet”, “Duam barazi”, “Proces demokratik”, dhe papritur në perëndim po thonin: “Çfarë po ndodh me këta? Kanë të njëjtat vlera me ne”. Por historia ndryshoi. Dje po flisnim për diktatorët dhe islamistët dhe tani po flasim për njerëz që kanë të njëjtat vlera me ne, duke harruar që shumica e tyre janë musmlianë. Dhe në fakt, po gjithë këta njerëz nuk kërkuan demokraci në emër të islamit, por të gjithë e kuptuan se liria, drejtësia, demokracia nuk janë kundër islamit. Dhe këtë perëndimi duhet ta kuptojë, se muslimanët e Europës dhe ata në Egjipt dhe Tunizi ndajnë të njëjtat vlera si ne. Pra, edhe ne duam drejtësi dhe barazi. Nëse e heqim islamin nga pamja, ata janë për demokraci dhe janë muslimanë, janë për barazi dhe janë muslimanë, janë për drejtësi dhe janë muslimanë. Pra, ne duam që njerëzit të kuptojnë këtë gjë, që në Lindjen e Mesme ka lëvizje qytetarësh që janë muslimanë, por që duan të njëjtat vlera që kemi ne, por në vendet e tyre dhe në kulturat e tyra dhe nga feja e tyre, dhe këtë duhet ta respektojmë, nuk mund t’u imponojmë atyre sistemet tona, por ndërkohë kemi vlerat që i ndajmë.”

Eni Vasili: “Kjo sigurisht, po ndoshta bota në përceptimin ndaj islamit ka ndryshuar pas 11 shtatorit. A ka shtysa fetare terrorizmi? A ka njerëz që mendojnë se duke vepruar kështu po veprojnë sipas besimit të fesë së tyre, dhe po veprojnë drejt?”

Tariq Ramadan: “Unë kam punuar në fushën e radikalizmit dhe grupeve radikale. Askush nuk mund ta mohojë faktin që disa muslimanë e kuptojnë islamin në mënyrën e gabuar, në dy mënyra. E para, lexojnë Kuranin në mënyrë shumë sipërfaqësore, pa e vendosur versin në kontekstin e duhur, pra lexojnë që “Vritini armiqtë atje ku janë dhe thonë po duhet t’i vrasim“. Ndërkohë, ne u themi “Nuk duhet ta lexoni kështu Kuranin. Duhet ta kontekstualizoni.“ Pra, kemi një problem fetar në mënyrën e interpretimit. Por kemi edhe një problem politik. Nëse vret në Washington, New York, Madrid, pra vriten njerëz në perëndim dhe mendojnë se kjo është një mënyrë për të çliruar vendet e tyre, ne si muslimanë duhet ti themi që e keni gabim dyfish, që interpretimi juaj i islamit është gabim. Jo vetëm që është jo islamik por është anti islamik është kundër fesë sime. Nga përspektiva politike duhet t’ju themi që është e gabuar. Kjo nuk është mënyra se si ndryshohet bota. Jo duke vrarë qytetarë, por e ndryshon botën duke qenë aktiv duke ndryshuar opinionin publik, duke ndryshuar regjimin, duke votuar. Kjo është mënyra si ndryshohen njerëzit duke qenë aktiv në shoqëri. Këtë duhet të bëjmë, por nëse shkon dhe vret, kjo nuk ndryshon asgjë. Pas 11 shtatorit, një javë më pas unë u ftova nga “New York Times“ dhe unë po u thoja që kjo nuk është islame. Në 10 vitet e fundit ka patur konferenca, leksione pa fund ku muslimanët thonin se kjo nuk është islamike. Dhe duam që media të dëgjojë këtë zë, të promovojë këtë zë, dhe brenda komuniteteve tona ta bëjmë të qartë se kjo nuk është islamike. Sigurisht që ka diskriminim. SHBA-të kanë ndjekur politika të gabuara ndaj Lindjes së Mesme. Sigurisht që SHBA-ja mbështet Izraelin më shumë se ç’duhet, dhe nuk kujdesen për palestinezët. Mua më është ndaluar të shkel për 6 vjet në SHBA sepse kam thënë se politika e tyre në Irak ishtë e gabuar dhe se mbështesin në mënyrë unilaterale Izraelin. Administrata e Bushit për këtë arsye më ndaloi të shkelja në tokën amerikane. Qeveria e re e revokoi këtë. Pra si do ta ndryshojmë këtë realitet? Duke vrarë njerëz të pafajshëm? Jo. Këtë e ndryshojmë duke qenë njerëz të angazhuar, në Amerikë, në Europë, në Shqipëri. Pra, duhet ta bëjmë të qartë që jemi në anën e të shtypurve, që jemi gjithmonë në anën e të shtypurve. Palestinezët janë të shtypur. Gjithashtu dhe tibetianët janë njerëz të shtypur, afrikanët janë të shtypur , muslimanë ajo jo muslimanë. Mua nuk më intereson feja jote. Një njeri, një burrë dhe një grua e shtypur nuk ka fe. Pra, je në anën e tij ose të asaj, pavarësisht fesë kështu duhet të jemi.

Eni Vasili: “Pra nuk ka një islam të moderuar dhe një islam radikal? Ka vetëm një të keqitepretuar në këto raste?“

Tariq Ramadan: “Saktësisht unë mendoj se keni të drejtë. Disa e interpretojnë tekstin në mënyrën që jo vetëm nuk është e saktë, por është kundër mesazhit. Profeti dërgoi një ushtri në veri dhe në krye të ushtrisë ishte një djalë 20 – vjeçar më emrin Osama.Para se të nisej ai mori porositë e fundit, dhe Ebu Bekri që erdhi më pas, përsëriti atë çka tha profeti vet: “Mos vrisni civilë. Mos vrisni gra. Mos vrisni fëmijë. Mos vrisni njerëz të fesë, dhe mbroni pemët dhe natyrën“. Kjo është etika e luftës në islam. Në qoftë se këtë e kishim në fillim të islamit, si është e mundur që tani vret njerëz të pafajshëm dhe thua që ky është islami? Kjo do të thotë që nuk e njeh fenë tëndë. Duhet të jesh për drejtësinë por edhe mjetet duhet të jenë të drejta.

Eni Vasili : “Ju jeni bërë shumë i njohur edhe për pikëpamjet tuaja se duhet të kemi një riinterpretim të teksteve të shenjta, një kuptim të drejtë të tyre. Kur thoni këtë ccfarë keni parasysh saktesisht?“

Tariq Ramadan: “Kjo është një pyetje e mirë. Shumë muslimanë nuk lexojnë. Unë kam një faqe interneti ku ju them njerëzve: “Nëse nuk lexoni libra, sepse unë kam 28 libra atëherë shkoni në faqen e internetit dhe lexoni shkrimet“. Shumë myslimanë mendojnë se unë them që islami duhet reformuar. Jo,islami nuk duhet reformuar. Islami është një fe që ka mjetet për të adresuar të gjitha çështjet bashkohore. Nuk është islami, por mendjet e muslimanëve, mënyra se si ata e lexojmë kuranin qe duhet reformuar.Tradita profetike do të qendrojë traditë profetike. Por myslimanët e sotëm duhet të ndryshojnë mendjet e tyre, të shikojnë botën përreth dhe të vijnë me interpretime të reja. Unë këtë po përpiqem të bëj, jo të ndryshoj kuranin, por përpqiem të ndryshoj intepretimin tim se bota po ndryshon. Atë që ne e quajmë baza e fesë nuk do të ndryshojë. Nuk mund të ndryshojnë parimet që janë të pandryshueshme, besimin tonë, adhurimin tonë mënyrën se si adhurojmë, dhe ndalimet tona, dhe detyrimet tona nuk ndryshojnë, por mënyra se si ne sillemi me botën si e trajtojmë botën. P.sh çfarë do të themi për klonimin në shkencë? Cila është etika islame në shkencë përballë teknologjisë së re? Cila është etika islame kur flasim për mjekë që zgjedhin eutanazinë pra që bëjnë vdekje vullnetare? Pra, ne kemi nevojë për përgjigje përballë këtyre sfidave sepse këto nuk ekzistonin në shekullin e VII. Pra, refomoni mendjen po them, dhe jo islamin“.

Eni Vasili: “Që nga 2008 bota është përfshirë në një krizë të madhe ekonomike. Ka mendimtarë sot që thonë se ka ardhur koha për të ndryshuar rendin botëror, një kapitalizëm më të dhembshur sicc ka thene psh presidenti Sarkozy dhe disa figura te tjera ose diçka tjetër. A ka ardhur koha për të ndryshuar rendin botëror?“

Tariq Ramadan: “Po, ka ardhur koha për të ndryshuar rendin ekonomik. Njëherë presidenti francez që udhëhiqte grupin G8 po thoshte gjatë krizës ekonomike se kemi nevojë për kapitalizëm etik që është një kontradiktë termash. Ka specialistë si Stieglitz apo Soros që janë njerëz në nivele të larta të ekonomise që thonë se kemi nevojë për rregullime, kemi nevojë për etikë në ekonomi. Nuk mund të vazhdojmë me tregun e lirë, që është i lirë për të pasurit, por që nuk është i lirë për të varfrit. Në një nga librat e mi “Reforma radikale“ nuk flas për ekonomi islame, por mendoj që ka etikë islame në ekonomi. P.sh islami është kundër spekulimit, kundër interesit, dhe i shtyn muslimanët dhe jo muslimanët për të gjetur mënyra të tjera. Pra, nuk kemi një model por kemi parime. Shumë të krishterë po bëjnë të njëjtën gjë, po merren me ekonomi alternative, po respektojnë prodhuesit, po përpiqen ti japin pagesën e duhur atyre që prodhojnë, po përpiqen të ndalojnë konsumizmin, këtë prirje që një vit blej një kompjutër dhe vitin tjetër një tjetër. Duhet të mendojmë për të gjitha këto. Askush sot nga tradita islamike nuk i ka përgjigjet por e dime që ka nevojë për një rend të ri. Duhet të kemi njerëz që janë në nivelet më të larta të ekonomisë dhe të vijnë me ide të reja. Pra, nuk mund të adaptojmë kapitalizmin kur rezultatet janë të njejta. Kemi nevojë për një reformë dhe për një etikë më shumë.“

Eni Vasili: “Si do ta quanit ju rendin e ri. Ka një togfjalësh për ju, jeni dakord me kapitalizëm etik apo diçka më origjinale”?

Tariq Ramadan: “Jo, kapitalizmi etik për mua nuk funksionon. Kapitalizmi është treg i lirë, pa rregullime dhe etikë. Në fund të ditës esenca e kapitalizmit është që të pasurit të fitojnë. Kjo nuk është etike, dhe kjo po ndodh. Nëse vendos më shumë rregulla, bëhet më pak kapitaliste, pra bëhet sistem tjetër. Unë nuk kam një emër. Nuk kam një alternativë në mendjen time. Por unë di dy gjëra, ky rend nuk është i duhuri, po vret njerëz të pafajshëm çdo ditë. Gjëja tjetër që di është që ka shumë njerëz përrreth botës që janë kritikë ndaj këtij sistemi. Nuk kanë emra për këtë, por kanë parime. Ajo që unë shpresoj është që njerëzit nga fe të ndryshme të vijnë për të ndryshuar botën. Kjo është një nga fushat që unë do të punoj. Për momentin po punoj për etikën muslimane të aplikuar dhe specifikisht për ekonominë. Dhe dua të punoj në një projekt me ekonomistë që nuk janë të gjithë muslimanë, por janë ekspertë në këtë fushë për të menduar për alternativa përmes të cilave t’i rezistojmë sistemit”.

Eni Vasili: “Shumë revista dhe gazeta të njohura ju cilësojnë sot një prej intelektualëve më me influencë në botë? Ndoshta këto nuk janë vlerësimet më të rëndësishme, por janë thjesht indikacione. Pyetja është kjo: Si ndjeheni për këtë vlerësim dhe sa përgjegjësi ka sot pesha që ju keni në botë, fakti që fjalën tuaj e dëgjojnë kudo në botë nga universitetet me te njohura ne studiot më prestigjioze dhe librat tuaj i lexon e gjithë bota”?

Tariq Ramadan: “Unë nuk e vras mendjen për këtë. Unë pyes veten se kush janë këta njerëz të cilët i rendisin gjithë këta intelektualë keshtu. Unë për vete nuk e bëj këtë. Nuk mund t’i rendis njerëzit në këtë mënyrë. Ke gazetarë që thonë se: “ E dini, ju jeni në pozicionin e 8-të ose të 40-të”? P.sh në vitin 2010 më thanë se je në këtë vend, dhe unë i thashë se çfarë është kjo, unë nuk po përpiqem të dal në revista, po përpiqem të punoj me njerëzit. Unë kam takuar njerëz që janë më kurajoze se unë dhe bëjnë më shumë punë se sa bëj unë. Dhe ata nuk janë në asnjë listë. Ata janë të padukshëm. Unë përpiqem të bëj punën që di të bëj më mirë.Të shërbesh është pjesë e spiritualitetit tim. Sot ne kemi frikë të flasim për fenë, të flasim që jemi fetarë, por spiritualiteti im ka të bëjë me të qenit afër me Zotin, të përpiqem të ndryshoj veten, ta përmirësoj veten. Kuptimi i islamit në jetën time është: “Përpiqu të ndihmosh njerëzit, të jesh kreativ, të jesh intelektualisht krijues, të ndryshosh, por njëkohësisht të jesh konsistent me parimet që ke, dhe në çdo situatë të jesh i përulur”. Në botën e konsumizmit dhe kapitalizmit, një listë intelektualësh është për inteligjencën ajo çfarë konsumizmi është për ekonominë. Është i njëjti sistem. Nuk ndryshohet bota me një listë intelektualësh dhe konsumizmin, por është e kundërta. Pra, ji konsistent në zemrën tende. Kini parasysh që njerëzit shikojnë, dhe Zoti sheh më shumë se njerëzit. Unë e di çfarë Zoti sheh, dhe unë e di që ajo që ai sheh nuk është gjithmonë e mirë. Ai më thotë që duhet të përpiqem të bëj më shumë, dhe unë këtë po përpiqem të bëj”.

Eni Vasili: “Profesor Ramadan ju falenderoj shumë që ishit në programin tim “Studio e Hapur”. Sigurisht që është një eveniment i rrallë për mua si gazetare, por edhe për të gjithë teleshikuesit tanë që ju jeni këtu dhe që keni patur këtë njohje, këtë takim të parë me publikun shqiptar. Ju faleminderit që erdhët dhe faleminderit për gjithçka thatë. Unë shpresoj që sërish të takohemi, dhe ju të jeni sërish në Tiranë”.

Tariq Ramadan: “Ju faleminderit për ftesën. Dhe ashtu siç më falenderon me zemër dhe unë ju falenderoj me zemër. Me lejoni të them që ishte kënaqësi të isha këtu, dhe ishte një ftesë shumë e ngrohtë dhe shpresoj në të ardhmen të vij prapë”.

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *