Kryqtarët e Politikës Shqiptare.





E-Zani

Deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shamku – Shkreli, pyetur nga Mustafa Nano në blogun Respublica se në “Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qënë protagonist?,” u përgjigj:

“Në mbrojtjen e Kostandinopojës. Besoj rënia e saj ka qenë ngjarja që shenjoi thellë shorten e këtij vendit tonë.”

Le të shtojmë këtu se në përgjigje të së njëjtës pyetje nga Nano, deputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku u përgjigj:

“Në mbrojtjen e Konstandinopojës.”

Dy deputetë të parlamentit shqiptar nga dy partitë kryesore në vend do dëshëronin të kishin marë pjesë në këtë kryqëzatë të munguar të “mbrojtjes së Kostandinopojës.”

Nuk është për tu habitur që znj. Shamku edhe pse një njeri fetar vetë, nuk beson tek toleranca fetare e aq më pak tek toleranca fetare e shqiptarëve. E pyetur “Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?,” ajo përgjigjet:

“Faik Konica thotë se në Shqipëri flitet për tolerancë fetare ku bashkëjetojnë tri fe, por në fakt kjo qetësi është thjesht rrjedhim i mungesës së besimit, pasi aty ku ka fe nuk ka tolerancë, duke qenë se besimi ndërtohet mbi sakrificën. Jam pak a shumë një mendje me të.”

Toleranca shqiptare pra, për znj. Shamku është rjedhim i mungesës së fesë së shqiptarëve. Vetë Enkelejda, si besimtare dhe si e ndjen, jeton dhe percepton fenë e saj, nuk mund të jetë tolerante.

Sigurisht, fakti që kemi kisha e xhami në Shqipëri prej shekujsh tregon që kjo tolerancë nuk është e imagjinuar, por duhet shtuar se sot ideja e tolerancës fetare është në fakt fyese. Sot njerëzit fetarë nuk pretendojnë të tolerohen por të respektohen, por edhe toleranca është e pamundur për mënyrën se si znj. Shamku e kupton fenë e saj, e nuk është për tu habitur, pra, që ngjarja e historisë botërore ku ajo dëshiron të kishte marë pjesë, me shpatë e me kryq, është “mbrojtja e Kostandinopojës”, ku krah për krah do kishte dhe kundërshtarin e saj politik, deputetin Mark Marku. Në këtë fantazi militante, deputetët tanë kapërcejnë armiqësinë që ka bllokuar vendin për të luftuar bashkërisht turkun...

Vi re se, teksa pyetja është për “një ngjarje të madhe të historisë botërore,” znj. Shamku e sheh “mbrojtjen e Kostandinopojës” (apo rekonkuestën retrospektive të Stambollit) si një ngjarje kombëtare: “Besoj rënia e saj [Kostandinopojës] ka qenë ngjarja që shenjoi thellë shorten e këtij vendit tonë.”

Pyetur nga Nano nëse “Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?”, ajo përgjigjet:

“Ne shqiptarët kemi qenë europianë me titull të plotë. Më pas u nximë, u skuqëm e u zverdhëm. Tani jemi në kërkim të vetvetes.”

Do ishte ca e tepërt të fillojmë t’i themi znj. Shamku se sa qesharak është bërë ky muhabeti se kush është e nuk është evropian, por le mos lëmë pa vënë në dukje se humbjen e evropianizmit Shamku e përshkruan si “nxirje.” Është për t’u admiruar fakti që politikanët shqiptarë nuk ndjejnë presionet e korrektësisë politike për të mënjanuar një gjuhë me konotacione raciste. Shoqëria jonë nuk vendos të tilla presione.

Në imagjinatën fetaro – politike të një politikanie të rëndësishme të Partisë Socialiste, popullata masivisht e paurbanizuar e Shqipërisë së para 500 vjetëve ka qenë më shumë europianë se shqiptarët sot, të cilët në sytë e saj janë në kërkim të vetvetes. Prandaj beteja e Shamkut nuk është për Stambollin, por është lufta në territorin identitar të kësaj ‘paqartësie identitare të sotme.’

Përfaqësues nga armata e ekstremistëve katolikë të website – tit Zemra Shqiptare, si Daniel Gazulli, që boton dhe tek faqet e Respublica-s, përshëndet me entuziazëm këtë deklarim kryqëzate të Shamkut, duke shtuar në komentin e tij se kjo mbrojtje nuk është vetëm dëshirë e parealizuar, por “mendoj se mund t’i shtohet se në mbrojtje të Kostandinopojës mund e duhet të merret pjesë ende. Asht detyrë.”

Le të mbyllim këtë shënim që nuk meriton shumë shpenzim kohe duke kujtuar që një predikues fetar musliman, Artan Kristo, gjendet i burgosur sepse deklaroi në internet se duhet të ketë xhihad për rimarrjen e Andaluzisë, termi për Spanjën e periudhës islame. Ndërkohë xhihadi i krishterë apo etosi i kryqëzatave është bërë pjesë e ligjërimit politik në të majtë dhe të djathtë të politikës shqiptare.

Comments

  • Per hir te nje etike qe duhet ta karakterizoje kete blog, do t'i lutesha shkruesve qe te mos bien ne gracken e sentimentalizmit duke i thirrur ata qe kritikojne me emer te pervecem (si Enkelejda, ne kete rast). Nuk i ben nder ketij blogu dhe nuk i ben mire as kritikes kur eshte e drejte.Me respekt.

  • Anonymous, e vleresoj si te drejte kritiken e sjelle. S'kemi pse mos i permbahemi etikes edhe kur kete nuk e kerkojme dot nga ata qe kritikojme. Megjithate nuk e shoh sesi kjo eshte renie ne gracken e "sentimentalizmit." Mund te kete shume 'gracka' qe mund te te shtyjne ti drejtohesh znj. Shamku ne emer te pare, por sentimentalizmi nuk eshte nje prej tyre.

  • Autorja nuk thote asgje nga ato qe komenton Ezani. Te gjitha jane deduktime te zotnise qe sheh komplotues ndaj myslimanizmit tone kudo.Mbrojtja e Kostandinopojes qe simbol i qendreses ndaj pushtuesve, sikurse me vone u be ajo e Krujes. Ne pikpamje simbolike Kostandinopoja qe si Roma per popujt qe benin pjese ne ate perandori. Besoj se nuk ka ndonje te keqe qe iliret te kene luftuar per mbrojtjen e Romes kunder fiseve gjermane. Po ashtu nuk shoh gje te keqe qe shqiptare e turq luftuan me vone, kur ne ishim pjese e Perandorise Turke per te mbrojtur Shkodren nga malazezet e me pas Stambollin ndaj fuqive te medha. E rendesishme eshte te luftosh te huajin kur kerkon te pervetesoje vendin qe te perket.Ato historite me kryqezata i lexova vetem ne komentin tend z. Ezan.

  • @Tironsi: Zj.Shkreli pohon disa gjera njeheresh: qe shqiptaret jane skuqur e nxire, pasi humben evropianitetin e shek. xiv; pastaj thote se Zoti eshte mbreti im; pastaj thote se toleranca eshte produkt i mosbesimit, sepse besimi-si sakrifce-prodhon natyrshem intolerance; pastaj thote se do kishte dashur te luftonte ne Kostandinopoje ku vendoseshin shortet tona; me tej thote se do te kish dashur te merrte ne pyetje Moisi Golemin "ikja e te cilit NA demtoi". Pyetjes standard te Mustafa Nanons 'a do mund te vrisnit dot nje njeri qe iu rrezikon" , pyetje qe Mustafai nuk e ka llogaritur per te dy gjinite ne fakt, zj.Shkreli i pergjigjet me patjeter, ndonese ka frike nga ferri. Zoti Mbret, ferri, lufta ne Kostandinopoje, vrasja rrethanore, 'inkuizicioni' i Moisi Golemit dhe barazimi i evropianitetit me homogjentetin fetar te shek XV, ne gjitha keto te dhena vijne nen nje shenje, ate krishterimit militant, militarist, mesjetar dhe praktikuesi i ketij lloj varianti te krishterimit, per efekt retorik te shtuar, sidmos kur kemi te bejme me nje njeri te politikes, aq me shume TE MAJTE, mundet lirisht te quhet KRYQETAR.

  • pse vijuese:Sic thote "ezani' me lart, ideja per Europen e zonjes, eshte trishtuese: kur themi Europe dhe kur cilesojme dike apo dicka si europiane, kemi parasysh referenca te kristalizuara pertej shekullit XV, kemi parasysh tolerance, ligjshmeri, racionalitet, pluralizem dhe jo kryqezate as asketizem as turre drush. Keto bashke me gotikun dhe kodet e kaloresise aristokratike i perkasin nje kontinenti te vjeter qe quhet Krishterim, ndersa Europa pikerisht se eshte dicka pertej kesaj, quhet Europe. Ne kushtetuten e Europes u be nami te vendoset kjo shenje naive barazimi me fene, po mendjet e Europes sot, e sidomos politikanet e saj nuk jane konverte te fresket me zell te pashpenzuar fetar qe t'i lejojne vetes shkarje. Konstruktivizmi nuk na del te pohojme se shqiptaret e shek xv paskan qene europiane, pasi shumica derrmuese e tyre as qe dinin kete fjale, ndersa votuesit e zj.Shkreli sot e dijne dhe e enderrojne si te vetin kete atribut te ndaluar. Votuesit e zj.Shkreli dijne gjuhe europiane, zbatojne ligje europiane, vishen ne mode europiane, lexojne letersi europiane, jane te kthyer te gjithe me mish e shpirt nga Europa, po z, Shkreli ende nuk ua njeh europianitetin; sepse per z. Shkreli keta duhet te jene te gjithe te krishtere, bile katolike, mundesisht intolerante, per t'u quajtur europiane, te denje per te jetuar ne shek. XV. Pra zj.Shamku eshte e sinqerte kur thote se Europa ka qene Shqiperia e shek xv, pasi ajo ende jeton me vlerat e shek xv, dhe aspirata e saj europiane, eshte ne fakt aspo=irate per mesjete; ndryshe nuk do te thosh se feja eshte intolerance. Nuk eshte puna te jemi politkisht korrekte kot me kot, po ne fakt feja eshte dashuri dhe tolerance, para se te jete gjithcka tjeter: shpresonim se te pakten intelektuale te krishtere keto pune i dinin. Ne Kuranin tone thuhet qarte se po te donte Zoti, do t'i kish bere gjithe njerezit nje popull; po misteri i krijimit eshte ai i diversitetit dhe diversiteti nuk mbijeton pa tolerance: keshtu duke qene tolerante, thjesht i nenshtrohemi me nderim vullnetit te Zotit. "Ju keni fene tuaj, une timen" na meson Kurani ne te tjereve, joevropianeve, po me teper sesa fjale fetare, lypset te shohim realitetin e tolerances te prekshem ne kishat ne Jeruzalem e Kajro, ne Stamboll e Teheran, ne Prizren e Damask: kane pasur fe keta njerez qe i kane toleruar tempujt e tjetrit, nuk kane qene ateiste apo indiferente fetare, po thjesht kane besuar se feja e tjetrit eshte ne dore te Zotit, jo te robit. Sot kur koncepti i tolerances luftohet (mbase per faktin se eshte koncept ekskluzivisht islamik) dhe eshte zevendesuar me barazine apo gjithepranimin, nje politikane, teorikisht e majte dhe laike, bie ne pozita te tilla fondamentaliste.I nderuar 'tironsi', cili do qe te jeni, me duket se nuk jeni i ftohte ne gjykimin e zonjes, per arsye qe nuk ka pse te jene te te tjereve (fisi, njohja, animi i njejte politk a fetar etj). Pikerisht per keto arsye mendoj se duhet ta falenderonit autorin e shkrimit qe nuk e ka cuar me tej punen, drejt nje denoncimi me te hapur, sic e meriton nje politikane e rendesishme, qe neser behet gati te drejtoje vendin. Nje poltikane qe diskrediton fene duke e barazuar me intolerancen, duhet denoncuar nga njerezit e fese se vet ne fillim dhe nje politikane e majte qe krenohet me nje variant intolerant te fese qe ndjek, duhej denoncuar nga njerezit e forces se vet politike (po te ishit socialist tiranas, duhet ta benit). Ju nderkaq keni zgjedhur ta shpotisni si paranojak autorin e shkrimit, qe shihka komplote sa andej kendej dhe kjo eshte zgjedhja juaj, por kjo bie era komplot per vete.

  • Këta time travelers kaq të zellshëm do të kishin bërë mirë, ndoshta, ta mbronin Konstantinopojën kundër forcave të Kryqëzatës së Katërt, të cilat e shkatërruan dy shekuj e gjysmë para se qyteti të binte në duart e osmanëve.Ja si e përshkruan Sir Steven Runciman plaçkitjen e Kostantinopojës prej kryqtarëve katolikë, në 1203:"Për nëntë shekuj me radhë, ky qytet madhështor kish shërbyer si kryeqendra e qytetërimit të krishterë. Ishte i mbushur me vepra arti që kishin mbijetuar prej Greqisë së lashtë dhe me kryevepra të mjeshtërve të vet të shkëlqyer. Venedikasit, aty ku mundën, i morën thesaret për vete dhe i hoqën mënjanë. Por frëngjtë dhe flamandët ishin të mbushur me epsh shkatërrimi: ata vërshuan nëpër rrugë si të ndërkryer, duke shkulur gjithçka që vezullonte dhe duke shkatërruar gjithçka që nuk e merrnin dot me vete, dhe duke ndaluar vetëm për të vrarë, për të përdhunuar ose për të shqyer dyert e qilareve të verës. Nuk kursyen as manastiret, as kishat, as bibliotekat. Në Shën Sofi vetë, ushtarë të dehur u panë të grisnin e të hidhnin përtokë perdet e mëndafshta dhe të copëtonin ikonostasin e argjendtë, teksa shkelnin me këmbë libra të shenjta dhe ikona. Teksa pinin nga enët e altarit, një prostitutë këndonte një këngë të ndyrë në frëngjishte, e ulur në fronin e Patriarkut. Deri edhe murgeshat i çnderuan, brenda në kuvendet e tyre. Si pallatet, si kasollet, njëlloj u shkatërruan. Gra dhe fëmijë të plagosur u lanë të vdisnin rrugëve. Për tri ditë me radhë vazhduan këto skena të llahtarshme, deri sa qyteti i madh dhe i bukur ra në gjunjë. Madje edhe pasi u kthye pak rregulli, pushtuesit vazhduan të torturojnë qytetarët, që këta t'u tregonin se ku i kishin fshehur thesaret."[ Steven Runciman, History of the Crusades, Penguin Books, Harmondsworth, 1965, vol 3, pp. 111-128.]Pas pushtimit "frank", Konstantinopoja nuk do ta merrte dot më veten, si kryeqendër e Krishterimit të Lindjes, edhe pse Bizanti do ta rimerrte një gjysmë shekulli më pas.

  • Eshte per te ardhur keq qe ne shqiperine e Rilindjes, arrijne dhe marrin poste njerez te tille – qe te vetmen arritje kane te qenurit bashkeshorte e kry-hajdutit te Edit Rames (Tan Shkrelit). Te vjen vertet keq se si Lapsi, nje portal i mbajtur nga dy gazetare te njohur, i kushton hapesire, dhe quan lajm daljen me maske te nje deputeteje.

    Dhe kujt, nje deputeteje qe nuk shkon as ne kuvend, qe nuk i degjohet njeher zeri ne kuvend, dhe qe eshte thjesht nje shabllon i rendomte i zarave te Rames.

    nje njeri pa tru, qe mendon dhe flet sikur ajo di gjithshka mbi cdo gje. Eshte e turpshme se si keta pseudo-intelektuale qe nuk kane asgje te perbashket me kulturen shqiptare, arrijne te vegjetojne dhe te hane buke.

    sa keq me vjen per te gjithe ne si popull qe vazhdojme te rrehemi me pese lek dhe lejojme keta felliqsira te na drejtojne.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *