Ajo që ka ndodhur në Prishtinë me datë 24 Qershor, dhuna policore kundra besimtarëve muslimanë, është e turpshme dhe tregues shqetësues i politikave shtetërore kosovare kundër besimtarëve muslimanë.

Përfaqësuesi i Bashkohu Me Ne dhe një nga organizatorët e protestës, Fuad Ramiqi, ka deklaruar se policia ka nisur dhunimin teksa besimtarët ishin të ulur, ka kërcënuar për reprezalje të mëpasshme, ka goditur me shkelma në kokë besimtarë teksa faleshin dhe ka fyer me fjalorin më të ulët. Policia është kthyer në një bandë rrugacësh që ka përdorur dhunë gjatë një shfaqje normale mosbindjeje civile, si formë normale e shprehjes së vullnetit politik në një shoqëri demokratike. Fatkeqsisht, policia është sjellë si banda e një shteti policor.

Ne kemi qenë dëshmitarë të viteve të tëra ku besimtarët falen rrugëve në mungesë të lejeve për ndërtimin dhe dhënien e hapësirave për ndërtimin e objekteve të kultit musliman.

Ndvrkohë, shteti kosovar nuk ka nguruar të prishë një gjimnaz që të krijohej hapësira për ndërtimin e katedrales Nënë Tereza. Politikat e shtetit kosovar motivohen nga përpjekje qesharake për t’u dukur të pranueshëm në Evropë përmes operacionesh imazhi, të cilat shpesh vijnë thjesht si shkelje e lirive dhe të drejtave fetare të besimtarëve muslimanë. Një shtet që nuk kujdeset për respektimin e lirive civile dhe fetare, godet thelbin e asaj që e bën Evropën një model të sukseshëm.

Do kish qenë normale që minoriteti katolik kosovar të mbështeste të drejtën fetare që u është dhënë atyre më parë. Por kanë qenë të shumtë zërat katolikë që kanë sulmuar dhe akuzuar besimtarët muslimanë për radikalë. Në të kundërt, këto zëra ekstremistësh katolikë theksojnë problemet ndërfetare që nxiten nga politikat shtetërore të njëanëshme.

Bashkësia Muslimane e kryesuar nga Myftiu Naim Tërnava ka dënuar me të drejtë ndërhyrjen e dhunshme kundër besimtarëve dhe Myftiu Tërnava përgënjeshtroi pretendimet se forcat policore kanë kontaktuar paraprakisht zyrën e tij apo se Myftiu Tërnava është shprehur kundër kërkesave të protestuesve.

Shteti kosovar duhet të marrë përsipër respektimin e të drejtave të qytetarëve për të protestuar, duhet të njohë liritë dhe të drejtat e besimtarëve për praktimin normal të të drejtave fetare dhe të ndalë përdorimin e dhunës policore kundër tyre.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *