Arber Fetiu*

Në kryeqytetin e laicitetit, në Paris, për më shumë se dhjet vite tani, çdo të premte, në qarkun e 18-të të kryeqytetit francez, besimtarët musliman francezë falin namazin e tyre të së premtes në rrugën Myhra, në shenjë proteste për mungesën e vendit të kultit në qytetin e tyre. Kryebashkiaku i qarkut të 18-të të Parisit, i’u përgjigj ankesave të disa qytetarëve për bllokimin e rrugës duke thëne se një situatë/praktikë e tille është e tolerueshme derisa objekte të reja kulti të jenë në dispozicion për komunitetin musliman. Ministri i Brendshëm frëng, Claude Gueant, muajin e kaluar tha se nëse falja e namazit neper rrugët e Parisit eventualisht do të ndalohet, kjo do behet për të mbrojtur besimtarët protestues nga ndonjë akt armiqësie.

Në qytetin metropolitan të New Yorkut, në udhëkryqin që puq rrugën numër 42 me Madisson Avenue, qytetaret amerikan të besimit islam bllokuan rrugën e Manhatanit çdo të premte me jave të tëra radhazi për të protestuar kundër diskriminimit që u behet, përmes faljes se namazit në rruge. Praktikë e ngjashme me muaj të tërë ndodhi edhe në rrugën e 29-të e në rrugën e 94-të të New Yorkut.

Ne qendër të Londrës, studentet e Universitetit të Londrës,vitin që shkoi, çdo jave falnin namazin e xhumasë në mes të rrugës, duke artikuluar kështu frustrimin e tyre për mbylljen e dhomës se namazit dhe për të kërkuar hapjen e një dhomë të re në hapësirat e universitetit.

Te tilla akte civile, të shprehura në formën e ritit namazit, u artikuluan edhe në Romë para dy muajsh, në Silena të Maltës, e në plot vende të tjera të Evropës. në të gjitha këto shprehje proteste, që thureshin rreth kërkesave të ndryshme të komunitetit musliman në këto vende, qytetarët protestues jo vetëm që nuk hasen në asnjë incident të dhunshëm me qytetaret apo me forcat e rendit, por aktet e tyre kishin privilegjin të jenë nen mbrojtjen e forcave të rendit. Në këto dy-tri vitet e fundit, vetëm në Beograd, Athine, Moske, Sofje, e në disa qytete të tjera me shumice jo-muslimane të Evropës Lindore, janë shënuar incidente të dhunshme gjate protestimeve paqësore të qytetarëve musliman të këtyre qyteteve.

Ne xhumanë e 24 Qershorit, në Prishtine, policia e Kosovës, organi themelor i rendit i qeverisë se Hashim Thaçit, vendosi ta radhit kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, përkrah Beogradit, Athinës,Sofjes dhe Moskes në qasjen e saj karshi protestuesve paqësor të cilët në shenje proteste falnin namazin e xhumasë, për të shprehur pakënaqsinë e tyre lidhur me standardet e dyfishta që qeveria përdor karshi komuniteteve konfesionale në Kosovë.

Paradoksalisht, këto ditë kam hasur në një varg shkrimesh të cilat si në forme piskamash në letër, me një dozë patetike të frikës por edhe të absurditetit (si ai i Halil Matoshit në Koha Ditore të 18 Qershorit “Dy Evropa, Kosova dhe neo-ottomanizmi”), orvateshin ta cilësojnë orientimin e qeverisë Thaçi gjoja përkrah “neo-ottomanizmit të Turqisë”, apo piskama poaq të paskrupullta, që mua më tingllojnë krejt sikur kur lexoj webfaqen ultra-radikale serbe Serbianna (apo si disa shkrime të Drashkoviqit në fillim të viteve 90-ta ku ai alarmonte fundamentalizmin islamik imagjinar nder-shqiptar)që i cilësonin protestat dhe kërkesat e muslimaneve të Kosovës si kërkesa të burrave me mjekra, e me tesha arabe, të cilët kinse importuakan ide radikale prej botës arabe në hapsirat shqiptare (I tillë ishte shkrimi e Leon Duhanaj-t tek Telegrafi, me date 23 Qershor: “A po i kanoset rreziku i ekstremizmit fetar Kosovës?”). Por namaz-protestat e dy xhumave të fundit, jo vetëm që dëshmuan se përpjekjet për t’i dhëne qeverisë Thaçi dhe qeverise se Erdoganit turk një emërues të përbashkët, janë jo vetëm të rrejshme por edhe tendencioze, ato madje dëshmuan edhe se protagonistet në shumice dërmuese falin namazin të veshur krejt evropiançe, me xhinse dhe çuditërisht pa mjekra, aspak alla-turka, po krejt sikur të ishin kreatura të Saatchi & Saatchi-së!

Ajo që ndodhi të premten e 24 Qershorit pranë xhamisë se Çarshisë, nuk është diçka e re për besimtaret musliman. Kjo radhitet në vargun e qëndrimeve të qeverive të pasluftës, të cilat çuditërisht së bashku kanë qene konform rreth një projekti politik mysliman-diskriminues që me së shumti ngjyron me aparteidin e gjysmës se dytë të shekullit të 20-të në Afriken Jugut. Ky projekt më ngjason poashtu edhe në shumë linja të regjimit diktatorial të Naserit apo Sedatit të Egjiptit apo në Algjerinë se fillimviteve 90-ta, ku kërkesat e besimtareve musliman trajtoheshin me dhunë e me persekutim duke shkaktuar kështu lindjen in vitro e një teologjie radikale tek ta. Kështu,edhe muslimanët shqiptar, të cilët nder shekuj kanë treguar maturi dhe një deficit radikalizmi, karshi qëndrimeve të tilla të lidershipit shqiptar/kosovar, gjinden në udhëkryqin mes vetëdijesimit e radikalizmit. Shumë studime bashkëkohore që trajtojnë lindjen e ekstremizmit në përgjithësi e atij fetar në veçanti, shikojnë origjinën e tij tek persekutimi i vet subjekteve/ besimtareve, tek represioni dhe diskriminimi i tyre, tek mohimi i kërkesave të tyre legjitime dhe trajtimi i tyre si qytetar të rendit të dyte, apo tek shprehjet e ndryshme islamofobe, kur është fjala për shoqëritë perëndimore (shih Ibrahim Badawi, John Calvert, Quintan Wiktorowicz, Gilles Kapel etj), përskaj radikalizmit, persekutimi mund të jete edhe hapi i parë i emergjencës se një vetëdijeje të re shoqërore të komunitetit të persekutuar, ashtu siç ka ndodhur edhe me hebrenjtë e pas Holokaustit. Shenjat e emergjencës se një vetëdijeje e re sociale tek komuniteti musliman janë më shumë se evidente. Ndërkaq, studime të panumërta kuantitative tregojnë se sa më shumë që një komunitet etnik apo religjioz persekutohet e zhvishet prej të drejtave të tij , e sa me shumë që kërkesat e tij legjitime injorohen, ai ka tendenca të anoj kah separatizmi, skizma dhe të eskaloj tek dhuna apo konflikti (Will Kymlicka, Joseph Raz etj), e kjo do të thotë se nëse eventualisht shenja të radikalizmit do të shfaqen tek besimtaret musliman shqiptar në vitet që vijnë, ato nuk do të jenë aspak fryt i intruzioneve të jashtme, i qimeve të mjekrave, apo mëndafshit të shamisë, por fryt i punes se palodhshme diskriminuese, represive të lideshipit shqiptar (e në veçanti kosovar). Kjo punë e palodhshme, ky ideal tjetersues, i filluar me mbretin Aleksander qysh në Jugosllavine e parë, e i artikuluar në lidershipin shqiptar ma së miri me qëndrimet e Ibrahim Rugovës, dhe i vazhduar me zell deri në ditët tona nga adeptët e tij pseudo-qytetrimor (shpesh oponent të tij politik, por aleat të projektit të tij pseudo-qytetrimor), është projekt i cili tash e disa dekada e ka marre përsipër detyrën e alienimit të muslimanëve shqiptar ! Ç’është më ironikja është se ky projekt disa dekadash, për alienimin e muslimaneve dhe nënçmimin e tyre sot realizohet me vet taksat e tyre dhe me me ndihmen e vet votës së tyre bumerang !


Përveç dimensionit anti-diskriminues, namaz-protesta e xhumasë, mund t’shihet edhe në dimensionin averziv vis-à-vis qeverisë së tanishme, e cila po shfaq të njejtat simptoma islamofobie me simotrat e saja paraprijëse. Me këtë akt, besimtaret musliman e radhiten veten karshi kësaj qeverie dhe simotrave të saja dhe e morën dëshminë më të mire të antipatisë që ka lidershipi kosovar karshi kërkesave të tyre esenciale.

Autori ka masters MA ne Shkenca Politike nga Universiteti Laval,Quebec, Kanada.

Comments

  • Arber artikull shume i mire, vetem se sigurisht shpresoj qe paralajmerimi yt mos plotesohet. Duhet me komentu, e humori duhet kur s'kemi c'themi tjeter, po katoliket e revistes drini dhe zemra shqiptare pse jane radikalizu ne eksptremiste e dundamentaliste fetare edhe pse qeverite shqiptare kudo qofshin u rine lepe peqe.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *