Gjergj Erebara

Një ministër i Jashtëm shqiptar në një televizion lokal u tregua mjaftueshmërisht i kujdesshëm sa Tajvanit t’i referohej si Territori Kinez i Tajvanit. Ndoshta druante se po t’i referohej thjesht si Tajvan, ky ishull i largët – që shumica e shqiptarëve as e dinë se ku bie në hartë – mund të fitonte pavarësinë. Kjo ndodhi para dy javësh dhe përmes kësaj deklarate të kujdesshme, ministri shqiptar e shpëtoi arenën diplomatike ndërkombëtare nga një cunam i përmasave biblike.


Ndërsa dy ditë më parë, Ministri i Jashtëm i Izraelit vizitoi Tiranën. Po të dëgjosh deklarimet zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe kryeministrit Berisha, dukej sikur Avigdor Liebermanit i kishte rënë rruga nga lagjja jonë, pasi nuk kishte asnjë punë konkrete.

Në të gjitha takimet zyrtare, motivi i vërtetë i vizitës nuk u përmend kurrë. Në vend të saj, u dëgjuan përralla me investitorë dhe me miliarda. Por falë ekzistencës së internetit, një numër i kufizuar shqiptarësh e morën vesh arsyen e vizitës: Kërkohet që Shqipëria të votojë kundër njohjes së shtetit të Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në rast se për një votim të tillë do të lindë nevoja në shtatorin e ardhshëm.

Një grup i vockël prej të informuarve mori mundimin që në një mëngjes plot vapë të dilte në një manifestim për të kërkuar mbështetjen e Shqipërisë për Palestinën si një detyrë morale. Një pjesë e gazetarëve nuk e dinin se për çfarë pati ardhur Lieberman, ndërsa një pjesë e publikut pyeti se mos bëhej fjalë për një protestë tjetër për votat.

Kakofonia politike është e mjaftueshme për të bërë që shqiptarët të jenë një popull me plot media dhe me pak ose aspak informim.

Kjo është hera e dytë që Shqipëria duhet të zgjedhë mes Izraelit dhe Palestinës: Në vitin 2004, ajo votoi pro Palestinës dhe kundër Izraelit në betejën për murin rrethues që synonte ta kthente Bregun Perëndimor një burg të sigurisë së lartë, ndërkohë që sot është një burg i sigurisë së ulët.

Sipas politikanëve tanë, shqiptarët nuk kanë kapacitetet e duhura mendore ose nuk duhet të debatojnë mbi një problem të tillë dhe të largët. Ndryshe nuk ka se si të shpjegohet që asnjë zyrtar nuk foli për arsyen e vërtetë të vizitës së ministrit të jashtëm të një vendi me të cilin marrëdhëniet ekonomike janë minimale dhe marrëdhëniet politike janë thjeshtë në kuadër të kortezisë.

Gjithsesi, shqiptarët debatuan nëpër forume interneti, dhe ndonjë shkruajti edhe në gazetë, mbi çfarë duhet të bëjë vendi ynë me votën e vet jo shumë të rëndësishme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Reagimet i përngjanin komplekseve të njohura kombëtare: a) Lindje apo Perëndim, b) i ngel hatri Amerikës dhe c) kompleksi i të shkuarës Otomane. Disa bënë thirrje të mbështesim Izraelin, disa të tjerë Palestinën. Për fat të keq, Shqiptarët i dhanë më shumë rëndësi votës së vet në OKB se sa ajo ka realisht. U duk sikur do ta vendosë Shqipëria këtë çështje dhe jo vota e 220 shteteve anëtare.

Në fakt, Shqipëria ka dy mënyra për të zgjidhur dilemën: a) përmes një politike parimore; b) përmes një diplomacie pragmatike interesash.

Nga pikëpamja parimore, nuk ka dyshim se vota e vockël e Shqipërisë duhet të shkojë për Palestinën. Bregu Perëndimor ka 6 mijë kilometra katrore me 2.3 milionë banorë. Ca prej tyre janë kokëkrisur. Shumica, njerëz të mjerë që bëjnë një jetë të mjerë. Situata e saj është shumë e ngjashme me Kosovën. Jo për shkak të religjonit të popullatës së saj, por për shkak se janë një vend nën dhunë ushtarake prej dekadash. Në rast se popullata e Bregut Perëndimor do të qe, fjala vjen, e krishterë, budiste, spiritualiste apo diçka tjetër, sërish vota duhej të shkojë në favor të tyre. Në të gjithë Europën, por edhe në SHBA, ka plot grupe pro-palestineze, siç ka edhe në Izrael grupe që synojnë paqen.

Sa për çështjet praktike që lidhen me sigurinë e Izraelit në rast se Palestina fiton pavarësinë, vetëm një i marrë mund të besojë se ky shtet i mjerë përbën realisht kërcënim për një superfuqi bërthamore si Izraeli. E njëjta gjë vlen edhe për një dyzinë vendesh që besohet se e rrethojnë Izraelin, por që në fakt kanë fuqi ushtarake dhe politike të ngjashme me Shqipërinë.

Nga pikëpamja pragmatiste, pra çfarë mund të përfitojë Shqipëria në rast se e nxjerr votën në shitje, situata është edhe më e pashpresë. Kosova, çështja më e rëndësishme e diplomacisë shqiptare, nuk pranohet si shtet as nga Izraeli dhe as nga Palestina. Izraeli me shumë diplomaci thotë se nuk ka dëshirë të krijojë një precedent në ligjin ndërkombëtar që mund t’i shërbejë Palestinës. Ai mban në këtë rast qëndrimin e Spanjës apo Rumanisë, të cilat nuk diskutojnë nëse Kosova e meriton pavarësinë apo jo, por se mënyra e arritjes së pavarësisë konsiderohet si problematike.

Palestina, pa kurrfarë rafinimi diplomatik, mban në lidhje me Kosovën qëndrimin e Rusisë apo Serbisë. Në këtë pikë, nuk kemi çfarë të shesim. Nuk ka pse të na mbesë hatri me Izraelin për qëndrimin që mban; duhet të na mbesë hatri me qeverinë e Bregut Perëndimor, por nga pikëpamja praktike, njohja e Kosovës nga Palestina nuk ka kurrfarë vlere se ky vend nuk është anëtar i OKB-së dhe nuk mund të japë votën e vet kur Kosova të kërkojë vendin që i takon mes kombeve.

Investimet izraelite ka pak gjasa të shërbejnë si argument për votën kundër Palestinës. Megjithëse Lieberman qe shoqëruar nga biznesmenë, është shumë e vështirë të besosh se dikush do të investojë paratë e veta në një vend të caktuar sepse qeveria e atij vendi ka hedhur një votë në OKB. Çdo investitori i intereson se çfarë do të fitojë. Politika është e vlefshme për të fituar koncesione pa konkurs apo tendera të manipuluar. Dhe këto lloj investitorësh nuk na hyjnë shumë në punë.

Sa për frikën se mos i mbetet hatri Amerikës, duhet thënë se marrëdhëniet mes shteteve nuk janë si marrëdhëniet mes njerëzve. Shqipëria psh. votoi pro Palestinës në vitin 2004 ndërkohë që SHBA-të votuan kundër. Por kjo gjë nuk e pengoi Presidentin Bush të votojë Shqipërinë pak kohë më vonë.

Shqipëria ka një histori miqësie me popullin e Izraelit dhe një histori miqësie me Palestinën. (Shqipëria është zyrtarisht vendi i parë në botë që njohu Organizatën për Çlirimin e Palestinës si përfaqësuese të popullit palestinez). Në të dyja rastet, miqësia nuk u krijua për interesa. U krijua sepse shqiptarët vepruan në mënyrë të drejtë. Shpëtimi i pak qindra hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, (dhe pas tyre, shpëtimi i 25 mijë italianëve), nuk qe një histori përfitimesh. Në kuadër të numrave, shpëtimi i pak qindra jetëve, megjithëse i pamatë nga pikëpamja njerëzore, nuk kishte shumë rëndësi përballë milionave të zhdukur nëpër kampet e përqendrimit. Por qe një veprim i drejtë, rëndësia e të cilit shkon përtej numrave.

Njohja e Palestinës në mes të viteve ’70 qe gjithashtu një gjest që në arenën ndërkombëtare nuk ngrinte peshë. Për këtë arsye, Shqipëria duhet të qëndrojë edhe kësaj here në anën e së drejtës. Në anën e popullit të Palestinës, i cili ka po aq të drejtë të ekzistojë sa edhe Izraeli. Është e sigurtë se një vendim i tillë nuk do të ketë ndikim mbi njohjen e Kosovës nga Izraeli, nuk do të ketë ndikim mbi vendimin e biznesmenëve për të investuar apo jo në Shqipëri dhe natyrisht, nuk e zhvendos Shqipërinë asnjë centimetër as në drejtim të Lindjes dhe as në drejtim të Perëndimit.

Dhe nëse dikush do të shtronte pyetjen haluçinante (siç është shtruar) se cilën traditë duhet të respektojë diplomacia jonë “atë të shqiptarëve që shpëtuan hebrenj” apo atë të “kobures enversite”, sigurisht, që “vota” shkon për të parën. Siç shpëtuam hebrenjtë nga nazizmi, duhet të mbështesim Palestinën ndaj zgjedhës së një padrejtësie të madhe.

Comments

  • Ne fakt vota izraelite nuk eshte as pragmatiste. Por politikanet shqiptare duhet te pyesin nese jane per apo kundra te drejtes per vetevendosje te popujve. Mbeshtetja pro-izraelite eshte sa jo pragmatiste po aq dhe jo parimore.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *