Kur vdekja i ka sytë e kaltër







Vedrana Rudan


Sa e thjeshtë ishte jeta për ne të civilizuarit para kësaj thertores në Oslo dhe rrethina. Muslimanët e (@%*&) hidhnin botën në erë. Kullat binjake, avionet, autobusët në Londër, bile edhe stacionin policor në qytetin tim Rijekë … askund njeriu nuk mund të ishte i sigurtë.



Shpesh udhëtoj, së paku një herë në dy muaj e në aeroport zbath këpucët: e dij se në çantën time nuk guxoj të mbaj shishe më ujë, as mjet për prerjen e thonjve. I vetmi lëng që guxoj të mbaj është parfumi i blerë në aeroport. Edhe pse bota e civilizuar ka bërë dhe bën shumë në eliminimin e myslimanëve, dhe ne urrejmë bartësit e turbaneve dhe gratë e mbuluara, sërish nuk mjafton.

Mu për këtë bomba bien në Libi, cofin fëmijë në zjarr në Pakistan: krejt ata ishin terroristë të ardhshëm të cilët duhet të shtypen ose që në gjirin e nënës ose që nën pantallonat e babait. Që të mos shumohet kopeja syerrët terroriste. Afganistani në emër të demokracisë është shndërruar në vend të djegur; Libia është rrugës për ferr; Gaza? Ajo vendlindje e terroristëve as nuk guxon të përmendet.

Nese ndonje budallai ose budallaqje – e ajo jam unë- i bie ndërmend të thotë ose të shkruajë diçka mbi atë se si vdesin njerëzit në këtë kamp përqendrimi (Gaza) të urisë, etjes, llocit dhe varfërisë, para syve të “botës se civilizuar”, ai ose ajo menjëherë emërtohet si “antisemit/e” (…).

Tashmë na është e qartë që të gjithëve se terrorizmi mund të jetë vetëm mysliman. Për shkak të mbajtësve të turbanit ne kalojmë këmbëzbathur në çdo detektor për metal në çdo aeroport; për shkak të atyre pisave gjyshet anekënd botës u duhet t’u sqarojnë doganierëve se zilja cingëron nga shkaku i protezës metalike e jo bombës nën fustanin e demoduar.

Po, deri dje bota ishte vend që dinim se kush është kush në jetën tonë. Ndaheshim në të krishterë të bardhë dhe ende më të bardhë si dhe në pisa esmerë, më pak esmerë dhe të errët, të cilët me bomba rrënojnë qytetet dhe jetërat tona. Kur ja aty… Oslo!

I riu lëkurëbardhë i cili mezi ka tridhjetë vjet dhe sy aq të kaltërt sa që në aeroport nuk do ta kishin detyruar që të zbathte këpucët, mbyt qindra fëmijë norvegjezë kurse Oslon e shndërron në Bagdad. Na theu kjo neve, neve që jemi të bardhë, katolikë dhe të drejtë. Kur vdesin libianë, pakistanezë, afganë, irakenë dhe fëmijë nga Gaza, gjithë ajo na është disi normale. Një fjali në media. Prap se prap, ata fëmijë janë terroristë të ardhshëm. Por këto djem dhe vasha të bardha? Oslo? Kam qenë aty. I pastër deri në perfeksion, i civilizuar dhe qytet i shkëlqyer. Aty i pashë, njerëz të bardhë që loznin dhe këndojnë. Ata t’i mbysësh? Që janë aq të qashtërt sa që asnjëherë shtypur nuk kishin, nuk do të kishin qoftë edhe një milingonë? E pabesueshme.

Për këtë krim askush nga ata që vazhdimisht na sqarojnë se çka është terorizëm nuk do mund të gjejë shpjegim, pos asaj se ky djaloshi sykaltërt dhe flokëbjond është një i sëmurë i rëndë psiqik. Vetëm i krishteri i sëmurë mund të bëjë masakër. Vetëm myslimani i sëmurë nuk është terrorist. Jetojmë në botën e cila është ndarë në pisa esmerë dhe të bardhë të sëmurë. Le të prehen në paqë fëmijët që u vranë në mënyrë perverse në Norvegji, në vend se të vdisnin në Afganistan, duke mbrojtur botën nga terrorizmi.

——–

Vedrana Rudan është një shkrimtare dhe gazetare kroate. Humori i saj i guximshëm drejtuar ndaj ish-presidentit Tuxhman i kushtoi në fillim të viteve ’90 përzënie nga puna si gazetare në radio.


Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *