Richard Silverstein

Numri i të vdekurve nga sulmi i egër në Norvegj u rrit në 92 sot. Anders Breivik, një radikal i të djathtës ekstreme i cili publikonte rregullisht në një forum internet neo-Nazist, është i vetmi i dyshuar i arrestuar deri tani. Electronic Intifada publikoi pjesë nga manifesti me 1500 faqe, shkruar nga Breivik, i cili portretizon filozofinë e tij politike. Këtu, CNN mbulon lajmin e manifestit nga një këndvështrim paksa i ndryshëm nga ai më poshtë. Për shembull, duke patur parasysh përdorimin e steroideve dhe suplementeve me testosterone nga vrasësi, dikush mund të spekulojë mbi rolin që mund të kenë luajtur këto në çmendurinë e tij të mbushur me urrejtje e zemërim.


Mes armiqve të tij kryesorë janë myslimanët dhe ata jomyslimanë të cilët, sipas tij, lehtësojnë ose ndihmojnë triumfin e Islamit në Perëndim. Prandaj ai përzgjodhi për sulm selinë e qeverisë kombëtare dhe një kamp rinor të sponsorizuar nga partia qeverisëse Laburiste. Terroristi norvegjez ka një obsesion me marksizmin, dhe me sa duket e barazon qeverinë e majtë të tanishme me atë ideologji. Alex Kane vëren se një ditë para sulmit në kampin e ishullit, mbështetës laburistë mbajtën një protestë solidariteti me Palestinën (një aktivitet që do e kishte mbajtur larg vrasësin). Ai i shihte liderët e vendit të tij si ndihmëtarë të terrorit mysliman, dhe multikulturalizmin si helmin nëpërmjet të cilit Islami mund ta përhapë veten në Perëndim.


Në shkrimet e tij, terroristi i dyshuar shpreh besimin se një akt i lavdishëm terrori do të ndizte një kundërveprim të gjerë mysliman, i cili do mundësonte më pas një grusht shteti nga e djathta ekstreme për të marrë pushtetin në Norvegji dhe në Evropë. I vetmi problem me këtë skenar është se ai sulmoi objektiva norvegjeze e jo myslimane. Kjo është pjesa më e pashpjegueshme e këtij incdidenti. Duke patur parasysh urrejtjen e tij ndaj Islamit dhe besimin e tij se Islami është në zemrën e asaj çka e rëndon sot botën, pse nuk zgjodhi ai si objektiv mylsimanët norvegjezë? Padyshim kjo është një pyetje që ia kanë bërë hetuesit gjatë hetimit.


Breivik e shikonte Izraelin si një aleat në luftën kundër Islamit. Alex Kane thotë në Twiter se ai shkruante: “Ti japim fund kësaj mbështetjeje idiote për Palestinën… të fillojmë të mbështesim kushëririn tonë kulturor, Izraelin.”


Ai gjithashtu shkruante: “Konservatorët kulturorë besojnë se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten nga xhihadi… Njerëzit e ndjeshëm duhet të mbështesin sionizmin (nacionalizmin izraelit) i cili është e drejta e Izraelit për vetëmbrojtje nga xhihadi.”


Disa pjesë të tjera nga manifesti i tij:


“Nëse dikush e pranon se Islami gjithmonë i ka shtypur çifutët, ai person e pranon se Izraeli ka qenë streha e nevojshme për çifutët që i iknin jo vetëm atij anti-semitizmit europian, por edhe atij islamik.”


“Që nga prishja e Perandorisë Islame pas Luftës së Parë Botërore, shumë xhihade janë luftuar nëpër botë nga shtetet e pavarura myslimane ose grupe xhihadiste jo-shtetërore. Përpjekja me e vazhdueshme ka qenë drejtuar ndaj Izraelit, i cili ka bërë mëkatin e pafalshëm të sjelljes së dar al-harb (tokës së luftës) në një tokë që më parë ishte dar al-islam (tokë e Islamit).”

“Si mundet dikush ta fshijë horrorin e shtypjes myslimane ndaj të krishterëve dhe çifutëve e cila zgjati me shekuj dhe u shtri në kontinente të ndryshme?”


“Gazetarët perëndimorë vazhdimisht dhe sistematikisht injorojnë sulme serioze myslimane dhe fokusohen tek çifutët, gjë e cila vetëm sa i shton malit me prova se të gjithë gazetarët perëndimorë e mbështesin projektin e BE-së për Eurabinë; armiku i tyre është qeveria e Izraelit. “


“A ishin shumica e çifutëve gjermanë dhe europianë të pabesë? Po, të paktën të ashtuquajturit çifutë liberalë, njësoj si çifutët liberalë të sotëm të cilët kundërshtojnë sionizmin/nacionalizmin dhe mbështesin multikulturalizmin. Çifutët që mbështesin multikulturalizmin sot janë një rrezik ndaj Izraelit dhe sionizmit sa ç’janë ndaj nesh. Pra le të luftojmë bashkë me Izraelin, me vëllezërit tanë sionistë kundër të gjithë anti-sionistëve, kundër të gjithë marksistëve kulturorë, multikulturalistëve… Pra, a janë çifutët e sotëm në Evropë dhe Amerikë të pabesë? Çifutët multikulturalistë JANË, ndërsa çifutët konservativë NUK JANË. Afërsisht 75% e çifutëve europjanë/amerikanë e mbështesin multikulturalizmin, ndërsa 50% e çifutëve ne Izrael bëjnë të njëjtën gjë. Kjo tregon shumë qartë se ne duhet të mbështesim fort çifutët e mbetur besnikë si vëllezër e të mos bëjmë të njëjtin gabim si NSDAP. Sa herë që diskutoj Lindjen e Mesme me një nacional-socialist ai më prezanton argumentin anti-Izrael e pro-Palestinë. Ai duket gjithmonë i pavetëdijshëm se propaganda e tij po dëmton nacionalistët Izraelite (të cilët duan t’i deportojnë myslimanët nga Izraeli) dhe ai faktikisht mbështet marksistët kulturorë izraelitë e multikulturalistët me argumentin e tij.”


Ali Abunimah (Electronic Intifada) tregon se ai (Breivik) admiron veçanërisht Avigdor Libermanin dhe partinë e tij Yisrael Beitenu. Jashtë Izraelit, ai ndjek shkrimet e Pam Geller, Robert Spencer (të cilit i referohet 43 herë në manifestin e tij), dhe Daniel Pipes (11 herë). Dje, një uebsajt norvegjez deklaroi se Breivik e kishte identifikuar veten si “Fjordman”, një kontribues i rregullt i blogjeve anti-xhihadiste të përmendura më sipër. Geller ka mohuar të ketë një lidhje, e po ashtu dhe Gates of Vienna (blogu i Fjordman) dhe ndoshta ata kanë të drejtë. Unë nuk kam parë prova deri tani që të vërtetojë nëse Breivik dhe Fjordman janë apo s’janë i njëjti person. Duhet të them ama se shkrimet e Breivik nën emrin e tij janë shumë më tepër të prirura drejt dhunës; Fjordman, ndërsa është po aq radikal, duket se kënaqet me sferën e teorisë politike, më tepër sesa të veprimit.


Por edhe nëse nuk janë i njëjti person, fakti se filozofia intelektualo-politike e Breivik frymëzohet nga secili prej këtyre (Geller, Spencer, Fjordman), është një tregues se çfarë bataku urrejtjeje ka aty. Njësoj si rabinët kolonë mbajtën një pulsa di nura dhe e çfetarizuan Yitzhak Rabinin para vrasjes së tij; ashtu si Bibi Netanjahu frymëzoi një turmë që mbante foto të Yitzhak Rabinit me uniformë SS pak para vrasjes së tij, po kështu përmbajtja intelektuale e këtyre uebsajteve formësoi botëkuptimin e këtij vrasësi.


As nuk dua të mendoj se çfarë do bëja unë sikur dikush që kishtë lavdëruar apo referuar punën time të shkonte në një dalldi vrastare. Do doja të mendoja se vetë natyra e bindjeve të mia do militonte kundër dhunës. Por jam i sigurt se nuk do bëja atë që bëri Geller, e cila evitoi çdo lloj meditimi serioz mbi çështjen në fjalë. Ajo nuk është përgjegjëse mbi vrasjet masive, shkruan Geller në një postim të titulluar krejt pa takt Heads Explode (kokat shpërthejnë). Përkundrazi, e majta është përgjegjëse për lidhjen e saj në çfarëdolloj mënyre me dhunën:


“Kjo është luftë. Dhe e majta është e egër, imorale, dhe pa vlera. Ata duan të fitojnë dhe kjo është mënyra e tyre e vetme sesi ta bëjnë këtë.”


Me të vërtetë, Anders Breivik nuk do mund ta thoshte as vetë më mirë. Sa për mua, unë do e dënoja aktin dhe autorin nëse do më lavdëronin mua, diçka që nuk besoj ta dëgjojmë nga tastierat e Pam Geller, Spencer, apo Pipes.


Që t’ju jap një përshtypje të thellësisë së vetëmashtrimit ku këta tipa patologjikë janë të aftë të arrijnë, shikoni këtë autoportret:


“Unë e konsideroj veten si një tip i qetë dhe shumë tolerant në shumë gjëra. Për shkak të faktit që jam ekspozuar ndaj indoktrinimit multikulturalist me dekada, ndjej nevojën të theksoj se nuk jam në fakt racist dhe s’kam qenë kurrë i tillë.”


Vrasësi “i qetë dhe tolerant”. Një tip i ri personaliteti në analet e psikologjisë deviante.

Perktheu A.T.

ANDERS BREIVIK, NORWEGIAN TERROR SUSPECT, ADMIRER OF ISRAEL, AVIGDOR LIEBERMAN

http://www.richardsilverstein.com/tikun_olam/2011/07/23/anders-breivik-norwegian-terror-suspect-admirer-of-israel-avigdor-lieberman/

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *