Mesazhe nga Oslo





Xhodi Hysa

Nëntëdhjetë vite më parë evropiano-centrizmi ishte moda e fundit mes shkencëtarëve dhe banorëve të Evropës, çdo vend tjetër i cili nuk ishte brenda kufijve të Evropës jo vetëm që ishte një vend i prapambetur por shihej si një vend ekzotik me disa njerëz të çuditshëm dhe disa forma të çuditshme të jetuari. Sistemi ynë kishte në qendër të tij Perëndimin ndërkohë që çdo kontinent tjetër rrotullohej rreth tij, cilido nga këto kontinente që ishte më pranë diellit (lexo Perëndimi) ishte më i ndriçuar dhe më i zhvilluar se sa kontinentet që ishin larg tij. Çdo e keqe shihej se buronte prej Lindjes, madje dhe i Sëmuri i Evropës ishte në lindje të saj.


Mirëpo historia na tregon se të këqijat më të mëdha nuk erdhën nga këto kontinente që ishin larg diellit por erdhën pikërisht nga dielli që ndodhej në qendër të sistemit. Andej nga vitet 1920 revolucioni bolshevik do të fillonte një shfarosje në masë të kundërshtarëve të tij, shfarosje që do të arrinte kulmin nga vitet 1930 kur hipja në pushtet e Stalinit do të sillte një kasaphanë të vërtetë në Ish Bashkimin Sovjetik, ishte kjo e njëjta periudhë kur në Evropë u instaluan tre regjime të tjera totalitariste dhe çnjerëzore si ai fashist dhe nazist, përkatësisht në Itali, Gjermani dhe Spanjë. Në atë kohë Evropa vazhdonte të dominohej nga teoria se ajo ishte shumë e zhvilluar dhe se në bazë të organizatave të reja të formuara pas luftës së parë botërore kishte arritur ti jepte zgjidhje përçapjeve ekspansioniste të Gjermanisë apo edhe ish mbretërisë Austro-Hungareze. Pikërisht në kulmin e kësaj vetësigurie filloj të ndihej gjithnjë e më shumë një frymë e re në qendër të Evropës, në djepin e kulturës së Rilindjes Evropiane kishte dalë një Çezar i ri i cili premtonte se do të rikthente Italinë në kohët e lavdishme të Perandorisë Romake; ndërkohë që në rrënojat e mbretërisë së Vilhemit të II dhe nën muzikën e Vagnerit kishte ardhur të sundonte ideologu i holokaustit çifut dhe teorisë së racës mbisunduese. Fuqitë e Evropës hezituan, të shtyrë ndoshta nga një frikë prej komunizmit dhe dhunës që pushtetit komunist mund të sillte por edhe për arsye pragmatike, ato përzgjodhën që ti jepnin liri veprimi fashizmit duke i lënë të përplaseshin dhe të shkatërronin njëri tjetrin. Pra me pak fjalë edhe pse prapambetjen ato e shihnin tek i sëmuri i Bosforit, Afrika dhe Azia koha tregoj që dhuna, diktatura, shfarosjet etnike dhe holokausti buruan nga zemra dhe tradita e diellit.

Por historia nuk përfundon me kaq! Të izolosh çmenduritë që ndodhën në Luftën e dytë Botërore vetëm në anën e nazi-fashistëve është të shohësh vetëm një anë të medaljes, bombardimi i Drezdenit apo bombat atomike të lëshuara në Japoni sollën një etapë të re në psikozën e njeriut. Deri në atë kohë ishte e pabesueshme dhe e paimagjinueshme që një e shtypur butoni mund të sillte një sulm të atillë sa të rrafshonte një qytet të tërë. Psikoza e masakrave të tilla mund të lexohet fare mirë në veprën e Kurt Voneghut. Kur dielli filloj të ngrihej nga këto trauma, ose mendoj se po ngrihej, shënjestra u rikthye të ishte lindja dhe Afrika; problemet fetare që shtriheshin në të, religjioni dhe raporti që njeriu kishte me të shihej si thelbi i prapambetjes jo vetëm ekonomiko-sociale por edhe mendore. Bota asokohe ishte e ndarë në dy pjesë si rezultat i luftës së ftohtë dhe vendet e lindjes sikundër dhe ato të Afrikës u bënë fushëbeteja e këtyre forcave, masakrat që ndodhën në Vietnam por edhe gjendja e ushtarëve amerikanë përshkruhen në mënyrë të shkëlqyer në filmin “Apocalypse Now”. Por edhe pse Perëndimi po tentonte ta gjente të keqen dhe gjarprin që e kish nxjerrë nga Edeni në lindje koka e tij u shfaq në zemër të Ballkanit, kur kasapi Milosevic bashkë me bashkëpunëtorët e tij kryen masakrën më të madhe pas luftës së dytë botërore pa harruar këtu vrasjet, burgimet dhe internimet e regjimeve komuniste që kishin zaptuar gjithë lindjen e Evropës.

Sot mbas nëntëdhjetë vjetësh duket se askush nga ne nuk ka përfituar dije prej historisë. Jemi munduar të gjejmë armiqtë e civilizimit të njerëzimit në Afganistan, Irak, Palestinë, Vietnam, Somali por zor se kemi kuptuar që mbase armiqtë e civilizimit mund të gjenden në mesin tonë. Anders Behring Breivik është emri që po na rikujton një histori të hidhur, po na rikujton që edhe pse kemi dashur të gjejmë Hitlerë, Duçe apo Stalina tek barbarët, i kemi pasur vetë në gjirin tonë, i kemi ushqyer nga qumështi jonë i kemi përkëdhelur madje edhe llastuar derisa ato janë kthyer në diktatorë të aftë të kryejnë masakra të tilla. Këto individë nuk kanë brirë e me sa po na tregon historia nuk kanë as rrënjë kulturore, ato mbijnë pikërisht aty ku ti nuk e pret. Ironikisht edhe vetë diktatorët e lindjes apo të Afrikës kanë patur dhe kanë në zyrat e tyre nga një foto të diktatorëve të sipër përmendur shpesh i kopjojnë në veshje apo edhe qëndrim. Perëndimi ka kaluar disa trauma që kanë hapur paradigma të ndryshme nga traumat që ka kaluar lindja apo Afrika, me sa duket këtyre paradigmave akoma nuk u është dhënë zgjidhje. Në Evropë gjithnjë e më shumë po shfaqen shenja të një neofashizmi dhe fundamentalizmi kristian i cili nuk po ndodh në vende me prapambetje sociale apo ekonomike, ndryshe nga fundamentalizmi islamik. Fakti që Breivik është norvegjez na tregon se nacionalizmi dhe Islamofobia nuk janë pronë e Ballkanit të trazuar, fakti që Breivik kishte shkruar një “Mein Kampf” të tijin me titullin “A European Declaration of Indipendence” tregon se fashizmi nuk ka vdekur dhe se mbase çifutet e rinj mund të jenë muslimanët e Evropës. Kështu që do të ishte më mirë sikur të kuptonim mesazhin që na erdhi nga Oslo dhe ta ç’kodonim ashtu siç duhej në mënyrë të tillë që të mos pjellim ndonjë diktator të ri dhe të mos psherëtijmë përpara ndonjë Aushvici tjetër O Zot pse heshte!”.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *