E-Zani

Teksa mentorët ideologjikë të Breivik si Robert Spencer dhe Pamela Gellner u distancuan prej tij, në Shqipëri, sic kemi njoftuar më parë, akti i tij terrorist u nderua nga disa si “anti-terrorist”, ndërsa viktimat e tij, më së shumti adoleshentë e ndër të cilët dhe një shqiptare, u damkosën si terroristë. Duhet vënë në dukje që ky terrorizëm publicistik në penën e famkeqit Kastriot Myftaraj, nuk habiti kënd nga ata që kanë ndjekur zhvillimin e retorikës së supremacistëve dhe fundamentalistëve të krishterë në gjirizet e website-ve të urrejtjes ndërshqiptare. Por nuk është për t’u habitur, gjithashtu, që shkrime e K. Myftaraj për “de-islamizimin e Kosovës” gjenden dhe në blog-un Gates of Viena, një nga blogjet e frekuentuar nga kalorsi kryqtar Breivik. Artikulli është përkthyer nga një kontribues i zellshëm i këtij blogu, një shqiptar pro-serb dhe fundamentalist i krishterë, Ilia Toli, gjithashtu edhe doktor i shkencave në matematikë.

Ndërkohë, në një prej këtyre gjirizeve të urrejtjes ndërshqiptare, në website-in Zemra Shqiptare, Ilir Dardanit i duhet të distancohet ndaj dhunës së Breinvik, por nuk mund të tërhiqet nga idetë e Breivik.

Akti i pabesueshem i nje te krishteri nuk i heq asnje presje Ideologjise Islame. Myslimanet le te ‘’gezohen’’ sepse eshte tradite e tyre te na shfaqen si viktima. Ata shqiptare qe mendojne se islami ka fituar jane vetem hipokrite anadollake. Islami nuk i dha arsye Breivik-ut te shkalloje dhe te vrase dhjetra njerez te pafajshem, por Islami i ofroi Neverine ndaj tij dhe si pasoje e humbi harbuterisht kontrollin.

Nese do te sulmonte terroristet islamike ne Afganistan, Kosove, Bosnje, Maqedoni (shqiptaro-turqit), Shqiperi, Iran, Pakistan, Siri dhe ne vendet e tjera islamike, do te ishte nje hero i Qyteterimit Europian dhe atij Boteror.

Deri ne momentin qe u be monster ishte vizionar i madh. E perseris: Vizionar i Madh.”

Për njerëz të këtij takëmi, cfarëdolloj krimi të kryhet, muslimanët janë përherë fajtorë. Edhe kur krimi bëhet nga një kryqtar i vetëdeklaruar, ajo që ai bën është “barbari xhihadiste.” Dhuna është e pabesueshme për një të krishterë, por normale për muslimanët. Por, vini re, monstruoziteti i Breivik është i kufizuar tek fakti që viktimat e tij ishin evropianë, sepse nëse do ishin adoleshentë afganas, sirianë, iranianë, pakistanezë apo kosovarë, boshnjakë, “shqiptaro – turq” në Maqedoni e Shqipëri, atëherë Breivik do ishte, sipas Ilir Dardanit, “nje hero i Qyteterimit Europian dhe atij Boteror. Deri ne momentin qe u be monster ishte vizionar i madh. E perseris: Vizionar i Madh.”


Kjo retorikë pretendon mantelin e nacionalizmit, por nacionalizmi që predikon është ai i një kombi shqiptar pa muslimanët. Kjo nuk është as teorikisht e mundur, por mbi të gjitha, është bazuar në një vizion përcarës që injekton armiqësi ndërshqiptare. Vizioni ynë, në të kundërt, është i njëjtë me atë të shumicës së shqiptarëve që e kanë parë si pasuri dhe jo mangësi realitetin multifetar të popullit tonë. Kjo është e bazuar në mësimet e fesë tonë ku e prezenca e besimeve të ndryshme konsiderohet reflektim i urtësisë së Zotit.


Partizanët e kësaj retorike pretendojnë se përfaqësojnë vlerat evropiane, por Evropa e tyre është mesjetare, e dhunshme, ksenofobe. Realiteti ynë si muslimanë evropianë është i pakontestueshëm dhe legjitimiteti ynë është i bazuar në prezencën tonë gjeografike, në historinë e prezencës sonë në Evropë dhe faktit të pakundërshtueshëm se mendimi, etika, teologjia dhe kultura muslimane gjenden në themel të Evropës që doli nga errësira e mesjetës së hershme. Ne jemi përfaqsues dhe përqafues të një imazhi tjetër evropian që sheh diversitetin si pasuri, që është i hapur dhe pluralist.


Kjo retorikë duhet demaskuar për atë që është, një përpjekje regresive, përcarëse që ndjell tension dhe urrejtje dhe duhet përballur me arsyen dhe solidaritetin që përshkon njerëzit progresistë përtej identiteve fetare dhe ideologjike.


Ne kemi në këtë mes pozitën më të lartë morale edhe kur duket se ata kanë zërin më të lartë në pozitën që u jep agresiviteti e injoranca.

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *