Rreziku i një shoqërie homogjene II






E tashmja: “Koha për t’u rrëfyer dhe për të kërkuar pendesë”

Xhodi Hysa

Pjesa e dytë

Sikundër e përmenda më sipër një valë e re oksidentalizmi e cila induktohej nga vetë politikat qeveritare erdhi në vendin tonë, gjithçka vendosej në shërbim të kësaj politike qeveritare madje dhe intelektualët që duhet të përçonin mendimin e tyre apo paradigmat e tyre nisur nga vëzhgimi që i bënin fenomeneve (në fakt këtë nënkupton liria e të shprehurit) filluan të mirëpresin këto paradigma dhe politika qeveritare pa i kritikuar ato, kështu nisi ajo që mund të quhet apologji e jona për të shkuarën tonë. Të robëruar nga Lindja që personifikon të keqen neve sërishmi si kemi harruar rrënjët tona Evropiane sepse gjuha jonë është e tillë, sepse ne jemi të vetmit pasardhës të ilirëve, sepse kemi një gjak të pastër që na lidh me individë me peshë historike si Skënderbeu, sepse vetë Pali i kishës së hershme të apostujve të Krishtit kaloj sëkëndejmi e kështu me radhë. Shkrimtari Ismail Kadare ka botuar në formën e një sprove me titullin “Identiteti Evropian i Shqiptareve” në hyrje të cilit gjendet dy paragrafë të tillë:


….Shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të kontinentit evropian, popull themeltar në rrafshin e tij, ashtu siç është pranuar gjuha shqipe nga gjithë gjuhëtarët e mëdhenj, si një ndër dhjetë a dymbëdhjetë gjuhët bazë të kontinentit.
….. Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit evropian, është e bardhë. Ashtu si gjuha, ajo quhet, në rastin më të favorshëm, pasardhëse e ilirëve, në më të pafavorshmet, e trakoilirëve. Historia e Shqipërisë, ashtu si e gjithë gadishullit, gjer në pushtimin otoman, është pjesë e kronikës mesdhetare evropiane. Së paku tri qytete kryesore të saj, me jetë të pandërprerë, Durrësi, Shkodra dhe Berati, kanë afërsisht një moshë me Romën….
Me këtë mall tragjik për Evropën e humbur, Shqipëria mbërriti në vitin 1912, vit i lirisë së saj. Më 28 nëntor u shpall pavarësia, dhe nga zgafellat e kombit u nxor flamuri i moçëm mbretëror me shkabë dykrenore, një nga emblemat e mëdha, e cila, prej botës romako-bizantine i kishte kaluar Evropës e kishte zënë vend në qendër të heraldikës së saj. Kontinenti nënë, në një vrull fisnikërie ua njohu atë shenjë shqiptarëve. Por gjestet e Evropës do të ishin më pas tepër të kursyera për ta[i]

Natyrisht që nuk kam ndërmend të merrem dhe të analizojë gjithë veprën e Kadaresë por mesazhi që ajo tenton të përcjellë është pak a shumë: myslimanët shqiptarë për shkak të një tradhtie të bërë shumë kohë më parë rrezikojnë haptazi apo fshehurazi identitetin tonë evropian të cilin një forcë e së keqes, që na la shenjë për 500 vjet u mundua të na e zhdukte përmes krijimit të letërsisë bejtexhie, përmes kthimit në fenë e tyre dhe përmes dhunës që kjo forcë pushtuese vendosi në zakone tradita dhe kulturën tonë. Teza të këtilla nuk janë të reja për dikë i cili mundet të hulumtojë në historiografinë e vendit tonë.

Sikundër e përmenda më sipër një ndihmesë dhe një shtysë të madhe për krijimin e një identiteti kombëtar kanë ndikuar shumë edhe studiuesit e huaj të cilët u përhapën në Shqipëri dhe në Ballkan në shekullin e XIX. Këto studiues, që shpesh herë e kishin një profesion të dytë albanologjinë, kishin ardhur si delegatë të Fuqive të Mëdha në gadishull dhe zakonisht në kohën e lirë merreshin me studimin e popujve të Ballkanit dhe një impresiono u la një popull që ishte bilinguistë por që fliste një gjuhë që nuk kishte lidhje të drejtë për drejtë me asnjë nga gjuhët e njohura të Ballkanit. Kështu ishin albanologët, të parët, që filluan të krijojnë dhe të hulumtojnë teori mbi popullin shqiptar[ii]. Përpos kësaj albanologët habiteshin për një larmitet religjionesh mes këtij populli dhe këtë larmit ato shpesh e shpjegonin se islami ose myslimanët ishin mish i huaj që duhej të dëboheshin ose si një islam ballkanik i cili ishte sipërfaqësor që nuk rrekej të merrej me detaje të religjionit, që ishte shumë më tepër sipërfaqësor dhe që sipas gjeografit dhe udhëtarit Ami Boue këto lloj myslimanësh do të rigjenin sëshpejti një pranim të ngrohtë nga Kisha Katolike Romake, pasiqë i “sëmuri i Evropës” të largohej nga Evropa[iii]. Por një teori të tillë e hedhin poshtë vrojtimet dhe shënimet e renegatit alzasian Ibrahim Manzour të cilët shprehen dhe na tregojnë se pjesa religjioze në Shqipëri ishte shumë e lidhur me besimin, ai na tregon se në veri myslimanët ishin sunitë fanatikë ndërkohë që të krishterët ishin shumë të lidhur me besimin e tyre; në Shqipërinë e Mesme po kështu ndërkohë që në Labëri ishin alevianë të tërbuar ndërkohë që ortodoksët urrenin këdo që nuk kishte besimin e tyre dhe se ato nuk hanin mishin të mërkurave dhe të premteve gjatë kreshmëve. Ndërkohë që në zonën e Çamërisë islami sunitë ishte aq i fortë saqë prodhoheshin shumë dijetarë që i shërbenin zonës por edhe myslimanëve[iv].

Anipse vrojtime nga të huajt që mundoheshin të zbërthenin historinë e këtij kombi të çuditshëm, në syrin e tyre, shumë shpejt këto u kthyen edhe në vrojtime dhe konsiderata edhe të një prej diasporave më të hershme të shqiptarëve, asaj të arbëreshëve të cilët të nxitur nga një diferencim që ato dëshironin ti bënin prejardhjes së tyre filluan të shkruanin dhe të hulumtonin mbi të shkuarën e tyre në tokën e të parëve, që nuk ishte Greqia. Në një vepër të tij arbëreshi Vincenzo Dorsa, që u mbështet tek vepra e antropologut Malte-Braun, mund të lexojmë disa klishe apo stereotipe që ekzistojnë sot e kësaj dite në rreshtat e intelektualëve apo edhe historianëve tonë për Perandorinë Osmane dhe Islamin. Ai pohon se të dyja këto lidhen me tiraninë, me mizorinë dhe me ndarjen e se po kështu Dorsa nuk arrin të perceptojë një komb shqiptar multifetar, kështu që ai fillon të ngrejë dhe të himnizojë heroin nga Kruja i cili u shndërrua në armikun më të fortë të kësaj tiranie, betejat e të cilit duhet të frymëzonin shqiptarët për tu ringritur sërishmi dhe për të përfunduar misionin e tij, pra për të shporrur një herë e përgjithnjë tiraninë, shtypjen dhe ndarjen që sillte kjo perandori dhe pasi të kenë vepruar do të shënjonin një fitore të kristianizmit dhe një ringjallje të Shqipërisë që do t’u lejonte shqiptarëve të Ballkanit që të hynin në qytetërimin që do të sillte ringjalljen e gjithë kombit[v].

Por edhe intelektualja e mirënjohur në Shqipëri, Elena Gjika (e njohur si Dora D’Istra) në veprën e saj monumentale për shqiptarët, tregon trashëgiminë të lidhur me fise pellazgjike prej të cilëve kishin prejardhjen Grekët dhe Shqiptarët, këto të fundit kishin shumë figura të ndritura në histori kishin një gjak të pastër arian dhe konvertimi i tyre në islamizëm nuk i bënte ato jo evropian duke qenë se islami i tyre nuk ishte i fortë por vetëm figurativ ndërkohë që një pjesë e mirë e shqiptarëve ishin bektashinj (këtu ka parasysh pjesën Toske të Shqipërisë). Ndërkohë që të krishterët e veriut personifikoheshin si garda e hekurt që ruante “atletin e Krishtit” (pra Skënderbeun) ndërsa ortodoksët e jugut shiheshin si mbartësit e kulturës dhe helenizmit në versionin më të vjetër. Këto mendime që mundet t’i quajmë pa frikë si ide panheleniste, filluan të zbeheshin andej nga fundi i shekullit të XIX ku mendimtarët dhe rilindësit si Jani Vreto filluan të shihnin një kërcënim real të shqiptarëve nga ana e nacionalistëve grekë, madje edhe Jeronim De Rada në botimet e tij të këtyre viteve pohon këtë shqetësim. Kjo është një fazë e cila përkon me zbehjen e identitetit ortodoks fetar për t’i dhënë më shumë shtysë identitetit shqiptar, nga ana tjetër është një çast ku intelektualët ortodoks fillojnë të shohin me një vështrim tjetër myslimanët shqiptarë.

Historiografia shqiptare, pas rënies së diktaturës komuniste, e ka theksuar rolin dhe rëndësinë e klerit katolik në “lëvizjen kombëtare shqiptare” shpesh herë duke i dhënë një peshë më të madhe, por në të vërtetë deri apra vitit 1876, vetëm një personazh si Zef Jubani, i cili ishte shumë i lidhur me mjediset liberale italiane ishte i dalluar dhe i njohur në fushën e lëvizjes. Me thellimin e krizës lindore dhe zhytjen gjithnjë e me thellë të Perandorisë filluan të dalin anëtarë të tjerë të elitës katolike, sidomos ato me origjinë nga Shkodra, të cilët krijuan memorandume duke iu drejtuar kombit shqiptar. Katër prej këtyre intelektualëve morrin pjesën dhe në themelimin e Shoqërisë për shkrimin dhe shkronjat shqipe dhe mund të themi se më i lakuari dhe më i njohuri ndër to ishte Pashko Vasa i cili do të mbahej mend për një poemë e cila daton para 1890 dhe veçanërisht për vargjet e saj të famshme “Feja e Shqyptarit asht Shqyptaria” vargje të cilat me kalimin e kohës janë keqpërdorur apo edhe nxjerrë nga konteksti, por kjo i përket një teme tjetër. Përpos tij gjatë periudhës së krizës në mjediset e mendimtarëve dhe themeluesve të lëvizjes popullore shfaqet një grup katolikësh të cilët kishin një frymë antimyslimane dhe antiosmane, një prej tyre ishte dhe Zef Jubani, këto tentuan shpesh të lidheshin me malazezët dhe sllavët për të kryer revolta ndaj perandorisë, por jezuitët i denoncuan këto veprimtari në Vatikan[vi]. Duhet patur parasysh që orientimi i mjediseve katolike shkodrane ishte shumë i ndryshëm nga ai i rrymave të tjera të shqiptarizmit, disa ishin të gatshëm të bashkoheshin me sllavët kundër Perandorisë Osmane, gjë që shkonte në po të njëjtin drejtim me idenë garibaldine të një aleance me sllavët kundër Austrisë; të tjerë shtyheshin nga një frymë katolike antimyslimane; të tjerë akoma nga një ndjenjë krahinore katolike, duke parë Mirditën jo më si një “Liban” por si një “Piemont”. Ky grup tentoj shumë herë që pozicionin e veçantë të Mirditës ta ndërlidhte me operacione dhe me lëvizje të sllavëve ndaj Perandorisë por edhe për të hyjnizuar pastërtinë e banorëve të atyre trevave, duke i konsideruar si pasardhësit me gjak të pastër të Lekës së Madh dhe Skënderbeut[vii], në këtë mënyrë katolikët e veriut kishin më tepër një frymë nacionaliste lokale të lidhur ngushtë me krahinën e tyre. Shpeshherë në këto krahina do shohim edhe një “betejë” mes jezuitëve, të cilit ishin kundërshtarë të epur të garibaldizmit, ndaj mbështetësve të këtyre ideve në vendin tonë (sikundër Zef Jubani), por pas dështimit të kryengritjes së Mirditës më 1888 ishin priftërinjtë dhe organizatat katolike të cilat të shtyra nga dëshira e tyre për të konvertuar të krishterë por edhe nga qëllime të tjera, që vinin kryesisht nga influenca austro-hungareze në Ballkan, u kthyen në promotorët e lëvizjes kombëtare shqiptare.

Pak më sipër përmendëm që ortodoksët Shqiptar nga fundi i shekullit të XIX filluan të “sheshonin” idetë e tyre ndaj myslimanëve Shqiptarë, madje shumë prej tyre ndryshuan mendimet mbi panhelenizmin duke filluar të bënin akoma më të qartë një vijë ndarëse mes shqiptarëve dhe grekëve, ndihmesë të madhe në këtë mes dhanë dhe një grup tjetër ortodoksësh të cilët nuk ishin shqiptar por që kishin një gjuhë të tyre dhe një prejardhje nga Rumania, bëhet fjalë për vllahët dhe arumunët. Me pak fjalë mund të themi që edhe mes tyre kishte mendime të ndryshme, pjesa e pasanikëve ishin më të prirur për të krijuar raporte miqësie madje edhe me ide panheleniste ndaj Greqisë ndërkohë që shtresa e mesme dhe ajo e ulët ishin fanatikë në kundërshtimin e hapur që i bënin ato teorisë së panhelenizmit, kundërshtimi i tyre arrinte deri në atë pikë saqë pranonin të ishin nën sundimin osman dhe të ishin aleatët e heshtur të sulltanit se sa të bashkëpunonin me Grekët. Pra shohim një ndryshim të mendimit të ortodoksëve shqiptarë, të mbështetur edhe nga ato arumunë dhe vlleh për një “sheshim” të ndasive mes myslimanëve dhe ortodoksëve. Por si ishte gjendja e mendimtarëve myslimanë shqiptarë të asaj kohe? Për hir të së vërtetës mendimtari më i shquar Shqiptar që i përkiste besimit mysliman, i cili krijoj një doktrinë të tij mbi shqiptarizmin është Shemsedin Sami Frashëri i cili mësimet e tij të fesë dhe të kombëtarisë i morri nga një dijetar mysliman me origjinë nga trevat Shqiptare, Hoxha Tahsini. Nuk duhet harruar këtu dhe kontributi i vyer që Naim Frashëri apo dhe Abdyl Frashëri kanë dhënë mbi shqiptarizmin, i pari u fokusua së tepërmi në krijimin e një doktrine “shpirtërore” për shqiptarizmin, duke vetëzgjedhur bektashizmin si fenë e shqiptarizmit ndërkohë që i dyti u përfshi në lëvizje politike që ishin shumë të rëndësishme në atë periudhë, si ajo e “Lidhjes së Prizrenit”. Shqiptarizmi i Sami Frashërit u lidh mjaft ngushtë me pretendimet territoriale të Greqisë i cili nuk ishte shfaqur akoma në veriun e Shqipërisë ku duket se Serbët e Malazezët po merreshin me Bosnje Hercegovinën. Ndryshe nga rilindësit e tjerë, Sami Frashëri nuk i shihte me bezdi myslimanët shqiptarë madje nuk i shihte si “tradhtarë” përkundrazi ai në veprat e tij mundohej ti jepte krenari myslimanëve të cilët duket se kishin humbur atë krenarinë e dikurshme, por nga ana tjetër Sami Frashëri nuk ngurronte asnjëherë të përmendte se myslimanët Shqiptarë kishin një gjak të njëjtë me të krishterët Shqiptarë. Se besimi në Zot, në forma të ndryshme nuk kishte përse ti pengonte shqiptarët të ishin një. Nga ana tjetër Sami Frashëri e bënte të tijën teorinë e zhvilluar më parë nga albanologët por edhe nga shqiptarët e krishterë për origjinën e shqiptarëve që ishte ajo “pellazgjike”, duke e popullarizuar këtë teori në veprën e tij “Kamus el elem” por kjo teori pësoj disa ndryshime. Në tregohej dhe thuhej që vetëm shqiptarët ishin pasardhësit e pellazgëve dhe nuk paraqiteshin idetë e mëparshme të albanologëve apo mendimtarëve të krishterët që pellazgët i lidhnin jo vetëm me arianët shqiptarë por edhe me latinët, grekët, në këtë mënyrë Sami Frashëri pohonte se gjuha e shqiptarëve nuk ishte një degëzim i pellazgjikes por që ishte një gjuhë që origjinën e saj e kishte tek pellazgët. Pra shqiptarët ishin pasardhësit e Pellazgëve të cilët kishin ardhur vetë nga Azia sikundër popujt e tjerë arianë kishin ardhur, këto fise pellazgjike kishin ardhur më parë se fiset helene, pra ato greke. Nga ana tjetër Sami Frashëri mundohej që të shihte elementë ndërlidhës mes shqiptarëve edhe përmes dokeve dhe zakoneve, ai i bën një studim të hollësishëm dokeve apo zakoneve si besa, mikpritja, gjakmarrja, falja etj për të treguar se si shqiptarët edhe pse të ndryshëm kishin tradita dhe zakone specifike për rajonin por edhe të përbashkëta mes tyre.

Ndërkohë që ai nuk e shikonte si “problematik” apo si një shenjë “dobësie” dhe “tradhtie” faktin që shumica e shqiptarëve ishin konvertuar në mysliman, përkundrazi ai pohon se kjo erdhi për shkak se ato e kuptuan mesazhin hyjnor dhe bashkues të Zotit dhe iu nënshtruan një perandorie që kishte në bazë të saj ligjet e Zotit gjë që nuk ndodhi me Romën apo me Bizantin[viii]. Pra shohim një ide apo dëshirë për të bashkuar shqiptarët pa asnjë lloj dallimi dhe ajo që është për tu veçuar këtu është se ky bashkim nuk do të kishte “tradhtar” dhe “jo tradhtar”. Por edhe pse këto ide Sami Frashëri i hodhi në “treg” koha u tregua e ashpër duke qenë se Perandorisë gjithnjë e më shumë po i vinte fundi dhe se shqiptarët nuk dëshironin të kalbeshin më në atë pemë, andaj ato i përshpejtuan lëvizjet e tyre dhe ligjërimin e tyre shumë prej myslimanëve do të kishin formulime të reja të shqiptarizmit, sikundër mund të shihet në revistat e atyre viteve. Për myslimanët shqiptarë fjala ishte te këmbëngulja për të kërkuar një identitet evropian, një identitet mysliman të ndryshëm nga ai i turqve dhe në këtë mënyrë do të legjitimonin qëndrimin e tyre në trevat shqiptare në çastin kur Perandoria do të largohej. Të mos harrojmë se ishte një periudhë ku filloj të promovoheshin studimet orientaliste dhe ku gjithçka që vinte nga orienti shihej si diçka e vjetër, antike dhe sarkastike[ix]. Kështu filloj një kthesë e shqiptarizmit edhe tek vetë myslimanët.

Nga çka lexuam më sipër shohim se ka një lidhje, të paktën historike, por jo vetëm, mes tezave të historianëve dhe intelektualëve të këtyre ditëve me ato të rilindësve, por në thelb ku qëndron problemi i vazhdimësisë, thuajse mota mo të këtyre mendimeve?

Së pari duhet pasur parasysh që periudha në të cilën u krijuan këto ide ishte një kohë ku nacionalizmi po merrte hov dhe duke qenë se Shqipëria kishte në kufijtë e saj shtete-kombe që kishin një etni që e barazonin me religjionin të krijonte një farë imazhi se e tillë është konstrukti i kombit. Nga ana tjetër shihej edhe një farë “paqartësie” e cila lidhej me faktin se si do të veprohej me tjetrin i cili nuk i përkiste asaj që jemi ne, pra si do të ishte statusi i shqiptarëve myslimanë nëse të krishterët do të ishin sundues? Madje edhe vetë të krishterët kishin disa ndasi që i kishin rrënjët më të hershme se sa ndasitë mes tyre dhe myslimanëve. Nga ana tjetër myslimanët për të ruajtur qëndrimet e tyre në ato vendbanime filluan që ta shihnin nocionin e kombit jo vetëm në aspektin religjioz por edhe në atë gjuhësor, të dokeve, zakoneve, traditës apo edhe të gjakut. Në fakt të gjitha këto u përdorën jo vetëm nga Perandoria Osmane por edhe nga Fuqitë e Mëdha, në fakt nuk duhet ta shohim marrëdhënien apo krijimin e çdo ideologjia apo veprimtarie të mbyllur nga ajo çfarë ndodh përreth saj sepse nëse do të vepronim në këtë formë atëherë nuk do arrinim të gjejmë thelbin e vërtetë.

Sikurse e pamë studimi i çështjes Shqiptare u nxit shumë nga konsuj, gjeneralë, ambasadorë, poetë që filluan të vinin gjithnjë e më shumë në Ballkanin Perëndimor për ti ushtruar një farë “presioni” Portës së Lartë. Të interesuar për të njohur banorët me të cilën do shtynin kohën por edhe të yshtur nga idetë e tyre kolonizuese shumë gjeneralë hodhën hapat e para të asaj shkence që sot quhet Albanologji, ishin pikërisht këto të cilët krijuan dhe hodhën hapat e para për formimin e një doktrine të shqiptarizmit. Shkolla të ndryshme të Albanologjisë frymëzuan në një formë apo në një tjetër edhe rilindësit e parë që ndodheshin në qendrat e emigrantëve shqiptar dhe shumë prej tyre morën bazat e teorive të tyre nga këto albanologë duke i shtjelluar akoma më tej prandaj shikohet një farë lloj “mospërputhje” mes mendimeve të rilindësve tanë në fillimet e tyre. Kështu Austro-Hungaria duke mos dashur një dalje të Serbisë në det tentonte gjithnjë e më shumë që ti vishte shqiptarëve, e sidomos atyre katolik, një stof të veçantë nga ana tjetër Italia filloj të krijonte planet e saj të para (sidomos pas dështimit në Etiopi) për të kolonizuar bregdetin e Adriatikut dhe gjithë Shqipërinë kjo për të ndihmuar edhe Serbët në luftën e tyre ndaj Austro-Hungarisë, Grekët nga ana tjetër filluan të hapnin shumë shkolla në jug të Shqipërisë në mënyrë që të mbillnin një farë nacionalizmi ortodoks kështu filluan të vepronin edhe Serbët me pjesën e Maqedonisë dhe një pjesë të Kosovës.

Me pak fjalë ato ndasi të cilët rilindësit tonë i kishin në shkrimet e veprat e tyre vinin për shkak të një rivaliteti shumë të fuqishëm në arenën ndërkombëtare ku Porta e Lartë shihej si burimi i çdo të keqe dhe ku Shqipëria shihej si një copë torte nga e cila duhet të përfitonin sepse përftimi i saj do të ishte porta e hapur për të rimarrë Stambollin dhe për të shporrur nga Evropa e krishterë dhe helene armikun e përbetuar Osman (që më pas do shihej si Turk). Por vinin edhe për shkak të një galvanizimi shumë të madh të ndjenjave fetare të cilat asokohe mes shqiptarëve nuk ishin ashtu sikundër mundohen të paraqiten sot e kësaj dite. Nga ana tjetër shekulli i XIX sheh dhe krijimin e një shkence të re, paragjykuese nëse mund të themi kështu, e cila do të merrej me studimin e zakoneve dhe traditave orientale dhe që u quajt Orientalizëm. Për të kuptuar se çfarë është më thellë orientalizmi duhet lexuar me shumë vëmendje vepra e intelektualit të njohur Eduard Said i cili ka shkruar veprën themelore mbi këtë shkencë me titullin “Orientalizmi”, por krijimi i paragjykimit për Lindjen dhe zakonet e saj ndikuan dhe vazhdojnë të ndikojnë jashtëzakonisht shumë në doktrinën e historiografisë, por jo vetëm, të mendimtarëve shqiptarë.

Sigurisht që tanimë qëndron problemi nëse sot janë të justifikueshme qëndrimet e një pjese të mirë të mendimtarëve shqiptarë, që vazhdojnë të elokuojnë në po të njëjtën mënyrë?!

Bota në gjithë këto vite, sidomos pas kalimit të dy luftërave botërore, duket se ka ndryshuar shumë tashmë kemi më shumë grupe njerëzisht të cilët janë më të afërt me fatkeqësi të ndryshme që ndodhin nëpër botë. Gjithnjë e më shumë po tentohet që të kalohet nga një identitet lokal në një identitet më global dhe më gjithëpërfshirës, e pikërisht një nga këto synime ka edhe Bashkimi Evropian. Mirëpo zhdukje e ndasive dhe paragjykimeve raciale do të thotë që vendin në Evropë nuk mundet ta fitosh përmes të pasurit e një gjaku arian, një gjuhe të pastër që na vjen drejtë për drejtë nga lidhja me të parët e kështu me radhë sepse të gjitha këto krijojnë disa identitete të vogla që nuk ndihmojnë në pranimin e tjetrit dhe uljen e barrierave por përkundrazi krijojnë barriera. Ndërkohë që Evropa tenton të afrojë dhe të bashkojë kultura të ndryshme drejt një bashkësie që është evropiane ne tentojmë, në një mënyrë apo në një tjetër, për të krijuar një imazh të “veçantë” duke evokuar heronj të së shkuarës dhe trashëgimi të atilla personale që nuk i ka kushdo në evropë. Në këtë kontekst gjykoj se predikime të tilla nuk na shërbejnë aspak, jo vetëm për të dalë faqebardhë në sy të evropianëve, tentojnë të krijojnë identitete fragmentare që janë shumë të dëmshme për vetë pozicionin që ne jemi. Që të kuptohemi e gjitha kjo nuk do të thotë që duhet të heqim dorë nga historia jonë, por do të thotë që s’duhet të keqinterpretojmë atë dhe të shkuarën tonë, bota në të cilën jetonin rilindësit tonë ishte komplet e ndryshme nga ajo që jemi ne sot, filozofia e asaj periudhe ishte shumë i ndryshëm nga filozofia dhe synimet globalizuese që po mundohet të ndërtojë sot shoqëria.

Tendenca për të tkurrur në një masë të veçuar dhe më pas për të injoruar një grup shoqëror, duke dashur të krijojmë një shoqëri homogjene me përdhunë, nuk është vetëm një shkelje e të drejtave të njeriut por rrezikon në vetvete edhe një vetëshpërthim të këtij grupi të margjinalizuar. Kështu nëse do të synohej që myslimanët ti quash si “tradhtar” meqë u konvertuan në islam, apo shqiptarët e Shqipërisë së mesme si mbartës të një kulture prapanike, turkoshake, otomane e kështu me radhë ne arrijmë të krijojmë një “skizmë” të tillë mes shqiptarëve që do ti bënte dëm dhe vetë nacionalizmit që predikohet sot e kësaj dite ndër ne. Nga ana tjetër teza të tilla, mendoj se janë jashtëzakonisht të rrezikshme duke qenë se tentojnë të japin një imazh të gabuar të historisë, tentojnë ta paraqesin botën bardh e zi (pra lindje e keqe dhe perëndim i mirë), tentojnë të krijojnë një skizmë fetare dhe të panevojshme mes atyre që ishin “guximtarë” sepse ruajtën fenë dhe identitetin evropian ndaj atyre që u treguan “frikacakë” meqë nuk arritën të ruanin fenë dhe u konvertuan në fenë e pushtuesit injorant. Kjo jo vetëm që nuk arrijnë të bashkojnë shoqërinë, por mundohen që të krijojnë ndasi mes saj duke i ndarë në dy kasta atyre të “guximtarëve” dhe atyre të “frikacakëve”. Krijimi i imazheve sikur ne jemi një komb që i përket me përdhunë Evropës dhe se identitetin e kemi të tillë nuk do të na bëjë më të dashur për Evropën dhe as më të bukur në sytë e saj dhe do të ketë shoqëri që janë krijuar më pas se ne, duke formuar kombet e tyre, që do të jenë më të mirintegruara dhe më të mirë organizuara që mundet ta fitojnë dashurinë dhe dashamirësinë e Evropës vetëm nga fakti se dinë të shfrytëzojnë siç duhet burimet e tyre, ndryshe nga ne. Pastaj mund të shtrohet një pyetje: Sa e shëndetshme është kjo për një shoqëri të tillë?

Është shumë e qartë se sot në vendin tonë islami shihet si një fe e dyshimtë dhe me një frikë gati-gati patologjike, shpesh herë të qënurit mysliman me familje konsiderohet si një islam i duhur i cili duhet ti mbajë format e tjera të adhurimit apo edhe objektet e tjera fetare vetëm si një relike për të treguar, kur të jetë nevoja, që ja edhe ne jemi myslimanë. Mirëpo duke qenë se njeriu është një qenie e lirë për nga natyra e tij dhe e zgjedh vetë udhëtimin në jetën e tij, ka prej tyre të cilët kanë zgjedhur që të praktikojnë këtë fe dhe larmshmërinë që ky religjion të ofron. E gjitha kjo ka ndezur edhe më tej debatin mbi këto “frikacakë” të cilët u mbarsën me paragjykime të shumëllojta dhe me një lloj izolimi të tillë edukativ dhe atë të punësimit në administratë publike. E duke patur parasysh këtu përjashtimet e shumta nga shkolla të vajzave me shami apo edhe faktin që në emër të laicitetit ato nuk punësohen në administratë publike, apo lidhjen e çdo dukurie antiligjore me sheriatin dhe islamin; që po duket sikur do ti fusë në kllapi ato. Dëshira për të zhdukur apo për të perifrazuar teori të ndryshme mbi këto myslimanë është shumë e dëmshme për shoqërinë tonë, dakord dikush mundet të thotë që pohime të tilla nuk përbëjnë asnjë gjë të dënueshme. Unë mendoj të kundërtën, të mos harrojmë se shfarosja e hebrenjve nga nazistët gjermanë u bazua në një libër të Hitlerit “Mein Kampf” dhe mbi filozofit raciste të ngritura dhe të bazuara në superioritetin racor dhe superioritetin e gjuhës, terma këto që gjithnjë e më shumë po i hasim jo vetëm në ligjërimin e intelektualëve por edhe të personave të thjeshtë, të mos harrojmë se masakrat dhe dhuna e ushtruar nga Mlladic, Miloshevici dhe Karaxhixh në Bosnje e Kosovë u kryen pikërisht duke u bazuar tek teoritë ultranacionaliste të historianëve dhe filozofëve Serbë të cilët kishin një synim të qartë “Një fe, një etni, një shtet”. Prandaj teori të tilla që burojnë nga dora e personave me influencë në shoqërinë tonë, nuk janë vetëm të frikshme por edhe duhen parë me një kujdes të veçantë duke qenë se arrijnë të promovojnë një farë lloj destabilizimi i cili mund të dërgojë në një urrejtje të thellë mes njëri tjetrit duke u rikthyer sërish në fillimet e shekullit të XIX ku ndasitë fetare dhe ato rajonale ishin shumë të theksuara. Po kështu mund të sjellin një farë ndrydhjeje dhe diskriminimi negativ akoma më të rëndë ndaj shoqërive dhe grupeve duke u kthyer ose në një diktaturë shoqërore të shumicës ose në një regjim të aparteidit shoqëror. Mirëpo nëse e ndodh e gjitha kjo, pra izolimi i këtij grupi, atëherë kjo do të jetë një humbje e madhe për shoqërinë tonë dhe për potencialet që ky grup shoqëror ka për të ndihmuar emancipimin dhe zhvillimin e shoqërisë.

Mendoj se ka ikur koha e zhdukjeve, shfarosjeve apo edhe e izolimeve që shumica e shoqërisë tenton ti bëjë një pakice të saj apo edhe anasjellas, sepse synimi i një shoqërie me diversitet brenda saj nuk është ajo e zhdukjes apo shkrirjes përkundrazi është ajo e bashkëpunimit dhe e përparimit. Mendoj se nuk jemi më në një situatë ku elitat bashkëkohore janë të fryra dhe të drejtuara drejt një historiografie evropiano-katoliko-centriste, sikundër ishte historiografia apo filozofia e shekullit të kaluar, jetojmë në një botë ku promovohet diversiteti i kulturave dhe ku do ishte anormale që një grup shoqëror i cili ka krijuar bazat e tij në këtë vend të tentojë në një formë apo në një tjetër të mbijetojë në një klimë kaq mbyt3se dhe shtypëse. Një shoqëri që është heterogjene dhe tenton mënyrat se si e si të kthehet në një shoqëri homogjene nuk bën gjë tjetër vetëm se vetë shkatërrohet duke sjellur një brejtje të trupit të saj.


[i] Identiteti Europian i Shqiptareve, Ismail Kadare. Parathënie e librit

[ii] Teoritë e shumta që variojnë nga ajo pellazgjikia e deri tek teoria ilire apo edhe ajo barbare që tenton të lidhë popullin Shqiptar me rrënjët e së shkuarës.

[iii] Ami Boue vëllimi IV; 181-182

[iv] Në fillimet e Nacionalizmit Shqiptar- Nathalie Clayer fq 152

[v] Vincenzo Dorsa “Sugli Albanesi. Richerché e pensieri” Napoli 1847

[vi] Jup Kastrati “Zef Jubani (Ndokilia)”, Studime Historike, 1980/2 fq 127-150.

[vii] Nathalie Clayer “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar”

[viii] Sami Frashëri “Arnaut” fq 146

[ix] Një mendim I tillë vazhdon edhe sot e kësaj dite në Shqipëri dhe kjo do ceket pak më poshtë.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *