Shqiptarë Me Bisht!






E-Zani

Kapitulli i katërt i librit Wild Europe: The Balkans in the Gaze of Western Travellers (kohët e fundit i botuar dhe në shqip) i antropologut slloven Bozidar Jezernik, titullohet “Men with tails” (Burra me bisht). Libri shqyrton perceptimet e udhëtarëve dhe ekspertëve evropiano – perëndimorë rreth ballkanasve, përfshi përshkrimet e tyre se në Ballkan kishin ndeshur në “njerëz me bisht.”


Shumë popuj janë etiketuar me të tilla njolla raciste e shoviniste në histori, sigurisht më së shumti popujt afrikanë por edhe vetë anglezët. Në Ballkan, ama, shqiptarët duket të kenë qenë shënuar vecanërisht nga etiketimet e racistëve perëndimorë si njerëz me bisht dhe prej tyre kjo retorikë u përftua dhe u përdor nga politikanë serbë. Serbët kërkonin të paraqisnin shqiptarët si primitivë të pa aftë për të drejtuar një shtet dhe duke mohuar të drejtat shtetformuese të shqiptarëve, serbët kërkonin të plotësonin ambicjen e tyre për të patur dalje në det. Për të këtë arsye ata botuan libra në disa gjuhë duke përhapur të tilla ‘argumente’ të huazuara kryesisht nga autorë austro-hungarezë, midis të cilave dhe se shqiptarët janë “njerëz me bisht.”


Ky lloj etiketimi është rikthyer në parlorin shqiptar i risjellë në shkrimet e autorëve të njohur si kontribues të ligjërimit nacionalist katolik, përfshi dhe në gjuhën e ndonjë kleriku katolik. Ky etiketim ka vënë në shenjestër shqiptarë muslimanë të cilët këta autorë i quajnë: shqiptarë me bisht.


Këta racistë shqiptarë marin shkas nga arestimet e disa muslimanëve shqiptarë si Arid Uka apo vëllezërit Duka për të tejcuar të tilla etiketime raciste tek të gjithë muslimanët shqiptarë, përfshi politikanë e intelektualë që nuk njihen për devocion fetar, por që nuk kanë qëndrime të miratuara nga këta fundamentalistë katolikë.


Një farë Ilir Dardani shkruan:

Sot ne kemi dy te rinj amerikane te vrare barbarisht pa asnje arsye nge nje shqiptar, kemi edhe dy te tjere qe e kane provuar plumbin e shqiptarit me bisht dhe ju guxoni te mbyllni syte dhe te mohoni bishtin tuaj! Filluat edhe te mohoni kombesine e tij duke na e bere gjerman edhe pse babe e nane i kishte myslimane nga Kosova, vend ne te cilin edhe kishte lindur! Ne familjen e tij kishte edhe hoxhallare! Hipokrizia e bishto-shqiptareve eshte e padurueshme dhe gjak-ndjellese. Nese mburremi me fituesit e Nobel per Paqe dhe Shkence, Gonxhe Bojaxhiun e Ferit Muratin (ky i fundit ka lindur ne Amerike para 74 vitesh dhe gjithe jeten e deritashme e ka kaluar atje), atehere duhet te c’mburremi me keta kriminelet bishto-islamike, por kjo nuk na pelqen sepse jetojme jashte realitetit, jetojme ne enderra te semura, prandaj eshte jete-a-vdekje Zgjimi Kombetar.

Një nga ilustrimet që autori sjell në artikullin e tij mbi “shqiptarët me bisht” është dhe fotografia e përurimit të një xhamie ku gjendet Kryeministri turk dhe Kryeministri Hashim Thaci. Më pas ai vazhdon:


E si nuk paskan pasur bisht te gjithe hoxhallaret ne kohen e perandorise pushtuese islamike?!


Teknika është e njohur. Një etiketim i tillë i urryer racist përdoret kundra shqiptarëve të cilët me aktet e tyre kanë përftuar me të drejtë zemërimin e bashkatdhetarëve të tyre dhe kjo synon të sjellë normalizmin dhe pranimin e një termi që në të kundërt do ishte refuzuar menjëherë. Më pas, krijohet një lidhje e montuar midis këtyre individëve me persona të njohur qoftë klerikë apo dhe politikanë e intelektualë me origjinë muslimane dhe me të tërë muslimanët. Zemërimi ndaj akteve të disa individëve përdoret që të demonizohet një bashkësi e tërë fetare dhe një religjion i tërë, që të konstruktohen imazhe dhe përfytyrime identitare në antagonizëm të Islamit dhe muslimanëve.


Në përfytytimet e këtyre fundamentalistëve katolikë, synohet që të realizohet apostasia kolektive e shqiptarëve ndaj Islamit dhe kushdo që refuzon është i destinuar të margjinalizohet si armik, si “shqiptar me bisht.”


Autorë racistë evropianë qysh nga shekulli i 17të e këndej, edhe kur pranojnë se nuk kanë parë me sy ndonjë shqiptar me bisht, duket të jenë të bindur për vërtetsinë e asaj që thonë. Për politikanët dhe propaganduesit serbë do ketë patur pak rëndësi “vërtetsia faktike” e këtij etiketimi. Autorët katolikë shqiptarë, që kanë risjellë plehun e formës më të ulët dhe më të diskretituar të racizmit tradicional evropian kundra bashkatdhetarëve të tyre, duket të sygjerojnë se bishti i shqiptarëve muslimanë është feja e tyre, Islami. Ky është një ilustrim që ndihmon edhe ata që pyesin se si retorika anti-islame mund të jetë raciste. Një nga karakteristikat e ligjërimit islamofob është që ka racizuar muslimanët duke i kthyer ata në kategori raciale. Kujtojmë këtu edhe etiketimet e muslimanëve shqiptarë si “turko – arabë.”


Në mbyllje të kapitullit mbi “njerëzit me bisht,” Jezernik përkujton lexuesin se autorët perendimorë kanë treguar neveri ndaj retorikës raciste serbe të llojit që etiketon shqiptarët si njerëz me bisht, harrojnë se serbët, me gjithë mëkatet e tyre, i kishin huazuar këto etiketime nga autorë perëndimorë.


Jazernik shkruan: “… disa ekspertë perëndimorë denoncuan autorët serbë si ‘racistë ekstremistë,’ edhe pse faji i tyre, në fakt, ishte dëshira entuziaste për të konstruktuar serbët si ‘evropianë të vërtetë’ dhe për t’i paraqitur ata si të tillë para botës.”


Në të njëjtën mënyrë, fundamentalistët katolikë shqiptarë kërkojnë të paraqisin një identitet perëndimor. Në një postim të blogut E-Zani i Nalte, është shkruar më parë se:


“Partizanët e kësaj retorike pretendojnë se përfaqësojnë vlerat evropiane, por Evropa e tyre është mesjetare, e dhunshme, ksenofobe. Realiteti ynë si muslimanë evropianë është i pakontestueshëm dhe legjitimiteti ynë është i bazuar në prezencën tonë gjeografike, në historinë e prezencës sonë në Evropë dhe faktit të pakundërshtueshëm se mendimi, etika, teologjia dhe kultura muslimane gjenden në themel të Evropës që doli nga errësira e mesjetës së hershme. Ne jemi përfaqsues dhe përqafues të një imazhi tjetër evropian, që sheh diversitetin si pasuri, që është i hapur dhe pluralist.”


Si rjedhojë, retorika e urrejtjes duhet dënuar kur vjen nga këta fundamentalistë katolikë, ashtu si dhe kur vjen nga faqet e Forumit Islamik, me glorifikimin e turpshëm ndaj vrasësve masivë të Kullave Binjake në New York. Prezenca dhe vëmendja që po merr kjo lloj retorike tregon që ne jemi në një periudhë kur kemi tejkaluar status quo-në e supozuar të ‘tolerancës’ së shumëpërfolur fetare të shqiptarëve. Ata që vlerësojnë rëndësinë e harmonisë ndërfetare duhet të përfshihen në një dialog të mirëfilltë ku të adresohen problemet dhe retorikat që prodhohen brenda cdo bashkësie dhe cfarë i nxit ato.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *