Shkenca kundër Turqisë





E. Mërtiri

Një kërkesë e Ministrit turk të Arsimit për eleminimin e fyerjeve nga tekstet shkollore të historisë ka ndezur reagime të ashpra në Kosovë dhe Shqipëri. Menjëherë pas lajmit, pati një shpërthim të jashtëzakonshëm, shkrimesh, gjykimesh, komentesh si dhe akuzash e denoncimesh publike, ndaj këtyre kërkesave, të cilat e shpërqendruan debatin duke e kthyer në një kushtrim patriotik. Reagimet në tërësi kishin gjithçka përveç arsyes. Krejt në të kundërtën nga çfarë pritet prej njerëzve të mendjes, historianë e intelektualë vërshuan mediumeve me parrulla dhe brohoritje që nuk kanë asgjë të përbashkët me botën akademike. “Krejt botën e japim, Skënderbeun s’e japim”, – shprehej historiani Hakif Bajrami për gazetën Express, duke të krijuar më tepër përfytyrimin e një ultrasi që bërtet nga shkallët e stadiumit.

Për rrjedhojë ky debat, më shumë i fryu zjarrit të emotivitetit dhe sesa i thërriti arsyes, gjë që pengoi mundësitë e zhvillimit normal, për tu bërë i dobishëm për shoqërinë. E gjithë kjo përbën një paradoks ku ia vlen të ndalesh.

Inkoherenca logjike e argumenteve

Përtej zhurmënajës absurde të krijuar mediatikisht, duhet evidentuar se deri tani, ende nuk dimë gjë për pretendimet konkrete të palës turke të cilat, nuk i janë ofruar ende me hollësi publikut. Kaq do të mjaftonte për ta ndërprerë këtë diskutim, deri në një moment tjetër, kur kërkesat turke të jenë përfunduar dhe ti ofrohen palës shqiptare. Në këtë mënyrë, ajo çfarë do të vlente të kërkonin historianët, është vetëm transparenca e procesit. Gjithçka tjetër, është e tepërt, për sa kohë këto kërkesa nuk janë formuluar ende.

Megjithatë, kjo nuk i ka penguar historianët të diskutojnë në mënyrë hipotetike. Për këtë, ata gjetën edhe një bosht, gjithashtu hipotetik, ku mund ta tjerrin debatin: a duhet quajtur apo jo pushtim, sundimi osman.

Duke reaguar fort ndaj kësaj çështjeje, disa prej tyre janë përpjekur të ofrojnë argumente shterruese që synojnë të hedhin poshtë çdo lloj pretendimi të kundërt. Nëpërmjet disa fakteve sporadike, si dhe spekulimeve logjike të çala, ata u përpoqën të shprehin se çdo pretendim për të eleminuar fjalën “pushtim”, duhet hedhur poshtë. Arsyetimi kryesor i paraqitur prej tyre është i tillë: nëse sundimi turk nuk ishte pushtim atëherë Skënderbeu na del antikombëtar. Për rrjedhojë, edhe përpjekjet për të mos e quajtur pushtim sundimin osman, janë përpjekje që synojnë të shkombtarizojnë heroin tonë, dhe, me rregull treshi, mbeten përpjekje që synojnë të shkombtarizojnë popullin tonë.

Pa u ndalur në nivelin e mungesës së objektivitetit historik, i cili bën që ngjarjet dhe njerëzit në mesjetës të paraqiten të veshur me petka moderne, mund të vërejmë inkoherencën që shfaqet me përpikmëri në çdo hap të këtij arsyetimi. Sipas kësaj logjike, që një personazh historik të jetë hero kombëtar, duhet patjetër që armiku i tij të jetë armik i kombit dhe meqë tashmë e kemi vendosur që Skënderbeun ta quajmë hero, duhet patjetër ti konsiderojmë turqit antikombëtare apo anti shqiptarë. Dhe jo vetëm kaq, por si të tillë, ata nuk kanë të drejtë as të kërkojnë që ne të mos i konsiderojmë të tillë.

Pra, kemi të bëjmë me një gabim si në rangun rendor (objekti shpjegohet me të kundërtën e vet, statusi i Turqisë, përcaktohet nga ai që i kemi dhënë Skënderbeut), si dhe në rangut kohor (Turqia si dhe Skënderbeu fitojnë status në varësi të pozicionit që ata zenë nga përcaktime ideologjike kombtariste, e cila, në fakt ka lindur rreth 500 vjet më pas). Nga kjo e fundit mund të kuptojmë se, kjo logjikë e ndërton të ardhmen, duke u nisur nga e sotmja, duke ofruar një pamje krejtësisht moderne të mesjetës, ku Skënderbeu, Në shek. XV jeton, punon, lufton për motive kombtariste (në kuptimin modern që kemi sot për kombin si njësi themelore e organizimit politik), pavarësisht se kjo dukuri mendohet se daton, jo më larg se Revolucioni Francez. Arsyetime të tilla, na tregojnë se këta historianë, i qasen mesjetës nëpërmjet formulimeve identitare moderne, të cilat janë formësuar shumë kohë më pas. Kjo do të thotë ta zësh historinë për bishti.

Paradoksi i politizimit të shkencës

Në një kor të përbashkët, reagimet antiturke janë ngritur mbi parimin se historia është shkencë dhe si e tillë nuk mund të ndikohet, e ndryshohet prej politikës. Historiani Selim Daci, shprehet se historia duhet shkruar duke u bazuar në burime dhe fakte dhe se konteksti historik nuk mund të ndryshohet, vetëm kur kemi të bëjmë me ngjarje ose data të caktuara, të cilat mund të korrigjohen nëse zbulohen fakte të reja.

Natyrisht, ndonëse në pamjet të parë arsyetimi duket i drejtë, në të vërtetë ai është larg të vërtetës, si dhe larg konceptimeve shkencore moderne. Së pari, këtu harrohet se nuk bëhet fjalë për historinë si shkencë, por për tekste shkollore, të cilat lidhen me edukimin e fëmijëve. Në këtë kuptim, çdo vend tjetër, për më tepër një vend mik, ka të drejtë të kërkojë që të mos u mësojmë fëmijëve, të urrejnë apo ofendojnë vendin tjetër. Nga ana tjetër, ajo që është akoma dhe më larg realitetit në deklaratat e historianëve është fakti që ata flasin sikur veprimtaria e punës së tyre është absolutisht e imunizuar nga ndikimet politike. Natyrisht, gjithkush e di se në Ballkan, shkenca (sidomos historia), institucionet akademike, janë përdorur jo pak, për interesa nga më të ndryshmet pa lidhje me shkencën. Me sa duket me depolitizim të shkencës, intelektualët shqiptarë kuptojnë vetëm pavarësi nga shteti. Ky është një nga paradokset tipike të mënyrës sesi zhvillohet sot jeta intelektuale në opinionin publik, ku shtetin e marrim në përgjegjësi për gjithçka por nuk i japim llogari për asgjë. Në të kundërt me këtë, shteti patjetër ka të drejtë dhe detyrë të ndërhyjë kur konstaton se veprimtaria e isntitucioneve akademike, shkon në dëm të interesave kombëtare, apo në kundërshtim me parimet kushtetuese në vend, siç mund të jetë edhe fyerja apo nxitja e urrejtjes ndaj një vendi mik.

Por, ajo që është më problematike është fakti që historianët shqiptarë ende nuk kuptojnë që historia nuk është një shkencë ekzakte, për tu trajtuar si një dije që ofron të vërteta të padiskutueshme. Ajo që thotë Selim Daci, se historia mund të ndryshojë vetëm ngjarje ose data të caktuara, kur zbulon fakte të reja, është diçka krejtësisht e pavërtetë e cila dëshmon paditurinë e z. Daci në lidhje me teoritë moderne mbi shkrimin e historisë, të paktën që prej gjysmës së dytë të shek. XX. Mund të thuhet se sot ka një unanimitet të gjerë në rrethet e studiuesve në lidhje me faktin që shkrimi i historisë është një proces që karakterizohet nga një nivel i lartë subjektiviteti.

Teoritë moderne kanë vite që janë çliruar nga metodat faktologjike të shkrimit të historisë. Që pas viteve ’50 pati një zhvendosje të fokusit nga cilësia e burimeve drejt narrativës, e cila tashmë shihet si faktori dominues në mënyrën sesi interpretohen faktet. Sipas kësaj, teoricienët shprehen se peshën më të madhe në shkrimin e historisë nuk e kanë faktet në vetvete, por interpretimi dhe renditja e tyre, mënyra sesi ato rrëfehen. Shkrimi i historisë është një proces seleksionimi dhe interpretimi mes fakteve. Si i tillë, historiani fiton nivel të lartë objektiviteti vetëm duke njohur subjektivitetin e vet. Në të kundërtën, ai nuk bën histori, por ideologji.

Sipas studiuesve modernë historia nuk është e kaulara në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe objektive, por një rrëfim rreth të kaluarës apo një përkthim i saj. Për këtë arsye, studiuesit thonë se nuk mund të ketë një të vërtetë përfundimtare, por gjithmonë do të kemi pluralitet. Kjo nuk do të thotë të biem në relativizëm total, por kjo synon të emancipojë mendimin nga kërkesa për të vërteta absolute, si ato që ofrojnë masivisht historianët shqiptarë, që eleminojnë rolin e mendimit kritik. Padituria masive ndaj teorive të tilla shpjegon edhe përse studimet shqiptare janë kaq të prapambetura, të cilat shpesh janë vënë vërtetë në sprovë nga studiues të huaj.

Nga vetë fjalët e z. Daci, mund të zbulojmë një kontradiksion të fortë metodologjik, në mënyrën sesi konceptohet sot historia. Në prononcimin e tij për shtyp, ai shprehet me gojën e tij se tekstet shkollore të historisë janë bazuar në faktet dhe burimet e dhëna nga historianët francezë, gjermanë, anglezë. Në të njëjtën mënyrë historiani Frashër Demaj, ndërsa shprehet se nuk mund ti ndryshojë faktet për hir të interesave të politikës së ditës, sqaron më tej se “Rishkrimi i testeve shkollore veçmas të historisë është bërë në frymën evropiane”.

Pra, në mënyrë antagoniste, z. Daci e z. Demaj synojnë të na e paraqesin problemin sikur kemi të bëjmë me përplasje të historianëve perëndimorë me ataë turq orientalë. Pozicioni i dy historianëve tanë në këtë rast mbetet të jetë ai i mbrojtjes së historiografisë europiane nga historiografia turke, njësoj si Skënderbeu.

Pra, në një kohë kur, historianët shqiptarë kërkojnë mosndërhyrjen e politikës turke në punët e shkencës, ata dëshmojnë me gojët e tyre se vetë ata nuk janë të pavarur dhe objektivë në këndvështrimet e tyre. Na del se faktet qenkan parë në një frymë të ckatuar dhe se qenka pikërisht kjo frymë (fryma perëndimore) që paska orientuar shkrimin e historisë në tekstet shkollore. Pra faktologjia e zotërinjve Daci dhe Demaj, varet nga fryma nëpërmjet të cilës i përdor faktet dhe në fund të fundit, debati i historisë reduktohet në faktin se cila frymë ka më shumë legjitimitet (sigurisht, nuk bëhet fjalë më për legjitimitet shkencor, por kulturor, politik apo gjeostrategjik).

Kemi të bëjmë pra me një gjykim të ngritur mbi një dialektikë që synon ti japë legjitimitet subjektivitetit të vet, nëpërmjet përdorimit të aspiratave për integrim të ideologjisë së re të shoqërisë shqiptare, në mos edhe më keq, nëpërmjet shfrytëzimit të klisheve mediatike orientaliste, të cilat e ndajnë botën gjeografikisht bardhë e zi në kategoritë bipolare lindje-perëndim. Pra, shkencë është ajo që bën perëndimi dhe rrjedhimisht fryma perëndimore është ajo që e bën historiografinë shqiptare në Kosovë, të jetë shkencore, objektive. Po ti shtosh kësaj edhe pohimin e z. Daci, që Skënderbeu është hero kombëtar, edhe për faktin se mbrojti Evropën, na del se ky përfytyrim buron pikërisht nga një mentalitet i tillë krejtësisht ideologjik dhe i politizuar. Për këtë arsye, mund të kuptojmë lehtësisht se reagimi ndaj kërkesave turke, vjen thjesht për shkak se Turqia nuk ndodhet në kahun “e duhur” të dikotomisë lindje-perëndim. Te paktën nuk perceptohet në këtë kah.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *