E. Mërtiri

Në antikitet, duke u rrekur të konceptojë një botë perfekte, të vënë në funksionim nëpëmjet artit të politikës, Platoni ndeshet me një pengesë serioze: poetët. Duke qenë se poetët, i marrin mendjen njerëzisë duke i demotivuar të kryejnë detyrimet qytetare, Platoni nuk heziton t’i vendosë ata në fund të hierarkisë shoqërore. Poezia, arti, shihet si një armë e fuqishme që, nëse nuk është në shërbim të ndërtimit të projektit të duhur shoqëror, bëhet një pengesë e jashtëzakonshme. Për këtë arsye, Platoni i përjashton poetët nga kantjeri i ndërtimit të utopisë së tij.

Ashtu si e gjithë utopia e Platonit, edhe kjo tezë na vlen më tepër për shqetësimin që ngre, i cili, sado radikal dhe i mjegulluar, ne thelb duket se qendron. Arti, ka qenë gjithmonë një mjet i fuqishëm në duar të prodhuesve të paranojave shoqërore, dhe përtej vlerave të mëdha, ai ka shërbyer jopak në funksion të shkatërrimit. E gjithë kjo kultivon skepticizëm, jo vetëm mbi efektet që kanë sjellë artistët, por edhe mbi objektivitetin me të cilin i vlerësojmë ata. Duke qenë se shpesh politika përfshihet fort në ndërtimin e qasjeve të vlerësimit të veprave artistike, kjo ngre pikëpyetje të mëdha mbi aftësitë tona për ti vlerësuar drejt ato, gjë që lidhet pa dyshim me aftësitë tona për të qenë të imunizuar nga indoktrinimi ideologjik. Për këtë arsye, thuhet shpesh që koha është vlera më objektive mbi një vepër arti. Ajo është mjeti me të cilin presim të na dalë pija, për të gjykuar më kthjellët.

Gjatë 50 viteve diktaturë, propagandë dhe indoktrinim, ka patur një përdorim të pamëshirshëm të artit për qëllime nga më mizoret. Jo vetëm selektiviteti në përcaktimin e veprave që ruhen e që hidhen poshtë, por edhe mënyra sesi i jemi qasur këtyre veprave përgjatë kësaj periudhe, përbën një shpërfytyrim të frikshëm estetik. Kjo ka bërë që e bukura dhe e shëmtuara të humbasin krejtësisht drejtpeshimin në gjykimin tonë, duke u këmbyer pakuptuar me njëra-tjetrën. Veprimtaria seleksionuese e veprave letrare, gjatë regjimit mblodhi të gjitha skorjet, duke krijuar monumentin e vet letrar, që në mungesë të bronxit, u realizua me material prej bukë-peshku, për të mbajtur me paterica vlerat artificiale që diktatura u përpoq të integronte në shoqërinë shqiptare. Kjo ka bërë që shqiptarët të mbeten ende, popull pa shije dhe, me sa duket, do të duhet ende shumë kohë të kultivojnë diçka më të pranueshme në këtë drejtim. Për këtë arsye, vlerësimi ynë për poetët, artistët, intelektualët si dhe veprimtarët dhe politikanët është shpesh i turbullt, pa seleksionuar dot vlerat e vërteta.

Jemi mësuar tashmë të ndeshim rëndomë, vlerësime, superlativa, mistifikime mbi autorë të ndryshëm, sidomos në fushën e letërsisë. Kjo ka bërë që, jo vetëm të krijohet konfuzion në vlerësimin e vërtetë të tyre, por edhe të mos përftohet efekti i duhur i këtyre veprave në shoqëri. Konkretisht, Migjeni, është një prej autorëve që regjimi i djeshëm e ngriti në qiell, si poetin e madh të mjerimit dhe sot ende ekziston i njëjti perceptim. Në një masë të konsiderueshme, autorë të tillë vijojnë të shihen prej kritikës në korrnizat e dikurshme socio-realiste, gjë që ka bërë që të mos ndërtojmë dot krtikën e duhur për ta.

Socio-realizëm ekzistencialist

Pa dashur dhe pa pretenduar të ofrojmë gjykim letrar për veprën e tij, gjë të cilën duhet ta bëjnë studiuesit e letërsisë, mund të themi se ka disa pika që vlejnë të bëhen objekt diskutimesh, të paktën në raport me mesazhin që përcillet prej këtyre veprave. Duke lexuar poezinë e Migjenit, nuk mund të mos përftohet një pamje kontradiktore. Tek ai bashkëjetojnë ndikimet e filozofisë ekzistencialiste dhe mendimit të Niçes, në ndërthurje me elementë të fuqishëm të realizmit socialist apo edhe të bindjeve të tij politike. Ekzistencializmi përzihet me denoncimin mjerimit ekonomik dhe padrejtësisë sociale, të cilat krijojnë tek poeti zërin e protestës ndaj rendit shtypës dhe shfrytëzues. Sigurisht, këtë flirt të ekzistencializmit me komunizmin, në mënyrë po kaq paradoksale e ndeshim edhe tek një sërë autorësh të rëndësishëm të ekzistencializmit, si Sartri, Merlo Ponti, e deri diku edhe tek Kamyja, por jo në mënyrë të tillë si tek Migjeni. Megjithatë, edhe për ata, ky lloj flirti është konsideruar si një shkarje. Në rastin e Sartrit është konsideruar nga shumë studiues si një problem moral, si një oportunizëm individual për përfitime personale, të cilat në fakt, nuk kanë shumë lidhje me idetë e tij.

Në thleb, ka një mospërputhje të madhe në një miksim të tillë, si ajo që ndeshim tek Migjeni. Ekzistencializmi, siç vërejnë autorë si Robert Nisbet, buron nga kriza morale e shoqërore që ka prodhuar moderniteti. Ai ishte produkt i një jete vanitoze që vinte nga bollëku ekonomik dhe boshllëku social e shpirtëror, në kushtet e vetmisë dhe atomizmit shoqëror të shkaktuar nga individualizimi, ku lidhjet dhe strukturat shoqërore komunitare janë ndërprerë dhe çfunksionalizuar. Ai është më tepër një protestë e pakuptimsisë dhe demotivimit për jetën, i përforcuar nga ankthi dhe pasiguria që sjell ndërprerja e lidhjeve tradicionale shoqërore. Ekzistencializmi pra është më tepër produkt i mirëqenies ekonomike dhe varfërisë shpirtërore moderne perëndimore. E lidhur me mjerimin e shtresave të margjinalizuara të popullsisë fshatare në Shqipëri, për më tepër, në një mjedis shoqëror tradicional ku jeta komunitare, lidhjet mes njerëzve, dhe strukturat shoqërore ishin ende të forta dhe funksionale, ai duket pa vend. Pra, në këto kushte ekzistencializmi migjenian ngjan më tepër një snobizëm intelektual. Po ti shtosh kësaj edhe qendrimet politike anti-zogiste të Migjenit, panorama del akoma edhe më paradoksale.

Poeti i “mjerimit të historicizmit”

Megjithatë, këtu vlen të ndalemi më tepër tek mesazhi që veprat e Migjenit përcjellin në shoqërinë e sotme. Një shkrim i paradoditëve i politikanit dhe publicistit Artan Lame në gazetën “Shqip” shprehte keqardhje për faktin që, sipas tij, Migjeni sot është lënë në harresë, e për rrjedhojë vepra e tij nuk po luan dot rolin e saj shoqëror, në ndërgjegjësimin kolektiv për varfërinë që karakterizon vendin. Madje ai nuk ngurron t’ia faturojë edhe klerit shkaqet e indiferencës së sotme ndaj veprave të tij. Harresa e shqiptarëve ndaj Migjenit krahasohet me supozimin sikur francezët të harrojnë Balzakun, apo anglezët Dikensin. Për z. Lame, Migjeni është poeti që përfaqëson ndjeshmërinë ndaj mjerimit dhe përpjekjen për drejtësi sociale e barazi shoqërore dhe kjo e bën atë të nevojshëm për realitetin e sotëm.

Në fakt, më tepër se dashuri për të varfërit dhe solideritet me vuajtjen njerëzore, tek Migjeni gjen urrejtjen ndaj të pasurve dhe antagonizëm klasor. Megjithatë, është e nevojshme të hedhim një pikëvështrim tjetër, për të ekuilibruar sadopak përfytyrimet tona. Pa hyrë në diskutim mbi vlerat teorike e ideologjike të aspiratave të tilla për barazi sociale dhe efektet që ato kanë pasur në zhvillimet shoqërore e politike në të gjithë botën, ashtu si edhe në Shqipëri, vlen të ndalemi në raportin që ka poeti me realitetin. Sigurisht përfytyrimet mbi realitetin (të cilat mund të rrjedhin nga qendrimet politike, apo edhe anasjelltas), shtrojnë problemin e përhershëm të besnikërisë ndaj së vërtetës, e cila ngrihet përballë çdo shkrimtari, mendimtari apo veprimtari. Pyetja që duhet shtruar në lidhje me këtë është, sa i vërtetë ishte realiteti që përshkruan Migjeni? A ishte vërtetë varfëria në Shqipëri aq e madhe sa ajo që shohim në veprat e tij, e për rrjedhojë, a e justifikojmë dot urrejtjen klasore të përftuar prej këtej?

Nëse i referohemi të dhënave, shifrave apo edhe dëshmive të kohës, realiteti ekonomik shqiptar nuk duket absolutisht aq i zi sa ai që paraqitet në veprat e Migjenit. Aq më tepër, nëse ky realitet krahasohet me mjerimin që ky vend njohu pas ardhjes së komunizmit, ideologjisë që ka pirë ujë në të njëjtat burime idealesh nga frymëzohen edhe vargjet e tij, mund të thuhet se periudha kohore për të cilën po flasim ka qenë një parajsë e vërtetë. Koha e zogut, konsiderohet nga të gjithë ata që i kanë jetuar të dyja (të Zogut dhe të Enverit) si “koha e bollëkut”. Ndoshta dikush mund të ketë objeksione ndaj dëshmive, por gjithsesi nuk mund të mos pranojmë se ky realitet ekonomik, të paktën nuk ka qenë aq i errët. Pra mjerimi, në të vërtetë ka qenë më tepër në imagjinatën e Poetit të Mjerimit, sesa jetën reale në Shqipëri. Eshtë pak a shumë e ngjashme me mjerimin dhe sterrosjen që i bën realitetit sot opozita, ku bën pjesë edhe z. Lame. Jo më kot, ai kujtohet vetëm tani për Migjenin. Fatkeqësia e vërtetë në këtë vend, është se Migjenët (në paçin vërtetë vlera letrare) kanë lindur vetëm kur ka pasur liri dhe se diktatura nuk ka lejuar të dalin poetë që ti këndojnë mjerimit të vërtetë, atij më të tmerrshmit që ka përjetuar ndonjëherë ky vend. Në kundërshtim me këtë, bardët e diktaturës kanë kënduar refrenin e “vlasit të lumturisë” së atdheut socialist.

Ajo që mund të thuhet se karakterizon vlerësimin historik në të tilla raste, është ajo që ka të bëjë me modernitetin. E vërteta nuk është ajo që është në vetvete, por ajo që shfaqet. Historiografia, nëpërmjet narracionit, ka shancet ti japë jetë vetëm përfytyrimit që ajo do, gjë që do të thotë se ajo ka mundësinë ta prodhojë realitetin historik që rrëfen. Historia pra, nuk është e kaluara reale, nuk është ajo që ka ndodhur, por ajo që rrëfehet, ashtu si edhe realiteti nuk është ai që është në të vërtetë, por ai që shfaqet, ai që bëhet objekt komunikimi, pra ai që paraqitet në mjetet e komunikimit. Historia dhe realiteti marrin jetë me rrëfimin dhe si të tilla ato nuk gjenden objektivisht diku, por gjenden në gojën e autoritetit që i rrëfen dhe i shfaq. Është pikërisht ky autoritet që i jep jetë, i sjell në ekzistencë. Në këtë mënyrë, e vërteta për standardin ekonomik të kësaj periudhe historike nuk është ajo që dëshmojnë shifrat dhe dëshmitë historike, por ajo që shfaqin vargjet e Migjenit, Fan Nolit dhe të tjerëve. Historia, sipas këtij botkuptimi, nuk shkruhet e rishkruhet, por recitohet e këndohet. E gjithë kjo është një konstruksion, i krijuar kësaj rradhe jo më nëpërmjet fakteve interpretative historiografike, por nëpërmjet sensibilitetit të prodhuar në mënyrë subjektive, emotive, që ne e quajmë art. Historianët më pas, janë këmbësoria e kësaj armate, e cila kryen spastrimin e detajuar konceptual për të përfunduar rrokadën ideologjike që synohet. Ky proces, në gjuhën e historiografisë dhe shkencave të mendimit quhet: procesi i rishkrimit të historisë. Kjo është ajo që ka ndodhur në Shqipëri gjatë diktaturës, dhe që po ridimensionohet e trukohet sot përgjatë tranzicionit.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *